Prapaskena e buxhetit/ Pse qeveria shkeli fshehtaz ligjin, si u anashkalua Kuvendi

0
159

Ervin Kaduku

mbledhje qeverie –  Shkelja e fshehtë e Ministria e Financave e ka ulur planin e shpenzimeve kapitale të këtij viti me 18 për qind; ligji organik i buxhetit nuk lejon më shumë se 10% pa miratim të parlamentit

–  Qeveria ka rritur borxhin publik me mbi gjysmë miliardi euro, ndërkohë PBB pritet të rritet me më pak se 2% ose rreth 200 milionë euro

 Qeverisë shqiptare nuk po i dalin më hesapet, të paktën sipas planeve të bujshme, që kishte shpallur në fillim të mandatit. Si pasojë, ajo po përpiqet të mbajë në heshtje shkelje të rënda ligjore, si dhe të mos publikojë llogari, që nxjerrin fakte skandaloze, duke nisur nga ai, që megjithëse janë marrë 500 milionë euro borxhe, prodhimi i brendshëm pritet të rritet vetëm me 200 milionë!

 

Atëherë, ku kanë shkuar fondet e tjera?!

Qeveria ka anashkaluar në mënyrë të paligjshme Kuvendin. Sipas dokumenteve më të fundit, të publikuara zyrtarisht, del se Ministria e Financave e ka ulur planin e shpenzimeve kapitale të këtij viti me 18 për qind, me rreth 12.3 miliardë lekë, por për këtë ka shmangur një detyrim ligjor të pamohueshëm: miratimin nga Kuvendi. Ligji për menaxhimin e sistemit buxhetor nuk lejon më shumë se 10 për qind rialokim pa miratim të parlamentit, që është i vetmi institucion i shtetit shqiptar, i cili harton dhe amendon në masën të ndjeshme zërat më të rëndësishme të Buxhetit të Shtetit, ligjit më të rëndësishëm të vitit. Por, në kuadrin buxhetor afatmesëm, 2015-2017, del se plani i pritshëm për shpenzimet kapitale është 55 miliardë lekë, nga 67 miliardë që ishte para këtij ndryshimi. Parlamenti miratoi ndryshimet në buxhet gjatë këtij muaji dhe i mbajti të pandryshuar shpenzimet kapitale në 67.3 miliardë lekë, por Financat e kanë reflektuar tashmë ndryshimin papritur edhe në tabelat fiskale. Ligji për menaxhimin buxhetit nga ana tjetër thotë se, “rishpërndarjet e fondeve ndërmjet programeve, brenda së njëjtës njësi të qeverisjes qendrore dhe për njësi të ndryshme të qeverisjes qendrore, miratohen nga Këshilli i Ministrave dhe nuk tejkalojnë 10 për qind të totalit të programit të miratuar.

Rishpërndarjet e fondeve të projekteve të investimeve brenda të njëjtit program të njësisë së qeverisjes qendrore miratohen nga Ministri i Financave”. Në 9 muajt e parë të këtij viti, realizimi i shpenzimeve kapitale është vetëm 30 miliardë lekë, nga 67 miliardë lekë që ishte plani për gjithë vitin, duke e bërë të pashmangshme rishikimin në ulje të tyre. Sipas planifikimit të ri, financave u mbeten dhe 25 miliardë lekë për t’u shpenzuar, shifër që sërish duket e vështirë për t’u realizuar, duke pasur parasysh ecurinë e 9 muajve të parë. Në këtë situatë, financat kanë filluar të hartojnë skenarin rezervë për të rialokuar shpenzimet kapitale në një shumë prej rreth 15 miliardë lekësh. Kjo shumë mendohet të shpenzohet në shpronësimet e rrugëve, me qëllim që t’i hapet rruga investimeve në projekte të mëdha të infrastrukturës gjatë vitit të ardhshëm; shlyerjen e detyrimeve që KESH i ka hidrocentraleve të vogla, që vlerësohen në shumën e 50 milionë eurove (për të cilën duhen konsensus i FMN-së); një pjesë e fondeve do të shkojë në investime për by pass-e në disa nyjat kryesore rrugore në vend.

 

Borxhi publik

Borxhi publik shqiptar pësoi një nga goditjet më të mëdha rritëse në dekadën e fundit gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti dhe pritet të rritet edhe më tej deri në fund të vitit. Borxhi publik qe 885 miliardë lekë në fund të vitit 2013 dhe u rrit në 961 miliardë lekë në shtator të këtij viti. Vitin e ardhshëm shqiptarët pritet të kenë një dilemë gjuhësore. Për shkak se borxhi publik pritet të kapërcejë shifrën e 1 mijë miliardëve, do të duhet të zgjedhim nëse do të themi që borxhi publik është 1 trilion apo 1 triliard. Deri tani Shqipëria ka pasur shumë pak nevojë për të përdorur numrat me 12 zero. Borxhi publik shqiptar u rrit me 76 miliardë lekë përgjatë nëntë muajve nga dhjetori i kaluar në shtator të këtij viti. Kjo është e barasvlershme me 545 milionë euro. Nëse marrim të mirëqenë që popullsia e Shqipërisë është 3 milionë banorë, çdo shqiptari i takon një borxh publik prej 320 mijë lekësh të rinj. Dhe përgjatë këtyre nëntë muajve, çdo shqiptari i është shtuar 25 mijë lekë borxhe. Borxhi publik u rrit në mënyrë dramatike këtë vit pasi qeveria vendosi të shlyejë detyrimet e papaguara nga qeveria paraardhëse. Përgjatë katër viteve të krizës, nga viti 2009 deri më 2013, qeveria shqiptare vlerësohet se komisionoi rreth gjysmë miliardi euro punë publike, të cilat nuk kishte para që t’i paguante. Shlyerja e këtyre detyrimeve pritet të përfundojë në vitin 2016. Por shlyerja e detyrimeve të prapambetura është përgjegjëse për vetëm gjysmën e borxhit publik të emetuar këtë vit. Gjysma tjetër është si pasojë e kontratave të nënshkruara me institucionet financiare ndërkombëtare për projektet që janë në kryerje e sipër. Çudia qëndron në faktin se ndërsa qeveria ka rritur borxhin publik me mbi gjysmë miliardi euro, Prodhimi i Brendshëm Bruto të Shqipërisë pritet të rritet këtë vit me më pak se 2 për qind ose rreth 200 milionë euro.