Debate me Kryeprokurorin/ PS e sulmon, LSI i del në krah: S’ka buxhet. Përplasja mes Majkos e Llallës

0
158

Gëzim Saliu

Majko: Po zvarrisni çështjet, deklaratat për hetime të ministrave e ish-ministrave, me prapavijë politike. Llalla: Nëse jeni i shqetësuar, mbetet shqetësimi juaj, unë do t’i them dhe i ripërmend

 pandeli Majko ermonela felaj te komisioni ligjeveMes debateve dhe replikave, kryeprokurori Adriatik Llalla raportoi dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve për progres-raportin e Komisionit Evropian për vitin 2014 lidhur me pjesën që prek organin kryesor të akuzës. Duke theksuar se Prokuroria po përballet me një fluks të larte të çështjeve, kryesisht atyre që kanë lidhje me korrupsionin, kryeprokurori tha se kërkesat e institucionit që ai drejton për shtim të buxhetit që do të përktheheshin me shtim të numrit të prokurorëve, nuk janë marrë parasysh nga qeveria. Por deputetët socialistë, me në krye Pandeli Majkon, mbi bazën e gjetjeve të raportit, kërkuan llogari nga Llalla lidhur me zvarritjen e çështjeve hetimore, mungesën e transparencës për emërimet dhe transferimet në Prokurori si edhe për rezultatet kundër korrupsionit, kritika për të cilat kreu i organit të akuzës u përgjigj duke vënë theksin tek numri i pakët i prokurorëve dhe oficerëve gjyqësorë. Ndërkaq, nga ana e tyre, deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim i kanë dalë në krah Llallës, duke kërkuar nga qeveria që të shtojë fondet për këtë institucion dhe vetëm pas kësaj, sipas tyre, mund të kërkohet llogari ndaj punës së Prokurorisë.

 

Debati

Në raportimin e tij, kryeprokurori deklaroi se ka pasur një aktivitet të ngjeshur në hetimet e ndryshme dhe se procedimet penale janë shtuar me 36% më shumë se viti i kaluar. Në këtë kontekst, Llalla ka theksuar përpos rritjes së madhe të këtyre çështjeve, trupa gjyqësore ka mbetur po ajo, gjë që, sipas tij, ka ndikuar në zvarritjen e hetimit si edhe mungesën e rezultateve më të mëdha në luftën ndaj korrupsionit. Por me këtë diskutim nuk është pajtuar deputeti socialist Pandeli Majko, i cili ka shprehur kritikën e tij për ndikimin e Prokurorisë nga politika, duke nënvizuar se ka zvarritje të çështjeve dhe mungesë transparencë me emërimet. “Dyshimi më i madh yni është se ju jeni e njëjta trupë që keni funksionuar edhe më përpara dhe vazhdoni ta trajtoni problemin sikur s’ka ndodhur asnjë gjë dhe do t’ju zgjidhka problemin shtesa në buxhet e disa njerëzve në personel apo në IT. Ko qenka problemi i luftës ndaj korrupsionit apo deklaratat tuaja se do ndodhin gjëra të jashtëzakonshme nga ato që do marrim vesh nga hetimet apo nga ato që thoni në media se po hetoni disa ish-ministra dhe ministra. Nuk janë sekrete hetimore këto apo po bëni politikë?”, – tha Majko. Në përgjigje, kryeprokurori hodhi poshtë kritikat për mungesën e transparencës për emërimet dhe transferimet e ndërsa i qëndroi deklaratës së tij se për zvarritjen e çështjeve dhe rezultatet e thella në korrupsion nevojitet me domosdo një shtesë e trupës së prokurorëve. “Nëse ju jeni i shqetësuar nga deklarata e mia publike, mbetet shqetësimi juaj. Unë ato i përmend dhe do i përmend sërish, ne kemi një proces hetimi dhe do vazhdojmë të hetojmë cdo rast që kemi dyshime”. Ndërkaq, deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, ndryshe nga kolegët socialistë, ku në krah të Majkos ishin edhe Xhafaj e Hysi, tha se në bazë të diskutimit të Llallës u evidentua që ka disa mungesa objektive që kushtëzojnë punën e Prokurorisë. Në të njëjtën linjë, Spartak Braho e cilësoi si të pajustifikuar faktin që Prokuroria e Përgjithshme në buxhetin e këtij viti nuk ka asnjë shtesë. “Prokurori thotë që nuk kam asnjë shtesë dhe kjo është për të vënë duart në kokë”, – u shpreh ai.

 

Debati i plotë mes Majkos dhe Llallës, kundërvëniet mes PS-së dhe LSI-së për kryeprokurorin

 Hysi: Në progres-raportin e BE-së vihet theksi tek zvarritja e procedimeve dhe çështjeve të prapambetura. Zvarritja e procedimeve dhe mungesa e hetimeve proaktive vjen për shkak të numrit të paktë që thatë ju të prokurorëve apo ka arsye të tjera?

Llalla: Lidhur me pyetjen e parë, zonja Hysi përgjigjen e dha vetë. Zvarritja e procedimeve penale vjen nga shtimi i ngarkesës së punës së Prokurorisë që ka ardhur në rritje nga viti në vit. Vetëm nga viti i kaluar kemi 36% më shumë procedime penale krahasuar me një vit më parë, volum pune që përballohet nga e njëjta trupë prokurorësh. Prokuroria në çdo rast që ka konstatuar elementë të veprës penale ka kryer hetime proaktive.

