Gerassimenko: Ulje e pabesueshme në kometë!

0
154

sonda rosetaMe tension pret astronomja taxhike Svetlana Gerassimenko uljen e një minilaboratori evropian mbi kometën 67P të mërkurën. Në intervistë me “DW” ajo tregon se si ajo e kishte zbuluar kometën.

 DW: Zonja Gerassimenko, para dhjetë vjetësh ju keni qenë e pranishme, kur sonda evropiane “Rosetta” u nis në hapësirë. Tani Agjencia Hapësinore Europiane, ESA, ju ka ftuar në Këln, për të parë të mërkurën (12.11.2014) uljen e njësisë “Philae” në sipërfaqen e kometës të zbuluar prej jush. A jeni e emocionuar?

 

Svetlana Gerassimenko: E çfarë! Unë mendoj gjatë gjithë kohës për të dhe i lutem Zotit, që çdo gjë të shkojë mirë. Duhet ta imagjinoni: “Rosetta” ka fluturuar dhjetë vjet në hapësirën e pafund. Tani një njësi aterruese do të çohet në sipërfaqen e kometës, që ka pak a shumë madhësinë e aeroportit Heathrow të Londrës.

 

Pra, ju dhe kolegu juaj Klim Çurjumov keni zbuluar rastësisht kometën 67P, që mban emrin tuaj..

Po, pak a shumë. Në atë kohë, në vitin 1969, unë isha asistente, një shkencëtare fillestare në katedrën e Astronomisë në Universitetin e Kievit, dhe (në një teleskop në Kazakistan – shënim i red.) pata vrojtuar një kometë tjetër. Bëra një fotografi të saj, por e zhvillova keq dhe desha madje ta hidhja, që të mos e shihte askush. Por pastaj e mbajta: kometa ishte e dukshme në të. Pastaj së bashku me udhëheqësin e ekspeditës, Klim Çurjumow, kemi analizuar disa fotografi të ndryshme. Dhe konstatuam se kometa 32P/Comas Solà, të cilën ne në fakt e kishim vrojtuar, nuk është në vendin e saj. Kishte një devijijm prej dy gradësh. Si ishte e mundur! Atëherë e kuptuam se kishim zbuluar një trup të ri qiellor, një kometë.

 

Disa gazetarë besojnë se misioni “Rosetta” dhe të dhënat e mbledhura prej tij mund të shkaktojë një revolucion në shkencë. Çfarë mendoni ju?

Nuk besoj se ka për të qenë menjëherë një revolucion. Por jam e sigurtë se aterruesi “Philae” do të na japë shumë material të ri. Sepse për herë të parë lëshohet një sondë në një kometë, për të marrë informacione mbi sipërfaqen e saj. Të zbresësh në bërthamën e kometës-së, është diçka e pabesueshme! Kur një kometë i afrohet diellit, ajo bëhet aktive: çlirohet gaz, pluhur dhe kështu me radhë. Prandaj ne nuk e shohim thelbin, por vetëm atë që është rreth tij. Tani ne do të marrim vesh se çfarë është në të. Ne presim informacione lidhur me strukturën e sipërfaqes së bërthamës dhe lidhur me atë, që është nën të. Kometat janë blloqe, që kanë mbetur pas lindjes së sistemit tonë diellor. Me informacionet e reja ne do të jemi në gjendje për të nxjerrë përfundime të rëndësishme për krijimin e sistemit diellor dhe evolucionin e tij..

 

Ndoshta madje edhe për krijimin e jetës?

Gjithçka është e mundur. Në kometa gjenden substanca organike. Por unë personalisht jam e kthjellët. Në shkencë ka hipoteza të ndryshme, edhe shumë të pabesueshme.

 

Misioni “Rosetta”, në të cilin marrin pjesë 17 vende, kushton më shumë se një miliard euro. A ia vlen, që të japësh kaq shumë para për projekte të tilla?

Unë besoj se po. Dituria nuk duhet të kushtojë shumë, por për të as nuk duhet kursyer.

(Intervistën e zhvilloi Efim Schuhmann.

Svetlana Gerassimenko ka zbuluar së bashku me kolegun e saj Klim Çurjumov në vitin 1969 në Institutin për Astrofizikë në Alma-Ata kometën 67P/C-G.)