E rrallë nga Parisi/ Kërkoi strehim, Kadare, si hyra në Akademinë franceze me revolver në xhep

0
297

Speciale/ Kadare lë në hije panairin me “Mëngjes në Kafe Rostand”. Shkrimtari do të jetë në stendën e shtëpisë botuese “Onufri” të shtunën paradite

 UK - 2006 Edinburgh International Book FestivalNjë nga rrëfimet interesante në botimin e ri të Ismail Kadaresë, “Mëngjeset në Kafenenë Rostand. Motive të Parisit”. Fragmenti i shkëputur  më poshtë lidhet me “reliken” e shkrimtarit, një revolver të blerë në tregjet e antikuarëve shqiptare, dhe është gati t’ja dhurojë kreut të Akademisë franceze për t’i siguruar një apartament. Po në këtë pjesë shkrimtari rrëfen dhenjë pjesë intime të jetës së tij në Paris, se si bashkëshortja e tij, Helena shqetësohej për të. Sot shkrimtari do të jetë në stendën e shtëpisë botuese Onufri, për të lexuesit e romanit të fundit, kujtime nga Parisi, “Mëngjeset në kafe Rotand”

Libri që po e shtrin “zhurmën” dalëngadalë në panair është botimi më i ri i shkrimtarit Ismail Kadare. Bëhet fjalë për “Mëngjeset në Kafe Rostand. Motive nga Parisi”. Botuesi i saj ekskluziv, Bujar Hudhri, është shprehur në media se është në ngjashmëri me librin “Ftesë në studio” por në një kohë tjetër, tjetër vend. Tashmë është e ditur se Kafe Rostand në Paris është vendi ku shkrimtari kalon kohën duke shkruar,dhe në këtë rast letrar ajo ka shërbyer si studio e tij, ku ka shkruar romane dhe ese.

“Ideja për të shkruar diçka për Kafe Rostand më kishte ardhur aq natyrshëm, saqë s’e mbaja mend as kohën, as rrethanat. Ishte një ndjesi midis pendimit dhe mirënjohjes, e ngjashme me atë ndaj shoqes së jetës, që, duke qenë pranë teje në gjithçka, nuk e ka pasur, ose ty të duket se nuk e ka pasur, vëmendjen e duhur. Në këtë kafe kisha shkruar qindra faqe dhe po aq shënime për motive e sinopse, pa u kujtuar asnjëherë për atë vetë, kafenenë”, – shkruan Kadare për nxitjen. Ndërsa kemi shkëputur më poshtë, një nga rrëfimet personale, interesante të librit me kujtime në kafenë Rostand. Bën fjalë për “reliken” e shkrimtarit, një revolver të blerë në tregjet e antikuarëve shqiptare, dhe është gati t’ja dhurojë kreut të Akademisë franceze për t’i siguruar një apartament. Po në këtë pjesë shkrimtari rrëfen dhenjë pjesë intime të jetës së tij në Paris, se si bashkëshortja e tij, Helena shqetësohej për të. Sot shkrimtari do të jetë në stendën e shtëpisë botuese Onufri, për të lexuesit e romanit të fundit, kujtime nga Parisi, “Mëngjeset në kafe Rotand”

 

                                   Më poshtë po hedhim një fragment nga libri:

                 ***

Dy Parise…Komunisti dhe Postkomunisti. Ishte lehtë ta thoshe. Në të vërtetë ishte shumë më e ndërlikuar. “Sqenë vetëm pamjet që ndryshonin: Sheshi Trocadero, përshembull, I pari që kisha kapërcyer ditën e parë të udhëtimit të parë. Pastaj pamjet e tjera, ca më të qeshura e ca jo. Champs Elusee-ja, përshembull, si mbretëreshë e fyer, bulevardet e mëdha, si përherë gazmorë, urat mbi Senë, disi të zhvendosura. E njëjta gjë me njerëzit: disa më të habitur, të tjerë aspak. Madje, lidhur me dy Pariset, kishte raste që më dukej se ndryshiemt pas rrëzimit të komunizmit, ndiheshin këndej po aq sa andej.

Ndërkaq kishte një Paris të tretë, më i pakuptueshmi i të gjithëve, ai i letrave të mira. Sa herë që binte fjala për to, kisha përshtypjen se Helena, ndonëse s’e thoshte haptas, ndiente njëfarë shqetësimi. Parisi i letrave jo vetëm që nuk ngjante me dy të tjerët, por, në njëfarë mënyre, në sytë e saj ishte gabuar.

