Çantat e rënda te gratë dhe tek fëmijët e shkollës deformojnë boshtin kurrizor

0
192

1-1-coach-bags-how-to-find-right-handbags-wholesaler-in-uk

Rreth 40% e fëmijëve kanë deformime të boshtit kurrizor, sidomos vajzat. Çantat e shkollës, nëse kanë një peshë të rëndë, krijojnë shtypje të vertebrave dhe kjo ndikon direkt në deformimin e shtyllës kurrizore. Pesha që një fëmijë mund të mbajë nuk është e përcaktuar, por ajo duhet të jetë sipas moshës. Pra, një fëmijë 6 apo shtatëvjeçar nuk mund të mbajë një peshë mbi 10 kg, siç është ajo e çantës. Gjithashtu, edhe ngarkesa mësimore duhet të jetë e kontrolluar, ashtu si edhe ngarkesa fizike e tyre. Çdo lloj mbingarkese është e dëmshme. Librat janë mjaft të rënda, tani çdo tekst ka fletoret e punës, duke bëtë dyfishin e volumit. Përpos kësaj, tani ka më shumë mjete didaktike, të cilat nxënësit i mbajnë çdo ditë në çantë, si set vizatimi, set matematike, etj. Edhe çantat si të tilla pa libra vitet e fundit janë më të rënda. Madje, disa syresh kanë edhe aksesorë të tepërt, duke e shtuar peshën. Të gjithë këtyre elementëve u shtohet cilësia e librit, e cila lë për të dëshiruar. Botuesit janë kujdesur shumë që librat të jenë të ilustruar mirë e me shkronja të mëdha, por nuk janë kujdesur që ato të jenë të lehtë dhe praktikë. Duhet pasur parasysh se çanta e shkollës të ketë formë anatomike, të jetë e fortë, të bartet në dy krahët, ta ketë dorezën për bartje, të mos jetë mbi nivelin e krahëve dhe nën nivelin e belit. Bartja e çantave të rënda posaçërisht në njërin krah sjell deri te asimetria dhe lakimi i boshtit kurrizor, sepse muskujt e boshtit kurrizor nuk janë të forcuar dhe nuk mund të durojnë pesha të tilla. Faktor tjetër i lakimit të boshtit kurrizor është edhe qëndrimi dhe ulja e gabuar në karriget e shkollës. Pasojat e një çante të rëndë në kurrizin e një fëmije nuk vërehen vetëm tani, por kur të rritet. Fillimisht ata ndiejnë lodhje dhe çrregullime të tjera shëndetësore. Kockat e një fëmije janë në formim e sipër dhe çdo lloj mbingarkese sjell çrregullim. Por ajo çka është më problematike, një çantë e rëndë e lë fëmijën me pasoja për gjithë jetën. Deformimet më të shpeshta të boshtit kurrizor tek nxënësit janë: skolioza dhe kifoza.

 

Sëmundjet

Skolioza është lakim i boshtit kurrizor në një anë në formë te shkronjës C apo në të dy anët në formë të shkronjës S. Në raste të rralla mund të shfaqen shqetësime në kolonën vertebrale apo lodhje muskulare pas sforcimit fizik. Përgjithësisht fëmija është i qetë, fle mirë dhe vazhdon të kryejë normalisht veprimtaritë e tij të përditshme. Diagnoza: dyshimet lidhur me praninë e kësaj patologjie zhduken nga një ekzaminim klinik dhe një radiografi e shtyllës kurrizore, (qëndrim në këmbë). Skolioza duhet diagnostikuar shpejt (maksimumi brenda moshës 13 vjeç). Pas kësaj moshe bëhet e vështirë arritja e rezultateve të mira, sepse kërcet që quhen “kërce të rritjes” fillojnë gradualisht të mbyllen, duke e bërë strukturën kockore që duam të korrigjojmë më pak “të modelueshme”. Dr. Sanije Hajrizaj.

 

Çfarë duhet të bëni kur nuk ju zë gjumi

 

Ngrihuni nga shtrati. Kur qëndroni të zgjuar në shtrat, ju ia dërgoni vetes një mesazh të gabuar. “Në këtë mënyrë ju e trajnoni organizmin dhe trupin tuaj që në shtrat nuk duhet të flini, por thjesht të qëndroni të shtrirë”, – thekson dr. Harneet Walia. “Sa më gjatë që qëndrojmë të shtrirë në krevat, jemi gjithnjë e më të frustruar me ambientin. Pas kësaj, truri ynë fillon ta lidhë dhomën e gjumit me pagjumësinë”, – tha dr. Erik Olson. Pra, nëse nuk mund të flini dhe rrini të zgjuar në shtrat, përpiquni të dilni nga dhoma. Bëni diçka që do t’ju relaksojë – dëgjoni muzikë, lexoni ndonjë libër… Dushi gjithashtu ndonjëherë mund të ndihmojë, sepse është e mundur që do të jeni të përgjumur kur temperatura e trupit bie pas dushit. Çfarëdo që bëni, bëjeni atë larg nga shtrati, dhe kur të ktheheni, do të duhej të jeni të përgjumur. Provoni me teknikat e relaksimit. Provoni që me meditim, jogë, frymëmarrje të thellë dhe të përqendruar… ta “dëboni” pagjumësinë, përcjell koha.net. Dr. Walia gjithashtu rekomandon që çdo grup të muskujve, nga ata në këmbë, dhe me radhë deri në kokë, t’i shtrëngoni për disa sekonda, dhe pastaj t’i relaksoni. Vizualizimi është një tjetër teknikë e cila përdoret shpesh, dhe funksionon duke e imagjinuar veten në ndonjë vend të këndshëm dhe të qetë. Sa i përket “ilaçit” me të njohur për pagjumësi, numërimit të deleve, dr. Olson thotë se ajo është “teknika e tërheqjes së vëmendjes”, e ngjashme me vizualizimin. “Problemi me gjumin është se, sa më shumë që mendoni për atë që duhet të flini, aq më vështirë do të flini. Prandaj çdo gjë që ua largon vëmendjen nga ky mendim, do t’ju ndihmojë”, – shpjegon Olson. Largojeni ankthin. Ndonjëherë arsyet për pagjumësi janë mendimet për brengat, stresi në punë, në shtëpi… Si pasojë e gjithë këtyre, truri lodhet, ndërsa dr. Olson u rekomandon atyre që kanë probleme të tilla që ta mësojnë trurin të mendojë për këto probleme në një kohë më të përshtatshme të ditës. E dimë se është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet, por një mënyrë që t’ju lehtësojë mundimet është që çdo ditë të shkruani në lidhje me atë që ju mundon. Duke shkruar për problemet e ditës, do të mendoni më pak rreth tyre gjatë natës. Kur jeni të zgjuar deri në tre ose katër të mëngjesit, nuk do t’ju ndihmojë dot të menduarit se tashmë do të duhej të ishit në gjumë. Mjekët Olson dhe Walia pajtohen se nuk do të duhej ta harronim orën, dhe madje këshillojnë që ta largoni atë që të mos ju “paralajmërojë” se është bërë mëngjes dhe që duhet të flini. Sido që të jetë, mjekët rekomandojnë që të përpiqeni ta largoni pagjumësinë me ndihmën e disa prej këtyre truqeve, në mënyrë të natyrshme. Nëse asgjë nga këto nuk ndihmon, këshillohuni me mjekun.