Psikologji/ Tri minuta terapi, nga libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit, “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli
Brusi të linte përshtypjen e një Hamleti skenik, me atë këmishën e errët jakëshkurtër, pantallonat, këpucët dhe çorapet e zeza, të cilat binin në kontrast të fortë me krifën e dallgëzuar të flokëve të verdha, zbehtësinë e fytyrës dhe mustaqet e përhimta.
Ndonëse kishte ndjekur kurse aktrimi, gjatë dy viteve të fundit ai kishte punuar si kryepunëtor te një sallon makinash. Nuk qe martuar asnjëherë e megjithatë kishte një djalë pesëvjeçar, Timin, nga një marrëdhënie e mëparshme bashkëjetese. Të dy, si ai dhe Timi banonin në të njëjtin apartament tok me babanë dhe njerkën e Brusit, të cilët patën emigruar kohët e fundit nga Letonia. Ata flisnin fare pak anglisht, prandaj dhe vareshin nga Brusi, i cili qe tip i gjallë e praktik dhe u kryente mjaft nga kërkesat që ata kishin.
Brusi e pati ndjerë depresionin prej vitesh, aq sa nuk mbaheshin mend. Nganjëherë ndihej shumë me i depresuar “pa ndonjë shkak të dukshëm” dhe kishte vështirësi në përqendrim apo kur flinte. Herë-herë ndihej i vetmuar dhe “ngrinte mure për të mos lënë njeri t’i afrohej”. Kishte raste që ndihej i stresuar ngaqë nuk kishte ndonjë lidhje me të ëmën e tij biologjike (atë i bëhej një vit e gjysmë që s’e kishte parë) dhe në punë ndihej i distancuar nga kolegët e vet. Në kryerjen e punëve kërkonte përkryeshmërinë.
“Por, ajo që faktikisht më dërmon më shumë”, më shpjegoi ai me një zë kumbues aktori, “është paaftësia ime për të krijuar lidhje afatgjatë me ndonjë grua. Në jetën time kam bërë seks me tridhjetë e shtatë gra dhe kam nisur marrëdhënie me njëmbëdhjetë prej tyre. Kam vërtet dëshirë të përfundoj me ndonjërën, por tashmë jam thuajse tridhjetë vjeç dhe pas ca kohësh do të jetë tepër vonë.
Gjashtë vjet më parë ai pati jetuar për dymbëdhjetë muaj me Monikën. Megjithëse nga kjo lidhje u lindi Timi, problemet e rënda emocionale të Monikës ia bënë këtë marrëdhënie Brusit tepër të vështirë. Marrëdhënia e tij më e fundit nuk pati zgjatur as pesë javë. Si përgjigje ndaj pyetjes sime se për ç’arsye kishte përfunduar ajo lidhje, Brusi vetëm sa mblodhi supet e tha: “Nuk e di se çfarë ndodhi”. Ai dukej sinqerisht i çuditur.
Ne u thelluam më tej te hollësirat e marrëdhënieve të tij të shkuara. U sqarua shpejt se Brusi kishte prirjen për t’i parë gratë si idhuj dhe binte menjëherë kokë e këmbë në dashuri me to. Pastaj, zakonisht ai e vijonte lidhjen edhe kur atyre nisnin dhe u shfaqeshin dukshëm probleme serioze psikologjike. Ne diskutuam arsyet përse ai nuk u jepte fund më herët këtyre lidhjeve, çfarë mund të bënte për këtë gjë dhe si mund të përcaktonte e të ndiqte lidhje më të shëndosha.
Këtu janë disa mendime që Brusi i kishte pasur prej vitesh:
- Unë NUK DUHET ta lëndoj atë, se po e bëra, jam krejtësisht maskara.
- Në këtë kohë DUHEJ të kisha pasur një lidhje të qëndrueshme. Në moshën njëzet e nëntë vjeç do të jetë shumë vonë.
- Unë DUHET ta kem një marrëdhënie qysh tani, ndryshe jam një zero.
- Unë DUHET të jem si gjithë të tjerët. Përderisa të gjithë kanë lidhje e marrëdhënie të shëndosha ndërsa unë jo, kjo mangësi tregon se jam person tmerrësisht i keq.
- Unë DUHET të kem përherë një partnere pranë dhe nuk duroj dot të jem vetmitar e pa njeri.
- Unë DUHET të pranohem nga cilado grua për të cilën ndjej. Meqë nuk pranohem, jam një qyqar i mjeruar.
