Ndryshohet masa/ Gjykata e Durrësit liron nga burgu ish-drejtorin e Burgut Rrogozhinë

0
294

Sonila Mesareja

 Prokuroria: Do t’i drejtohemi Apelit. Lirimi i Doksanit, në kundërshtim me ligjin, nuk vuan nga asnjë sëmundje

gjykata durresIsh-drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, i është ndryshuar dje masa e sigurisë, për shkak të problemeve shëndetësore të shfaqura në ambientet e paraburgimit. Burime nga akuza bëjnë me dije se Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Ferdinand Doksani, drejtor i burgut të Rrogozhinës, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, nëpërmjet një vendimi që për Prokurorinë e Durrësit konsiderohet tërësisht në kundërshtim me ligjin. Prokuroria e Durrësit ka evidentuar se vendimi i datës 17.11.2014 i gjyqtares Shpëtime Pitaku është në kundërshtim të plotë me ligjin, si edhe me praktikën e Gjykatës së Lartë. Gjyqtarja ka ndryshuar masën e sigurisë për personin e dyshuar, duke u mjaftuar vetëm në një kartelë mjekësore të lëshuar nga mjekët e ambienteve të paraburgimit, në të cilën thuhet se pacienti ka probleme me tensionin dhe psikologjike.

 

 

Kundërshtia

Kjo kartelë është e vlerësuar e mjaftueshme nga gjyqtarja për të ndryshuar masën, duke mos respektuar ligjin dhe praktikën e Gjykatës së Lartë, e cila përcakton se për ndryshimin e masës për shkaqe mjekësore, duhen marrë parasysh disa kritere; së pari, ekzaminimi mjekësor duhet t’i nënshtrohet një ekspertime mjekoligjore (në rastin konkret nuk është bërë asnjë procedurë e tillë); së dyti, ekspertët mjekoligjore duhet të thërriten në një seancë të veçantë, në të cilën të sqarojnë problemet shëndetësore që kanë pacientët që gjenden në kushtet e paraburgimit (një seancë e tillë nuk është realizuar, pasi nuk ka asnjë ekspertizë mjekoligjore); së treti, pasi të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore se pacienti në paraburgim ka probleme shëndetësore, duhet vlerësuar nëse sëmundja/et e pacientit mund të trajtohen në ambientet e posaçme të paraburgimit/burgut (spitali i burgut). (në rastin konkret, as nuk është përcaktuar nga ekspertizë mjekoligjore nëse pacienti është sëmurë dhe për më tepër, nuk është bërë asnjë analizë nëse ambientet spitalore të burgut i kanë mundësi për të trajtuar shqetësimet shëndetësore të pacientit apo jo.) Po ashtu, sipas akuzës, ky vendim është tërësisht i pabazuar edhe në aspektin ligjor, pasi kërkesa për zëvendësimin e masës është marrë në shqyrtim nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor vetëm tre ditë pasi Gjykata e Apelit kishte nisur shqyrtimin, bazuar në ankimin e palës mbrojtëse për ndryshimin e masës “Arrest me burg”. (Pra, gjykata e shkallës së parë nuk mund të marrë në shqyrtim një kërkesë, e cila për më tepër është e pabazuar, kur për të njëjtën gjë-ndryshim mase sigurie-ishte duke u investuar Gjykata e Apelit). Gjithashtu, po sipas akuzës, për të bërë sa më voluminoze dosjen lidhur me zëvendësimin e masës së sigurisë, gjyqtarja ka pranuar të përfshihen në fashikuj, krahas kartelës klinike të mjekut të burgut, edhe dokumente si urdhra emërimi; urdhër pezullimi; urdhër për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës; vërtetim page të të paraburgosurit dhe një kopje e ligjit “për të drejtat dhe trajtimin e të paraburgosurve…”, të gjitha këto dokumente që nuk kanë asnjë lidhje me argumentet për zëvendësimin e masës së sigurisë.

 

 

Kërkesa e prokurorit

Për këto elemente të kundërligjshme (pra, për faktin se nuk mund të shqyrtohet kërkesa për zëvendësim mase vetëm me një kartelë mjekësorë të burgut, pa një ekspertizë mjekoligjore; për faktin se nuk mund të shqyrtohet kërkesa për zëvendësim mase në shkallën e parë, kur po shqyrtohet nga Gjykata e Apelit; si edhe për faktin që në dosje gjenden dokumente që nuk kanë asnjë lidhje me kërkesën për zëvendësim mase), prokurori në seancë ka paraqitur kundërshtimet e tij, si edhe ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Shpëtime Pitaku nga seanca për zëvendësimin e masës, pasi me veprimet e saj po tregonte njëanshmëri në zgjidhjen e çështjes. Pas shqyrtimit të kërkesës me objekt “Përjashtimin e gjyqtarit”, nga ana e Gjyqtarit z. Rexhep Bekteshi, me vendimin date 17.11.2014 u vendos rrëzimi i kërkesës së Prokurorisë. Ndërsa në seancën e po të njëjtës ditë, datë 17.11.2014, për shqyrtimin e kërkesës me objekt “zëvendësim mase sigurimi”, e cila vijoi të shqyrtohej nga gjyqtarja Shpëtime Pitaku, sërish nga ana e përfaqësuesit të Prokurorisë u kërkua që të administrohej kartela klinike e hapur nga mjeku i familjes dhe që ndodhej në Qendrën Shëndetësore, ku ka vendbanimin personi nën hetim. Sipas kartelës shëndetësore të shtetasit Ferdinand Doksani, duke iu referuar edhe anamnezës së përshkruar, shënohet se ai nuk vuante nga asnjë sëmundje, madje ishte i përshkruar si “I aftë për punë”. Nisur nga të gjithë elementët antiligjorë të konstatuar më lart, prokuroria e Durrësit do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar këtë vendim.