Shpjegimet e mia se s’kishte pse shqetësohej për shkujdesjen time të plotë në përshkrimin e njerëzve, nuk e kishin bindur.Aq më tepër ngaqë, me sa dukej, ndihej disi fajtore për ato letra, për arsyen e thjeshtë se i ishin drejtuar asaj. E kishte të pamundur të pranonte se fjala “demon” për shembull, mund të përdorej për të mirë, ose përshkrimi i ikjes nëpër mjegull, duke ulëritur, i mikut tim të shtrenjtë C.D., bashkë me ndihmësin e tij.

Në qoftë se letrat e mia ngjanin të gabuara, aq më tepër kjo mund të thuhej për shënimet që kisha mbajtur për ngjarje të ndryshme dhe që ajo po i shfletonte për kujtimet që po shkruante. Madje, krejt letërsia mund të ngjante e tillë.

Shënimet për vendosjen tonë në 63, St. Michel ishin shembull i qartë për një Paris të katërt.

Ishte miku im i vjetër Jean Marie B., që, tek po pinim kafe përballë Kopshtit të Luksemburgut, më tha papritur: pse nuk vjen të banosh në këtë lagje?

Ndërsa flisnim për mundësitë e diçkaje të tillë, atij iu kujtua se Institué i Francës kishte një pallat banimi si pronë të vet, disa hapa larg dhe, meqenëse unë isha ndërkaq anëtar i huaj, mund të provoja shansin.

Një copë herë, duke folur për mënyrën si bëheshin ndërhyrjet në botën komuniste për gjetje apartamenti, i thashë se më 1972, ishte pikërisht Parisi, domethënë botimet në Paris, dhe kureshtja e gazetarëve francezë për të më takuar, që luajtën rolin kryesor për t’u zhvendosur nga një apartament i ngushtë me dy dhoma, në një tjetër sa dyfishi i tij.

Ndërsa po bënim humor se ç’mund të më ndihmonte, tani që gjendesha në Paris, Jean Marie B. më tha se një libër me kushtim, mbetej përherë si zakoni më i njohur për rastin e shkrimtarëve.

Duke ia kujtuar se s’dija asgjë për stilin e këtushëm të ndërhyrjeve, e pyeta se a ishte e pranueshme diçka më tepër, dhe ai më tha se një suvenir gjithashtu s’merrej për keq, sidomos i natyrës simbolike.

Kohë më pas kisha përshkruar në një shënim atë çka kishte ndodhur.

 

Ja teksti:

“E dija që ishte vështirë, megjithatë kisha vendosur të mos hiqja dorë. Nxora revolverin, e futa në çantë dhe u nisa. Me vete thosha: vetëm revolveri e zgjidh këtë punë. Te hyrja, për fat, s’kishte kontroll. Fytyra e njeriut që më priste-sapo e mori vesh arsyen e takimit, e humbi gjallërinë. Biseda mezi ecte. Sytë herë pas here më shkonin te çanta, brenda se cilës kisha armën. Vetëm kur e nxora gjithçka ndryshoi në çast. Tronditja e tij ishte e parrëfyeshme. O, jo, zoti K., ju lutem, jo!”.

 Shënimi mbaronte me kaq. Çdokush që do ta lexonte, do ta merrte për një shënim gangsteri, që krenohej se si, mu në mes të Akademisë Franceze, kishte fituar me arme atë që s’kishte mundur ta merrte me arsye.

Në të vërtetë, ngjarja kishte ndodhur, në mos krejtësisht, pak a shumë ashtu.

Kisha vendosur të mos hiqja dorë. Ditën e takimit, pasi zgjodha librin që do t’ia çoja me një kushtim, ngadalshëm, disi i mpirë, prej një rafti të bibliotekës nxora revolverin. Tek e futja në çantë, s’e shmangia dot përfytyrimin e një syri të jashtëm që do të ndiqte lëvizjet e mia. (Ky paska shkalluar fund e krye, ose fajin e ka Akademia që fut këta ballkanas të egër në radhët e saj.)

Zbrita nga metroja në Odeon, kurse rrugën gjer në Akademi e bëra më këmbë. Ecja ngadalë, mendueshëm, duke u përpjekur të menja me mend atë që mund të ndodhte.

Për fat, te hyrja e Akademisë nuk kishte ndonjë kontroll çantash.

