Basha: Shqiptarët duhet të luftojnë fort dhe pa kompromis për të thelluar dimensionin e lirisë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherazi dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujtoi 70-vjetorin e çlirimit dhe 102-vjetorin e pavarësisë së vendit, duke zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Shefi i opozitës u përkul me nderim dhe vendosi kurora me lule përpara dëshmorëve të rënë për Atdheun. Homazhe zhvilluan edhe ish-kryeministri Berisha dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, shefi i opozitës theksoi se kjo është një ditë që bashkon shpirtrat e shqiptarëve. Sipas Bashës, shqiptarët duhet të luftojnë fort dhe pa kompromis për të thelluar dimensionin e lirisë.
“Gëzuar këtë ditë të madhe të lirisë, sakrificës. Pavarësia e Shqipërisë, liria e Shqipërisë në gjithë dimensionet e saj i ka rrënjët në sakrificën sublime të mijëra shqiptarëve. Sot është një ditë nderimi, së pari për sakrificën e tyre. Liria në të gjithë dimensionet e saj, liria si pavarësi, liria nga pushtimi nazifashist, nga diktatura komuniste kërkoi dhe mori sakrifica të mëdha nga ky komb. Të luftojmë fort dhe pa kompromis për ta thelluar sa më shumë dimensionin e lirisë. Duke e bërë këtë nderojmë amanetin e mijëra dëshmorëve të kombit dhe i japim kuptimin e vërtetë pavarësisë dhe lirisë që festojmë sot”- deklaroi Basha.