- Unë DUHET ta di arsyen përse nuk më ecën kjo punë, ndryshe s’kam për të pasur kurrë ndonjë marrëdhënie.
- Unë NUK DUHET të kisha kaq shumë lidhje të dështuara, por meqenëse i kam pasur, jam i destinuar të dështoj përherë në lidhjet që krijoj.
Debati i madh
Këto mendime “DUHET” – kërkesa të paarsyeshme ndaj vetes – thurnin në rrënjët e depresionit të tij, pagjumësinë dhe vetminë. I mësova Brusit si t’i luftonte këto mendime “DUHET” me Ushtrime Treminutëshe, por, kur e takova herën tjetër, ai më tha se i kishte bërë ushtrimet dhe s’i kishin sjellë ndonjë dobi.
Kur ma thotë këtë një klient, zakonisht del se ai s’i ka kryer vërtet ushtrimet. Mirëpo Brusi i pati shkruar plotësisht Ushtrimet Treminutëshe për të m’i treguar mua dhe ndihej i zhgënjyer që nuk kishte pasur përparim të dukshëm.
Problemi ishte se, kur shkroi fazën E (Mendimin e ri efektiv), ai nuk e konsideroi atë faktikisht bindës. Për shembull, ai u përpoq të diskutonte B-në (Bindjen irracionale) “Unë DUHET të kem një marrëdhënie pikërisht tani, sepse po nuk e pata, nuk do ta kem kurrë. Tek D-ja, ai pyeste: “Ku është prova që unë DUHET ta kem këtë marrëdhënie pikërisht tani, se ndryshe nuk do ta kem kurrë? Tek E-ja ai shkruante: “Do të ishte mrekulli ta kisha një marrëdhënie pikërisht tani, por nuk ka DUHET për këtë dhe ka shumë mundësi që të mos nis ndonjë marrëdhënie për një vit a më shumë dhe pastaj të nis një.
Por, ndërsa e shkruante këtë, një zë i dobët nga pas, i komentonte: “Me kë tallesh ti? Ti e di shumë mirë se ajo lloj gruaje që kërkon – të zgjuar, tërheqëse e të qëndrueshme – nuk do të shfaqë kurrë interes për një njeri me jetë kaq mjerane si e jotja!” Dhe në këtë pikë ai shkatërrohej.
Bindjet tona përpiqen të ndërthuren së bashku në mënyrë të qëndrueshme. Një bindje mund të ndihmohet nga bindje të tjera dhe të tëra bashkë po ashtu, të ndihmohen sërish nga bindje të tjera. Një bindje specifike, të cilën ne përpiqemi ta ndryshojmë, mund të jetë tepër rezistente, ngaqë përkrahet fuqimisht prej ca bindjeve të tjera, të cilat ne nuk kemi asnjë arsye përse t’i luftojmë. Zgjidhja është që tu hapësh luftë të gjitha bindjeve, të cilat të shpien në kërkesa irracionale dhe kjo do të thotë të përfshihesh në debat.
I rekomandova Brusit teknikën që unë e quaj: “Debato deri sa të Fitosh”. Mënyra si funksionon kjo teknikë është se, sa herë që e pajis veten me një “arsye” për tu mbajtur fort pas nocioneve të tua “DUHET”, ti i shpall luftë kësaj “arsyeje” dhe i kundërvihesh atij zërit të dobët. Ti mund ta fitosh atë debat, sepse zëri i dobët s’i ka menduar thellësisht dhe as ka reflektuar në mënyrë kritike mbi ato nocionet e pavërtetuara e aspak shkencore, të cilat ti i ke shprehur thjesht vetëm e vetëm ngaqë i pate ruajtur prej vitesh.
Një ndihmesë të madhe të jep hedhja e këtyre debateve në letër, sepse kështu do të mund të shohësh qartë se ia kishe gati një përgjigje të fortë çdo koncepti DUHET që mund të të shqiptonte ai zëri i dobët.
Kjo është pamja sesi mund të duket një debat i tillë:
ZERI I DOBËT “DUHET: Unë duhet ta kem një marrëdhënie pikërisht tani dhe meqë nuk e kam, s’do ta kem kurrë.
ZERI MENDJEKTHJELLTË: Do të qe mrekulli ta kisha një marrëdhënie pikërisht tani, por këtu nuk ka DUHET dhe ekziston plotësisht mundësia që të mos nis ndonjë lidhje për një a më shumë vite dhe më pas ta nis një.
