Deputetët ekonomistë brenda PS-së, lum kritikash Financave në Komisione

0
159

Ervin Kaduku

min financave –  Qeveria ka mungesa në argumentimin e masave që kërkon të adoptojë dhe nuk paraqet një logjikë bindëse për miratimin e tyre nga Kuvendi. Megjithatë, buxheti dhe paketa fiskale miratohen…

Miratimi këtë vit i ligjit për buxhetin e shtetit 2015, që, siç pranohet nga të gjithë, është ligji më i rëndësishëm financiar për një vend, ishte një tregues i qartë i mbizotërimit të urdhrave politikë ndaj logjikës teknokratike. Në përmbyllje të diskutimeve nen për nen të projektbuxhetit 2015, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë paraqiti një mori vërejtjesh, në formën e rekomandimeve ndaj qeverisë. Deputetët ekspertë të ekonomisë mendojnë se qeveria ka mungesë e argumentesh në parashikimet e bëra në dokumentin financiar. Parlamenti i kujton qeverisë se nuk duhet të mbështesë vetëm bizneset e fasonit, por edhe sektorët e tjerë prodhues, të tillë si bujqësia dhe turizmi. Po kështu, Kuvendi kërkon raport më optimal ndërmjet rritjes së të ardhurave nga administrimi, luftës kundër evazionit e korrupsionit, zgjerimit të bazës tatimore, nga njëra anë dhe rritjes së tatimeve e taksave, nga ana tjetër.

 

Ja 12 rekomandimet e plota të Kuvendit për buxhetin

1-Projektbuxheti, në relacionin e tij, duhet të argumentojë në mënyrë më të plotë faktorët që ndikojnë në rritjen ekonomike 3% për vitin 2015, pasi kjo shton garancinë dhe sigurinë për treguesit e tjerë financiarë të parashikuar në të.

