Vendimi/ Gjykata: Shpëtim Gjika dhe vartësit e tij, të pafajshëm

0
320

Sonila Mesareja

SHPETIM GJIKA  GJYKATE DITA E LIRIMIT GJYQI (1) Gjyqtari Micko: Prokuroria nuk e bindi Gjykatën me provat që solli për fajësinë e kryebashkiakut të Vlorës dhe të pandehurve të tjerë

 Prokuroria: Ky ishte “çmimi” i Gjykatës. Do të apelojmë vendimin

 Pas 27 seancash gjyqësore, Gjykata e Tiranës shpalli dje të pafajshëm kryebashkiakun e Vlorës dhe vartësit e tij. Në argumentet e dhëna në vendimin 58-faqësh, gjyqtari Arben Micko arsyetoi çfarë nuk e bindi në fajësinë e të pandehurve, duke u shprehur se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk e provonin fajësinë e asnjërit prej tyre. Sot, kryebashkiaku Shpëtim Gjika do të festojë festën e Pavarësisë si një person i pafajshëm pas akuzave të Prokurorisë së Vlorës për “Falsifikim të dokumenteve”. Të pafajshëm do të festojnë edhe të pandehurit e tjerë: Eleni Dardhaj, Blerdi Liçaj dhe Gentian Sherifaj. Vendimi i gjyqtarit Micko u prit me brohoritje nga të pranishmit e shumtë që ndodheshin në sallën e gjyqit, të cilët uruan të pandehurin për pafajësinë. Madje, këto urime vazhduan edhe jashtë sallës së gjyqit, ku Gjikës nuk i pushonte as telefoni. I pyetur nga media për ndonjë koment rreth vendimit, për herë të parë ai nuk pranoi të prononcohej. Sipas vendimit të arsyetuar në 58 faqe, Gjykata tha se Prokuroria nuk arriti të sillte prova që të bindë Gjykatën në fajësinë e kryetarit Gjika dhe bashkë të pandehurit e tjerë. Gjithashtu, Gjykata urdhëroi lirimin nga sekuestrimi dhe lejimin e ndërtimit të pallateve për të cilat u akuzua kryetari i Bashkisë së Vlorës Gjika. Pas përfundimit të procesit gjyqësor me 4 pafajësi, prokurorët u shprehën se nuk janë dakord me vendimin e gjykatës të cilin do të ankimojnë pranë Gjykatës së Apelit. Por, kundër vendimit të gjykatës, nuk ishin vetëm prokurorët por edhe një banor i Vlorës që akuzonte Gjikën për prishjen e shtëpisë së tij dhe që doli në shenjë proteste para gjykatës.

 

 

Kërkesa për dënim

Një seancë më parë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë kërkoi dënimin me 4 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 3 vjetësh, për të pandehurin Shpëtim Gjika, me funksion kryetar i Bashkisë Vlorë, akuzuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve të personit që ka për detyrë t’i lëshojë” (dy herë), e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/3 dhe 25 të Kodit Penal. Gjithashtu, për të njëjtën akuzë, Prokuroria kërkon dënimin me 3 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 3 vjetësh për të pandehurën Eleni Dardhaj, punonjëse e Bashkisë Vlorë. Në kuadër të këtij gjykimi, Prokuroria kërkoi dënimin me 2 vjet e gjashtë muaj burg për shtetasin Blerdi Liçaj dhe me nga dy vjet burgim për shtetasit Gëzim Feta dhe Gentian Sherifaj, të tre të akuzuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”. Për Prokurorinë e Vlorës, dy zyrtarët e Bashkisë Vlorë kanë falsifikuar dy procesverbale të mbledhjeve të Këshillit të Rregullimit të Territorit, në bazë të të cilave u janë dhënë leje ndërtimi disa shtetasve bashkëpronarë dhe një shoqërie ndërtimi. Në përfundim, Prokuroria kërkon nga gjykata që të shpalli fajtorë shtetasit e sipërpërmendur, si edhe të urdhërojë prishjen e objektit të ndërtuar nga shoqëria “Deco System” sh.p.k në vendin e quajtur Tri Racat, Vlorë, si edhe prishjen e objektit të ndërtuar nga shoqëria “EN-BJO” sh.p.k, e ndodhur pranë Portit Detar Vlorë, dy objekte për të cilat prokuroria deklaron se janë ndërtuar në bazë të lejeve dhe dokumenteve të tjerë të falsifikuara dhe që janë provuar si të tilla gjatë këtij gjykimi.

