Alma Çuka
Policia mban të fshehur ngjarjen e datës 12 nëntor. Dosja dorëzohet në Prokurori pa autor. Ministri i Drejtësisë mbahet në mbikëqyrje. Hetohet në disa pista
Policia e kryeqytetit ka konfirmuar dje se deklaratat e saj përmes të cilave shprehet se zbardh të gjitha ngjarjet e ditës përmes komunikatave zyrtare, nuk janë të vërteta. Ashtu sikundër është vërtetuar me ngjarje të mëparshme, të cilat janë fshirë nga komunikatat zyrtare dhe më pas kanë dalë nga burime të ndryshme, ndodhi edhe me incidentin e ndodhur me vajzën e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço. Në 12 nëntor, pra rreth dy javë më parë, vajza e ministrit të Drejtësisë, Betina Naço, kthehej e vetme në shtëpinë e saj.
Grabitja
Policia vetëm dje arriti të zbardh të vërtetën e kësaj ngjarjeje, e cila në dukje është e njëjtë me të gjitha tentativat për grabitje që ndodhin në kryeqytet, në ambiente të ndryshme, përfshi këtu dhe linjat e urbane. Por edh e kësaj radhe lajmi nuk ka dalë nga komisariati numër 2, i cili mori edhe kallëzimin e vajzës së ministrit, por nga organi i Prokurorisë.
Kallëzimi
21-vjeçarja, sipas kallëzimit të bërë në Policinë e Tiranës, kishte blerë ushqime së bashku me nënën e saj dhe ishte kthyer me herët në shtëpinë që ndodhet në zonën e ish-Bllokut. Ndërsa ngjitej në shkallët e pallatit Betina tha në polici se kishte parë dy djem, të qëndronin ulur. Fillimisht njëri prej tyre e ka pyetur 21-vjeçaren se cilën nga dyert do të hapte, por ajo refuzoi t’i përgjigjet, ndërsa nxitoi të hynte në apartament. Në këtë moment, njëri prej dy personave i mbylli gojën dhe i vendosi pistoletën në kokë, duke e ulur në gjunjë. Personi tjetër i mori çelësat për të hapur derën e apartamentit. Vajza e Ministrit të Drejtësisë tha në polici se ajo mundi të çlirohet për pak nga personi që i mbante gojën mbyllur dhe filloi të bërtasë. Në këtë kohë, të dy personat ende të paidentifikuar nga policia, hodhën çelësat dhe u larguan me vrap. Sipas policisë, ngjarja u cilësua si grabitje me dhunë e mbetur në tentativë, por nuk përjashtohen shkaqet e një sulmi për shkak të detyrës së ministrit Nasip Naço. E gjithë historia u mbajt e fshehtë nga Komisariati nr. 2 dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila vetëm tre ditë më parë ka dorëzuar materialin në prokurori. Gjithashtu kjo ngjarje u mbajt e fshehtë edhe për median, pasi nuk u pasqyrua në asnjërin prej njoftimeve që policia i shpërndan mediave çdo ditë.
Mbrojtja
Që nga data 12 nëntor, familja e ministrit Naço mbahet nën mbikëqyrje 24 orë nga efektivët e policisë. Kjo gjendje pritet të zgjas deri në identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes, që cilësohet shumë delikate për vet pozicionin e Ministrit. Vajza pas marrjes në pyetje nga policia është nën mbikëqyrje nga oficerët, të cilët kanë si detyrë survejimin e saj. Ndërkohë burime të prokurorisë thanë se do të kenë në konsideratë gjatë hetimeve edhe pistën e ndonjë konflikti që ministri Naço mund të ketë pas me persona të ndryshëm dhe incidenti me vajzën, mund të ishte një paralajmërim për të. Por deri në këto momente, dosja vazhdon të jetë pa autor dhe si e till ajo do të mund të vazhdoj deri në momentin kur polici atë bjerë në gjurmët e agresorëve të vajzës së ministrit.
Vendimi/ Pezullohet nga detyra shefi i komisariatit numër 2, nuk kreu detyrën me korrektësi
Shefi i komisariatit numër 2 Tiranë, Ilir Proda, pezullohet nga detyra. Urdhri i pezullimit u dha nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi. Pas pezullimit nga detyra e shefit të komisariatit numër 2 në kryeqytet, Ilir Proda, zbardhet edhe arsyeja e marrjes së kësaj mase. Pezullimi i Prodës mësohet se ka ardhur pas hetimeve të SHKB, pasi ish-shefi i komisariatit numër 2 në Tiranë, ka shkelur procedurat e ndjekjes së një kallëzimi sipas numrit unik. Sipas SHKB-së, “Ilir Proda, në vend të kallëzimit ka thirrur palët për ballafaqim. Ndërsa dyshohet se Proda ka dhunuar kallëzuesen dhe denoncuesin. Sipas të dhënave të para mësohet se në komisariatin numër 2, një shtetas ka denoncuar një shtetase për bezdisje në telefon. Shefi i komisariatit, ndryshe nga urdhri dhe rregullat me të cilat operon, nuk ka referuar kallëzimin, por ka thirrur në zyrën e tij denoncuesin dhe të denoncuarën. Kjo e fundit pasi ka dalë nga zyra e shefit është ankuar në SHKB për dhunë psikologjike dhe verbale kryer nga ana e shefit të komisariatit dhe denoncuesit. Sipas kallëzimit denoncuesi e ka kërcënuar vajzën në sy të shefit me qëllim që të mos e bezdiste në telefon. SHKB nisi menjëherë hetimet dhe i kërkoi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë pezullimin deri sa të zbardhet e gjithë ngjarja.
Greqi/ Arrestohet në banesë 31-vjeçari shqiptar që plagosi 15 qytetar grekë
Pas katër ditësh kërkimi intensiv, policia greke ka arritur të vërë në pranga 31-vjeçarin shqiptar Arbër Bako, i cili plagosi me armë zjarri kallashnikov 15 persona në një lokal nate në Athinë, mbrëmjen e së shtunës. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke sipas të cilave shqiptari është arrestuar në katin e nëndheshëm në një apartament të një miku të tij në Athinë në lagjen “Goudi”. Po ashtu bëhet e ditur se së bashku me të është arrestuar edhe miku i tij, i cili sipas mediave greke është shqiptar, po identiteti i tij nuk bëhet i ditur. Mësohet se forca të shumta policie si dhe një helikopter është angazhuar për arrestimin e shqiptarit 31-vjeçar. Megjithatë pavarësisht kësaj, siç raportohet, Bako nuk ka bërë rezistencë në momentin e arrestimit. Aktualisht ai po merret në pyetje lidhur me rrethanat e masakrës në zonën e Mikrolimanos në Athinë, ku shqiptari plagosi 15 persona. Prej katër ditësh policia greke ishte vënë në ndjekje të shqiptarit lidhur me masakrën në Mikrolimano, ku fotografia e shqiptarit ishte shpërndarë në të gjithë Greqinë dhe në pikat kufitare. Arbër Bako, 31 vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë, akuzohet si personi i cili mbrëmjen e shtunës së 22 nëntorit, plagosi me kallashnikov 15 persona në një lokal nate. Një ditë pas masakrës, mediat greke publikuan videon e kamerave të sigurisë, ku tregohej shqiptari i cili dilte nga lokali me armën e zjarrit në dorë. Dëshmitarët okularë deklaruan se shqiptari përpara se të qëllonte me breshëri, është shprehur.