Alma Çuka
9 rekomandime, firmosur nga drejtori i Policisë Tiranë, u shpërndahen të gjitha komisariateve. Objekti: Mbani nën vëzhgim lokalet e natës, janë burim krimi
Vrasja e katërfishtë regjistruar në datë 4 nëntor në lokalin “Ante Grand” në Rrugën e Elbasanit, duket se për Policinë e Shtetit ka qenë “e paralajmëruar”. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se disa kohë para se Kostandin Xhuvani të merrte jetën e katër personave në një lokal nate, kontrollet e befasishme të ushtruara nga specialistët e krimit, i kishin klasifikuar këto lokale si burim krimi. Ndonëse nuk thuhej me zë të lartë, drejtuesit e policisë në kryeqytet dhe ata në rrethe e dinin shumë mirë se kategoria e lokaleve të natës, të cilët mblidhnin rreth vetes klientë problematikë, që në të shumtën e rasteve ishin përdorues të lëndëve narkotike, ishin burim i akteve kriminale.
Shkresa
Në rrugë konfidenciale mësohet se disa javë para vrasjes, Policia e Shtetit ka shpërndarë në të gjitha komisariatet e vendit një shkresë të klasifikuar, brenda së cilës rendiste 9 rekomandime përkatëse, kryesisht për lokalet e natës. Në një nga pikat e rekomandimit jepen detaje për veprimtarinë kriminale në lokalet e natës, kryesisht në fushën e prostitucionit, duke hedhur dyshime për fshehje të krimeve, bashkëpunim dhe dekonspirim të aksioneve policore, nga efektivë të disa strukturave të Policisë. “Lokale nate, bare me muzikë “live” 24-orëshe, tallava, rekrutojnë femra të cilat duke i maskuar si këngëtare, valltare apo kameriere e banakiere, ofrojnë shërbime seksuale në këmbim të parave. Informacionet flasin se një pjesë e tyre mbrohen nga punonjës të strukturave të Policisë ose informohen prej tyre në raste kontrollesh nga policia”, – theksohet në shkresën me rekomandime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Burime nga Policia thanë se shkresa është shpërndarë në komisariatet e kryeqytetit që prej muajit shtator, pas informacioneve që janë grumbulluar në terren nga shërbimet e rendit dhe të krimeve. Rekomandimet kanë nisur të vihen në zbatim nga strukturat e Policisë, megjithatë në shumicën e aksioneve apo edhe verifikimeve rutinë në lokalet e natës, shërbimet e rendit kanë dalë blof, kjo sipas burimeve, për shkak se janë dekonspiruar nga vetë kolegët e tyre.
Rekomandimet
Nëpërmjet një shkrese, e cila përfshin hetime dhe informacione të mbledhura në terren për periudhën 9-mujore nga janari në shtator, drejtori i Policisë së Tiranës ka kërkuar nga të gjitha komisariatet të kenë kujdes lokalet e natës pas dyshimeve se në shumicën e tyre ka aktivitet kriminal. Pasi është përpunuar i gjithë informacioni i grumbulluar në terren nga shërbimet civile të Policisë, Ardian Çipa ka përpiluar një shkresë të klasifikuar me 9 rekomandime. Drejtori i Policisë u kërkonte shefave të komisariateve që të shtonin kontrollet dhe të verifikonin disa pika strategjike, ku dyshohet se shpërndahej drogë, shiteshin objekte të vjedhura etj. Ndërsa një hapësirë më të zgjeruar në rekomandimet e tij u kushtonte lokaleve të natës. “Persona të ndryshëm veprojnë në grup dhe kryejnë aktivitet kriminal të kamufluar në biznese, në pamje të jashtme të ligjshme. Kështu, lokale nate, bare me muzikë “live” 24-orëshe e tallava rekrutojnë femra të cilat duke i maskuar si këngëtare, valltare apo kameriere e banakiere, ofrojnë shërbime seksuale në këmbim të parave. Informacionet flasin se një pjesë e tyre mbrohen nga punonjës të strukturave të Policisë ose informohen prej tyre në raste kontrollesh nga policia, çka e bën të nevojshme investimin e punës në këtë drejtim për verifikimin e këtyre të dhënave dhe parandalimin e goditjen e këtij fenomeni. I njëjti problem paraqitet dhe për të ashtuquajturat “prostitutat e luksit” pasi në këtë drejtim mungojnë të dhënat e regjistruara në sistemin MEMEX. Në media është trajtuar i zgjeruar ky fenomen, ku vajzat e reja vihen në dispozicion për shërbime seksuale kundrejt shumave të mëdha të personave të ashtuquajtur ‘VIP’”, – shkruhet në rekomandimin e nëntë të shkresës.