Njeriu që më priste, picërroi sytë gëzueshëm teksa shfletonte librin. Ndërkaq, pata përshtypjen se e kishte marrë me mend perse kisha kërkuar takim. Më dëgjoi megjithatë me vëmendje, por pa e fshehur se do të më zhgënjente. Pas fjalëve, ju më kuptoni drejt, zoti K., që i përsëriti dy herë, duhej të isha vërtet një ballkanas i pagdhendur që të mos e kuptoja se kërkesa ime s’do të merrej parasysh. Ai tha se, të ishte në dorë të tij, qysh në atë çast do ta nënshkruante miratimin, ngaqë, ashtu si të gjithë në Akademi, më çmonte shumë, aq më tepër pas atij kushtimi prekës… por çështja ishte disi e ndërlikuar, ngaqë apartamentet tek ai pallat banimi kërkoheshin shumë…

Erdhi ora, thashë me vete. Përpiqesha të mos mendoja asgjë, por të bëja atë që duhej, si ballkanas i vërtetë ose i rremë, kjo s’kishte shumë rëndësi.

Futa dorën në çantë dhe preka tytën e ftohtë të armës.

Ndërsa e nxirrja, më vinin ndër mend çuditërisht qartë fjalët e shitësit të tregtizës së Antikuarëve në Tiranë, tek po më mbushte mendjen për ta blerë. S’kishte vend në botë ku nuk çmoheshin dhurata si kjo. Atje në Paris, sado mirë të më shkonin punët, do të vinte dita që do të kisha nevojë për një të tillë. Veç duhet ta dija që s’gjendej dhuratë në botë që t’i shkonte dinjitetit të njeriut, sa ç’ishte arma. As turp s’të vinte prej saj e as droje, siç mund të ndodhte, për shembull, me parfumet ose kravatat. Përkundrazi, përveç që ishte e fisme, ishte burrërore e pa dredhi, tamam dhuratë zotërinjsh.

Në anën tjetër të tryezës dukej që njeriu nuk po iu besonte syve.

O, jo, thirri me zë të lartë… Jo gjer këtu, zoti K. Ju lutem, ju betohem.

Ai vazhdonte të thoshte se kjo ishte një gjë e paparë, e papërfytyrueshme, nga ato që s’ndodhnin kurrë në këtë Akademi.

Në të vërtetë, tronditja e tij prej pamjes së armës ishte më e fortë se ç’e kisha menduar.

Ai vazhdoi të fliste në të njëjtin stil, por që mua më dëgjoheshin dy mënyrash. O, jo, jo, zoti K. Po kapërceni çdo kufi. Në këtë Akademi s’bëhen kërcënime të tilla. Largojeni, ju lutem, atë arme.

Kuptimi i dytë i fjalës ishte aq i ndërthurur me të parin, sa ishte vështirë të ndahej. O, jo zoti K. Ai ishte tepër i prekur. Njihej bujaria… besa shqiptare… megjithatë, ju lutem, të mos më vini në këtë gjendje të vështirë. Futeni në çantë atë arme… S’kam qenë… s’kam parë kurrë… diçka të ngjashme.

Vazhdonte të flisie gati përçart, thua se nga një anë kishte tmerr, po nga ana tjetër sytë i ndritnin, thua se nuk i durohej sa të vritej prej një arme të tillë.

Në të vërtetë, e vendosur mbi tryezë, midis meje dhe atij, arma po më dukej edhe më e bukur. Midis zbukurimeve prej argjendi, një pjesë e gurëve të çmuar vezullonin, ndërsa të tjerët ngjanin sikur kishin rënë në gjumë. Shitësi i antikuarëve në Tiranë më kishte shpjeguar se mjaftonte ta lëvizje pak, që gurët që iu ngjanin smeraldeve të fjetura të zgjoheshin, ndërsa të zgjuarit të fikeshin, dhe kjo ishte një nga magjepsjet që ajo shkaktonte. Gjithmonë sipas tij, një turist irlandez kishte thënë se, po t’i kishte shkuar mendja ndokujt për t’ia hequr vetes, do të ishte vërtet mëkat që të humbte rastin…

I kishim ngulur sytë njëri-tjetrit, si të kërkonim të pikasnim te tjetri tundimin që ia kishim fshehur vetes.

Domethënë, ky është për mua, tha më në fund me një zë të fikur.

Nuk arrita t’i shpjegoja se shpresoja të mos ma merrte për keq, ngaqë vazhdonte të ishte i tronditur, madje nuk patëm kohë të flisnim se ç’parashikonte ligji francez në lidhje me armët e vjetra, në rast përdorimi…

Takimi zgjati rreth një orë, por pavarësisht mahnitjes, dhuratën nuk e mbajti. E vështroi me mallëngjim tek po e futja në çantë, madje më tha të mos fyhesha, por, sidoqoftë, një herë tjetër… kur puna të bëhej… ndoshta do të vinte rasti…

Isha i bindur se rasti do të vinte, veç në mos dikush tjetër, në vend të revolverit, kishte vënë në përdorim ndonjë antitank…

 

Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit, xheloze për shënimet në kafenë Rostand

Kisha kujtuar se Helena do të mësohej, më në fund, me “Parisin e shënimeve”, por kjo nuk po ndodhte. Isha unë, me sa dukej, që po mësohesha me pyetjet e saj. Në fakultet të Tiranës apo më pas e përdornit fjalën “démon” si përkëdhelëse? Po sikur të më çoje në Moskë, siç më ke premtuar, do të gjeja ndonjë shenjë nga ato që ke përshkruar? Ke pirë kafe në “Rostand”, pa e ditur që quhej “Rostand”? Kur e ke njohur Colette D.?

