Alma Çuka
Bashkia, grup pune për evidentimin e dëmeve. Bozdo: Kolektorët e bllokuar, qytetarët do të furnizohen me ujë, pasi të sigurohemi se nuk ka rrezik për shëndetin
Shiu i rrëmbyeshëm i mbrëmjes së të martës solli jo pak probleme edhe në kryeqytet. Brenda pak minutave, rrugët kryesore të Tiranës u përmbytën dhe për pasojë qytetarët patën vështirësi në lëvizjen e tyre si në këmbë ashtu edhe me automjete. Përmbytjet në kryeqytet, të cilësuara si më të rëndat në vite, kanë shkaktuar dëme të shumta, ku më të ndjeshmet kanë qenë në sistemin e ujësjellësit. Nga dëmtimi i ujësjellësve, zonat e përmbytura në Tiranë nuk janë furnizuar me ujë. Ky fakt u bë i ditur gjatë ditës së djeshme nga nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo. “Kemi pasur probleme me Shën Mërinë, që furnizon pothuaj gjithë qytetin e Tiranës, edhe në Bovillë të Vjetër. Nuk do të kenë ujë ato zona, nëse nuk jemi të sigurtë për cilësinë e ujit dhe ndaj janë zona të tëra të Tiranës që do të kenë mungesa të ujit të pijshëm. Ata që nuk do të kenë ujë sot, nuk do të kenë vetëm sepse ne duam të ruajmë shëndetin e tyre”, – tha Bozdo.
Komunat
Por nën pushtetin e ujit gjatë së martës nuk ishte vetëm Tirana. Edhe zonat përreth saj dhe komunat pësuan dëme të konsiderueshme. Banorët e komunave kanë pësuar dëme të mëdha tek të mbjellat, ndërsa ende nuk janë llogaritur dëmet në banesa. Zonat përreth Tiranës, si pasojë e situatës së krijuar, kanë pasur vështirësi edhe në furnizimin me ujë të pijshëm. Por, numri dy i Bashkisë së Tiranës siguroi qytetarët se kushdo që ka ujë në rubineta, ai është i kontrolluar dhe si pasojë edhe i përdorshëm. Shirat e rrëmbyer të mbrëmjes së të martës kanë shkaktuar gjithashtu një sërë dëmesh të tjera. “Çdo kolektor në Tiranë është tashmë i bllokuar”, – tha nënkryetari i Bashkisë, Eno Bozdo.
Kopshtet
Nën pushtetin e shiut që pushtoi Tiranën mbrëmjen e së martës ishin edhe një sërë kopshtesh dhe shkollash. Sipas burimeve nga Bashkia, ditën e djeshme këto institucione të bllokuara nga uji nuk funksionuan për nxënësit. Shkolla “Sabaudin Gabrani” tek “21 Dhjetori” nga Bashkia e Tiranës vlerësohet si më e dëmtuara, ku sasia e ujit ka shkuar pothuaj në gjysmën e lartësisë së ndërtesës. Bashkia dhe drejtoritë respektive kanë punuar përgjatë ditës së mërkurë për largimin e ujit dhe dezinfektimin e ambienteve për të bërë të mundur rifillimin e mësimit ditën e sotme. Dëmtime të shumta kanë pësuar edhe banesat sociale në Shkozë. Sipas nënkryetarit të Bashkisë, ky institucion do të ngrejë grupe pune për të evidentuar problemet dhe dëmet e shkaktuara nga shiu e më pas do t’i nisen Ministrisë së brendshme për dëmshpërblim.
Policia e Tiranës: Ja zonat e përmbytura në Tiranë
Sipas Policisë, nga shirat e dendur gjatë së martës janë përmbytur 240 banesa, dyqane dhe disa mjete në zonën e Shkozës, Kamëz, Farkë e të tjerë. Kryetar të grupit të punës për dhënien e ndihmës ndaj të prekurve nga përmbytjet kanë qenë drejtues të lartë të policisë. Kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, dhe zv.drejtori i Përgjigjëm, Altin Qato, janë ndodhur mbrëmjen e së martës dhe gjatë orëve të para të së mërkurës në terren në Tiranë e Lezhë për të përballuar situatën e krijuar.
Zonat e përmbytura në Tiranë
– Shkoza
– Rruga e Elbasanit
– Sheshi “Skënderbej”
– Rruga e Durrësit
– Rruga e Kavajës
– Pallati me Shigjeta
– Rruga “Don Bosko”
– Rruga “Siri Kodra”
– Laprakë
– Bregu i Lumit
– Kombinat