Gëzim Saliu
Bashkëbisedimi me studentët, Meta: As Rama nuk është i kënaqur me buxhetin, rritja ekonomike me 3% do të thotë 500 milionë dollarë shtesë në vit
Kryeparlamentari Ilir Meta del kundër vendimit të qeverisë për të pezulluar lejet e ndërtimit të dhëna nga pushteti vendor. Aleati kryesor i Partisë Socialiste, kreu i LSI-së, theksoi dje në një bashkëbisedim me studentët e Ekonomisë për projektbuxhetin e vitit 2015 se rilejimi i lejeve të ndërtimit do të mundësonte një rritje ekonomike edhe më të madhe. Ndërkaq, Meta shtoi se ky rilejim duhet të jetë vetëm për ato ndërtime të rregullta, dhe jo për ato që shkatërrojnë territorin. “Sa më shpejt të rishikohet kufizimi i mundësive të lejimit të ndërtimeve, pra flasim për të lejuar ndërtime të rregullta, dhe jo për të vazhduar me këtë shkatërrim të hapësirave të territorit, shanset për një rritje ekonomike më të madhe do të shtohen”, – u shpreh kreu i Kuvendit. Në gusht të këtij viti, Këshilli i Kombëtar i Territorit vendosi për ndërprerjen e çfarëdo lloj ndërtimi deri pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015. Sipas vendimit, pezullohen dhënia e lejeve të reja zhvillimore dhe planeve të detajuara vendore nga të gjitha autoritetet vendore deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të qeverisjes vendore në zgjedhjet e 2015-ës. “Kemi raste flagrante të dhënies së qindra lejeve brenda 2-3 muajve të fundit para dhe gjatë fushatës, që kanë sjellë plagë të panumërta. Mjafton të shikojmë gjithë vijën e bregdetit dhe të bëjmë përputhjen e atyre shëmtirave që shohim për të kuptuar se pjesa më e madhe e shëmtimit erdhi si rezultat i dorëlëshimit të periudhës para dhe gjatë zgjedhjeve”, – kishte argumentuar vendimin e marrë nga KKRT-ja Kryeministri Rama.
Bashkëbisedimi
Në bashkëbisedimin me studentët e Fakultetit Ekonomik për projektbuxhetin 2015 dhe paketën fiskale, kreu i Parlamentit iu përgjigj edhe kritikave të opozitës për mungesë investimesh duke theksuar se edhe mazhoranca do të kishte dashur më shumë por mundësitë për momentin janë të limituara. “Mos mendoni se vetë Kryeministri Edi Rama është shumë i kënaqur me këtë buxhet. Jam i bindur se edhe ai do të donte të kishte shumë më tepër investime kapitale, por edhe kaq nuk janë pak. E rëndësishme është të realizohen në kohë, të realizohen me cilësinë e duhur dhe të ndihmojnë për të pasur një rritje më të madhe në vitet e tjera, pra në vitet 2016-2017, ku parashikohet që rritja ekonomike të jetë mbi 4-4.5%”, – tha ai. Duke mbetur te investimet, Meta tha se madhësia e tyre nuk është automatikisht garanci për zhvillim ekonomik e në këtë kontekst mori si shembull Rrugën e Kombit. “Qyteti që duhet të përfitonte më shumë nga ky investim duhet të ishte qyteti i Kukësit. Por kanë përfituar thjesht në kuptimin e distancës, por në kuptimin e zhvillimit ekonomik dhe social apo të hapjes së vendeve të reja të punës nuk kanë përfituar”. Sipas Metës, ekonomia në vitet 2009-2010 hasi në vështirësi të mëdha e për këtë, theksoi, faji kryesor ishte i politikës së gabuar të rritjes së shpenzimeve. Ndërkaq, Kryeparlamentari theksoi se ritmet e rritjes ekonomike në rajon janë më të ulëta se 3 për qind, objektivi i përcaktuar nga qeveria. “3% rritje ekonomike, dikush mund të thotë se nuk është ndonjë gjë e madhe kur e shohim në një plan semplist. Por 3% nuk është pak them unë, në rast se kemi parasysh se 3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto i bie rreth 500 milionë dollarë shtesë në vit, aktivitet ekonomik, prodhime shërbime, punësim e kështu me radhë”, – u shpreh kreu i Kuvendit.