Colette D. e kisha njohur në njërin nga udhëtimet e para në Paris, pikërisht në shtëpinë e Pierre Sipriot, drejtorit të Hachette Littérature. Siç do ta vija re më pas, në darka të tilla qëllonte shpesh një e vonuar, që ishte zakonisht edhe më e hijshmja.

Ajo kishte diçka të papërcaktueshme, që herë ngjante si shkak e herë si rrjedhojë e bukurisë së saj. Ishte midis vajzës dhe gruas luksoze, me ca flokë të çelët, valëzimi i të cilave dukej sikur do të qortonte në çast zotërimin e njërës anë mbi tjetrën. Më vonë, në një nga pasdarket e saj, në 48, Zoti Princ, më foli për një të fejuar sekret, çka më la gojëhapët. Kisha kujtuar se në Francë, ashtu si kudo, vetë stilema fejesë, ishte në zhdukje e sipër, pale pastaj fejesë e fshehtë. Sytë më

shkuan, pa dyshim, nga zoti Sipriot, por ajo, pa më lënë kohë ta pyesja për të, qeshi gëzueshëm dhe, duke tundur flokët, tha: “jo, jo, s’është ai”.

Ishte pjesa vajzërore e saj që vazhdoi të qeshte ashtu, dhe unë, në kërkim të të njëjtit stil, s’gjeta t’i thosha gjë tjetër veçse hamendjen time se zoti Sipriot, në takimin tonë të parë më kishte marrë, me siguri, për të lojtur.

Ajo vazhdoi të bënte “jo”, por këtë herë me kryet, më saktë, me flokët, por pa buzëqeshjen e saj.

Do të doja të shtoja se s’më vinte aspak keq për këtë, në fund të fundit ne që vinim nga Lindja, sillnim në një mënyrë ose tjetër marrëzinë e saj, si ajo puna e ftesës sime të rreme, porkjo s’ishte e lehtë të shpjegohej, aq më pak me frëngjishten time prej rishtari.

Nuk është ashtu, tha ngadalshëm. Ne ju kuptojmë… madje më mirë se ç’kujtoni ju…

Sytë e saj m’u duk se ndryshuan ngjyrë aty për aty.

Ne ju mbrojmë, vazhdoi, me një ulje qepallashtë veçantë… Më kuptoni ç’dua të them? Ne jemi gjithë kujdes për ju… Por pa rënë në sy.

Në fillim kujtova vërtet se nuk po e merrja vesh. Ajo gjithashtu. Pa m’i hequr sytë, e përsëriti gjithçka, me fjalë më të thjeshta, me të njëjtën ulje qepallash, këtë herë si prej fajtoreje.

Tani ishte ana e saj prej zonje që zotëronte gjithçka, dhe mua m’u duk se isha i detyruar ta bindja se e kuptoja krejtësisht dhe se isha mirënjohës për gjithçka, por në vend të falënderimit, i bëra pyetjen:

Ju bëni pjesë në këtë?…

Pa pritur përgjigjen e saj, e kuptova se kisha bërë një nga ato gafa që s’ndreqeshin lehtë. Ca çaste më vështroi mendueshëm.

Edhe po të ishte ashtu, nuk do t’jua thosha.

Ju lutem të më falni, madame. Tani po e kapja se ai dritësim sublim në sytë e saj, përpara se të kishte të bënte me misterin e gruas dhe joshjen dhe gjithë përfytyrimet e njohura, lidhej me diçka tjetër.

Ishte, me sa dukej, zona e veçantë e besnikërisë, sublime dhe disi e vetmuar, në sytë e saj, e paarritshme prej vulgaritetit planetar.

Ma Dame. Ime Zonjë. Banorja e rrugës “Zoti Princ”, numër 48, siç tregonte kartëvizita e saj. Do të doja t’i bÿa në gjunjë, nëse do të ndihesha i shkathët për një gjë të tillë… (Madje, do të kisha qenë i gatshëm të bëja një kurs, se si i bihet në gjunjë një zonje, pa rrëzuar gotat në tryezë, ose pa i shqyer fustanin fin, në rast marrjesh mendsh dhe kapjes pas tij… etj., etj.)

