Policia greke bën publike identitetin e shqiptarit i cili në orët e para të mëngjesit të së shtunës 22 nëntor, qëlloi me kallashnikov brenda një klubi nate duke plagosur 15 persona. Ai është Arben Glodiani, 35 vjeç. Në mediat greke policia ka shpërndarë dhe foton por dhe momentin kur i riu shqiptar doli nga klubi i natës në Mikrolimano menjëherë pas krimit. Policia thotë se 35 vjeçari është person i rrezikshëm dhe me precedent të mëparshëm penalë. 9 prej të plagosurve kanë marrë plagë në gjymtyrë, ndërsa 6 të tjerë pasi kanë marrë mjekimin e duhur kanë dalë nga spitali. Mësohet se policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa ku mendohet se 35 vjeçari kishte qëndruar para se të kryente krimin. Dosja do të dorëzohet sot në prokurorinë e Pireut, ndërsa dyshohet se Glodiani është autor edhe i një sulmi me armë në një dyqan në Metaxourghio por edhe për dy sulme të ngjashme, një në 6 Nëntor në kafe Saint Panteleimon dhe një në lokalin Mihalakopoulou muajin e kaluar. Dëshmitarët kanë parë shqiptarin të largohet me një makinë, ndërsa në lokal kishte qenë nën shoqërinë e një vajze. Mediat greke saktësojnë se autori pak sekonda përpara se të shtypte këmbëzën, kishte bërtitur “Sot të gjithë do të vdesim” dhe jo “Tani do të derdhet gjak”.