 

 

Arrestimi

Pas një hetimi të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Gjykata ka vendosur në mungesë masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Ferdinand Doksani, me detyrë drejtor burgut të Rrogozhinës (Institutit të Ekzekutimit të Veprave Penale-IEVP), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, si edhe për dy mjekë të këtij institucioni, shtetasit Aldo Konda dhe Fatri Hate, të akuzuar të veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” nga personat që kanë për lëshimin e tyre. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Drejtorisë së Qarkut Durrës më 2 tetor të këtij viti. Në bazë të hetimit rezulton se, në të paktën 11 raste gjatë periudhës prill-korrik 2013, këta zyrtarë, në shkelje të detyrave të tyre, kanë dhënë leje shpërblyese për të dënuar që nuk u takon leja e akorduar, për shkak të veprës së rëndë penale për të cilën janë dënuar dhe koha e dënimit që u ka mbetur për të vuajtur.

 

 

Hetimi

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin pas një ngjarje të rëndë të ndodhur në muajin Korrik në Durrës, ku shtetasi Sh. M., i dënuar, për “Vrasje me dashje” ka marrë leje nga burgu dhe ka kryer një tjetër vepër të rëndë penale (“Vrasje”, e cila ka mbetur në tentativë) në zonën e Plazhit, në Durrës. Në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje, si edhe për faktin se si e ka përfituar lejen ky shtetas i dënuar, Prokuroria e Durrësit ka tërhequr praktikën nga burgu i Rrogozhinës. Nga studimi i akteve ka rezultuar se i dënuari ka përfituar leje, me pretendimin se nëna e tij ishte e sëmurë. Ky pretendim vërtetohej, sipas tij, nga një epikrizë e Spitalit Rajonal të Durrësit. Kjo epikrizë, e cila siç rezultoi nga hetimi ishte tërësisht e falsifikuar, është vërtetuar edhe nga mjekët e burgut të Rrogozhinës, Konda dhe Hate, të cilët kanë deklaruar në dokumentet përkatëse se kanë kryer verifikimet e nevojshme. Krahas falsifikimit të mjekëve, në këtë rast, edhe drejtori I burgut ka shpërdoruar detyrën, pasi, sipas Udhëzimit të Ministrit të Drejtësisë nr. 103, datë 14.2.2014 “Për rregullimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me procedurën e dhënies së lejeve shpërblyese apo të veçanta personave të dënuar me burgim”, përcaktohet se “…për të dënuarit që kanë më shumë se 5 vite burg për të vuajtur, nuk do të miratohet leje e veçantë pa shoqërim…”. Në rastin e shtetasit Sh. M., i dënuar me 8 vjet burgim, nga të cilat ka kryer vetëm dy, nuk është respektuar ky detyrim, pasi, krahas falsifikimit të dokumenteve, ky shtetas nuk mund të përfitonte leje ose, nëse do t’i akordohej, duhej të ishte i shoqëruar. Rezulton që të dënuarit Sh. M. i është akorduar leja dhe nuk ka qenë i shoqëruar, gjë që provohet lehtësisht nga fakti se ai, gjatë ditëve të lejes nga burgu, ka kryer një tjetër vepër të rëndë penale, për të cilën është aktualisht në hetim.

 

 

Rastet e lejeve abuzive

– I dënuari Sh. M., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vjet burgim

– I dënuari A. K., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vjet 2 muaj 15 dite

– I dënuari T. K., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet burgim

– I dënuari N. L., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vjet 1 muaj 12 dite burgim

– I dënuari K. N., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet 3 muaj 17 dite

– I dënuari K. N., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet 1 muaj 7 dite

– I dënuari R. M., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 5 vjet 7 muaj 13dite

– I dënuari A. Ll., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vjet 7 muaj 7 dite

– I dënuari Dh. H., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vjet 28 dite

– I dënuari M. D., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vjet 5 muaj 3 dite

– I dënuari Y. Sh., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vjet 22 dite

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency