Sonila Mesareja
Ekspertët/ Mungesa e zbatimit të ligjit sjell shkatërrim të mjedisit
Kemi ligje të mira, por për fat të keq nuk ka zbatueshmëri sa dhe si duhet. Ky konstatim reflektohet në takime dhe tryeza të ndryshme nga shqiptarë dhe të huaj kur diskutohen problematika të hasura në vendin tonë për sektorë të ndryshëm. Një prej fushave ku ka në fakt ligje të mira, por jo zbatueshmëri sa duhet, është edhe mjedisi. Madje, kjo është theksuar edhe në progres-raportin e BE-së për vitin 2014, ku në një prej kapitujve zinin një vend të rëndësishëm edhe problemet e rënda në fushën e mjedisit dhe ndryshimet klimatike. Sipas ndërkombëtarëve, në fushën e mjedisit nevojitet më shumë punë për harmonizimin e legjislacionit horizontal, sidomos me Direktivën e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe Direktivën mbi Krimin Mjedisor. Duhet të ketë një sistem më efektiv për ndjekjen dhe penalizimin e krimeve mjedisore. “Vlerësimet e ndikimit në mjedis nuk kryhen në çdo rast përpara fillimit të projekteve në infrastrukturë” thuhet në progres-raport, ndërkohë që të njëjtën gjë na konfirmoi edhe një përfaqësues i shoqërisë civile për mjedisin, Z.Xhemal Mato. Madje, ai shkoi më tej duke akuzuar deri për afera korruptive personat që japin vlerësime për ndikimet në mjedis të një projekti në infrastrukturë. “Vlerësimi mjedisor është një nga problemet që po sjell pasoja në mjedis. Dua të theksoj se është problem edhe fakti që nuk ka oponencë, pse jo, mund ta them me plot gojën që ka korrupsion në këto vlerësime mjedisore që po bëhen nga persona anonimë dhe që po shkatërrojnë mjedisin”. Ekspertët mjedisorë hedhin idenë e akreditimit të studiove që bëjnë këto matje, me qëllim që të mos ketë rezultate fiktive në favor të kompanive që paguajnë për ato rezultate.
Monitorimi dhe vetëmonitorimi, handikap në mjedis
Vlerësimi mjedisor nuk është problematika e vetme e konstatuar në fushën e mjedisit. Monitorimi i bizneseve që operojnë në vend është një tjetër shqetësim i ekspertëve mjedisorë, por edhe i vetë instancave shtetërore. “Për sa i përket ndotjes industriale dhe menaxhimit të riskut prej saj, ligji që transpozon direktivën europiane mbi kontrollin e rrezikut nga aksidentet e mëdha industriale (Direktiva “Seveso II”), nuk është aprovuar ende. Nuk ka kontrolle efektive për të pakësuar emetimin e ndotësve nga impiantet industriale. Vetë-monitorimi i industrisë rrallë mbikëqyret. Është në aprovim e sipër një draft-ligj kuadër mbi menaxhimin e kimikateve, i cili synon harmonizimin e akuisit europian dhe rregullimin e import-eksportit të kimikateve” thuhet në progres-raport, por pranohet edhe nga ekspertët mjedisorë dhe vetë institucionet që monitorojnë situatën në mjedis. Monitorimi është problemi më madhor në situatën mjedisore. Ashtu si ekspertët ndërkombëtarë në progres-raport, një konstatim i ngjashëm vjen edhe nga Mihallaq Qirjo, drejtor i REC për Shqipërinë, i cili më tej shprehet se ka mungesë të të dhënave të besueshme për bizneset që operojnë në vend dhe dëmet që ato i shkaktojnë mjedisit. “Kontrolli dhe monitorimi janë deficensat e dala në këtë sistem. Madje mund të them se ka korrupsion brenda sistemit të monitorimit. Gjithashtu, një tjetër problematikë është edhe moskuptimi i rolit të aktorëve të tjerë përveç organeve shtetërore” shprehet z.Qirjo. Ndërkohë që lidhur me problemet në monitorimin e këtyre kompanive në terren, eksperti i Institutit të Shëndetit Publik, Arben Luzati shprehet se “mungesa e buxhetit sjell edhe mungesën e monitorimit”. Madje, specialistët e kontrolleve në mjedis, të Inspektoriatit Shtetëror në Ministrinë e Mjedisit apo dhe ata të agjensive rajonale, hedhin edhe idenë e vetëmonitorimit nga kompanitë. Sipas tyre, një kompani që ofron rezultate jo të besueshme, të cilat verifikohen nga matjet e bëra nga inspektoriatet, të penalizohet me gjobë jo vetëm për kohën kur kapet në shkelje, por për të gjitha vitet që ka ushtruar aktivitetin në vendin tonë. Një shembull të ngjashëm, sipas ekspertëve, e gjeje në vendet skandinave, konkretisht në Suedi. Fuqizimi i vetëmonitorimit dhe pasja e inspektorëve të përgatitur do sillte rezultatet në kontrollin mjedisor dhe marrjen e masave për të mos pasur shkatërrim të mjedisit.
Mungesa e buxhetit
Një buxhet i mirë dhe një ndërveprim instituicional do sillte një mjedis më të kontrolluar. Ky konstatim vjen nga ekspertë mjedisorë në institucionet shtetërore. Enis Tela, ekspert prej 12 vjetësh në Ministrinë e Mjedisit, por jo vetëm, por edhe pjesë e bërjes së ligjeve për mjedisin, shprehet se mungesa e një fondi shtesë në buxhetin për mjedisin sjell edhe pasoja pasi shpesh është e pamundur të bëhen monitorime apo matje, edhe pse konstatohen probleme në kompani të ndryshme. “I rëndësishëm është alookimi i fondit shtesë për mjedisin, pasi duhet të shtohen fondet mjedisore për të përballuar mjaft probleme që po i hasim tani” shprehet eksperti Tela, duke shtuar se ndonëse kanë konstatuar mjaft probleme në një kompani të madhe që ushtron aktivitetin në Fier, kanë pamundësi fondesh për të kryer matjet, duke i detyruar që ato t’i kryejnë më fond privat.
Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me OJF-të
“Duhet të forcohet bashkëpunimi me OJF-të” është një tjetër rekomandim që BE jep në progres-raport, por që pranohet edhe nga vetë ekspertët e mjedisit në institucionet shtetërore. Mungesa e fondeve apo dhe personelit e infrastrukturës sjell pamundësinë e mbulimit të gjithë vendit nga inspektorët mjedisorë. Një bashkëpunim më i fortë mes aktorëve shtetërorë dhe tyre që operojnë në shoqërinë civile do sillte evidentimin e mjaft problematikave të pakapura nga inspektorët e mjedisit dhe do sillte zgjidhjen e tyre. “Sistemi i inspektimit mjedisor është pjesërisht i harmonizuar me akuisin, burimet e pakta të tij nuk japin garanci të mjaftueshme se shkeljet monitorohen e dënohen siç duhet. Duhet të përmirësohet ndjeshëm planifikimi i inspektimeve, bashkëpunimi midis inspektorëve të mjedisit dhe autoriteteve të tjera mbikëqyrëse, i proçedurave të raportimit dhe i mekanizmit të vlerësimit të punës së inspektoriatit” thuhet në progres-raportin e vitit 2014 për mjedisin, duke shtuar se bashkëpunimi i gjithë aktorëve në zbatimin e ligjit në vendin tonë do të sillte edhe reduktim të problematikave.