ZERI I NOCIONIT “DUHET: Me kë tallesh more? Ti e di fare mirë se ajo lloj gruaje – e zgjuar, tërheqëse, e qëndrueshme – që kërkon, nuk do të tregonte pike interesi për një njeri si ty me jetesë mjerane.
ZERI MENDJEKTHJELLTË: Ti po thua dy gjëra: 1. Duke më quajtur njeri me “jetesë mjerane” nënkupton se unë s’jam i mirë. 2. Po thua gjithashtu se jam i destinuar të dështoj. A e provon dot secilën prej këtyre thënieve?
ZERI I NOCIONIT “DUHET: Epo, deri tani ke dështuar përherë! Nuk ke pasur kurrë ndonjë lidhje të hajrit afatgjatë. Kjo është prova! Kurrë nuk do të kesh! Lëre këtë mendim!
ZERI MENDJEKTHJELLTË: Ndodh shpesh që njerëzit t’ia arrijnë diçkaje pas vite të tëra dështimesh. Kështu, fjalët “nuk ke pasur” nuk provojnë se nesër “nuk do të kem”.
ZERI I NOCIONIT “DUHET: Por në rastin tënd ti “s’ke pasur” ndonjë marrëdhënie të mbarë, ngaqë asnjë grua e denjë nuk dëshiron të krijojë lidhje me ty.
ZERI MENDJEKTHJELLTË: Ti po rrekesh të ma shohësh fatin pa pasqyrën e kristaltë! E ku e ke provën e kësaj që po thua? Sa më shumë gra që takoj, aq më të mira janë shanset për tu lidhur më dikë që më përshtatet. E pra, kam ndërmend të nis e të takoj gra.
ZERI I NOCIONIT “DUHET: Epo, bukur fort! Ti DUHET të krijosh një lidhje qysh tani.
ZERI MENDJEKTHJELLTË: Jeta është ajo që është, jo siç e mendoj unë se DUHET të jetë. Realiteti është se unë nuk kam një lidhje pikërisht tani. E rëndë! Një lidhje më ndonjë nga këto ditët e ardhshme është më e mirë se pa lidhje fare, kështu që le të mendojmë se cila është frutdhënëse – lidhja e ardhshme. Hapi i parë drejt këtij qëllimi është të pushoj së ankuari për faktin se nuk kam ndonjë lidhje tani dhe në vend të kësaj të marr masa që ta krijoj këtë lidhje në të ardhmen.
Për më tepër, fakti që s’kam pasur kurrë deri tani ndonjë lloj lidhje të shëndoshë ashtu si do e doja, nuk do të thotë se jam krimb apo mjeran. Nëse kam ndonjë sjellje që më shkakton probleme në marrëdhëniet, unë me siguri që mund ta kuptoj se cila është ajo e të nis ta përmirësoj. Mundësia më e madhe për ta bërë këtë është të nis e të takoj gra dhe nëpërmjet lidhjes me to, të mund të praktikohem.
Një partnere për praktikë
Për ta ndihmuar Brusin që t’i rriste aftësitë për këto debate, unë zhvillova me të debate gojore, ku vetë luaja rolin e zërit “DUHET” ndërsa ai, të Mendjekthjellëtit. Duke u përballur me fjalët kundërshtuese të personit tjetër, Brusi u bë shpejt më vigjilent ndaj kurtheve të mia dhe po tregohej i aftë për t’i sprapsur lehtësisht ato. Jam vërtet i lumtur t’ju vë në dijeni se ai u tregua aq i zoti sa me raundin e parë arriti t’i mbante nën kontroll shqetësimet e veta, sa herë që i ndjente ato.
Dhjetë muaj pas përfundimit të terapisë, Brusi më shkroi se ndjesitë e depresionit tashmë i qenë rralluar dhe s’e mbanin gjatë. Pati takuar një grua, e cila emocionalisht ishte më e qëndrueshme se të dashurat e mëparshme dhe se e kishin diskutuar martesën kur ajo të mbaronte një kurs biznesi pas katër muajsh. Ai më falënderonte e më shkruante: “Nganjëherë e dëgjoj ende zërin tuaj pas shpine: “Dështimet e kaluara nuk shkaktojnë dështime të ardhshme”.