T’i bija, pra, në gjunjë, për t’i kërkuar ndjesë për prapësitë vulgare, që, ndonëse të harruara, qysh nga vitet studenteske të Tiranës dhe Moskës, e gjenin rrugën të më rishfaqeshin befas, në një lëmsh gjuhësor shqipo-rus.

Sa herë që afrohesha te dritaret për të parë si ishte koha përjashta, sytë më ndaleshin një grimë te vendkalimi midis trotuareve të St. Michel-it. Ngaqë së paku tri-katër herë në ditë më qëllonte ta kapërceja bulevardin në atë vend, më qe krijuar përshtypja se gjithë Parisi i pestë kapërcente pikërisht aty.

Nuk ishte rasti i vetëm që dy lagje të Parisit ndanin midis tyre të njëjtin bulevard, megjithatë, për cilindo që do të vinte për të banuar në St. Michel, kureshtia se si njëri trotuar i tij ishte Parisi i pestë, kurse tjetri i gjashtë, vazhdonte njëfarë kohe.

Qenia përballë, kaq dukshëm, për të mos thënë kaq ngacmueshëm, e dy prej lagjeve më të njohura pariziane, të shtynte padashur tek ideja e shemrimit midis tyre. Në një pamje të parë, Parisi i gjashtë kishte njëfarë epërsie. Do të mjaftonte Kopshti i Luksemburgut, më i famshmi në kryeqytet, që t’ia siguronte atë. Senati i Francës, që ishte pjesë e kopshtit dhe disa hapa më larg teatri “Odeon”, pa përmendur Bulevardin St. Germain, bashkë me kafenetë “Flore” dhe “Dy magjistarët”, shumicën e botuesve, gjer tek Akademia, të gjitha rëndonin në peshoren e krahasimit.

Parisi i pestë, ndonëse më i përkorë, s’ishte më i paktë. Kishte Notre Dame-n, krejt lagjen latine me magjepsjen e saj të rrallë, Sorbonën e studentëve, Panteonin e Francës, pa llogaritur rrugën e ngushtë “Muffetard”, mahnitja pas së cilës, përveçse shenjë kulturimi, ishte gati e detyrueshme.

Kishte raste kur kushtëzimi im i dyzuar: banimi në Parisin e pestë dhe marrja e kafesë (domethënë të shkruarit, si të thoshe, pjesa e epërme e qenies) në të gjashtin, ndonëse kishte ndodhur rastësisht, mund ta kërkonte një dite kuptimin e saj të thellë.

Ndjesi të ngjashme më vinin sidomos tek kapërceja në trotuarin përballë. Gjithmonë kundër çdo logjike, kisha bindjen se ishte Parisi i pestë që synonte të hidhej tek i gjashti, dhe asnjëherë e kundërta.

Tek prisja shenjën e semaforit, më pëlqente të përfytyroja se si Julien Gracq, i cili jepte mësim në Liceun Henri IV, tek zbriste nga Rruga Soufflot, udhës për te botuesi i tij, “José Corti”, e kalonte bulevardin pikërisht te ky kalim. Më tutje, para se të mbërrinte te botuesi i vet, me siguri kthehej për të marrë kafenë e mesditës në “Rostand”.

Ngaqë më pëlqente shumë që shkrimtari më i madh i gja- llë i Parisit, e ndoshta i krejt Europës, të vinte në të njëjtën kafe, më dukej e natyrshme, madje e pashmangshme, të ishte ashtu. Mund të ma mermin për krenari boshe, snobizëm etj., aq më bënte. Ne ishin autorë të të njëjtit botues, ndaj askush s’mund të thoshte se kjo bënte pjesë në to, veç… në qoftë se…

Në qoftë se Julien Gracq nuk do ta merrte kafenë në “Rostand”.

Pandehma më erdhi një ditë, në trajtë shpalljeje a paralajmërimi. Pyetjet përse, për ç’arsye, a ishte e mundur, a s’ishte, a s’do të ishte, ia behën njëra pas tjetrës rresht.

Në qoftë se Julien Gracq nuk… kafe “Rostand” vallë do ta humbte, në mos krejt magjinë, një pjesë të saj?

Përgjigjen do ta merrja kohë më pas.

Ndodhi një ditë të zakonshme mesjave. Duke ecur në rrugën “Medici”, pak hapa larg “Rostandit”, në vitrinën e “José Corti”-së, vështrimi më kapi një fytyrë të njohur. Gati sa s’tha- shë me vete: ç’do Eriku këtu?

