Alma Çuka
Pas përgjimit ka rezultuar se i kanë bërë presion një pronari me shtetësi Kinize, duke i marrë çdo muaj 100 mijë lekë të. Ndërmjetës mes shtetasit Kinez dhe inspektorëve, një femër
Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim kryeinspektorin e Inspektoratit Mjedisor të këtij qyteti, shtetasin Genci Balla dhe inspektorin, shtetasin Eduart Bejko, të akuzuar për “korrupsion pasiv”. Për këta dy persona, të cilët janë hetuar nën masën e sigurisë “arrest me burg” prej datës 1 Tetor 2014, Prokuroria e Durrësit ka dyshime se i merrin një sasi të konsiderueshme parash një shtetasi kinez, administrator i një kompanie private në Durrës, në këmbim të mosaplikimit të masave administrative gjobë për parregullsi në ushtrimin e aktivitetit të tij. Gjithashtu, së bashku me dy drejtuesit e inspektoratit të mjedisit Durrës, Prokuroria ka dërguar për gjykim shtetasen Dorina Nikolla, e akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm”, e cila dyshohet se ishte personi që kryente ndërmjetësinë mes administratorit të kompanisë private dhe dy zyrtarëve publikë. Nga hetimi rezulton se dy punonjësit publikë merrin nga administratori shumën prej 100 mijë lekë të reja në muaj, në këmbim të mosushtrimit të kontrollit në këtë kompani private.
Hetimi
Nga hetimi rezulton se dy punonjësit publikë merrin nga administratori shumën prej 100 mijë lekë të reja në muaj, në këmbim të mosushtrimit të kontrollit në këtë kompani private. Më datë 30.05.2014 në ambientet e kompanisë ”D.I.T” sh.p.k, me seli në Xhafzotaj Durrës, ka shkuar kryeinspektori i Inspektoratit Rajonal të Rrethit Durrës, Genci Balla dhe një punonjës tjetër i quajtur Eduart Bejko. Pas debateve me administratorin e shoqërisë, dy zyrtarët e mësipërm, kanë pretenduar se shoqëria nuk i plotësonte kërkesat e ligjit për mjedisin dhe kanë tentuar të plotësojnë një akt konstatimi, duke pohuar se do të vendosin gjobë, e cila varionte në vlerën 5.000.000,00 deri në 10.000.000,00 lekë, të reja. E pranishme në këtë debat, ka qenë dhe shtetësja Doriana Nikolla, e cila kryen dhe detyrën e ekonomistes së kësaj shoqërie. Kjo shtetase duke shfrytëzuar njohjet me shtetasin Eduart Bejko me detyrë inspektor, ka ndikuar që të mos vendosej gjobë. Pas ndërhyrjes së saj është pranuar që të mos vendosej gjobë, por nga Inspektori dhe Kryeinspektori është kërkuar si përfitim të paligjshëm shuma prej 200.000 lekë të reja. Administratori i shoqërisë i gjendur nën presionin e punonjësve shtetërorë, ka pranuar që të paguaj shumën e kërkuar. Më pas nga Inspektori dhe Kryeinspektori, me qëllim që shoqëria të vazhdonte punën e qetë është kërkuar që administratori i saj t’u paguante atyre një shumë mujore prej 100 000 lekë, në muaj. Për të realizuar këtë marrëveshje një javë më vonë janë takuar në një lokal në qytetin e Durrësit, administratori, inspektori Eduart Bejko dhe kryeinspektori Genci Balla, si dhe ekonomistja Doriana Nikolla. Gjatë bisedës nga dy zyrtarët publik, është kërkuar si përfitim i paligjshëm një pagesë mujore 100 000 lekë, ku nga ana e tyre është marrë përsipër që përveç se nuk do të shqetësoheshin por do të ndikonin dhe në Ministrinë e Mjedisit për çdo nevojë që do të kishte kjo shoqëri, për leje mjedisore.
