Jurges Veizaj
Dhuna e parë në shkallët e stadiumit të saporikonstruktuar ka dhënë dhe pasojat e veta, duke sjellë shumë dëme materiale
Ngjarjet e shëmtuara të futbollit ende vazhdojnë që të shëmtojnë futbollin shqiptar. Ditën e diel, në sfidën midis Tiranës dhe Elbasanit u tregua edhe një herë që problemet me vandalizmin nuk kanë të mbaruar. Kësaj radhe dëmet nuk kanë qenë në njerëz, por në stadium. “Elbasan Arena” është impianti më modern për momentin në Shqipëri, mirëpo nuk ka arritur t’i shpëtojë zakonit të vjetër të futbollit shqiptar. Situata një ditë pas ndeshjes të dhuron një pamje lufte, me qindra stola të thyer, shenjat e tymhedhësve në fushë, dëmtimin e sistemit Led të reklamave, djegia e barit të fushës si dhe prishja e shkallëve janë ato që të lënë pa fjalë. Drejtori i stadiumit, Dritan Kadia, eviton të reklamojë dëmin ekonomik në shifra, duke e cilësuar si 100 herë më të rëndë dhe mbi të gjitha në aspektin e imazhit, në një sfidë që nisi në mënyrë spektakolare. “Nisi si një përrallë dhe përfundoi në një tragjedi. Masat ishin marrë nga të gjithë deri në momentin kur ndodhën ato që u panë në stadium. Bilanci është i paimagjinueshëm për një stadium të tillë ku është punuar me pasion për të kënaqur tifozët me gjithçka që ofrohet. Përfundimi është i hidhur, është dëmtuar fusha, sistemi Led, stolat. Nuk mund të themi sesa kushton, pasi dëmi është më i madh, 10, 100 herë më i madh. Le të jetë ky një mësim dhe të mos ndodhin gjëra të tilla. Është dëmtim imazhi dhe çështje ekonomike. Shpenzimet për këtë stadium janë të mëdha dhe është një dëmtim moral më shumë”. Fjalët e drejtorit të stadiumit të ri përfaqësojnë ato të një kombi të tërë që më 11 tetor të këtij viti dëshironte të ishte i tëri aty për të parë kombëtaren shqiptare. Por një muaj e gjysmë më pas dëshira duket e madhe për të shkatërruar të vetmen shtëpi të denjë të futbollit shqiptar. Fajtorë janë të gjithë, edhe pse të gjithë kërkojnë të largojnë fajin. Klubet nxituan pas ndeshjes të hiqnin përgjegjësinë nga vetja, ndërsa radha kalon në instanca të tjera. Drejtori i Policisë së Qarkut të Elbasanit, Neritan Nallbati, përgëzon punën e forcave të rendit që u shmang përplasja fizike, duke përmendur shkarazi si pjesë të fajit edhe administratën e stadiumit, që nuk lajmëroi për numrin e tifozerisë mike. “Në minutën e 78-të vendasit u afruan në drejtim të miqve, të cilët bënë të njëjtin veprim. Policia ndërhyri në kohë, duke evituar përballjen fizike. Policia nuk lejoi të hynin tifozët në fushë, nuk pati dhunë ndaj arbitrit apo lojtarëve, si dhe u shoqëruan tifozët miq jashtë qytetit. Nga administrata e stadiumit “Elbasan Arena” nuk kemi pasur asnjë sinjalizim për numrin e tifozëve, shoqërimin jashtë qytetit e kemi bërë ne”. Pavarësisht nga kjo, mbetet fakt që tifozët janë paraqitur me tymuese në stadium, i kanë hedhur në drejtim të fushës dhe mbi të gjitha nuk ka pasur asnjë të shoqëruar, kur dihet që mjetet piroteknike nuk lejohen. Ndërsa drejtuesi i “Elbasan Arenës” u tregua më objektiv për sa i përket situatës. “Mund të konsiderohet si neglizhencë. Ajo që shihet nuk ka nevojë për komente. Ne kemi parë tifozët si shkojnë drejt njëri-tjetrit pa u penguar nga forcat e sigurisë, në të cilat bëjnë pjesë edhe policët”. Ndërkohë, drejtori i Policisë së Qarkut Elbasan bëri të ditur se në polici janë shoqëruar disa tifozë të të dyja skuadrave, ndaj të cilëve do të nisin procedurat penale për prishje të qetësisë dhe pronës publike.