 

Hetimi gjyqësor

Prokuroria e Tiranës bën me dije se nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar se nga i pandehuri Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, është falsifikuar përmbajtja e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, i datës 24.03.2010 dhe i datës 15.07.2010, si dhe njëkohësisht janë lëshuar vendimet me nr.1/11 datë 24.03.2010 dhe nr.4/3, datë 15.07.2010, të nënshkruara nga i pandehuri Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, dokumenta të cilat kanë në përmbajtjen e tyre rrethana të rreme. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar se KRRT-ja e Bashkisë Vlorë në mbledhjen e datës 24.03.2010 nuk ka miratuar shesh ndërtimi për truallin në pronësi të të pandehurit Gëzim Feta dhe lejë ndërtimi në favor të shoqërisë EN-BJO sh.p.k, dhe se në mbledhjen e datës 15.07.2010 nuk ka miratuar shesh ndërtimi për truallin në pronësi të shtetasve Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj dhe Artan Ferati, si dhe lejë ndërtimi në favor të shoqërisë “Deco System” sh.p.k. Falsifikimi i këtyre dy proces verbaleve është kryer duke shtuar pikat e mësipërme në proces verbalin ekzistues, ku shtesat janë shkruar nga e pandehura Eleni Dardhaj, e cila është punonjësja e Bashkisë Vlorë që ka shkruar edhe vetë proces verbalet e mbledhjeve të KRRT-së. I pandehuri Shpëtim Gjika ka vendosur në anën e majtë të pikës (11) të proces verbalit të datës 24.03.2010 dhe të pikës (3) të proces verbalit të datës 15.07.2010 nënshkrimin e tij, që është një nënshkrim shtesë përveç atij në fund të proces verbalit, duke “konfirmuar” përmbajtjen e proces verbalit. Ky fakt si dhe qëndrimi që kanë mbajtur të pandehurit gjatë hetimit dhe gjykimit, tregon që falsifikimi i dy proces verbaleve është kryer nga dy të pandehurit e mësipërm në marrëveshje me njëri tjetrin, marrëveshje e cila rezulton nga veprimet konkludente të kryera nga ana e të dy të pandehurve. Këto dokumente me rrethana të rreme janë përdorur nga të pandehurit Gëzim Feta, Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj, me qëllim për të justifikuar kryerjen e ndërtimeve të kryer nga ana tyre në mënyrë të paligjshme. Në datën 30.09.2011 ligji nr.8405 datë 16.09.1998 “Për urbanistikën” është shfuqizuar me ligjin nr.10119, datë 23.04.2009 “Për planifikimin e territorit”, si rrjedhim në datën 30.09.2011 organet e KRRT-së kanë pushuar së funksionuari.

 

Shkeljet në lejet e ndërtimit

Sipas akuzës, pas datës 30.09.2011 në Bashkinë Vlorë nuk janë miratuar lejë ndërtimi apo leje zhvillimi, për shkak të mungesës së miratimit të rregullores vendore të kontrollit të zhvillimit, si dhe të instrumentave të tjerë të planifikimit, që kërkohen nga legjislacioni aktual. Në pamundësi ligjore për të miratuar lejë ndërtimi pas datës 30.09.2011 të pandehurit e mësipërm kanë falsifikuar proces verbalet e mbledhjeve të mëparshme të KRRT-së, duke paraqitur në to rrethana të rreme sikur janë miratuar sheshet dhe lejet e ndërtimit objekt akuze. Për të provuar rrethanat dhe faktet e mësipërme, Prokuroria i paraqiti Gjykatës një sërë provash shkresore me vlerë të plotë provuese, si dhe provat me dëshmitarë. Duke vlerësuar vlerën provuese të provave shkresore të administruara në gjykim, shpjegimet e personave të pyetur gjatë shqyrtimit gjyqësor, të vlerësuara këto shpjegime në unitet dhe harmoni me provat e tjera, Prokuroria thekson se faktet objekt akuze për të pandehurit e mësipërm provohen plotësisht.

 

