Buxheti 2015/ Demokratët: Qeveria heq nga lista projekte kombëtare, shton fond për kozmetikë

0
150

 Erneta Shevroja

Demokratët: Buxheti nuk parashikon investime për infrastrukturën dhe projekte në qarqe. Mungesat e mëdha janë Boshti i Jugut apo Rruga e Arbrit

Nga mbledhja e komisioneve-17 nentor paralele pd Ndërsa në Kuvend të majtët po flisnin për buxhetin, duke iu referuar me terma të rritjes së ekonomisë, deputetët e djathtë te Komisionit paralel të Ekonomisë, theksuan se shpërndarja e fondit është larg interesave të qytetarëve. Demokratët theksuan se vitin e ardhshëm qytetarët do të paguajnë më shumë taksa, por kjo nuk do të përkthehet në të mira publike për ta, siç pretendon qeveria. Një pikë tjetër, përveç uljes së fondit për infrastrukturën, të djathtët theksuan se nga lista e investimeve janë hequr shumë projekte kombëtare, siç janë: Boshti i Jugut, Rruga e Arbrit, Elbasan-Tiranë, Qafë-Plloçë etj.

 

Infrastruktura

Deputeti demokrat, Sherefedin Shehu, përmendi disa projekte konkrete në infrastrukturë, për të cilat qeveria në buxhetin e 2015 nuk ka parashikuar fonde për ndërtimin e tyre. Shehu tha se shumë projekte kombëtare janë stopuar dhe buxheti për infrastrukturë është minimal. “Në 2014 ne kemi parë që për boshtin e jugut nuk është folur. Ishte parashikuar rruga e Qafë-Plloçës por në rishikimin e buxhetit edhe kjo rrugë u hoq nga lista për investime. Për Rrugën e Dibrës thuhet se do ta bëjë Kina, por asgjë nuk u shpërnda në buxhetin e vitit 2014”, – tha deputeti demokrat. Në vend të projekteve të mëdha në interes të qytetarëve dhe që sjellin zhvillim të ekonomisë, Shehu tha se qeveria po investon në projekte sa për imazh.

“Qeveria jo vetëm uli paratë dhe hoqi nga lista projekte me rëndësi kombëtare, por problem është që i zëvendësoi me investime të karakterit kozmetik, pra që krijojnë vetëm imazh të rremë, që s’kanë impakt në zhvillimin ekonomik të vendit. Po veçoj këtu gjelbërimin rrugës së Rinasit, por ka një projekt të madh të këtij karakteri që është gjelbërimi i rrugës nga plepat e deri në Vlorë, në Skrapar dhe në Berat. Gjithashtu, investime kozmetike po bëhen edhe në qendrat e qyteteve”, – tha Shehu duke shtuar se kryeministri më shumë po shqetësohet për përftime personale si kush do e fitojë një tender të caktuar dhe sa do të përfitojë.

 

Investimet e kufizuara dhe pa orientim

Në vijimësi të mendimit të deputetit Shehu, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm është projektuar vetëm për zbukurime e fasada dhe nuk ka karakter të mirëfilltë zhvillimi. ”Investimet, jo vetëm që janë të limituara, por ato nuk dihet se kur do kryhen, pasi nuk ekziston asnjë listë orientuese apo angazhuese e qeverisë se ku do t’i shpenzojë këto fonde, 678 milionë dollarë që ka programuar për vitin 2015. Nuk ka një listë orientuese që kurrkush nesër të mos ketë mundësinë për t’iu adresuar, përse filan projekt apo një projekt tjetër, nuk po merret në konsideratë nga ana e qeverisë. Qeveria kërkon dorë të lirë, që edhe këto pak para në investimet publike t’i bëjë rrush e kumbulla dhe t’i adresojë në modelin e fasadave dhe make up-it, që Rama di ta bëjë mirë, duke shkuar dhe investuar vetëm në qendrat e disa qyteteve duke lyer dhe zbukuruar diçka, apo duke hequr vija dhe duke mbjellë pemë në anët e rrugëve nacionale”, – u shpreh Bode.

