Erneta Shevroja
Sot kreu i qeverisë shqiptare ndodhet në Beograd në një vizitë zyrtare, e para e nivelit më të lartë pas gati 70 vitesh. Të martën kryeministri Rama do të udhëtojë për në Luginën e Preshevës
Sot kryeministri Rama do të kryejë vizitën zyrtarë në Beograd, vizita e parë e një zyrtari të lartë shqiptar pas gati 70 vitesh. Vizita e fundit e një zyrtari të lartë në Beograd ka qenë ajo e Enver Hoxhës në qershor të vitit 1946. Kështu, kryeministrit shqiptar do të mbërrijë në Beograd rreth orës 10:30 dhe më pas në 11:00 delagacioni shqiptar dhe ai serb do të zhvillojnë takimin. Pas gati një ore, sipas agjendës, do të zhvillohet konferenca për mediat i dy kryeministrave, Rama dhe Vuçiç ku zbardhen temat e diskutuara. Në vijim agjenda parashikon takimin e kryeministrit Rama me gazetarët dhe me një forum biznesi Shqipëri-Serbi për tu mbyllur në orën 18:00 me një vizitë të kreut të qeverisë shqiptare në Bashkinë e Beogradit. Takim me Presidentin Tomislav Nikoliç nuk do të ketë, pasi ky i fundit ka parashikuar një udhëtim në një shtet tjetër. Të martën, kryministri Rama pritet në Luginën e Preshevës.Sipas agjendës së Kryeministrisë në orën 05:00 shefi i qeverisë shaiptare do të niset për në Luginën e Preshevës, vizitë do të mbyllet në orën 11:00 në një takim me krerët e Luginës.
Dilemat e Beogradit
Beogradi zyrtarë është ende në dilemë. Vizita në Luginën e dominuar nga shqiptarët, është kthyer në debat që prej kohësh në mediat serbe. Presidenti Tomislav Nikoliç ka vendosur të shmanget, të vizitojë një vend tjetër pikërisht sot, kur kryeministri Rama do të vizitojë Beogradin zyrtarë. Ndërsa kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç ka thënë se ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse Kryeministri Rama do të qëndrojë në Preshevë, ndërsa mediat serbe janë vënë në radhë për të sulmuar kryetarin e Komunës së Preshevës që ka deklaruar se Rama do të pritet në Preshevë si “Kryeministri jonë”. Ndërkohë, debat në mediat serbe ka hapur edhe çelësi që do i jepet kreut të qeverisë shqiptare. Pas zërave se shefi i qeverisë shqiptare do të kërkojë çelësat e Beogradit, kjo nuk është pritur mirë nga analistët serb. Në një shkrim të analistit Cedomir Petrovic ai bën ironi dhe ngre pyetjen: Po sikur Edi Rama të na mbyll brenda?
Pritja në Luginën e Preshevës
Shqiptarët e Luginës së Preshevës presin kthesë ndryshimi. Këtë ata e presin më 11 nëntor kur Kryeministri i Shqipërisë të mbërrijë atje. Është fakt që kryeministri Rama ka treguar vëmendje të veçatë ndaj shqiptarëve në Luginës që kur ai u zgjodh nga votuesit shqiptarë për të zënë vendin e kryeministrit. Deri më tani, qeveria socialiste, e ka dhënë një kontribut real për shqiptarët që jetojnë atje. 100 mijë euro i akurduan Luginës në takimin e përbashkët të ekzekutivit shqiptar dhe atij kosovar, muaj më parë. Përveç 100 mijë euroshit, kryeministri Rama në këtë mandat u premtoi shqiptarëve të Luginës edhe ndihma të tjera reale. Pritja e zyrtarit të lartë shqiptarë në Preshevë është e përgatitur që prej ditës së djeshme. Autoritet e Luginës kanë përgatitur gjithçka për të mohuar qendrimet e palës serbe që këmbëngul që ajo vizitë të mos bëhet. Në Preshevë dhe në Bujanoc janë vendosur shumë banera nëpër rrugët kryesore që i urojnë mirëseardhje kryeministrit. “Mirësevjen Kryeministër në Kosovën Lindore” janë mbishkrimet e posterave në vendosur anës rrugëve në Preshevë dhe Bujanoc. Kryetari i Kuvendit të Bujanocit, Jonuz Musliu në një intervistë për mediat lokale, ka thënë se Rama do të pritet si “kryeministëri jonë” në Kosovën Lindore. Ai ka sqaruar se Kryeministër për shqiptarët e Luginës nuk është Vuçiç, por është Edi Rama. Në Preshevë Rama do të pritet në shesh. Aty pritet që kryeministri të mbajë një fjalim para qytetarëve shqiptarë. Për kreun e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa vizita e kryeministrit Rama do të hyjë në histori sepse që kur është formuar shteti shqiptar, 28 nëntor 1912 asnjë kryeministër nuk ka shkelur tokën e Preshevës. Vizita e parë e nivelit të lartë, ka qenë ajo e ish-ministrit të Jashtëm, Ilir Meta. Përveç çelsit të Beogradit, autoritet lokale në Preshevë janë bërë gati për t’i dhënë çelësat e komunës së Preshevës. Sipas mediave lokale ky çelës do t’i jepet Ramës me simbolikën për t’i hapur shqiptarëve të Luginës derën për në BE.
