Vendimi/ Shpërdoroi detyrën, shpallet në kërkim nga Policia ish-drejtori i Lojërave të Fatit

0
156

Alma Çuka

Ndaj Besnik Çobajt Gjykata e Tiranës rreth dy javë më parë kishte vendosur masën “Arrest me burg”, pas kërkesës së akuzës. Vendimi nuk u arrit të ekzekutohej

foto e lojerave te fatit Policia e Tiranës shpall në kërkim ish-drejtorin e Lojërave të Fatit, Besnik Çobaj, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Burime pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë bëjnë me dije se shpallja në kërkim e Çobajt bëhet dy javë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila kishte vendosur ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest me burg”. Por pasi Policia mori vendimin në dorë dhe u urdhërua ta ekzekutonte atë, nuk arriti të kishte një përfundim pozitiv. I dyshuari për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” nuk u gjend në adresën që i kishte lënë organit të akuzës.

 

Dyshimet

Policia e Tiranës, ndërsa ka dështuar në arrestimin e ish-drejtorit të Lojërave të Fatit, përgjegjësinë ia kalon Prokurorisë dhe Gjykatës. Burime jozyrtare të Policisë bëjnë me dije se kanë dyshime të arsyeshme që operacioni i arrestimit mund të jetë dekonspiruar nga brenda Gjykatës ose nga Prokuroria. Por nuk mendojnë kështu dy institucionet më të rëndësishme të dhënies së drejtësisë, të cilët mosarrestimin e lidhin me punën e dobët të Policisë. Në këtë kuadër, ndërmjet institucioneve ligjzbatuese shihet një mosmarrëveshje, e cila përfundon me largimin e personave të akuzuar për vepra të ndryshme penale dhe humbjen e besimit të publikut tek drejtësia. Policia shprehet se që prej një jave nuk ka ndalur së kërkuari të pandehurin, ndaj të cilit ekziston një masë ndaluese. Ndërkohë, masën e arrestit me burg ndaj tij e kërkoi prokurori i njësisë task-forcë, Dritan Rreshka. Vendimi për dhënien e masës së arrestit ka qenë sekret dhe për organin e Prokurorisë dhe Policinë mosgjetja duhet të ketë patjetër një fajtor, për të cilin mendohet se ka nxjerrë informacionin.

 

Largimi

Policia pas shpalljes në kërkim ka bërë edhe një verifikim në sistemin TIMS, nga ku ka rezultuar se i pandehuri Besnik Çobaj nuk ka kaluar kufirin. Ndërsa Policia vazhdon të kërkoi për të pandehurin e dyshuar, avokati i tij mbrojtës, një javë pas dhënies së vendimit të arrestit, ka paraqitur ankim në Gjykatën e Apelit. Prokurori Dritan Rreshka kishte nisur hetimet për ish-drejtorin Çobaj, një vit më parë, pas kallëzimit të Ministrisë së Financave. Kallëzimi ka lidhje me valën e operacionit policor për lojërat e fatit dhe Çobaj dyshohet të mos ketë marrë masa për konfiskimin e automateve elektronike dhe pajisjeve të tjera të lojërave të fatit, të cilat janë konstatuar të palicencuara nga kontrollet e kryera nga po ky institucion. Sipas Prokurorisë, rezulton që pavarësisht se njësia e mbikëqyrjes së lojërave të fatit ka ushtruar kontrolle në Tiranë, Shkodër dhe Kavajë dhe ka evidentuar se në këto tri qytete ishin gati 140 automate elektronike të paregjistruara në mbi 70 subjekte të palicencuara, nuk është nxjerrë asnjë urdhër nga ish-drejtuesit për sekuestrimin e tyre.

 

Shkeljet

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se nga ana e ish-drejtuesit të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, të dyshuarit Besnik Çobaj, nuk është nxjerrë asnjë urdhër për ekzekutimin e konfiskimit të pajisjeve të paregjistruara dhe të palicencuara sipas përmbajtjes së 177 akt-konstatimeve, të mbajtura nga ana e inspektorëve të sektorit të mbikëqyrjes për periudhën janar-korrik 2013, në të cilat janë evidentuar pajisjet e paregjistruara, objekt konfiskimi. Po kështu nuk ka asnjë raste ku dy sektorët, pjesë e Drejtorisë Operacionale, sektori i Ushtrimit të Operacioneve të Mbikëqyrjes dhe sektori i Zbatimit të Masave Shtrënguese, të kenë bashkëpunuar dhe bashkëvepruar, duke qenë se sektori i Masave Shtrënguese nuk ushtron vetëm funksionin e ekzekutimit të masës shtrënguese, por njëkohësisht është në funksionin e mbikëqyrjes dhe të konstatimit të shkeljes, të cilin e ekzekuton ne vend.

 

Tiranë/ Alarm për bombë, ndërpritet mësimi në shkollën “Abdulla Keta”

Një alarm për bombë në shkollën “Abdulla Keta” në zonën e Shkozës në kryeqytet ka vënë në lëvizje uniformat blu. Mësimi u pezullua në shkollën e mesme, ku u lajmërua se është vendosur lënda plasëse, ndërsa policia rrethoi godinën dhe kreu kontrollet në ambientet e brendshme të saj. Në përfundim të veprimeve të rastit, u konkludua se alarmi ishte i rremë dhe se telefonata e mbërritur në polici, ka pasur si qëllim prishjen e mësimit. Lidhur me këtë rast uniformat blu vijojnë hetimet për identifikimin e personit që bëri denoncimin e rremë . Shkollat e mesme janë përshirë edhe në raste të tjera në alarme për bombë, të cilat pas verifikimeve kanë rezultuar të rreme.