Majko: Z. prokuror i Përgjithshëm, po ju citoj dy paragrafë të raportit të BE-së: funksionimi i sistemit të drejtësisë vazhdon të cenohet nga politizimi, llogaridhënia e dobët, zvarritjet e procedimeve. Në paragrafin e dytë thuhet që procedurat për emërimet dhe shkarkimet në Prokurori duhet të jenë transparente dhe të paanshme. Tani nëse sot e keni konsideruar këtë takim, që ju bëni sikur flisni dhe ne bëjmë sikur pyesim dakord, por kam përshtypjen që sot keni ardhur për të dhënë llogari në institucionin kryesor të Republikës së Shqipërisë. Ju lutem frazeologjitë e përgjithshme nuk bëjnë asnjë gjë në këtë histori. Shqetësimi yni është që marrëdhënia me korrupsionin në vendin tonë është e diskretituar dhe ju jeni institucioni përgjegjës. Dyshimi më i madh yni është se ju jeni e njëjta trupë që keni funksionuar edhe më përpara dhe vazhdoni ta trajtoni problemin sikur s’ka ndodhur asnjë gjë dhe do t’ju zgjidhka problemin shtesa në buxhet e disa njerëzve në personel apo në IT. Ko qenka problemi i luftës ndaj korrupsionit apo deklaratat tuaja se do ndodhin gjëra të jashtëzakonshme nga ato që do marrim vesh nga hetimet apo nga ato që thoni në media se po hetoni disa ish-ministra dhe ministra? Nuk janë sekrete hetimore këto apo po bëni politikë? Ju lutem flisni qartë cilat janë problemet tuaja? Flisni qartë dhe jo me llafe të përgjithshme. Na hahet, hamë, na rriten thonjtë, i presim, thoshte dikur Dritëro Agolli.

Llalla: Lidhur me ndryshimet që po i bëhen Prokurorisë, ju ripërsëris se mbas marrjes së detyrës nga unë nuk është bërë asnjë emërim, transferim në kundërshtim me ligjin, procesi ka qenë transparent. Lidhur me luftën kundër korrupsionit është fakt dhe e ripërsëris se një ndër pengesat e Prokurorisë Shqiptare është mungesa në stafin e saj. Nëse ju jeni i shqetësuar nga deklarata e mia publike, mbetet shqetësimi juaj. Unë ato i përmend dhe do t’i përmend sërish, ne kemi një proces hetimi dhe do vazhdojmë të hetojmë çdo rast që kemi dyshime.

Xhafaj: Pasi lexoj raportin e 2013-ës dhe thotë që mungesa e llogaridhënies së Prokurorisë është shqetësuese, shkoj tek ai i 2014-ës dhe thuhet se mungesa e llogaridhënies së Prokurorisë mbetet shqetësuese. Ndërsa akuzat për korrupsion brenda sistemit të drejtësisë mbeten një shqetësim serioz, konstaton raporti. Nuk dua t’u hyj disa çështjeve për gjyqtarë, ku disa për 500 mijë lekë shkojnë në burg e disa të tjerë për miliona euro vazhdojnë të rrinë të qetë rrugëve të Tiranës, por… ( ju lutem – i tërheq vëmendjen Brahos, i cili po fliste në telefon).

Braho: Është porosi e Ilirit…

Xhafaj vazhdon pyetjen ndaj Llallës: Unë e kam vlerësuar konstatimin tuaj që lufta ndaj korrupsionit fillon nga Prokuroria. A ka ndonjë të korruptuar brenda këtij institucionit që duhej të ndëshkoheshit?

Llalla: Lidhur me konstatimet e progres-raportit unë gjykoj që kjo do të jetë pjesë e ndryshimeve të ligjit.

Vasili: U evidentua që ka disa mungesa objektive që kushtëzojnë punën e Prokurorisë, natyrshëm volumi i punës është rritur shumë. A ka reflektime qoftë në burime njerëzore, për t’i dhënë përgjigje këtyre mungesave, që janë objektive?

Llalla: Dua të theksoj se në këtë vit, nga informacionet që kemi marrë nga Ministria e Financave nuk ka asnjë ndryshim nga viti i kaluar. Në stafin e Prokurorisë shtohen vetëm 13 punonjës të administratës. Theksoj se ka rritje të dukshme të rritjes së hetimeve të Prokurorisë.

Braho: Do ta quaj të pajustifikuar faktin që Prokuroria e Përgjithshme në buxhetin e këtij viti nuk ka asnjë shtesë…

Xhafaj: Z. Braho, nesër është për buxhetin.

Braho: Unë po dëgjoj prokurorin dhe nesër flasim prapë. Prokurori thotë që nuk kam asnjë shtesë dhe kjo është për të vënë duart në kokë. Z. prokuror, çfarë shtesash kërkoni ju lidhur me trupën e oficerëve, na thoni sa kërkoni?

Llalla: Për vitin 2015, Prokuroria ka kërkuar nga qeveria një shtesë organike prej 97 punonjësish, ndër të cilët 35 prokurorë, 18 oficerë të Policisë Gjyqësore, 3 ekspertë dhe 24 punonjës të teknologjisë së informacionit, 12 sekretarë dhe 3 arkivistë.