Përgjimi
Në funksion të faktit të mësipërm është proceduar me hetime proaktive, duke aplikuar metoda speciale të hetimit, përgjim të bisedave telefonike të shtetasve Genci Balla, kryeinspektor, Eduart Bejko, inspektor dhe Doriana Nikolla, ekonomiste e shoqërisë. Ndërkohë nga prokurori është autorizuar vëzhgimi në ambiente publike i këtyre shtetasve dhe në dy raste është lejuar nga gjykata dhe vëzhgimi dhe përgjimi në ambiente private, zyra e shtetases Doriana Nikolla. Bëhet me dije se më datë 25.07.2014 shtetasi kinez X.Ë., kishte ditën për të paguar këstin mujor prej 100 000 lekë. Ky shtetas është konstatuar rreth orës 13.30 minuta, duke hyrë në bankë. Pasi ka dalë nga banka është komunikuar me shtetasin Eduart Bejko dhe ky i fundit i ka thënë që ishte larg por duhej të takoheshin tek zyra e shtetases Doriana Nikolla. Pas disa telefonatave nga ana e tij i është thënë që sasinë e lekëve që kishin biseduar ta linin tek zyra e ekonomistes, shumë e cila i është dorëzuar kësaj shtetase rreth orës 19.25 minuta në zyrën “D&B” në posedim të saj. Më vonë është konstatuar shtetasi Eduart Bejko, i cili ka hyrë në zyrë dhe ka marrë shumën e mësipërme. Pas këtij momenti ka telefonuar shtetasin Genci Balla dhe përsëri janë takuar në një lokal. Nga dy zyrtarët publik janë dhënë garancitë e premtuara se nuk do të kishte probleme dhe po ata do të ndikonin në Ministrinë e Mjedisit për çdo nevojë që do të kishte në të ardhmen.
Arrestimi
Ma datë 10.09.2014, është konstatuar se inspektori Eduart Bejko, po kërkonte me insistim pagesën e dy muajve Gusht dhe Shtator, në shumën 200 000 lekë. Sipas bisedave telefonike midis administratorit dhe Eduart Bejkos, ishte lënë që kjo shumë të paguhej më datë 29.09.2014. Pikërisht në këtë datë janë kapur dhe arrestuar në flagrancë, duke ndarë shumën prej 200.000 lekë, shtetasit nën hetim Eduart Bejko dhe Genci Balla. Shuma prej 200 000 lekë, ishte tërhequr në bankë nga administratori në orën 10.00 të datës 29.09.2014, e cila është dorëzuar në zyrën e ekonomistes , pas kërkesës së shtetasit Eduart Bejko, rreth orës 13.30 minuta. Sipas komunikimeve telefonike rezulton se Eduart Bejko, pasi ka marrë shumën e mësipërme ka komunikuar me Kryeinspektorin Genci Balla, që ishte takuar me shtetasin kinez dhe nga ky i fundit i është thënë që kishte një punë në Tiranë dhe se do të takoheshin pasdite. Rreth orës 18.30 kryeinspektori është kthyer në Durrës dhe në vëzhgim dhe mbikëqyrje nga njësia e posaçme duke pritur momentin kur do të ndanin shumën e mësipërme, ku në orën 20.00 të kësaj date, u arrestuan në flagrancë. Sa më sipër, rezulton se shtetasi Genci Balla, me detyrë Kryeinspektor i Inspektoratit Mjedisor në Drejtorinë Rajonale të Qarkut Durrës në bashkëpunim e shtetasin Eduart Bejko, me detyrë Inspektor në Inspektoriatitn e Mjedisit në Drejtorinë Rajonale Durrës, kanë kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 -25 të Kodit Penal. Ndërsa shtetasja Doriana Nikolla, me detyrë eksperte kontabël e cila mbante dhe kontabilitetin e shoqërisë ”Dava Internatinal Trade” sh. p. k, ka kryer veprën penale veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 pg II të Kodit penal.Duke i konsideruar hetimet të plota dhe akuzën të provuar, bazuar në nenet 331 & 332 të Kodit të Procedurës Penale.
Të pandehurit
1.Genci Balla, i datëlindjes 1975, i hetuar me masë sigurimi “Arrest në burg”
Akuzuar : Se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 -25 të Kodit Penal.
2.Eduart Bejko, lindur në 1969, i hetuar me masë sigurimi “Arrest në burg”
Akuzuar : Se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 -25 të Kodit Penal.
3.Doriana Nikolla, e datëlindjes 1977, e hetuar me masë sigurimi “Arrest në shtëpi
Akuzuar : Se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1 pg II të Kodit Penal.