Alma Çuka
Shifrat e trafikut të qenieve njerëzore tregojnë nivele të larta, Ministria e Brendshme, ende në fazën e projekteve
Një nga plagët e shoqërisë shqiptare, mes shumë të tjerave që e shoqërojnë çdo ditë, është edhe trafikimi i qenieve njerëzore. Fëmijët, gratë, vajzat e mitura, djemtë e familjeve në nevojë janë më së shumti ata që bien pre e trafikut, i cili kryhet jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, kryesisht në vendet fqinje. Për të forcuar kapacitetet e strukturave shtetërore në mbrojtje të viktimave të trafikut, Ministria e Brendshme organizoi dje një tryezë të përbashkët me Caritas Shqiptar dhe CRS. Identifikimi i viktimave të trafikimit dhe ngritja e Komitetit Drejtues përgjegjës për monitorimin e zbatimit të përgjegjësive të Komiteteve Rajonal Antitrafik janë dy nga pikat kryesore të projektit, i cili fillimisht do të zbatohet në pikat kufitare, Morin dhe Han të Hotit, Muriqan. Në këto pika kufitare, pritet të ngrihen dhoma, ku personat e trafikuar, pas kthimit në vendin e tyre, do të merren në intervistë, para se ata të dërgohen në qendrat e rehabilitimit.
Statistikat
Vetëm gjatë periudhës shtator 2013 – shtator 2014 në Shqipëri janë evidentuar 88 viktima të trafikimit, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Këto shifra i ka bërë të ditura zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, gjatë takimit të djeshëm, ku objekt ishte forcimi i strukturave shtetërore për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore. Sipas zëvendësministres, pranimi i kësaj kategorie në shoqëri është më i vështirë sesa rehabilitimi.
Sipas raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria është vend burimi dhe destinacion, por jo transit i trafikimit të qenieve njerëzore. Zëvendësministrja u shpreh gjatë takimit se vendi ynë nuk është më në listën e vëzhgimit, por jemi ngritur një kategori më lartë. Tra janë hallkat të cilat ndihmojnë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. E para është policia në bashkëpunim me shërbimin social, e dyta Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ministria e Brendshme pretendon se ka arritur të kryejë identifikimin e kësaj kategorie personash në një numër relativisht të madh, por gjithsesi shifrat mbeten sekrete. Trafiku më i madh kryhet në qytete, si: Tirana, Vlora, Fieri, Elbasani, Durrësi, Shkodra. Ndërkohë mosha e cila preket nga ky fenomen është 18 deri në 33 vjeç. Vendet kryesore në të cilat haset trafikimi i qenieve njerëzore janë, Italia, Greqia, Maqedonia, dhe në disa raste edhe Mbretëria e Bashkuar. Rastet tipike janë ato të mashtrimit për një punë më të mirë. Zakonisht trafikanti pranohet edhe në familjen e viktimës. Ai i propozon viktimës për një jetë më të mirë dhe më pas kalojnë në kërcënime dhe të gjitha ato elemente që e bëjnë një vepër penale të trafikimit. Gjatë vitit 2014, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë 4 vendime penale, ku janë dënuar 10 persona, ndërkohë një vit më parë janë dënuar vetëm dy. Shumë çështje janë nën hetim dhe Ministria e brendshme shpreson që të rritet numri i rasteve të dënimeve nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Viktimat e trafikut janë kryesisht vajza nga familje të varfra, me të ardhura të pakta ekonomike, pa një formim bazë apo një formim profesional. Për strukturat tona të policisë, projektet që synojnë luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore janë sfidë, ndërsa thuhet se ka nevojë për një hetim proaktiv, që duhet të zhvillohet ndërmjet të gjitha strukturave.
Durrës/ Sekuestrohet 1.2 kg heroinë, arrestohen katër persona
Ka rezultuar me katër persona të arrestuar dhe sekuestrimin e 1.250 kg heroinë, një operacion antidrogë nga policia e Durrësit. Bëhet e dije se si pasojë e këtij operacioni u bë e mundur shkatërrimi i një bande të trafikut të drogës. Mësohet se në mesin e të arrestuarve janë 3 meshkuj dhe 1 grua, përkatësisht, Erjon Kasa, lindur dhe banues në lagjen nr. 1 në Durrës, Renald Llani banues në Durrës, Besmir Tocilla lindur në Kukës dhe banues në lagjen nr. 13 në Durrës si dhe Sanduela Tagani lindur dhe banues në lagjen nr. 13 në Durrës. Sipas policisë së Durrësit, sasia e heroinës u gjet e fshehur në 2 makinat e të arrestuarve si dhe në trupin e tyre. Gjatë operacionit antidrogë, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe 2 automjete, një peshore, 6 aparate celularë, si dhe disa doza heroinë të bëra gati për shitjen në treg. Policia e qytetit bregdetar, shprehet se për çdo ditë kryen operacione, të cilat shoqërohen me arrestimin e shumë personave.
Lezhë/ “Hajdutët e energjisë”, arrestohen 15 persona
Policia e Lezhës ka proceduar penalisht 29 persona për vjedhjen e energjisë elektrike. Mësohet se nga fillimi i aksionit, më 28 tetor, në qarkun e Lezhës janë evidentuar 28 raste të vjedhjes së energjisë, ndërkohë që forcat e policisë kanë mbështetur OSHEE-në në 697 raste. Ndërkohë që operacioni mbi lidhjet e paligjshme vijon, strukturat e Drejtorisë së Policisë Lezhë kanë filluar zbatimin në terren të masave të posaçme për ndërprerjen e abuzimeve me energjinë elektrike, duke identifikuar dhe duke vënë para drejtësisë autorët. Mësohet se janë proceduar 29 shtetas, nga këta janë arrestuar 15 shtetas, 4 janë shpallur në kërkim dhe 11 ndiqen në gjendje të lirë. Ndërkohë që është arrestuar edhe një faturist i OSHEE-së. Gjithashtu, me mbështetjen e forcave të rendit është ndërprerë energjia në 169 raste. Nga aksioni i deritanishëm janë arkëtuar pranë OSHEE, në rrethet Lezhë, Kurbin dhe Mirditë një shumë prej 33.158.566 lekë. Nga rastet e evidentuara, në 19 raste janë biznese dhe 9 raste konsumatorë familjarë.