  1. Për garantimin e parashikimeve afatmesme të rritjes së qëndrueshme ekonomike, zhvillimit dhe punësimit dhe konsolidimin e mëtejshëm fiskal është e nevojshme:
  2. Në buxhetet e dy viteve të ardhshme dhe në buxhetin afatmesëm duhet të ketë një raport më optimal ndërmjet rritjes së të ardhurave nga: përmirësimi i administrimit fiskal, formalizimi i ekonomisë, lufta kundër evazionit e korrupsionit, zgjerimi i bazës tatimore, nga njëra anë dhe rritjes së tatimeve e taksave, nga ana tjetër.
  3. Harmonizimi më i mirë i politikës fiskale me atë monetare, ulja e kredive me probleme dhe rritja e kredisë në ekonomi.
  4. Vazhdimi i masave të programit për uljen e borxhit dhe mbajtjen në kontroll të deficitit buxhetor.
  5. Në fushën e investimeve buxhetore në ekonomi, është e nevojshme vendosja e një raporti më optimal midis investimeve strategjike, që gjenerojnë zhvillim afatgjatë e punësim dhe investimeve nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve (edhe pse të domosdoshme në këtë moment për të mbështetur reformën e ndarjes së re territoriale), duke garantuar zhvillim, por edhe sukses të reformës administrative.
  6. Vendosja e një raporti më të drejtë të shpenzimeve prodhuese me ato sociale, për të gjeneruar më shumë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, punësim e të ardhura. Arsimi dhe shëndetësia duhet të vazhdojnë të mbështeten me investime me financim të brendshëm dhe të huaj, duke thelluar më tej reformat e nisura në këta sektorë.
  7. Politikat dhe ndryshimet fiskale, investimet dhe mbështetja buxhetore, në total, duhet të vazhdojnë mbështetjen e industrisë së fasonëve, përmirësimin e mbrojtjes sociale ndaj shtresave në nevojë etj. Por jo vetëm. Programet afatmesme dhe afatgjata buxhetore duhet të synojnë orientimin më drejt të këtyre politikave, veçanërisht të investimeve në sektorët prioritarë të ekonomisë, me ndikim në rritje ekonomike e punësim, si bujqësi, energjitikë, turizëm etj.
  8. Reforma në administratën publike dhe pushtetin gjyqësor duhet të mbështetet për rritjen e standardeve, nivelit dhe cilësisë sipas kërkesave të BE-së.
  9. Nxitja e bisnesit privat, si gjenerator i ekonomisë, përmes vazhdimit të reformave rregullatore për përmirësimin e klimës së bisnesit dhe zgjerimin e lirive ekonomike, nxitjes së kredisë në ekonomi, politikave fiskale mbështetëse etj. Një paketë nxitëse për tërheqjen e investimeve të huaja në ekonominë tonë është imediate.
  10. Në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit duhet të zbatohen kriteret ligjore, duke frenuar korrupsionin e mundshëm në ndarjen e parave publike. Kjo masë duhet të shoqërohet me ndjekjen sistematike, nga strukturat shtetërore respektive, të shlyerjes së detyrimeve të biznesit ndaj organeve shtetërore, si dhe marrjen e masave në drejtim të borxheve pa shpresë arkëtimi.
  11. Lufta kundër përqendrimeve e monopoleve në treg duhet forcuar, me qëllim rritjen e lirisë ekonomike dhe forcimin e konkurrencës së lirë. Kjo masë do të ndikojë në shmangien e rasteve të sigurimit të fitimeve të padrejta nga subjektet tatimore dhe pagesën e detyrimeve në përputhje me ligjin.
  12. Lufta kundër monopolit të shoqërive koncesionare përbën një detyrim të vazhdueshëm të strukturave përkatëse, për të siguruar zbatimin e kontratave. Shkeljet e kontratave shoqërohen me dëme të konsiderueshme në buxhet.
  13. Përmirësimi i menaxhimit të korporatave publike, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i disiplinës menaxheriale duhet të jetë një objektiv tjetër i rëndësishëm, pasi këto subjekte subvencionohen dhe i krijojnë vështirësi buxhetit të shtetit. Nga pasuritë publike që zotërojnë këto shoqëri duhet të përfitojnë buxheti dhe të gjithë qytetarët. Është e nevojshme të krijohen mekanizmat për të studiuar peshën e këtyre kompanive në buxhet, raportet kosto-përfitim etj.
  14. Paketa mbështetëse për sektorin e bujqësisë është në fillimet e saj. Duhet të merren masa për shpërndarjen e përfitimeve të këtij sektori në ekonomi sipas përfitimeve të shkallës. Suksesi i reformës në bujqësi është i lidhur me sigurimin e mbështetjes dhe vazhdimësinë e saj edhe në vitet e ardhshme.
  15. Rritja e grumbullimit dhe eksportit të produkteve bujqësore duhet të shoqërohet me nxjerrjen e akteve nënligjore dhe forcimin e kontrollit ndaj subjekteve përkatëse. Këto masa do të ndikojnë në frenimin e informalitetit dhe pagimin e detyrimeve nga përpunuesit e produkteve bujqësore.

 

E, megjithatë, Buxheti miratohet, pa këto amendime. Në këto kushte, kur kupola qeveritare nuk pranon as sugjerimet e mazhorancës, kuptohet qartë se prania e opozitës në diskutime do të ishte një formalitet i kotë…

 

Ekspertët, mendime të ndryshme për dobinë e uljes së normës bazë

Ulja e fundit e normës bazë të interesit ka ngjallur mendime të kundërta te ekspertët. Disa e vlerësojnë si përgjigjen e duhur ndaj dobësisë së vazhdueshme të kërkesës dhe inflacionit nën objektiv, por për disa të tjerë kjo masë rrezikon të tkurrë depozitat bankare dhe të nxisë tregun informal të parasë.

Kështu, Arjan Kadareja, ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Qendrore, shprehet se çlirimi i mëtejshëm i politikës monetare është plotësues me kahun shtrëngues të politikës fiskale në buxhetin e vitit 2015.

Ndërkohë, eksperti Pajtim Melani, mendon se ulja e normës bazë ishte e gabuar. Sipas tij, politika monetare e ka ezauruar efektin e vet dhe një ulje e mëtejshme vetëm rrezikon të nxjerrë paratë e njerëzve nga sistemi bankar, për shkak të uljes drastike të interesit të depozitave. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë uli të mërkurën normën bazë të interesit në 2.25%, niveli më i ulët historik.