Aty për aty u kujtova se Eric Faye, shkrimtar i ri francez dhe miku im i hershëm, ishte në vendin e duhur: në vitrinën e botuesit të tij. Kurse i hutuari isha unë. Madje… madje.

S’më mbetej veç të qortoja veten si rrallë ndonjëherë. Madje, madje… kishim bërë bashkë një libër bashkëbisedimesh, që ishte botuar pikërisht nga “José Corti”.

Askush nuk do ta bespnte se vetëm disa javë pasi kisha filluar ta pija kafenë e mëngjesit te “Rostand”, befas do të zbuloja se një nga botuesit e mi francezë ishte pothuajse ngjitur me të. Ngjante disi e pabesueshme.

E ngushëllova veten, duke u kujtuar se botimi kishte disa vite që kishte ndodhur, gjatë kohës së parë të vendosjes në Paris, dhe, veç kësaj, me atë botim ishte marrë krejtësisht Eric Faye dhe asnjëherë unë.

Në vitrinë ishin disa libra të autorit ikonë të “José Corti”- së, Julien Gracq-ut. Që brenda mjedisit, sytë e dikujt, ndoshta të vetë botuesit, më vështronin me njëfarë kureshtjeje.

U përshëndetëm me krye që larg, para se të vazhdoja rrugën.

Njohja me të do të ndodhte shumë kohë më pas. Ishte nga ato njohjet që ndodhnin pas dhjetëra përshëndetjesh të tilla në largësi, midis panjohjes.

Nuk e di ç’më shtyu që një dite, tek e pashë të rrinte te vendi i zakonshëm, kapërceva pragun dhe hyra. I thashë kush isha dhe ai m’u përgjigj: e di. S’ishte ndonjë gjë për t’u habitur, përderisa, në fund të fundit, isha autori i tij.

Pasi më ftoi të ulesha, më tha emrin e vet, Bertrand Fillaudeau, botuesi i “José Corti”-së. M’u duk miqësor, ndaj, si një shenjë mirëkuptimi, i thashë se e njihja Julien Gracq-un, madje këmbeja letra me të. Pa mbaruar fjalën, më tha prapë “e di”. Bëra njëfarë përpjekjeje të brendshme për të përligjur mungesën e habisë, por kur shtova se, veç letërkëmbimit, kisha qenë në shtëpinë e Gracq-ut në Saint-Florentin le Vieul dhe Fillaudeau më tha për të tretën herë “e di”, e humba çdo shpresë se mund të gjendej diçka që tjetri s’e dinte.

E mbajta veten të mos bija në kureshtitë dylekëshe, Henri Miller e Anaïs Nin, që ishin vërtitur dikur këndej rrotull, gjersa m’u kujtua t’i them se, në mos gaboja, Emil Cioran-i kishte banuar diku afër.

Po, më tha, fare pranë, Rruga Odeon, 21.

Ca çaste, deshëm s’deshëm, folëm për njerëzit e shquar që lidheshin me këtë kënd të Parisit, rrjedhimisht me Kafe Rostand, madje se më i afërti me kafenenë kishte qenë André Gide, prindërit e të cilit e kishin apartamentin pikërisht sipër kafenesë.

Do të kisha dashur ta dija, për t’i thënë edhe unë, së paku një herë të vetme, “e di”, por s’ishte e thënë. Ndërkaq, ankthi se mos Julien Gracq-u nuk…

E Julien Gracq? pyeta me një zë që m’u duk si i fîkur.

Julien Gracq? ia bëri ai. Nuk e di se përse prita të më thoshte se Julien Gracq, për një habi të madhe, ndryshe nga ç’mund të mendohej, nuk shkelte kurrë në “Rostand”.

Po përse? e pyeta pa pritur që të mbaronte frazën.

Përse? Si përse?

Desha të them, si është e mundur…

Çfarë?

U desh njëfarë kohe që të dilnim nga lëmshi ku ishim futur. Domethënë që unë të kuptoja se ai më kishte thënë të kundërtën e asaj që unë kisha përfytyruar, me fjalë të tjera, të më pohonte se Julien Graqc e pinte kafenë e mesditës pikërisht në “Rostand” dhe askund tjetër.

I lehtësuar, e vijova bisedën për personazhet e shquara, për të cilët, me sa dukej, ai ishte në dijeni më mirë se kushdo. Balzakun, për shembull, nuk e lidhte me lagjen ndonjë gjë e madhe, veç pluhurit të kafesë, që e blinte te një shitës hebre, në rrugën fqinje “Zoti Princ”, nr. 50. Dukej diçka e vogël, por po ta mendoje punën më thellë, pa atë paketëz kafeje, vështirë se do të ishte shkruar, në mos krejt “Komedia njerëzore”, gjysma e saj. Pa përmendur ndërtesën përbri, ku, siç mund ta kisha pare, te pllaka përkujtimore në vitet 1654-1662, kishte jetuar Biaise Paskal, dhe pak më tej…

Befas ndjeva dëshirën t’i bëja edhe unë një pyetje, nga ato për të cilën isha i sigurt se ai nuk mund ta përdorte dot atë “e di”-në e tij.