“Vatra” kërkesa kryeministrit
Lëvizja “Vatra” ka kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që me homologun e tij serb të diskutojë dhe njëkohësisht të kërkojë me ngulm zbatimin e shtatë pikave që do të përmirësonin sadopak jetën e shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Sipas një komunikate të ‘Vatrës’, e bërë publike në mediat e Kosovës, gjendja e shqiptarëve në Kosovën Lindore është shumë e vështirë dhe pikërisht kjo vizitë nga autoritet shqiptare duhet të shfrytëzohet për të kërkuar që në mënyre urgjente të ndalohet diskriminimi i shqiptarëve nga pushteti serb në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Shtatë pikat e shoqatës “Vatra”
1- Serbia duhet të garantojë zhvillimin e barabartë ekonomik të Rajonit të Kosovës Lindore duke nxitur punësimin e shqiptarëve e mbi të gjitha punësimin e të rinjve, ngase kjo pjesë është ndër më të varfëruat në gjithë kontinentin e Evropës. Këtë e dëshmojnë statistikat zyrtare të vet Serbisë. Këto statistika tregojnë se në pjesën e Serbisë pa Kosovën Lindore, të papunë janë vetëm 15 % të qytetareve, kurse në Kosovën Lindore, ku shumica janë shqiptarë, të papunë janë 95%.
2- Serbia t’i ndalë arrestimet politike të bazuara në akuzat e fabrikuara e të montuar nga kuzhinat e pushtetit serb. Të ndalet ndjekja dhe maltretimi i ish-ushtareve të UÇPMB-së që po vazhdon tash e 13 vjet.
3-Të bëhet çmilitarizimi i menjëhershëm i Kosovës Lindore dhe heqja e bazave ushtarake siç është: Kampi ushtarak i Cepotini, kampi në fshatin Ramabuqe dhe kampi ushtarak në lagjen Litesh në Zarbicë, e tjerat të vendosura në Kosovën Lindore, sepse po përhapin frikë te banorët, që ndikon direkt në moskthimin e tyre. Të zbardhet vrasja enigmatike e Komandant “Lleshit” Ridvan Qazimi.
4- Të fillojë implementimi i marrëveshjes së Konçulit dhe të zbatohet vullneti i përfaqësuesve politikë i dalë nga platforma politike e tre kuvendeve të komunave shqiptare në vitin 2006. Të garantohet lëvizja e lire e qytetarëve dhe e mallrave nga Kosova e Shqipëria.
5- Të mundësohet kthimi i menjëhershëm e të dëbuarve nga Kosova Lindore, të cilët forcat serbe i dëbuan me dhunë mbi 20.000 shqiptarë nga shtëpitë e tyre në vitin 1999-2000, të cilët sot e kësaj dite nuk janë lejuar të kthehen mbi 15.000 banorë. Njëkohësisht t`u garantohet siguri në pronat e veta dhe ndërtimin e shtëpive të shkatërruara nga ushtria e Shtetit serb.
6- Të lejohet hapja e universitetit në gjuhen shqipe në Kosovën Lindore.
7- Të lejohet përdorimi i simboleve dhe të respektohet dy gjuhësia, të lejohet që në Kosovën Lindore të punohet me plan program arsimor të Shqipërisë dhe Kosovës. Të lejohet përdorimi i gjuhës shqipe në aspekt zyrtar dhe të kthehet lapidari menjëherë në qendër të Preshevës.
Agjenda dy ditore
E hënë 10 nëntor
Ora 11:00 – Takimi dypalësh Vuçiç – Rama, i pasuar nga takimi mes dy delegacioneve
Ora 12:30 – Konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrave
Ora 16:00 – Takimi i Kryeministrit Rama me gazetarët shqiptarë
Ora 17:00 – Forumi i biznesit Serbi-Shqipëri, me pjesëmarrjen e dy kryeministrave dhe ministrave të Ekonomisë
Ora 18:00 – Takimi në Bashkinë e Beogradit
E martë 11 nëntor
Ora 05:00 – Nisja në rrugë tokësore për në Luginën e Preshevës
Ora 11:00 – Takimi në Preshevë me autoritetet vendore