Shkodër/ Makina bie në humnerë, humbin jetën dy të rinj dhe dy plagosen

0
156

Aksidenti tragjik në Vaun e Dejës. Drejt spitalit të Traumës, transportohet me helikopter nga Spitali i Shkodrës një prej të plagosurve. Shkaku ngrica në rrugë

aksidenti-ne-shkoder1Dy të rinj humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën mëngjesi e djeshëm në Shkodër, si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik. Ngjarja e rëndë u shënua në aksin Vau i Dejës-Koman pranë fshatit Karm mëngjesin e djeshëm. Burime të policisë lokale konfirmuan emrat e  viktimave të cilët janë Elidon Druni 23 vjeç, Agim Kasemi, 32 vjeç, kurse të plagosur kanë mbetur shtetasit Edmond Kola, 23 vjeç dhe Artan Bajrami, 32 vjeç. Dy personat e plagosur sipas policisë u dërguan menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës. Ndërkohë mjekët konstatuan se gjendja shëndetësore e njërit prej tyre ishte shumë e rëndë dhe për këtë arsye kërkuan ndihmën e një helikopteri për ta transportuar në qendrën e Traumës pranë Spitalit Ushtarak Tiranë. Bëhet me dije se në gjendje të rëndë është shtetasi Artan Bajramit, që sipas mjekëve  iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale.

 

Policia

Policia e Shkodrës bën me dije se mjeti i aksidentuar me 4 persona është e tipit Fuoristradë me targa TR8145P dhe në vendin e quajtur ‘Karmë’ ka dalë nga rruga duke përfunduar disa metra poshtë në greminë. Katër të rinjtë banorë të qytetit të Shkodrës dhe rrethinave po ktheheshin nga puna, sepse punonin në një minierë në fshatin Karm. Duket se shoferi ka humbur kontrollin e mjetit duke bërë që automjeti të dalë nga rruga dhe të bjerë në humnerë. Forcat e shumta të policisë të cilat vajtën menjëherë në vendin e ngjarjes, e patën shumë të vështirë të punoni, duke pasur parasysh edhe vendin në të cilin kishte rënë makina. Sipas të dhënave që erdhën nga policia, vendi ishte i thepisur dhe makina kishte rënë në njw humnerë. Si pasojë mjeti ishte shkatërruar plotësisht, ndërsa dy prej personave që gjendeshin brenda tij, gjetën vdekjen e menjëhershme. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se shkak i këtij aksidenti të rëndë është bërë humbja e kontrollit të mjetit nga drejtuesi i saj dhe ngrica në rrugë.

 

Statistikat

Rrugët e vendit përgjaken pothuajse çdo ditë nga aksidentet. Sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, vihet re shtim i numrit të aksidenteve rrugore në të gjitha akset. Për çdo ditë numërohen të paktën 3 – 4 aksidente. Ministria e Brendshme para disa kohësh lajmëroi vendosjen e disa kamerave të vëzhgimit në rrugën nacionale Lushnjë-Fier, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve. Por nga të dhënat bëhet e ditur se vendosja e këtyre kamerave nuk ka rezultuar e suksesshme.

 

 Korçë/ Kapen në Devoll 27 sirianë në një kamion, ndalohet shoqëruesi

Policia e Korçës ndaloi 27 klandestinë sirianë. Burime të policisë bëjnë me dije se 27 klandestinë sirianë u ndaluan në segmentin Kapshticë-Bilisht teksa udhëtonin me një furgon në zonën e Devollit. Mësohet se klandestinët udhëtonin me automjetin tip furgon me targë AA469GB në pronësi të shtetasit Eduart Sinanaj. Ky i fundit sapo pikasi që polica iu vu në ndjekje ka kaluar në një rrugë dytësore, por megjithatë automjeti policor i arriti dhe i ndaloi. Në automjet udhëtonin 27 sirianë të cilët kanë kaluar kufirin në rrugë klandestine me qëllim t’i shpëtojnë luftës që prej disa vitesh ka mbërthyer shtetin e tyre.

Sirianët kishin destinacion Malin e Zi dhe për të kapërcyer kufirin kishin paguar rreth 400-500 euro secili. Ditët e fundit policia kufitare e Kapshticës dhe ajo e Kakavijës kanë ndaluar një numër të konsiderusheshëm shtetasish sirianë, të cilët për t’i shpëtuar luftës në vendin e tyre përdorin vendin tonë si tranzit për ta kaluar në vendet e bashkimit Evropian.

 

Aktivitet/ Policia e Shtetit, konkurse për të dizenjuar makinat

Ministria e Brendshme ka nisur një sërë aktivitetesh për të rritur bashkëpunimin midis komunitetit dhe policisë. Këto aktivitete sipas saj synojnë që të rrisin denoncimet e qytetarëve nëse konstatojnë raste dhune por edhe të rrisin vlerën e unifomave blu. Ndër të tjera policia ka nisur të mbledhë idetë e të rinjve për dizenjimin e makinave të policisë së shtetit. Në këtë konkurs i cili do të pres ide deri në javët e para të dhjetorit janë të ftuar të marrin pjesë të rinjtë e moshës 14 deri në 23 vjeç. Konkursi për dizenjimin e makinave të ardhshme të Policisë së Shtetit është mbarëkombëtar, dhe ka si synim mënyrën se si të rinjtë duan të jetë pamja e jashtme e makinave të Policisë së Shtetit. Format e pjesëmarrjes janë përmes dërgimit të vizatimit në adresën postare të Ministrisë së Punëve të Brendshme .

 

Shkodër/ Shoqërohet në polici kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin Shkodër, Edip Shiroka është shoqëruar në polici pasditen e djeshme pas një debati me forcat policore të qytetit verior gjatë ndeshjes së Kategorisë Superiore Vllaznia-Flamurtari. Edip Shiroka, i cili prej pak ditësh ka marrë postin e nënkryetarit të bordit të klubit Vllaznia, ka debatuar me drejtorin e policisë së Shkodrës lidhur me pozicionin e vendosjes së grupit të tifo-grupit ‘Vllaznit’, të cilët zakonisht vendosen në tribunën ballore. Policia, për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm mes tifozerive i ka vendosur ata në pjesën anësore të stadiumit për arsye sigurie. Ky moment është bërë shkak për konfliktin verbal pas të cilit Shiroka është shoqëruar në polici. Vllaznia luajti sot ndeshjen e parë me tifozë pas dënimit prej 10 javësh pas incidenteve që shoqëruan ndeshjen Vllaznia-Tirana, më 11 shtator.