Dyshimi: Kamioni mori flakë nga një cigare, shoferi i kamionit: Nuk kisha dijeni për dy personat. Reagimi i familjes Kaçorri: Erindës iu refuzua dy herë viza për në Britani
Francë
Dy të rinj shqiptarë janë djegur të gjallë brenda një kamioni me të cilin po tentonin të hynin ilegalisht nga Polonia për në Britaninë e Madhe, i cili u përfshi nga flakët duke u karbonizuar i tëri. Sipas mediave franceze, por edhe atyre britanike, 25-vjeçarja Erinda Kaçorri ndodhej ne kamion me të riun Rexh Myzaraj, kushëririn e parë të bashkëshortit të saj të ardhshëm, dhe do të kalonte kufirin për t’iu bashkuar të fejuarit të saj që ndodhej në Angli. Policia franceze dyshon se zjarri u shkaktua nga një cigare. Familjarët e të resë janë nisur menjëherë drejt Francës, ndërsa pritet ekspertiza për shkaqet e zjarrit që shkrumboi totalisht kamionin. Në polici është shoqëruar edhe shoferi polak, i cili është shprehur se nuk e dinte që dy shqiptarët ishin në kamion.
Ngjarja
Një e re shqiptare dhe një i afërm i të fejuarit të saj kanë gjetur vdekjen në një ngjarje tragjike në kufirin mes Francës dhe Anglisë, teksa janë djegur të gjallë në një kamion në tentativë për të kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Britanisë së Madhe. Sipas edhe deklarimeve të familjarëve të njërës prej viktimave, mësohet se vajza që ka humbur jetën është 25-vjeçarja Erinda Kaçorri me origjinë nga Rrësheni. Ajo ndodhej në kamion së bashku me të riun Rexh Myzyraj nga Hasi, djali i dajës së të fejuarit, dhe do të kalonte në mënyrë ilegale drejt Anglisë për t’u bashkuar me të fejuarin e saj, një i ri me origjinë nga Tropoja. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 të mbrëmjes së të mërkurës, jashtë terminalit të trageteve në portin Loon-Plage, ndërsa kamioni ishte nisur nga Polonia drejt Britanisë së Madhe.
Shkaku i zjarrit
Lajmi është bërë publik fillimisht nga mediat franceze, të cilat duke folur për dyshimet paraprake të policisë, thonë se zjarri i fuqishëm mund të jetë shkaktuar nga një cigare që kanë pirë viktimat. Dyshohet se cigarja është hedhur në mënyrë aksidentale nga viktimat e për pasojë ka djegur fillimisht pëlhurën që mbulonte pjesën e pasme të kamionit, e më pas duke e shkrumbuar totalisht. Sipas mediave të këtyre dy shteteve, në momentin që kanë konstatuar flakët, shqiptarët tentuan të shpëtonin, nuk dolën dot nga kamioni. Të dhënat tregojnë se dy shqiptarët kanë qenë të fshehur në kamionin i cili transportonte shufra polisteroli (bukë peshku) çka ka ndikuar që kamioni të marrë flakë përnjëherë, duke mos u dhënë kohë 2 shqiptarëve të manovrojnë. Kamioni i cili po nisej për në Angli, kishte kaluar të gjitha kontrollet doganore dhe policore, në momentin që ndodhi shpërthimi në rimorkion e kamionit. Ndërkohë që, i shoqëruar nga policia pas ngjarjes, shoferi polak është shprehur se “s’kisha dijeni për emigrantët klandestine”. Sipas mediave franceze, kamioni drejtohej nga një polak i cili është ndaluar nga policia franceze, por që ai mohon të ketë pasur dijeni për prezencën e dy emigrantëve në kamion.
Itinerari, ja si emigrantët futen në kamionë për në Angli
Mënyrat e përdorura nga emigrantët për të kaluar kufirin mes Francës dhe Britanisë së Madhe janë nga më të ndryshmet. Përveç rrugës ujore shumë emigrantë kalojnë kufirin duke u futur në kamionë mallrash që bëjnë këtë rrugë. Nisur nga tragjedia e dy netëve më parë, ku dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën duke u përpjekur të kalonin kufirin, publikohet edhe mënyra sesi shumë njerëz rrezikojnë jetën e tyre duke u futur në kamionë për të mbërritur në Angli. Ndërsa kamionët kalojnë përgjatë autostradës, shumë emigrantë e ndjekin dhe pa dijeninë e shoferit dhe futen brenda. Më pas, kush ka fat, arrin deri në tokën e premtuar, atë angleze.
Familja Kaçori hap dyert e mortit: Erinda u nis një javë më parë në Belgjikë
Familja e 25-vjeçares në Rrëshen ka hapur dje dyert e mortit, ndërsa e motra e saj Blerta Kaçorri është shprehur se Erinda ishte nisur para një jave drejt Francës dhe si synim kishte mbërritjen në Angli. Ajo shton se motrës së saj i ishte refuzuar dy herë viza dhe lajmin për ngjarjen tragjike e kanë marrë nga i fejuari i Erindës në Angli. Familjarët e Kaçorrit është nisur me urgjencë drejt Francës. Të afërm të familjes Kaçorri janë nisur drejt Francës për të bërë verifikimet e nevojshme, ndërsa i bëjnë apel shtetit t’i ndihmojë me procedurat doganore, teksa shton se shpresat që mund të ketë një ngatërresë ende nuk janë shuar. Ndërkohë që e ëma e viktimës, Leta Kaçorri ka rrëfyer se e kishte përcjellë vajzën drejt aeroportit të Rinasit një javë më parë, drejt Belgjikës. “Vajza ime u nis nga Rinasi ka shkuar në Belgjikë. U nis bashkë me një të afërm të të fejuarit” është shprehur ajo. Më tej mes lotëve, ajo shton se të mërkurën ata kishin humbur kontaktet me të. Sipas saj e bija, kishte kërkuar vizë disa herë radhazi, por i ishte refuzuar. Në këto kushte, ajo ishte detyruar të kalonte ilegale për t’u bashkuar me të fejuarin në Angli.