Unë ju dëgjova me vëmendje, zotëri, për ndërtesat numër 50, madje 52, të rrugës “Zoti Princ”, por do të isha kureshtar t’ju pyesja nëse jeni në dijeni për numrin 48, ku banon Colette D., gruaja me sytë më të veçantë në Paris?

Ideja për të shkruar diçka për Kafe Rostand më kishte ardhur aq natyrshëm, saqë s’e mbaja mend as kohën, as rre thanat. Ishte një ndjesi midis pendimit dhe mirënjohjes, e ngjashme me atë ndaj shoqes së jetës, që, duke qenë pranë teje në gjithçka, nuk e ka pasur, ose ty të duket se nuk e ka pasur, vëmendjen e duhur.

Në këtë kafe kisha shkruar qindra faqe dhe po aq shënime për motive e sinopse, pa u kujtuar asnjëherë për atë vetë, kafenenë.

“Rostandum Bellum”

Ishin pesë ose gjashtë faqe tekst për një ngjarje të hamendësuar, që në fillim e kisha titulluar “Çështja Rostand”, më pas “E vërteta për çështjen ‘Rostand’”, gjersa, pas “Enigma e Rostandit”, kishte përfunduar në titullin epik “Lufta e R.”.

Pas leximit, kur erdhi puna për ta futur në kujtimet e saj, Helena ishte e bindur se ai tekst do të mbetej krejtësisht i huaj.

Mua vetë, ndonëse më pëlqente të besoja se ngjarja mund të kishte njëfarë lidhjeje me të vërtetën, isha në një mendje metë.

Sa herë që pasditeve kalonim përpara R., prisja që Helena, gjysmë me të qeshur, të më pyeste se ku paskëshin qenë ato karrige të thyera, ato sulme e kundërsulme, së fundi, radhët e refugjatëve, që, të mundur e plot trishtim, kishin mbushur lagjen?

Në të vërtetë kishte pasur një mbyllje të përkohshme të kafenesë, gjatë një riparimi, por vështirë se zhurmat dhe plu- huri gjatë një riparimi do të përligjnin emërtimin e ndodhisë me fjalën “luftë”, aq më tepër në latinisht.

Helena, nga ana e saj, jo vetëm që nuk ma bëri pyetjen, por një ditë, në mënyrë krejt të papritur, më tha se kishte ndërruar mendje dhe dëshironte që tekstin ta fuste në librin e vet.

A do të thotë kjo se ti nise të besosh, qoftë dhe një fije te “Rostandum Bellum”? (Ti beson vërtet se s’kam pasur ftesë për Paris?)

Një përgjigje befasuese do të ma jepte, më pas, Bertrand Fillaudeau. Ishte ai që më shpjegoi se, sado e shthurur (në të vërtetë përdori Çalët “sado pjellore”) të ishte fantazia ime, ajo s’kishte të bënte me atë teprim. Me fjalë të tjera, thelbi i ngjarjes kishte qenë i vërtetë. Pra, në Kafenenë Rostand kishte ndodhur vërtet një ndeshje, e cila, edhe pse vështirë se mund të cilësohej si “bellum” (Illyricum a Rostandum, s’kishte rëndësi), njëfarë tmerri parak e rrezatonte.

Teksti niste me fjalët: “Ajo që më pas u quajt Lufta e Kafenesë Rostand ndodhi në kufirin e dy shekujve, të njëzetit dhe të njëzetenjëtit”.

Më poshtë jepeshin dy palët ndërluftuese: pronarët e rinj të kafenesë, pra shefat e saj, nga njëra anë, dhe intelotët, shkurtim i fjalës “intelektual”, sipas modes frënge, tingëllimi i së cilës ngjante me “hoplitët” e antikitetit.

Ashtu si shumë gjëra të tjera, shkaku i vërtetë i ndeshjes, i mbuluar me kujdes, ishte zbuluar vite më pas. Intelotët (pra, gazetarët, shkrimtarët, studentët, që iu pëlqente të punonin në kafene) vërtet i kishin dhënë nam asaj, si mjedis elitist, por tani, me ngulitjen e zgjatur nëpër tryeza, shkaktonin dëmtim ekonomik. Mirëpo kjo s’mund të thuhej haptas. Qëllimi i luftës ishte që intelotët të shpëmguleshin nga kafeneja, por pa u dëbuar. Me fjalë të tjera, të iknin vetë dhe sidomos pa zhurmë. Këtu niste dhe ngërçi: njerëzimi njihte gjithfarë luftërash, përveç atyre pa zhurmë.

