Skema/ Braktisnin fëmijët në Francë për të përfituar azil, procedim 7 personave

0
162

Informacioni i përcjellë nga Europoli, Policia e Shtetit zbardh skemën e përdorur për kategorinë e fëmijëve 15-16-vjeçarë

aeroporti i rinasit 

Tiranë

Shqiptarët po përdorin herë pas here skema nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet për të përfituar statusin e azilantit politik. Ajo e zbuluar nga Europoli në Francë ka qenë një ndër më të çuditshmet. Vetë prindërit pasi linin Shqipërinë bashkë me fëmijët, i braktisnin të miturit 15-16-vjeçarë në shtetin francez. Këta të fundit të mbetur të vetëm në një shtet të huaj, pas kthimit të prindërve në atdhe, aplikonin për të kërkuar azil në Francë. Policia e Shtetit ka nisur procedimin penal ndaj 7 prindërve e kujdestarëve që kanë shfrytëzuar një skemë të tillë, të akuzuar se kanë braktisur në Francë 4 fëmijët e tyre të mitur. Ky hetim është iniciuar nga informacioni i marrë nëpërmjet Europolit nga Zyra Ndërlidhëse Francë, për një grup personash që organizojnë migrimin e paligjshëm të fëmijëve minorenë.

 

Hetimi

Nga strukturat e Hetimit Ndërkufitar në Departamentin e Kufirit e Migracionit u kryen veprimet e para hetimore për fillimin e procedimit penal për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të Mitur”, parashikuar nga neni 124 i Kodit penal”, në ngarkim të shtetasve K.K, 40 vjeç, banues në Valias i Ri Kamëz, Tiranë, P.M, vjeç 41, banues në Tiranë. Procedimi penal në ngarkim të këtyre dy shtetasve filloi pasi, shtetasi K.K, në rolin e prindit dhe shtetasi P.M ne rolin e kujdestarit kanë braktisur jashtë shtetit fëmijën e mitur, shtetasin E.K, 15 vjeç, i cili ka kërkuar azil në shtetin Francez. Gjithashtu, hetimet kanë nisur edhe për S.H, 43 vjeç, banuese në Krujë dhe V.M, 37 vjeç, banuese në Tiranë. Procedimi penal në ngarkim të këtyre shtetaseve filloi pasi, shtetasja S.H në rolin e prindit dhe shtetasja V.M në rolin e kujdestarit, kanë braktisur jashtë shtetit fëmijën e mitur, shtetasin R.H, 15 vjeç, i cili ka kërkuar azil në shtetin Francez. Një tjetër person nën hetim është edhe shtetasi P.M, 44vjeç, banues në Bulqizë të rrethit Dibër dhe shtetasi H.M, 44 vjeç, banues në Tiranë. Procedimi penal në ngarkim të këtyre shtetasve filloi pasi, shtetasi P.M në rolin e prindit dhe shtetasi H.M në rolin e kujdestarit kanë braktisur jashtë shtetit fëmijën e mitur, shtetasin S.M, 16 vjeç, shtetas i cili ka kërkuar azil në shtetin Francez. Një tjetër person për të cilin ka filluar procedimi penal është edhe V. T, 31 vjeç, banuese në Përrenjas. Procedimi penal në ngarkim të kësaj shtetaseje filloi pasi ajo në rolin e prindit, në bashkëpunim me shtetasin, H.M në rolin e kujdestarit kanë braktisur jashtë shtetit fëmijën e mitur shtetasin K.T, 15 vjeç, shtetas i cili ka kërkuar azil në shtetin Francez. Policia e Shtetit bën me dije se për të gjithë këta persona janë dërguar materialet për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Tiranës.

 

Gjirokastër/ Në kërkim për kultivim kanabisi, arrestohen Gjini e Buci

Dy persona janë arrestuar dje në Gjirokastër, në vijim të operacionit antikanabis në Lazarat dhe kapjes së personave të shpallur në kërkim. Uniformat blu në Gjirokastër, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në këtë qark, kanë bërë të mundur arrestimin e Erjon Gjinit, 33 vjeç, dhe Çelo Buci, 64 vjeç. Gjatë operacionit antikanabis të zhvilluar nga policia në qershor të këtij viti në Gjirokastër, Gjinit i janë gjetur në banesë një armë zjarri, municione luftarake, si dhe 732 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa; ndërsa Bucit iu gjetën një armë zjarri e municione luftarake. Ndërkaq, bëhet me dije se materialet hetimore në ngarkim të këtyre dy shtetasve iu kaluan Prokurorisë së rrethit për procedim të mëtejshëm penal, pasi mbi ta rëndon vepra penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

 

Tiranë/ I dënuar për shfrytëzim prostitucioni, prangoset Gjergji Kora

Pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, policia e Tiranës ka mundur të arrestojë një të kërkuar për shfrytëzim prostitucioni. Sipas burimeve policore, 33-vjeçari Gjergji Kora, banues në Tiranë, ishte i përfshirë në trafikimin e vajzave për prostitucion në Torino në Itali. Pas 4 muajsh kërkime, 33-vjeçari është prangosur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ndërsa kallëzimi ndaj tij është bërë nga shtetasja me inicialet M. Rr., e cila ka rezultuar se është trafikuar dhe është shfrytëzuar si prostitutë në Torino.

 

Lezhë/ Plagoset me armë zjarri 27-vjeçari, mister shkaqet

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur dje në Pllane të Lezhës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, teksa 27-vjeçari Bledian Alia është plagosur me armë zjarri, ndërsa ende nuk dihen shkaqet. I plagosuri është dërguar me urgjencë në spitalin e Lezhës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkaq, policia e mbërritur në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të kësaj ngjarje, dhe po vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

 

 Tiranë/ Ekstradohet 42-vjeçari Korumi, i dënuar për shfrytëzim prostitucioni

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ka ekstraduar dje drejt vendit tonë nga Milano, Itali shtetasin Gentian Korumi, 42 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 183, datë 20.7.2004 e ka dënuar këtë shtetas në mungesë me 8 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese“, parashikuar nga neni 114/a-4,5,6, i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e shtetit bëhet me dije se shtetasi Gentian Korumi akuzohet se ka shfrytëzuar si prostitutë në Itali dhe Belgjikë nga viti 1999 deri në vitin 2002, shtetasen L. P., duke e mashtruar pasi i ka propozuar për fejesë në vitin 1999. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency