Sundimi pa pushtim

0
213

Violeta Murati

 Sundimi pa pushtimNjë dëshmi e periudhës më të rëndësishme në historinë tonë nga vitet ’45-’48 është konsideruar libri historik “Sundimi pa pushtim. Shqipëria 1945-1948”, me autor Luan Doden, botim i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore.

Në takim modest kaloi paraqitja, por në kontekstin se është momenti i duhur për të lëshuar dritë e për të ridiskutuar historinë kur në këto kohë po ringjallet enverizmi. Autori rreth të 80-tave jeton në Bruksel, ndërsa botimi i librit në Tiranë është vlerësuar si një punim shkencor që ballafaqon fakte e dokumente. Duke qenë në kaos e në debate shpeshherë të ashpra, kryesisht politike, periudha e vendosjes së regjimit komunist e sidomos fillimi, vitet ’45-’48, vazhdojnë të shqetësojnë gjitha palët. Enveristët kanë një zgjim të beftë, që t’u mbetet së paku Enveri komandant, ndërsa antikomunistët mbeten në përpjekjen për t’u dëgjuar në njohjen e të vërtetës.

Ka ngjarje të mbuluara me mistere e shpesh me plot kundërthënie, por në fund të ditës shqiptarët mbajnë mend versione ngjarjesh të servirura për 45 vite nga regjimi komunist. Në këto rrafshe bindjesh politike, Dode, një studiues skrupuloz, i panjohur për qarqet e historianëve, sjell në Tiranë një libër voluminoz prej 400 faqesh, me një densitet njoftimesh të reja për studime e publikime të përditshme, për të përmbushur e ndoshta duke iu afruar shterimit të periudhës më të errët, por edhe vendimtare. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria, nën regjimin komunist, ishte para rrezikut të përfshirjes nga aleatja e atyre viteve, nga ish-Jugosllavia, ku ishin po ashtu në fuqi komunistët.

“Autori shkon në thelbin e konfliktit. Ky libër prej 400 faqe është vlerë e jashtëzakonshme, sepse i jep përgjigje me fakte e argumente dilemës mbi raportet historike nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1948, raporte të cilat lidhen me diskursin e sotëm lidhur me Luftën e qëllimet e saj, lidhur me marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Jugosllavinë e Titos etj. Në libër janë përdorur mbi 2000 referenca, të cilat e bëjnë atë të të bindë dhe me dogmatikun në vërtetësinë e zhvillimeve historike të periudhës në fjalë”, – tha studiuesi e historiani Enver Bytyçi.

Sipas tij, historia shtrihet në një diskutim të gjerë në raportet mes politikës së Tiranës, Moskës dhe Beogradit. “Referuar dokumenteve e vërteta nuk mund të zhbëhet, asnjë vepër kriminale nuk mund të kalojë pa u identifikuar qoftë dhe ky edhe një historian sado i politizuar”.

Ndonëse libri është voluminoz, periudha historike e përfshirë në punim që merret me historinë e Shqipërisë ka një hark të shkurtër kohor, gjatë të cilit zhvillimet në vend pothuajse në të gjitha fushat kanë qenë të gërshetuara me marrëdhënien e saj me Jugosllavinë. Dode shprehet se për studimin e atyre lidhjeve mund të konsiderohen të mjaftueshme dokumentet arkivore të botuara, të vendit e të huaja. Ndërsa për nyjën që i mbante ato, – për Moskën, – këto kohët e fundit janë botuar të dhëna të cilat, megjithëse ende të pakta, mund të konsiderohen të pranueshme për nxjerrjen e përfundimeve kryesore.

“Boshllëku ndihet mirë në dokumentacionin lidhur me marrëdhëniet me Perëndimin; por gjatë kësaj periudhe kohore realisht këto marrëdhënie nuk patën peshë të konsiderueshme, në radhë të parë për arsye të fatit që komunistët i kishin paracaktuar Shqipërisë drejt Lindjes”. Dode vë në dukje se për gjendjen e Shqipërisë së kohës, autorë të ndryshëm që e kanë parë problemin disi të anuar nga pikëpamja ndërkombëtare kanë dhënë mendime të ndryshme. Për shembull në studimin kritik Jugoslav Communizms…, të përgatitur për Senatin Amerikan, Shqipëria klasifikohej si “Sateliti i një sateliti”. Autori sjell raste se edhe të tjerë shkruajnë shkurt “Satelit i jugosllavëve”. Studiuesit që i janë afruar më mirë gjendjes, e cilësojnë “në radhë të parë një protektorat i Jugosllavisë se sa i Bashkimit Sovjetik”, “periudha e sundimit jugosllav”, “një aneks i Jugosllavisë” etj. Autori si duket i ka mbetur referencës, për të pasur afrim të mëtejshëm përmes dokumenteve, edhe pse sipas tij pas dështimit komunist, autorë shqiptarë e kanë cilësuar gjendjen “një sundim jugosllav pa pushtim” apo “Shqipëria komuniste nën ndikimin jugosllav” etj.

