Alma Çuka
Operacioni u drejtua nga Policia e Elbasanit, hetimet janë shtrirë nga Prokuroria dhe SHKB për gjetjen e bashkëpunëtorëve të tjerë
Një punonjës i burgut të Peqinit dhe pesë persona të tjerë janë arrestuar me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Operacioni u krye nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Burime nga Policia e Elbasanit konfirmojnë faktin se arritën të vënë në pranga disa persona, për të cilët prej kohësh ekzistonin informacionet në rrugë operative se në bashkëpunim me punonjësit e policisë së Institucionit të Vuajtjes së Dënimit Peqin, një prej burgjeve të sigurisë së lartë ushtrohej tregtia e lëndës narkotike. Burgjet, sipas Policisë, janë kthyer në një vendburim që gjeneron të ardhura të mëdha në rrugë të jashtëligjshme. Kështu tashmë është fakt i ditur se mes punonjësve të burgut dhe personave me precedent penal, kryesisht ne fushën e trafikut të lëndës narkotike, ka një marrëveshje të fshehtë, e cila ka vazhduar ndër vite.
Arrestimi
Policia e Qarkut Elbasan në një njoftim zyrtar shprehet se ranë në pranga Zenel Nezha, me detyrë punonjës policie në burgun e Peqinit, Romeo Serica, Ardian Serica, Juxhengs Kurani, Ferit Serica dhe Altin Bektashi. Gjithashtu filloi procedimi penal për shtetasin Dorian Tatoshi, i cili aktualisht vuan dënimin në burgun e Peqinit për vepren penale prodhimin e shitjen e narkotikëve. Burime të besuara nga Burgu i Peqinit bëjnë me dije se i dënuari Dorian Tatoshi, i cili është pikasur nga shërbimet e brendshme se bashkëpunonte me trafikantët për të tregtuar drogë në burg, ka disa procese penale të hapura në Gjykatën e Tiranës.
Sekuestrimet
“U sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 150 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë, 100 gramë lëndë narkotike e dyshuar si heroinë, 50 doza lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa, 13 copë celularë, 1 mjet tip “Golf 4” me targa PE 0671 A në pronësi të policit Zenel Nezha. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre””, – tha drejtori i Policisë së Qarkut Elbasan, Neritan Nallbati. Policia e Elbasanit dhe ajo e Burgjeve po punojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen, për të cilën kanë dyshimet se mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë si bashkëpunëtor. Sistemi i Burgjeve jo në pak raste është përfshirë në skandalin e trafikut të lëndës narkotike, brenda mureve të tij. Kjo për faktin se një pjesë e madhe e të dënuarve, janë përdorues të rregullt të saj dhe trafikantët duket se e kanë si vatër të ngrohtë, ku tregtia është e sigurtë.
Elbasan/ Kishte krijuar varësi nga droga, keqtrajtonte nënën për para
Policia e Elbasanit arreston një 19-vjeçar, i cili në mënyrë të vazhdueshme ushtronte dhunë fizike ndaj nënës së saj. Burime nga Policia e këtij qytetit bëjnë me dije se djali është kallëzuar në polici nga nëna e tij, e cila ka shpjeguar se shkak për këtë veprim të djalit të saj është bërë përdorimi i lëndës narkotike. Kishte krijuar varësi nga droga dhe për blerjen e saj i kërkonte vazhdimisht para nënës. Një djalë nga fshati Mollas i Elbasanit, J. M., 19 vjeç, u arrestua nga Policia pas denoncimit të bërë nga nëna e tij, e cila deklaroi se dhunohej vazhdimisht prej tij. “Më kërkonte vazhdimisht lekë, e unë herë i jepja e herë jo se nuk kisha. Por ai bëhej agresiv dhe ngrinte dorë mbi mua. Ky veprim i tij vazhdonte prej kohësh por vetëm së fundmi kam mësuar se lekët që merrte prej meje i përdorte për drogë”, – u shpreh në polici gruaja e moshës 48 vjeçare, N.M. Gruaja tha para uniformave blu se ndihej e rrezikuar nga i biri i cili tjetërsohej në momente të caktuara, ndaj dhe bëri denoncimin në polici. Në ngarkim të të ndaluarit materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Dhunë në familje”.
Fier/ Parandalohet një vrasje, arrestohet 48-vjeçari Hodaj
Vrasja e një 46-vjeçari nga dy persona të tjerë është parandaluar nga ndërhyrja e Policisë. Ngjarja është shënuar në qytetin e Fierit dhe është arrestuar në flagrancë një person, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim. Musa Hodaj, 48 vjeç, u vu në pranga nga patrulla e policisë ndërsa 35-vjeçari me inicialet E. Rr. u shpall në kërkim, pasi të dy personat kanë tentuar të vrasin me armë 46-vjeçarin me inicialet V. GJ. Ndërhyrja në kohë e patrullës së policisë së Fierit ka arritur të shmangë tragjedinë, ndërsa mësohet se dy autorët të kenë bërë rezistencë ndaj uniformave blu. Ata kanë hedhur armën tip pistoletë e markës “Bereta”, me të cilën do të kryenin vrasjen në mënyrë që Policia të mos e gjente. Policia mundi të vërë në pranga një nga autorët ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe pistoleta e cila ishte me fishekë në grykë.
Kukës/ Shpërdoruan detyrën, prangosen katër punonjës të komunës Surroj
Në sajë të një pune hetimore disa mujore është bërë e mundur finalizimi me sukses i operacionit “Ndihma e Fundit” ku është bërë e mundur dokumentimi ligjor i veprimtarisë korruptive të kryer nga punonjësit e komunës Surroj, në Kukës. Sipas informacioneve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit, bëhet e ditur se shtetasi Sulejman Vata vjec 44, me detyrë Sekretar i komunës, Muharrem Leka vjec 56, me detyrë Teknik Ndërtimi, Azem Vata vjec 54 vjec me detyrë Administrator i Ndihmës Ekonomike, Fetah Vata vjec 47 me detyrë ish Arkëtar i komunës, janë arrestuar. Ndërkohë është bërë shpallja në kërkim e shtetasit Naim Leka, vec 42, me detyrë Përgjegjës i Ndihmës Ekonomike. Në sajë të veprimeve hetimore është dokumentuar me prova ligjore se këta persona në bashkëpunim, kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Mbi bazën e këtyre provave, policia thotë se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës ka caktuar edhe masën e sigurisë me “Arrest me burg”.
Shqipëri-Belgjikë, bashkëpunim kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve
Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, dhe prokurori Federal i Mbretërisë së Belgjikës, Frederic Van Leeuw, diskutuan në Tiranë për hetime konkrete dhe nevojën e thellimit të bashkëpunimit kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të produkteve të veprave penale. Llalla i shprehu homologut të tij nga Belgjika gatishmërinë e plotë të prokurorisë shqiptare për të zhvilluar hetime në territorin e Shqipërisë për çdo qytetar shqiptar që dyshohet ose është i akuzuar nga autoritetet belge për përfshirje në trafiqe të paligjshme dhe kriminalitet të organizuar. Duke e pasur të qartë se numri i emigrantëve shqiptarë në Belgjikë është relativisht i madh, Llalla, theksoi se “ekzistojnë mundësitë reale që shtetas të ndryshëm shqiptarë të jenë të përfshirë në krimin e organizuar dhe që mbajnë lidhje me vendin e origjinës, sidomos në tentativat për të pastruar produktet e veprave penale, pra të ardhurat e krijuara nga veprimtaria e paligjshme”. Në këtë këndvështrim, të dy bashkëbiseduesit shprehën qëndrim të njëjtë se goditja kundër grupeve dhe organizatave të përfshira në krim të organizuar, ka sukses nëse goditen në aspektin financiar të tyre. Pak kohë më parë në një aksion të përbashkët të kohëve të fundit, në të cilin nëpërmjet bashkëpunimit me autoritetet hetimore shqiptare, u arrit të goditej në Belgjikë një grup i strukturuar kriminal që merrej me vjedhje, i përbërë nga shtetas shqiptarë, të cilët të ardhurat i dërgonin pranë të afërmve të tyre në Shqipëri. Në përfundim të këtij hetimi të përbashkët, në Belgjikë u arrestuan 15 persona, 13 prej të cilëve shqiptarë, kryesisht nga zona e Shkodrës.