Murinjo: Nuk interesohemi për Rojsin
Tekniku portugez Hoze Murinjo deklaroi se ai nuk është i interesuar të nënshkruajë me mesfushorin e Borusias së Dortmundit, Marko Rojs. “Blutë” janë në mesin e skuadrave që janë lidhur me një transferim të mesfushorit gjerman, për të cilin edhe menaxheri i Dortmundit, Jurgen Klëp, së fundi pranoi se mund të largohet. I pyetur nëse Çelsi është i interesuar për Rojs, Murinjo është përgjigjur: “Nuk jemi të interesuar, jo, aspak”. Me një transferim të gjermanit janë lidhur edhe disa klube tjera evropiane, mes tyre Reali i Madridit dhe Bajerni i Mynihut.
Hasi, gati për Arsenalin
Shtypi britanik shkruan se besimi ndaj francezit Arsen Venger është thyer dhe se ish-kapiteni i Shqipërisë, Besnik Hasi, mund ta pasojë në detyrë. Forma mjaft e mirë e Anderlehtit në Ligën e Kampioneve e ka rritur reputacionin e Besnik Hasit në kontinent aq shumë, saqë mediat britanike po e lidhin atë me një kalim te skuadra londineze e Arsenalit. Sipas shtypit britanik, Arsen Venger pritet të shkarkohet nga detyra e trajnerit te Arsenalit, teksa një nga mundësitë për ta zëvendësuar atë është pikërisht trajneri gjakovar. Arsenali dështon të fitojë një titull kampion që nga viti 2003, ndërsa reformat e vazhdueshme të trajnerit francez nuk kanë dhënë atë që pritej. Së fundmi, Arsenali u mposht 1-2 në “Emirates” nga Mançester Junajtid që është në formë të dobët dhe kjo nuk është përtypur mirë nga tifozët.
Baloteli nuk kthehet në Itali
Agjenti i sulmuesit të Liverpulit, Mario Baloteli, është shprehur se klienti i tij nuk ka qëllim të rikthehet në Itali. 24-vjeçari arriti verës në “Anfield” nga Milanoja, por spekulohej se ai do të largohet nga klubi anglez në afatin kalimtar të janarit. Gjithsesi, Mino Rajola, ka mohuar këto spekulime duke thënë se kjo është “e pamundur”. “Një rikthim te Interi? E pamundur. Jo për Roberto Mançinin, por për shumë arsye të tjera që nuk duhet të flasim. As Napoli. Mario s’do të rikthehet në Itali”,- ka thënë Rajola. Baloteli ka shënuar 2 gola në 12 paraqitje për Liverpulit këtë sezon.
Ançeloti: Në Itali rikthehem vetëm për Milanin
Tekniku i galaktikëve, Karlo Ançeloti, thotë se ai do të rikthehej në Itali vetëm për të drejtuar Milanin. 55-vjeçari kaloi pesë vite të suksesshme me kuqezinjtë si lojtar dhe tetë vite të tjera si trajner, para se të largohej në vitin 2009 për të ndjekur karrierën jashtë. Ish-trajneri i Çelsit dhe PSG-së tani zotohet se në Itali do të kthehet, vetëm nëse atij i jepet rasti të rikthehet në San Siro. “Nëse herët apo vonë do të kthehem në Itali, do të jetë vetëm për Milanin. Por vetëm për të qenë trajner atje”, – ka thënë Ançeloti për “La Repubblica”. “Kurrë nuk kam menduar se Inzagi, Gatuzo dhe Sedorf do të bëheshin trajnerë. Nëse ata kanë marrë diçka nga unë dhe nëse ata bëhen trajnerë të rëndësishëm, do të jem i lumtur”, – ka shtuar ai.