Tubimi më 22 nëntor/ Rama: Do me vjedh dritat e ndërtuar pa leje, protesto. Basha: Kundër aleancës së mashtrimit
Kryeministri Edi Rama ironizoi dje protestën e pritshme të opozitës, duke deklaruar se PD po proteston për të lejuar ndërtimet pa leje dhe vjedhjen e energjisë. “Do të ndërtosh pa leje? Do të vjedhësh drita sa të duash? Do diplomë pa shkuar në shkollë? Po Lazarat e rrena pa hesap do? Protesto. Vajmedet PD”, – shkruante Rama në rrjetin social “FB”. Ndërkaq, kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një reagim në rrjetin social ftoi dje qytetarët t’i bashkohen protestës së 22 nëntorit. Sipas kryedemokratit, kjo do të jetë dita e protestës kombëtare për të drejtat ekonomike dhe sociale të shqiptarëve. “Të gjithë bashkë në mbrojtje të familjes, punës, shkollës dhe shëndetit. Kundër rritjes së taksave dhe çmimit të energjisë. Kundër papunësisë dhe varfërisë. Kundër dhunës dhe paligjshmërisë qeveritare. Aleanca e mashtrimit, krimit dhe korrupsionit, nuk e gjunjëzon dot shpirtin e lirë të shqiptarit”, – theksoi kreu i PD-së.
Buxheti për arsimin/ Deputetët e PD-së: Nga viti në vit njeh vetëm ulje, s’ka investime, politizim i shkollave
Deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Edukimin, analizuan dje me detaje buxhetin e qeverisë për arsimin, duke arritur në përfundimin se ka rënie të investimeve, nuk ka rritje pagash për mësuesit e pedagogët, ka mungesë të plotë të investimeve në drejtim të përmirësimit të cilësisë së shkollave, në teknologji informacioni apo laboratorë shkencorë. Duke rikujtuar premtimin e Kryeministrit për rritjen e buxhetit të arsimit në 5% të PBB, ligjvënësit demokratë theksuan se nga viti në vit buxheti për arsimin njeh vetëm ulje. “Buxheti i dytë i qeverisë “Rama” e uli arsimin në 2.62% të PBB apo 8.3% të shpenzimeve buxhetore dhe qindra milionë lekë më pak në vlerë absolute. Është, besoj, treguesi më i mirë i gënjeshtrës, i fjalës së pambajtur”, – tha Pollo. Më tej, deputeti i PD-së tha se ka tendenca të forta për politizimin e arsimit: “Për herë të parë mund ta themi me seriozitet që është gjë, që ndodh vërtet për herë të parë, që pritet të largohen afro 4.000 mësues që t’u lënë vendin të tjerëve. Dhe kjo është një nga gjërat më të rënda, pas shkarkimit të paligjshëm të drejtorëve, që kanë bërë në arsimin parauniversitar”. Ndërkohë, deputeti Myqerem Tafaj tha se ulja e arsimit në 2.62% të GDP, do të thotë të harxhosh 2.62 lekë për çdo 100 lekë që ka PBB në Shqipëri, “ose të marrim atë që është akoma më e qartë 8.3 lekë nga 100 lekë shpenzime totale që do bëjë kjo qeveri në 2015, harxhohen për arsimin, dhe që këtu kuptohet që nuk ka se si të vlerësohet si prioritet”. Nga ana e tij, Luçiano Boçi ngrit problematikën e arsimit të lartë. “Ajo që kërkohet është rritja e cilësisë dhe kjo bëhet me stimulimin e punës së pedagogëve dhe rritjen e numrit të tyre. Në buxhet nuk parashikohet asnjë rritje për pagat e pedagogëve dhe janë ngrirë në nivelin e 10 viteve”, – tha ai. Nga ana e saj, deputetja Liljana Elmazi pohoi se janë rritur deri në 30% tarifat për studentët dhe një pjesë e madhe e tyre, sipas saj, janë hedhur në rrugë, për shkak të uljes së kuotave, “dhe mbylljes së mjaft universiteteve, dhe e gjitha kjo ishte një show, sepse disa nga ato u hapën dhe me siguri që ato ndryshuan pronarë”.