Shqiptarët, 42 euro mesatarisht në vit për celularin

0
155

telefon-web-571x330

Çdo përdorues i telefonisë celulare u sjell operatorëve mesatarisht 5.863 lekë ose rreth 42 euro në vit. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), treguesi i të ardhurave mesatare për abonent është vazhdimisht në rënie, për shkak të uljes së tarifave dhe konkurrencës në rritje mes operatorëve. Krahasuar me vitin 2010, e ardhura mesatare për përdorues e operatorëve celularë shqiptare ka rënë me 32%. Ulja e kostove të komunikimit me celular duket qartë edhe në një tregues tjetër të rëndësishëm, të ardhurën mesatare për minutë që sigurojnë operatorët e telefonisë së lëvizshme.

Vitin e kaluar, çmimi mesatar për çdo minutë thirrje të kryer nga përdoruesit e telefonisë celulare ishte 3.13 lekë. Edhe ky tregues ka pësuar rënie drastike krahasuar me vitin 2010, kur shqiptarëve një minutë thirrje në celular ju kushtonte mesatarisht dy herë më shumë, rreth 6.5 lekë.

Sipas të dhënave të AKEP, Shqipëria ka nivelin më të ulët në Evropë, si në të ardhurën mesatare për përdorues, ashtu edhe e ardhura mesatare për minutë thirrje celulare. Ulja e tarifave ka bërë që shqiptarët të rrisin vazhdimisht përdorimin e celularit. Për 6-mujorin e këtij viti, çdo përdorues aktiv i telefonisë celulare e ka folur mesatarisht 339 minuta në muaj, ndërsa në vitin 2011 përdorimi mesatar ishte 277 minuta në muaj.

 

Panik në tregjet botërore nga ulja e çmimit të naftës

Çmimi i naftës në tregjet botërore vijon të bjerë duke shkaktuar panik në ekonomitë e mjaft shteteve. Nafta Brent e Londrës regjistroi rënie në javën e tetë në radhë, çka nuk ndodhte që nga viti 1988 dhe në katër muaj vlera është ulur me një të tretën, duke shkuar nga një maksimum prej 115 dollarë për fuçi në mesin e muajit qershor, deri në një minimum prej pak më shumë se 76 dollarë. Por, shumë analistë mendojnë se nuk ka përfunduar gjithçka.

Mendohet se kuotimet duhet të prekin fundin, aq sa Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë, që zakonisht është e kujdesshme në parashikimet e saj për çmimet, paralajmëroi se presioni për rënie të mëtejshme mund të rritet përpara mesit të vitit të ardhshëm. Sipas agjencisë, është gjithnjë e më e qartë se ka nisur një kapitull i ri në historinë e tregjeve të naftës.

Oferta për këtë produkt është shumë më e lartë sesa kërkesa ku prodhimi në SHBA kaloi 9 milionë fuçi në ditë, një sasi e jashtëzakonshme, që tashmë e vendos këtë vend në konkurrencë me kolosët si Arabia Saudite dhe Rusia. Sidoqoftë, rrugëtimi në rënie i çmimit që ka shpërthyer në tregjet e naftës, i ngjan asaj të vitit 2008, por në kah të kundërt, kur kulmoi me një rekord historik prej 147 dollarësh. Edhe në atë periudhë nuk munguan justifikimet, ku më kryesorja ishte kërkesa në rritje e Kinës për këtë lëndë të parë. Por, nga ana tjetër pati edhe spekulime. E njëjta situatë po ndodh edhe sot, por që çuditërisht asnjë vend nuk po akuzon për skandal.

 

 

Hapet samiti i liderëve të G20-ës në Australi

Kryeministri i Australisë, Tony Abbott, ka hapur zyrtarisht samitin e liderëve të G20-ëd, mëngjesin e së shtunës. Australia, që është mikpritëse e samitit, shpreson që takimi 2-ditor të përqendrohet në rritjen ekonomike globale dhe jo tek siguria apo mjedisi. Por, komentet e mëparshme të Presidentit amerikan, Barack Obama dhe Presidentit të Këshillit Evropian Herman Van Rompuy tregojnë se siguria do të dominojë takimin. Më herët, presidenti Obama tha se agresioni i Rusisë në Ukrainë është i tmerrshëm dhe një kërcënim për botën, ndërsa kombet evropiane paralajmëruan për sanksione të tjera ndaj nëse Moska nuk ndalon së furnizuari me armë dhe trupa rebelët në lindje të Ukrainës. Grupi i G20-ës përbëhet nga 19 vende plus Bashkimi Evropian, që ka 28 anëtarë.

Ky grup gjeneron rreth 80% të tregtisë globale dhe 85% të prodhimin ekonomik global. Liderët e G20 kanë premtuar rregullisht se do të ndërmarrin masa të reja për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të mbrojtur ekonomitë kombëtare. Por konfliktet gjeopolitike kanë eklipsuar shpesh herë çështjet ekonomike.