Ervin Kaduku
– Ministria e Gjiknurit bëri “show” me vendosjen e një pike sizmike në rajon, që nuk jep asnjë të dhënë reale
– Kanadezët, të licencuar më 2004, shfrytëzojnë lidhjet e vjetra me politikanët socialistë
Bankers Petroleum, jo vetëm që gëzon të drejta ekskluzive, të dhëna nga qeveritë e mëparshme socialiste më 2004, që i mundësojnë të mos paguajë tatimfitim, me gjithë të ardhurat gjigante të përftuara nga nëntoka e pasur shqiptare, por vijon edhe të shkatërrojë pronat e banorëve të zonave ku ka marrë koncesionin. Rikthimi i lëkundjeve të tokës në zonën naftëmbajtëse të Patos Marinzës ka shkaktuar panik tek banorët e Zharrës dhe në zonën përreth. Lëkundjet ndodhen pasditen e djeshme dhe banorët thonë se ka patur sërish dëme në banesat e tyre nga lëkundjet e tokës. Banorët dolën në protestë, por policia ndaloi disa persona. Ata thanë se këto janë tërmete të provokuara.
“Ishte një tronditje e paparë, shtëpia u fut poshtë në tokë. Shtëpitë tona po shkatërrohen”, tregoi një prej tyre. “Jemi në një gjendje shumë të rëndë, që do të na bëjë të dalim nga kontrolli”, tha një tjetër.
I këtij mendimi është edhe kryetari i komunës Zharrës. “Siç jeni në dijeni, pasditen e djeshme ka pasur lëkundje toke rreth orës 18:38. Ka qenë një nga lëkundjet e radhës por shumë e fortë, që ka krijuar tensione tek banorët”, deklaroi Taulant Gremi.
Rreth një vit më parë në zonë u vendos nga një grup task-forcë një seri aparaturash që do analizonin lëkundjet e tokës, me urdhër nga ministri Gjiknuri, por kjo duket se kjo pengesë është anashkaluar nga kanadezët.
Kompania koncesionare Bankers Petroleum mohon akuzat se provokon lëkundjet, ndërkohë që çështja po ndiqet nga Albpetroli.
Sipas kompanisë kanadeze bëhet fjalë për tërmete me shkaqe natyrore dhe nuk shkaktohen nga operacionet e hidrokarbureve të kompanisë. Ndërkohë, nga kompania shtetërore e naftës që mbikëqyr koncesionarin thuhet se është nisur një grup tjetër verifikimi për të gjetur arsyet e lëkundjeve.
Instituti i Gjeofizikës në njoftimet për tërmetet tregon se lëkundjet ndodhën të hënën rreth orës 18 e 20 minuta, 3 kilometra në jug të Fierit pranë Roskovecit dhe ishin të një fuqie 3.2 të shkalles Rihter, me epiqendër 3.7 kilometra nën tokë.
Banorët
Dhjetëra banorë të fshatit Zharrës në rrethin e Fierit kanë protestuar ditën e sotme për shpërthimet e vazhdueshme nga kompania e nxjerrjes së naftës “Banker Petrolium”, ku shpërthimi i fundit u shënua ditën e djeshme. Të vendosur përpara Prefekturës së Fierit, banorët kanë shprehur në shenjë proteste shqetësimin e tyre lidhur me dëmet që shpërthimet e kompanisë “Bankers” u shkaktojnë shtëpive të tyre. Sipas banorëve të Zharrës, nga shpërthimet janë dëmtuar banesat e tyre, duke krijuar mjaft vështirësi për ta. Banorët shprehen se shpërthimet janë të përsëritura, ndërsa shtojnë se askush nuk i ka dëgjuar lidhur me shqetësimin që ata kanë.
Por banorët shprehen edhe të frikësuar për të protestuar, pasi policia i arreston sa herë që ata zhvillojnë protesta për këtë çështje.
Skandali tjetër
Një tjetër skandal tronditës ishte ai, si pasojë e të cilit kompania Bankers Petrolium është gjobitur me 25 miliardë lekë nga Drejtoria e Tatimeve për trafikun e naftës D2. Kjo naftë shitej nga një kompani që është autorizuar nga qeveria shqiptare për ta importuar. Bankers Petrolium ka futur naftë D2 pa akcizë, duke mashtruar se e përdor për të venë në punë pajisjet e shpimit, ndërkohë që nafta pa taksa shpërndahet nëpër pika karburanti, duke minuar konkurrencës e lirë.
Nafta D2 shitet sistematikisht pa taksa në tregun vendas, por sipas Tatimeve, kompania Bankers Petrolium rregullon dokumentacionin sikur sasia i duhet asaj për të vënë në punë pajisjet e shpimit. Afera është konfirmuar nga Drejtoria e Tatimeve, e cila e ka gjobitur kompaninë për trafik, por skandali është konfirmuar edhe nga Gjykata e Tiranës, pavarësisht se gjykata, e ka mbyllur çështjen me procedurë. Gjatë një kontrolli, ekspertë e Tatimeve konstatuan trafikun tronditës së naftës nga Bankers Petrolium dhe vendosën të gjobitnin kompaninë sipas ligjeve në fuqi.
Bankers Petroleum
Bankers Petroleum Albania LTD është shoqëri tregtare e regjistruar pranë QKR me NIPT K43128401L, me administratorë Z. Leonidha Cobo dhe z. Bill Koutsouras. Referuar ekstraktit historik marrë nga QKR, shoqëria Bankers Petroleum Albania LTD ka qenë e regjistruar më datë 28.6.2004 me emrin tregtar Saxon Internatonal Energy Ltd-Albania Branch dhe që prej datës 17.11.2006 kjo shoqëri mban emrin Bankers Petroleum Albania LTD. Kjo shoqëri ushtron aktivitetin për kryerjen e operacioneve të hidrokarbureve.
Rritet kostoja e borxhit të brendshëm të qeverisë
Kostoja e borxhit të qeverisë ka shënuar një tjetër rritje gjatë kësaj jave. Në ankandin e radhës të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë për llogari të financave, yield-i mesatar i ponderuar (interesi) për bonot 12 mujore rezultoi 3.3%, nga 3.28% që ishte në ankandin e radhës me të njëjtin maturitet. Shuma e shitur ishte 7 miliardë lekë, ndërsa ajo e kërkuar arriti në 7.5 miliardë lekë.
Për bonot 3 mujore, shuma e shitur ishte 2.3 miliardë lekë, ndërsa yield-i shënoi një rënie të lehët në 3.1%, nga 3.12% në ankandin e mëparshëm.
Në fund të vitit ka gjithnjë një rritje të kërkesës për letra me vlerë nga qeveria për shkak të maturimit të bonove.
Muajt e fundit financat po hasin me një tërheqje të bankave (që janë aktorët kryesorë në tregun e letrave me vlerë të qeverisë) nga blerjet e borxhit afatshkurtër, një strategji që duket se po orientohet nga bankat mëmë.
Nga ana tjetër edhe të dhënat e publikuara nga Shoqata e Bankave flasin për një përshpejtim të strategjisë së bankave me kapital perëndimore në tkurrjen e bilancit të filialit të tyre në Shqipëri në tremujorin e tretë të vitit.