Mitet rreth depresionit dhe marrëdhënieve
Një keqinterpretim i zakonshëm është ai se depresion do të thotë përherë letargji, prandaj njerëzit që janë energjikë e aktivë nuk mund të depresohen. Por kjo është të ngatërrosh një pasojë të mundshme të gjendjes depresive, me depresionin vetë. Disa njerëz të depresuar janë punëtorë të palodhur e të ndërgjegjshëm dhe disa, si Brusi, kanë një numër të madh marrëdhëniesh. Një tjetër keqinterpretim, i farkëtuar nga stili i vjetër i psikoterapisë postfrojdiane është ai se njerëzit, të cilët kanë pasur dështime të shpeshta në marrëdhëniet, kërkojnë “në mënyrë të pavetëdijshme” ato lloj partneresh që do të jenë të këqija për ta. Por ka një shpjegim më të thjeshtë, i cili duket se përputhet më mirë me këto fakte.
Ne s’jemi të përshtatshëm për marrëdhënie afatgjata me shumë nga individët me të cilët takohemi. Mjaft njerëz e njohin këtë fakt dhe i ndërpresin marrëdhëniet jo premtuese qysh në një stad më të hershëm. Shumë të tjerë, i ndërpresin ato madje që përpara se t’i nisin. Në kontrast me ta, njerëzit që kanë pasur një numër të madh marrëdhëniesh të dështuara, si Brusi, janë të prirë ndaj marrëdhënie jopremtuese për shkak të mendimeve të tyre jo realiste me “DUHET”. P. sh, ata mund të mendojnë: ‘Unë DUHET ta shmang sikletin, pra, nuk e përballoj dot perspektivën e të thënit partneres se “Kjo punë kaq e pati’” ose: “Nëse marrëdhënia s’është e përkryer (ashtu si DUHET të jetë), ky është gabimi im, prandaj edhe s’kam për të gjetur kurrë ndokënd që të jetë më e mirë”.
Njerëz të tjerë sjellin në marrëdhëniet e tyre aq shumë hipoteza irreale, sa janë të destinuar të zhgënjehen. Ata mund të mendojnë: “Një marrëdhënie e mirë do të jetë vazhdimisht e lehtë, e këndshme dhe pa acarime”. Nëse marrëdhënia e tanishme s’është e tillë, atëherë ajo nuk do të funksionojë”.
Rikthimi në jetë
Një nga pengesat më të mëdha në kapërcimin e depresionit është këmbëngulja dramatike e vuajtësit për ta kërkuar përmirësimin menjëherë. Nëse vuajtësi nuk e ndjen këtë përmirësim, ai nis e mendon: “Qenka diçka e pashpresë, asgjë nuk do më bëjë mirë”. Ky lloj arsyetimi pasqyrohet te të gjitha problemet emocionale, por sidomos te depresioni.
Në moshën 31 vjeçare, rrëzëlluese, me atë pulovrin e butë ngjyrë trëndafili, Karla dukej sikur sapo kishte dalë nga ndonjë revistë ushtrimesh shëndetësore. Ajo punonte si kryeinfermiere te firma Fortune 500. Mbrëmjeve dhe fundjavave, jepte mësim joge në një klub shëndeti. Karla e përshkruante veten si “tmerrësisht të depresuar” dhe kishte nisur të bluante në kokë mendime vetëvrasjeje. Martesën e saj katër vjeçare me një tip të paqëndrueshëm e përmblodhi me: “Sa herë nisin e venë mirë gjërat, do të plasë ndonjë sherr i madh”. Ajo ndihej e pasigurt për karrierën e saj, për më tepër ngaqë në punë qenë përhapur thashetheme për shkurtime personeli.
Pasi e ndihmova t’i ndante Problemet e saj Praktike nga ato Emocionale dhe të kryente Ushtrimet Treminutëshe për të luftuar DUHET e saja, ajo nisi të tregonte shenja padurimi e t’i thoshte vetes: “Unë DUHET të kurohem tërësisht nga depresioni qysh tani. Meqenëse nuk jam shëruar, unë s’kam kryer asgjë. Asgjë nuk funksionon. Po heq dorë”.
Mjaft e stresuat veten
Depresioni mund të jetë i butë ose i rëndë. Një person i depresuar, ndihet si një qenie e pavlerë, e pashpresë dhe pa përkrahje. Kush është prekur rëndë nga depresioni, e sheh jetën e përditshme si një Ferr të vërtetë. Zymtësia dhe dëshpërimi duken sikur i pushtojnë çdo çast aktiviteti dhe mendimet shqetësuese me vetëvrasje i janë të zakonshme, duke e shpënë nganjëherë edhe drejt vetëvrasjes së vërtetë. Depresioni i rëndë kufizon aftësinë për ta shijuar jetën. Vuajtësi sheh se gjërat, të cilat zakonisht e gëzonin dhe mezi priste t’i bënte, si për shembull ndonjë lloj ushqimi apo muzike, tani nuk e drithërojnë apo nuk e frymëzojnë më. Çdo gjë i duket monotone dhe e fjetur.