Në pamundësi të gjendej një e tillë, u mendua të hiqej dore fare nga lufta. Ndërkohë, zëvendësimi i saj u duk aq i pamundur, madje i frikshëm, saqë u hoq dorë nga heqja dorë prej luftës.

Pra, lufitë me çdo kusht, ndonëse e fshehur. Me mësymje, kundërmësymje, fitore dhe humbje.

“Kronika vazhdonte të vinte nga fronti: Intelotët sulmuan pjesën e kafenesë pranë qelqnajës me pamje nga Kopshti i Luksemburgut, pa e parashikuar se atje i priste një kurth.”

Askund nuk sqarohej se ç’mund të ishte vallë ky kurth.

Më poshtë vijonte teksti:

“Lufta vazhdoi gjithë atij dimri…

Pas një mësymjeje të dëshpëruar për të çarë drejt qendrës, intelotët iu kthyen zonës veriore, asaj më të pambrojturës.”

Ç’donte të thoshte, në këtë rast, fjala “mësymje”, aq më tepër shprehjet “çarje drejt qendrës” dhe sidomos “zonë e pambrojtur”?

Isha përpjekur të depërtoja nën maskat e tyre, por kishte qenë e pamundur. Kishte gjasë që bëhej fjalë për klientët me qen (pikërisht në atë kohë ishin leju’ar qentë në kafene), për të prishur paqen e intelotëve. Ose lejimi përkohësisht në kafene i të çmendurve nga një çmendinë aty pranë.

Kjo pjesë e tekstit mbyllej me tone të pikëlluara.

“Në mes të pranverës intelotët u thyen. Ashtu si pas çdo lufte të humbur, nuk do të vononin refugjatët.

Të dëbuarit shpëmguleshin në drejtime të ndryshme, në kërkim kafenesh të tjera. Pjesa më e madhe u dyndën drejt perëndimit, në lokalet e Bulevardit St. Michel, në rrugën ‘Soufflot’ e në ‘Gay Lussac’. Të tjerët, ku t’i zinte hera.”

Më kujtohej një klient i vjetër që kishte përfunduar në MacDpnald. Në “Rostand” më kishte dhuruar një dite një cikël vizatimesh nën titullin e përbashkët “Pesë gjendje të Edipit mbret”. Që nga rruga e njoha tek rrinte i përkulur si zakonisht mbi ca fletë. lu afrova gjithë kureshtje dhe, në vend të vizatimeve për Edipin apo Filoktetin, pashë çmimet e sanduiçëve, të shkruara me ngjyra të larmishme.

Më erdhi për të qarë, por, për fat, nuk më njohu.

Kishte gjasë që rruga ku refugjatët e luftës do të zhgënjeheshin si rrallëkund ishte “Zoti Princ”. Emërtimet japoneze të lokaleve shfaqeshin njëri pas tjetrit në një ritëm lodhës: Kiotori grill. Jamamoto-Sukusuma suchi. Samasuku-Kurosava grill. Do të besoje në ndonjë pakt tronditës Paris-Tokio, rrjedhojë e ndonjë parfumi të ri, të ndonjë tërmeti, për të mos thënë një

Franco-Japanum Bellum.

Pas refugjatëve e kishte radhën përshkrimi i turistëve, më saktë “valë e re e pasluftës”, siç mund të quhej.

Midis tyre kishte nga ata që pyesnin për ca si gjurmë të hershme njerëzish të shquar, që vinin dikur te kjo kafene. E keni fjalën për Heminguejin, zotëri? Ai shkonte në një tjetër lokal Closerie des Lilas, dhjetë minuta me këmbë që këtej. “Aha, sorry, s’jam shumë i fortë në këtë sferë”.

Si epilog jepej kthimi i të dëbuarve. Ka mbaruar lufta. Janë ndërruar prâpë pronarët, shkaktarët e rrumpallës. Bashkë me shefat e rinj, ka ardhur paqja.

“Njëri pas tjetrit, nën shikimin e hutuar të kamerierëve, intelotët hynin në kafenenë, që aq herë iu qe shfaqur në gjumë, e mbanin me vështirësi mallëngjimin, kërkonin vendet e dikurshme, vijën fatale që ndante pjesën qendrore nga ajo perëndimore, tryezën e shtatë, ku ishin thyer përfundimisht, vendet ku e kishin pirë kafenë e fundit”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency