Gëzim Saliu
Rama ka deklaruar se nëse Kushtuesja rrëzon territorin, vendimi do të zbatohet e harta do të kthehet mbrapsht. “Armët” rezervë të demokratëve, në rast se Kushtetuesja voton pro reformës
Edhe pse Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka zbardhur datën se kur do të nisë diskutimi i kërkesës së demokratëve që kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të reformës territoriale, kjo si pasojë e shumë çështjeve të dërguara për gjykim, duket se për palët politike ky vendim do të jetë me rëndësi parësore sa u përket zgjedhjeve vendore të vitit 2015. Kështu, Partia Demokratike është e varur drejtpërdrejt nga ky vendim për të përcaktuar më pas qëndrimin e saj lidhur me zgjedhjet lokale. Deri më tani demokratët kanë bërë të ditur se nuk do të ketë zgjedhje vendore me këtë hartë territoriale, duke nënvizuar ngjyrimin e theksuar politik të kësaj reforme. Sipas të djathtëve, përmes saj mazhoranca ka siguruar më shumë se 1/3 e votave para se të hyjë në votim. Në rast të një vendimi pozitiv për PD-në, pra të pranimit të kërkesës dhe rrëzimit të hartës territoriale, forca kryesore e opozitës do të ketë më shumë arsye për tu bërë pjesë e lokaleve të vitit të ardhshëm. Ndërkaq ky vendim do të detyronte mazhorancën që të rikthente edhe një herë hartën e vjetër për zgjedhjet e vetëm më pas të mundësohej një bashkëpunim me të djathtët për një reformë territoriale me konsensus. Ndërkohë në rast të një vendimi që do të rrëzonte ankimin e PD-së, demokratët kanë si as nën mëngë referendumet lokale. 82 bashki dhe komuna vetëm pak kohë më parë depozituan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për mbajtjen e referendumeve, duke u bazuar tek neni i kushtetutës i cili kërkon aprovimin e qytetarëve për ndryshimin e territorit, gjë që sipas këtyre bashkive dhe komunave nuk është kryer nga mazhoranca e majtë.
Qëndrimet
Ndërkaq, Kryeministri Rama në një intervistë televizive këtë fundjavë deklaroi se nëse gjykata Kushtetuese do të vendosë të rrëzojë hartën territoriale, mazhoranca do ta pranojë vendimin dhe reforma do të kthehet mbrapsht. “Nëse gjykata Kushtetuese do të thotë ky është vendim antikushtetues sigurisht që ai vendim do të bjerë. Nuk ka asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese që ne nuk e kemi zbatuar. S’ka nevojë për nëse… Nuk ka mundësi të mos zbatohet vendimi i gjykatës Kushtetuese”, – ka pohuar Rama. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka theksuar se vendi do të shkojë në zgjedhjet vendore me ose pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike, nëse gjykata Kushtetuese konfirmon ligjshmërinë e reformës territoriale. “Është e drejtë e opozitës për të hyrë ose jo në zgjedhje. E ka thënë dhe paraardhësi im. Në këtë pikë jam dakord me të. Zgjedhjet bëhen, kush forcë do të marrë pjesë në zgjedhje merr, kush forcë nuk do të marrë pjesë nuk merr. Vendos të bojkotojë zgjedhjet i bojkoton. Çfarë problemi ka këtu?”, – ka theksuar Rama. Nga ana tjetër përfaqësuesit e lartë të PD-së kanë bërë të ditur se më këtë hartë territoriale nuk mund të ketë zgjedhje lokale, dhe për këtë forca më e madhe opozitare ka vënë në lëvizje gjykatën kushtetuese si edhe nga ana tjetër qëndron alternativa e referendumeve lokale. Në qëndrimin e fundit për këtë çështje, kryedemokrati Basha ka theksuar se mazhoranca shkeli Kushtetutën dhe nuk pranoi kërkesën e opozitës për një reformë ku të printe decentralizimi dhe vetëm më pas të vijohej me ndarjen e njësive vendore. “Harta antikushtetuese e shumicës Rama-Meta është e papranueshme dhe nuk do të pranohet kurrë. Fjalën e radhës e kanë institucionet e pavarura që kanë funksionet e gardianëve të Kushtetutës, fjala e fundit është e qytetarëve që kanë të drejtë të ngrenë gishtin e akuzës ndaj qeverisë oligarkike që refuzoi t’i pyeste, kur Kushtetuta i urdhëron t’i pyesë e të mos vendosë pa ta”.