Ulja u argumentua me vështirësitë për ta kthyer inflacionin në objektiv, si pasojë e goditjeve më të forta të ofertës dhe e dobësisë së vazhduar të kërkesës agregate.

 

 Licencat, IQT: Të plotësohet dokumentacioni

Inspektorati Qendror Teknik i ka bërë thirrje subjekteve të biznesit që duan të pajisen me licencën për impiantet e përpunimit të nënprodukteve të naftës, që të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor, në bazë të VKM nr. 755, datë 12.11.2014. IQT u tërheq vëmendjen këtyre subjekteve që të dërgojnë pranë drejtorisë për miratimin e kartës teknologjike dhe të vërtetimit teknik për respektimin e kushteve dhe normave teknike. Gjithashtu, kërkohet që, pas plotësimit të dokumentacionit, të dërgohet aplikimi në Ministrinë e Energjisë për të përfituar licencën e përpunimit.

Sipas njoftimit të IQT, afati gjashtëmujor i përcaktuar në nenin 15 të ligjit të sipërshënuar, duhet të respektohet, pasi veprimtaria jashtë këtij afati konsiderohet e paligjshme.

 

 Vijon të ulet çmimi i naftës në tregje

Në prag të takimit të vendeve të OPEK-ut, çmimi i naftës ka pësuar një tjetër rënie, më e madhja në katër vjet. Nga java e shkuar, sasia e naftës amerikane në treg është rritur në 1.9 milionë fuçi sipas administratës amerikane të Energjisë.

Pas publikimit të të dhënave te saj, nafta Brent e Detit të Veriut ra me 58 cent, duke arritur ne 77.75 dollarë për fuçi.

Tkurrja e çmimit erdhi pas sinjalizimeve të Arabisë Saudite se nuk do të këmbëngulë në reduktimin e prodhimit për të ndihmuar mbajtjen e çmimit në nivele të larta. Nafta bruto amerikane, me mbylljen e bursave të mërkurën shënoi rënie kuotimi me 40 cent, duke fiksuar çmimin në 73.69 dollarë për fuçi.

Bumi i naftës amerikane të prodhuar prej shtresave argjilore po sjell shqetësim për situatën e vendeve prodhuese. OPEK-u është i përçarë sa i takon mënyrës se si duhet të reagojë në këtë situatë. Venezuela dhe Iraku kërkojnë ulje të prodhimit, ndërsa Arabia Saudite, prodhuesja më e madhe e kartelit 12-anetarësh dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndajnë bindjen se tregu do të arrijë të vetëstabilizohet. “Nuk do të na zërë paniku; kjo nuk është hera e parë që ndodh, nuk është e para krizë që mbjell shqetësim. I kemi parë çmimet të mbërrijnë nivele edhe më të ulëta se kaq. Ne nuk jemi të interesuar në zgjidhjet afatshkurtra, sepse e dimë që nuk zgjasin”, – tha Mohammed al Mazroui.

Në media ka spekulime se OPEK-u do të njoftojë uljen e parë të prodhimit që prej 2009-s, në përpjekje për të ruajtur çmimin aktual të naftës. Kundër një lëvizjeje të tillë shprehet edhe Rusia, e cila nuk është pjesetare e kartelit, por prodhon 11% të naftës në rang global. Pas një takimi me përfaqësuesit e Arabisë Saudite, Venezuelës dhe Meksikës, ministri rus i Energjisë Aleksandër Novak deklaroi se kompanitë energjetike të vendit të tij do të vazhdojnë të ofrojnë pothuajse të njejtën sasi nafte që kanë prodhuar deri tani.

 

Biznesi i huaj në Shqipëri, tryeza për thithjen e investimeve në vend

Shoqata e Konsujve të Nderit u ka dhënë udhë tryezave konkrete për të përmbushur një prej sfidave themelore, thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Nxitja e investimeve në sektorë me potencial të lartë ekonomiko-tregtar, si energjia, transporti, sektori bankar ishin lajtmotivi i takimit.

Mbështetja dhe zhvillimi i diplomacisë ekonomike, thirrur nga kjo shoqatë, me praninë e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ministrit të Transportit, Edmond Haxhinasto, ambasadorë, njerëz të biznesit.