“Nga deklaratat e shumta euforike për këtë gjendje, kreu i pushtetit në Shqipërinë e kohës, Enver Hoxha, që shërbeu si fasada shqiptare e sundimit jugosllav në vend, në maj të vitit 1947, shkruante: “Ata që s’ia duan të mirën popullit tonë shpifin gjëra të paqena dhe vjellin vrer duke thënë se “Shqipëria e vogël e humbi indipendencën dhe pavarësinë e saj duke u lidhur kaq ngushtë me popujt e Jugosllavisë”. Pas prishjes me Titon, për t’u justifikuar, këtë hark kohor komunistët e quajtën “koha e Koçi Xoxes””, citojmë Doden.

Për studiuesin këto nuk mbeten vlerësime përfundimtare, por konsiderata për argumente për të hedhur më tej dritë me plotësim informacionesh.

Këtu hyn edhe trajtesa e konfliktit historik Stalin-Tito, që çau bllokun komunist, që sipas autorit ishte një deus ex machina për Shqipërinë. “Stalinit iu desh ta pezullonte bashkimin e saj me Jugosllavinë, një bashkim i cili më pas, për kohën që jetoi, mbeti pa e realizuar për shkak se nuk e mposhti dot Titon”. Hulumtuesit, thotë Dode, mendojnë se rasti i Titos i shërbeu Stalinit për të hequr dorë nga mendimi për federata shtetesh sllave; ishte në mirë për t’i mbajtur satelitë të veçuar. Por, argumenton më tej, se nuk ishte kështu për Shqipërinë për faktin e popullsisë së saj të mirëfilltë jo sllave dhe për pozicionin gjeografik të satelitit më të vogël e të izoluar.

Shkrimtari, Agron Tufa – drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet Komuniste – tërhoqi vëmendjen në korrektesën e ligjërimit akademik të Dodes, në detajet e informacionit dhe shfrytëzimit të një rrjeti të gjerë të dhënash për didaktikën se çfarë ishte partia komuniste, si u raportua nga akti i themelimit të saj, bashkë me kontekstet ballkanike.

Ndonëse flitet për fakte të njohura, sipas Tufës, diferenca është krijimi i një bashkërenditjeje të tyre, stili monografik për të mos lanë asnjë të çarë në argumentin historik.

“Ky botim është modeli si është instrumentalizuar lufta me interesat personale, kombëtare dhe me ato ndërkombëtare që sot televizionet kanë ngritur formatin e opinionit si fast food-e”.

Çfarë shihet në procesin e sotëm për rishkrimit të historisë, Tufa e drejton vëmendjen në komercialitetin që kanë fituar sot opinionet, duke lënë në hije rolin e atyre që duhet të flasin, shkruajnë dhe artikulojnë të vërtetat. Historia e servirur, ajo e gënjeshtërt që ngriti sistemi i diktaturës duhet bërë çmos të shembet, sipas shkrimtarit duke ndalur në modelin që paraqet botimi i Dodes, si një libër me vlera shkencore, ku dokumenti është “tel me gjemba” që të çon në shënimet e fundit të librit, që hedhin poshtë “maskat e trashëgimisë komuniste”!

Tufa e sqaron këtë pjesë me vëmendjen e këtyre 25 viteve sa larg është brezi i ri nga njohja e së vërtetës në histori, me ç’rast është koha të rizgjohen. Këtu replika lidhej edhe me faktet e fundit në debatet për rishkrimin e historisë, që janë propozuar emra historianësh të huaj, për rastin Tufa shprehet: “Po thërriten palë të treta për të shkruar historinë tonë, si Bernd Fischer, që është një zgjatim i komunizmit… Ja ku i kemi librat në shërbim të të vërtetës (fjala për botimin e Dodes)”.

Një nga studiuesit që u ka kushtuar ngjarjeve nën komunizëm përmes botimeve periodike, Uran Butka, duke mbajtur idenë e trajtesës së Shqipërisë në vitet ’45-’48 si satelit të ish-Jugosllavisë, nën dominimin e tyre të plotë, thotë se kjo periudhë caktoi fatin politik të mëvonshëm të Shqipërisë. Por sugjeron se autori nuk ka prekur sa duhet disa nyje kruciale të sistemit diktatorial, si luftën e klasave apo sigurimin e shtetit, apo internimin – megjithëse është thënë shumë, sipas tij pak është prekur prej studiuesve.

Mund të jetë nga botimet e rralla që merren me një hark kohor aq të shkurtër, që në fakt mbërrin në përfundime të justifikueshme për një trajtesë aq të gjatë duke pasur parasysh rëndësinë e saj, nga pikëpamja e konsolidimit të komunizmit në Shqipëri. “Ky hark i shkurtër kohor çoi në konsolidimin e bashkëpunimit të jashtëzakonshëm Shqipëri-Jugosllavi, partia shtet iu nënshtrua totalisht qysh në fillim me krijimin e partisë”. Me këtë bindje autori shënon se ky është fillimi që lidh gjithë tekstin. “Po të mos ishte “zënia” Tito-Stalin, gjithë do ishim partizanë të Jugosllavisë, – vëren së fundi Dode, – kjo grindje na shpëtoi”.