Mjaft njerëz që kanë vuajtur depresione të rënda me vite, rrëfejnë se, ata do të kishin preferuar më tepër të vuanin nga dhimbje të padurueshme fizike sesa nga ankthet dhe depresionet e tejskajshme mendore. Disa vuajtës thonë dhe e besojnë sinqerisht këtë, se do të ishin gati të bënin çdo gjë, vetëm e vetëm që t’i shpëtonin depresionit.
Por ka diçka që mund ta bëjnë – ata mund të ndalojnë së depresuari vetveten. Kjo gjë është më kollaj të thuhet, sesa të bëhet, e megjithatë mund të bëhet. Madje, vuajtësin ka mundësi të mos e ndihmojë edhe përvetësimi i idesë së përhapur dhe krejt të zakonshme për ta përqendruar mendjen te gjërat e gëzueshme. Nëse, për shembull, vuajtësi vazhdon t’i thotë vetes se është një idiot pavlerë, ai beson se është idiot pavlerë dhe ky besim i prodhon depresion. Përpjekja për “t’i dhënë fytyrës një pamje të lumtur” nuk e ndihmon aspak për ta luftuar këtë besim të rrënjosur. Do të ishte më frutdhënëse po t’i kundërvihej kësaj bindjeje të rremë, duke e shkulur me gjithë rrënjë dhe duke e zëvendësuar me një bindje më të arsyeshme në sajë të Ushtrimeve Treminutëshe.
Rrethanat në vetvete nuk kanë forcë t’ju depresojnë. Pavarësisht se sa fatkeqësi të jashtëzakonshme ndesh njeriu në jetë, faktet objektive në mjedisin ku ai jeton nuk janë në gjendje të shkaktojnë vetvetiu ndonjë shqetësim emocional. Ka shembuj të panumërt që tregojnë fuqinë e mendjes për të mbetur e patrazuar në çdo rrethanë. Gjykojini edhe vetë disa prej tyre:
Ingrid Bergmani, tri herë fituese e Çmimit Akademik dhe yll i filmit klasik “Casablanca”, tha për kancerin e saj vdekjeprurës: “Unë e kam pranuar atë dhe do ta gëzoj për aq kohë sa mundem pjesën më të madhe të asaj jete që më ka mbetur. Viktimat e kancerit që nuk e pranojnë fatin e tyre, që nuk mësohen të jetojnë me të, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shkatërrojnë edhe atë pak kohë që u ka mbetur”.
Bergmani e pranoi vërtet ekzistencën e saj të mbushur plot me dhimbje e me vdekjen që mund ta rrëmbente nga çasti në çast. Në filmin e saj të fundit ajo vajti për të luajtur rolin e një figure të jashtëzakonshme nga jeta e Golda Mejërit.
David Hjum, filozof i madh skocez, i cili vdiq në 1776, e dinte se vdekja po i avitej me shpejtësi dhe e njoftoi këtë fakt me anën e një autobiografie të shkurtër e plot humor, të cilën e pati shkruar katër muaj përpara se të jepte shpirt. Mjeku i tij tha se ndonëse tepër i dobësuar, Davidi nuk ndjeu pikë ankthi, padurimi apo ligështimi shpirtëror, gjer në fund të jetës së tij.
Individët te shembujt e mësipërm, qenë përballur vërtet me më të keqen, ligështimin e rëndë fizik, pasuar nga vdekja. A mund ta shmangin njerëzit shqetësimin, kur janë në hall të vërtetë? Cila do të kishte qenë situata më e keqe e përfytyrueshme? Disa mund të thonë – kur ndodhesh i mbyllur në ndonjë kamp përqendrimi nazist – i torturuar fizikisht dhe nën kërcënimin e përhershëm të vdekjes. E përsëri, nga raportet e mbikëqyrësve të kampeve, ne e dimë se në disa rrethana të burgosurit nuk shfaqnin të njëjtat reagime. Disa krijonin ankthe, depresione, marroseshin ose vrisnin veten. Të tjerë silleshin krejt ndryshe, duke refuzuar ta shqetësonin panevojshmërisht veten për shortin që u pati rënë. Për fakte më të hollësishme lexoni librin e Viktor Frankl: “Kërkimet e njeriut për kuptimin”.