Presidenti i Shoqatës së Konsujve të Nderit, Ylli Ndroqi, duke shprehur gatishmërinë dhe angazhimin si Shoqatë, për të ndikuar pozitivisht në prurjen e investimeve të huaja, kërkoi nga dy ministrat, hapa konkretë:

“Ne, si Shoqatë e Konsujve të Nderit, angazhohemi të jemi ndërmjetës aktiv, për të përcaktuar çdo zhvillim pozitiv në botën e biznesit, për të ndikuar në prurjen e investimeve të huaja.

Pa ndihmën tuaj, të të gjithë aktorëve të pranishëm sot në këtë tryezë, do të jetë e vështirë që dëshira jonë të bëhet realitet. Ju ftoj të na sugjeroni hapa konkretë për mënyrën se si duhet t’i bindim partnerët e huaj të hyjnë në fusha me potencial të lartë ekonomiko-tregtar, siç është energjia, transporti, sektori bankar e shumë të tjera”, – u shpreh zoti Ndroqi.

Ndroqi përçoi apelin që motive të ngushta politike të mos zbehin shpresën për investime serioze në Shqipëri.

“Më lejoni t’ju bëj një thirrje të sinqertë dhe të frymëzuar nga dëshira për ta parë Shqipërinë gjithnjë e më shumë një vend tërheqës për investime të huaja. Le të kontribuojmë të gjithë së bashku për një klimë sa më miqësore në mbarëvajtjen e bizneseve, pa lejuar që motive të ngushta politike të na zbehin shpresën se ky vend meriton praninë e emrave të rëndësishëm të investimeve me famë botërore të vijnë dhe të hapin vende pune për shqiptarët. Shqipëria është me rëndësishme se çdo parti politike, se çdo karrierë personale. Ndaj, le të vendosim interesat kombëtare në plan të parë”.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, i kërkoi qeverisë që të hartojë një paketë të qartë mbi sektorët ku mund të investohet nga të huajt në Shqipëri.

“Është një obligim i çdo qeverie që të ketë një platformë të qartë për t`ju ofruar investitorëve të huaj dhe vendas. Ne jemi të lumtur që sipërmarrësit e huaj kënaqen me investimet e tyre, është shumë e rëndësishme që ministrat të kuptojnë se kur kënaqet një investitor. Një investitor kënaqet kur mundëson kthimin e parave të investuara dhe ne duhet të mundësojmë që këto para të jenë të kthyeshme dhe çdo projekt të ketë fizibilitetin e duhur”, – tha Nikolin Jaka.

Ilir Zhilla, kreu i Unionit të Dhomave të Tregtisë, kërkoi nga qeveria që të bëjë pjesë të projekteve të saj, Konsujt e Nderit.

“Qeveria shqiptare duhet ti shfrytëzojë dhe duhet të komunikojë në mënyrë permanente dhe të përditshme, duhet t’i informojë, duhet t’i pajisë me sa më shumë informacion, duhet ti bëjë pjesë të programeve dhe të projekteve, të saj, pasi në fund të fundit, sidomos në vendet që janë jashtë BE-së, një biznes e vetmja adresë që ka është Konsulli i Nderit të atij vendi”, – u shpreh Zhilla.

I pranishëm në tryezë edhe ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri, Najeeb Al Bader, renditi propozimet konkrete për diplomacinë ekonomike në Shqipëri.

“Aktivizimi që ka për qëllim zhvillimin e negociatave dypalëshe dhe shumëpalëshe të marrëveshjeve tregtare dhe të investimeve, krijimi i një sektori të veçantë të diplomacisë ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe krijimi i një grupi ekonomik në Ministrinë e Ekonomisë, grup këshillimues akademik, për të mbështetur modelin e ri ekonomik të Shqipërisë, dhe një nismë e realizuar mirë, siç është gjithashtu krijimi i departamentit ekonomik në Ministrinë e Punëve të jashtme të Kuvajtit, me qëllim aktivizimin e bashkëpunimit ekonomik me vende të ndryshme që deri më tani, ka rezultuar mjaft i frytshëm”, – cilësoi Najeeb Al Bader.

Kjo ishte vetëm tryeza e parë, e një sërë të tillash, që Shoqata e Konsujve do të organizojë për të qenë një urë e fortë lidhëse mes biznesit të huaj dhe potencialeve që ofron Shqipëria për investime.