Një pikë tjetër që preku deputeti demokrat ishte edhe buxheti për pushtetin vendor. Ai tha se ndërsa fondi për qeverisjen qendrore po shtohet, fondet për pushtetin lokal minimizohen dhe janë pa asnjë orientim. “Buxheti qendror është rritur me 20% si vëllim shpenzimesh, kurse buxheti lokal sivjet është ulur me rreth 14% krahasuar me një vit më parë apo me vitet e mëparshme. Pra nga pikëpamja e investimeve që bën ky buxhet për ekonominë e vendit, ato mbeten simbolike, mbeten të paidentifikuara, mbeten të abandonuara projektet ekzistuese, mbeten të degraduar sektorë që kanë nevojë për më shumë përmirësim investimesh në shërbimet publike dhe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë”, – theksoi Bode.

 

Berisha komenton buxhetin: Katastrofik, përgjigjen do ta merrni në 22 nëntor

Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi dje projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, duke e cilësuar atë katastrofik. Jashtë Parlamentit, në rrjetin social “Facebook”, Berisha u shpreh se qeveria e majtë po rrit me 30 për qind fond për policinë por asgjë në interes të qytetarëve. Për këtë, sipas Berishës, qytetarët do ia japin përgjigjen qeverisë në protestën e 22 nëntorit. “Përpara drejt shtetit policor. Largohen 1000 mësues dhe shtohen 1000 çuna në Polici. Mbyllen shkolla ndërtohen burgje të reja. Buxheti i ri është në funksion jo te qytetarit as dhe fëmijëve, shëndetit apo shkollimit të tyre por të shtetit policor, kontrollit policor të shoqërisë”, – shkroi Berisha në rrjetin social. Sipas tij, taksat e qytetarëve do të shkojnë për kontrollin e tyre nga policia. “Zëvendësimi i 1000 mësuesve me 1000 policë është dëshmi flagrante e vrapit drejt shtetit policor apo kontrollit të shoqërisë dhe veprimtarisë së saj nëpërmjet forcës policore. Po në këtë frymë në këtë buxhet katastrofal rriten me 30% shpenzimet e qeverisë dhe të policisë. Po kështu buxheti parashikon mbylljen e dhjetëra e dhjetëra shkollave të të gjitha niveleve dhe hapjen e burgjeve të reja. Protesta e 22 nëntorit është përgjigjja e merituar ndaj shtetit policor”, – shkroi Berisha.

 

Topalli për buxhetin: Shtrëngoni rripat, do të punoni 7 muaj për qeverinë

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka ironizuar qeverinë në lidhje me planifikimin e buxhetit 2015. Sipas Topallit, planifikimi i financave publike është një film i parë në kohën e diktaturës. “A nuk u thoshte xhaxhi shqiptarëve pak dekada më parë se “bar do hamë, po parimet nuk i shkelim?”, – ironizoi Topalli. Ajo u shpreh se qeveria po heq mësues dhe po shton numrin e policëve dhe për ata që janë në punë, do të duhet të punojnë 7 muaj për qeverinë dhe 5 muaj për vete. “Ata që janë në punë, do punojnë 7 muaj për qeverinë dhe vetëm 5 muaj për vete! Ata që janë pa punë me rritjen e taksave, me rritjen e çmimeve të ushqimeve, me rritjen e çmimit të energjisë me gjobat për kamatëvonesat etj., etj. do jetojnë “më mirë” sepse ky është buxheti i frymës së Rilindjes!”, – shkroi ish-kryetarja e Kuvendit në rrjetin social.

 

Protesta e 22 nëntorit, Paloka mbledh Këshillin Kombëtar: Të ftohen të gjithë qytetarët

Pas mbledhjes së të shtunës, dje kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Edi Paloka, mblodhi anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së për të dhënë direktivat sa i përket protestës së 22 nëntorit. Burime nga PD-ja bënë të ditur se Paloka u ka bërë thirrje anëtarëve të angazhohen seriozisht për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve në protestën e paralajmëruar të 22 nëntorit kundër papunësisë dhe rritjes tërësore të taksave dhe çmimit të energjisë. Kjo është mbledhja e dytë që bëjnë drejtuesit e PD-së brenda disa ditëve. Ditën e shtunë, kreu i PD-së, Lulzm Basha, mblodhi deputetët e djathtë për t’u thënë të angazhohen intensivisht në organizimin e protestës që qytetarët të dëgjohen dhe të ftohen për të protestuar kundër papunësisë, kundër rritjes së taksave, rritjes së çmimit të energjisë dhe të naftës.