Kundër paketës fiskale
Dhoma Amerikane: Tatimfitimi të bëhet 10%, të hiqet progresiviteti te tatimi i pagave
Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehet kundër paketës fiskale që qeveria ka propozuar, duke theksuar se duhet domosdoshmërisht që të ulet tatimi mbi fitimin në 10% dhe të hiqet progresiviteti i tatimit të pagave. Kreu i kësaj dhome, Mark Crawford, tha dje shoqatat e biznesit i kanë dorëzuar ministrit të financave në një takim propozimet e tyre. “Paketa fiskale nuk është diçka që është përgatitur sot, për atë ka një vit që punohet. Ne i bëmë që para një muaji propozimet tona për qeverinë, ishin 14 pika. Por tashmë drafti është miratuar në qeveri, ne do të bëjmë sa të mundemi që të ndryshojmë disa pika të paketës fiskale. ekonomia nuk rritet vetëm nëse rrit të ardhurat dhe taksat”, – u shpreh ai në një intervistë “VP”. Më tej, Crawford tha se nëse do të ketë zhvillim ekonomia shqiptare kjo do të vijë vetëm nëse rriten investimet e huaja. Pikërisht për të mbështetur këtë argument, ai kërkoi taksa më të ulëta që Shqipëria të jetë konkurruese në rajon. “Ne kemi një rajon që ka taksën e sheshtë për bizneset, mjafton të shohësh Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kosovën. Vërtet ne mund të jemi patriote, por paraja nuk njeh patriotizëm”, u shpreh ai. Ndërsa sa i përket nismës së ndërmarrë nga qeveria për luftën ndaj informalitetit, Crawford tha: “Ne kemi një shprehje në Amerikë, që në dorë duhet të kesh edhe shkopin, edhe karrotën. Nuk duhet të mbash vetëm shkopin në dorë, dhe të kërkosh ndihmë te polici por edhe ta bësh tjetrin me të mirë të paguajë detyrimet”.
Avokati kundër Llallës
Ngjela, akuza kryeprokurorit: Flet si gjobëvënës, bashkëpunon me krimin shtetëror
Kreu i PLiDr-së, Spartak Ngjela, reagoi dje ashpër ndaj deklaratave të kryeprokurorit Adriatik Llall, i cili kishte pohuar më parë se organi akuzës që ai drejton ka në hetim ministra dhe ish-ministra. “Ç’është ky Prokuror i Përgjithshëm, i cili atë që duhet ta ketë, pa dyshim, si një nga ndërmarrjet e veta më sekrete, ia shpalos paraprakisht opinionit publik, kur deklaron botërisht: “Do të arrestohet një ministër i qeverisë aktuale”. Kujt ia thotë ky qojle këto? Me kë tallet ky birbo që ka të paktën dy vjet që bashkëpunon me krimin shtetëror? Por kjo nuk është e thjeshtë. Pse e deklaron këtë sekret botërisht Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë? Sepse kërkon të lidhë kontratën me kryeministrin aktual Rama. Shumë e thjeshtë, sepse kështu ka qenë kontrata prej dekadash: “ne vjedhim në krahun tonë, dhe ju qeveritarë abuzoni në krahun tuaj”. Dhe kjo është arsyeja e deklarimit prokurorian të Llallës”, – u shpreh dje Ngjela në një reagim në rrjetin social “FB”. Më tej, avokati theksoi se nëse ka kapur vërtet ndonjë nga ministrat e Ramës, dhe kjo s’është çudi, sepse në qeverinë e tij janë nja katër të tillë që abuzojnë përditë me korrupsion, atëherë, Rama nuk ka më jetëgjatësi si kryeministër. Por Llallës nuk i intereson kjo, edhe pse ndoshta këtë e do edhe Saliu. Llalla,derisa e shpall paraprakisht “sekretin” e tij, i thotë indirekt Ramës: ose hiq dorë nga lufta kundër nesh dhe Gjykatës ose unë të kapa ministrin apo ministrat”. Në këtë kontekst, Ngjela pohoi se kryeministri do të nënshtrohet pasi sipas tij ai s’është politikan. “Ky Kryeministër as që e dinte se çfarë kishte marrë bashkë me çelësat e Kryeministrit: asgjë, vetëm rrezikun se do të kapeshin “me prasë në duar” ministrat e tij. Por, a do ta nënshkruajë marrëveshjen e heshtur për vazhdimin e krimit shtetëror Rama me Llallën, më devizën: më lësho, të të lëshoj? Kjo duhet parë. Por gjendja do të rëndohet edhe më shumë”.