Provat

Akuza bën me dije se nga këqyrja me sy të lirë e proces verbalit të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë të datës 24.03.2010, vihet re se largësia midis rreshtave të shkrimit në pikat 8-11 të këtij proces verbali, është shumë më e vogël se ajo rreshtave të tjerë të këtij proces verbali. Po kështu, nga këqyja me sy të lirë e shkrimit në pikat 8, 9, 10 dhe 11 të këtij proces verbali vihen re dy vija vertikale, ku në raste të ngjashme në mbledhjet e tjera të KRRT-së janë përdorur nga mbajtësja e proces verbalit për të treguar përfundimin e tij. Vijat janë më të dukshme në fotografitë bashkëngjitur aktit të ekspertimit grafik. Këto vija vertikale në pikat 8-11 të proces verbalit të mbledhjes së datës 24.03.2010 tregojnë faktin se proces verbali është mbyllur njëherë dhe se shkrimi i këtyre pikave është bërë në një kohe të mëvonshme. E njëjta situatë qëndron edhe në lidhje me largësinë midis rreshtave të shkrimit në pikën (3) të proces verbalit të datës 15.07.2010, e cila është shumë më e vogël se e rreshtave të tjerë, si dhe vihen re në të vija vertikale, të cilat tregojnë që proces verbali është mbyllur një herë dhe se pika (3) është shkruar në një kohë të mëvonëshme. Gjithashtu, njësia e Urbanistikës në Bashki dhe Këshilli Teknik janë hallka të detyrueshme për shqyrtimin e kërkesave për shesh dhe për leje ndërtimi sipas neneve 39 dhe 45 të ligjit nr.8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën”, të ndryshuar, i cili ka qënë në fuqi në vitin 2010. Nuk ekziston në këtë periudhë asnjë bazë ligjore apo nënligjore e cila të lejonte që kërkesat për shesh ndërtimi apo lejë ndërtimi ti drejtoheshin Kryetarit apo ndonjë anëtari të KRRT-së, por vetëm njësisë së urbanistikës e cila vijonte procedurën në Këshillin Teknik. Madje, në nenin 50/1 të ligjit “Për Urbanistikën” është parashikuar në mënyrë taksative që kalimi për miratim në KRRT i kërkesave për lejë ndërtimi, në shkelje të procedurës dhe të rregullave urbanistike, përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës. Nga kqyrja e proces verbaleve të mbledhjeve të Këshillit Teknik të kryera në vitin 2010, nuk rezulton që nga Drejtoria e Planifikimit Urban dhe nga Këshilli Teknik të jenë marrë në shqyrtim kërkesat për shesh ndërtimi dhe lejë ndërtimit të subjekteve të përmendura mësipërm. “Nëse do ti referohemi përmbajtjes së procesverbalit të mbledhjes së KRRT-së së datës 24.03.2010, në pikat 8, 9 dhe 10 të tij, konstatohet se sipas pikës 8 është miratuar leje ndërtimi në favor të shoqërisë “Odeon-Vila” sh.p.k, në pikën 9 përshkruhet se është miratuar leje ndërtimi në favor të shoqërisë “Leon 2011” sh.p.k, në pikën 10 përshkruhet se është miratuar leje ndërtimi në favor të shoqërisë “Stroytech” sh.p.k. Sheshi i ndërtimit për truallin në pronësi të të pandehurit Gëzim Feta dhe leja e ndërtimit në favor të shoqërisë “EN-BJO” sh.p.k, përshkruhet në pikën 11 të këtij proces verbali, e cila pas asnjë dyshim është shkruar pasi janë shkruar pikat 8, 9 dhe 10 të procesverbalit të mësipërm. Nga administrimi gjatë shqyrtimit gjyqësor të ekstaktit tregtar të tre shoqërive të mësipërme, rezultoi e provuar se shoqëria “Odeon-Vila” sh.p.k është themeluar si person juridik në datën 21.11.2011, shoqëria “Leon 2011” sh.p.k është themeluar si shoqëri në datën 12.09.2011, ndërsa shoqëria “Stroytech” sh.p.k është themeluar si person juridik në datën 25.01.2011” bën me dije në konkluzionet e tij prokurori. Pra, sipas tij, asnjë nga këto shoqëri nuk ka ekzistuar si person juridik në datën 24.03.2010, datë në të cilën është zhvilluar mbledhja e KRRT-së së Bashkisë Vlorë. Pika 11 e këtij procesverbali duket qartë se është shkruar pas pikave 8, 9 dhe 10. “Këto prova shkresore provojnë tërësish dhe tej çdo dyshimi se pikat 8, 9, 10 dhe 11 të proces verbalit të datës 24.03.2010 nuk janë shqyrtuar në mbledhjen e KRRT-së të kësaj date, por janë shtuar në proces verbalin e kësaj mbledhje në një kohë të mëvonshme, të paktën pas datës 21.11.2011, kohë kur është themeluar shoqëria më e fundit, “Leon 2011” sh.p.k, ku edhe në vetë emrin e saj mban vitin 2011. Mjafton edhe vetëm kjo provë shkresore për të provuar tej çdo dyshimi se KRRT-ja e Bashkisë Vlorë në datën 24.03.2010 nuk ka miratuar shesh ndërtimi për truallin në pronësi të të pandehurit Gëzim Feta dhe lejë ndërtimi në favor të EN-BJO shp.k” vijon fjalën e tij prokurori i çështjes.

 

Pronësia e truallit

Sipas akuzës, nga verifikimi i dokumentacionit të truallit në pronësi të shtetasve Ahmataj, Tartari dhe Ferati, rezulton tërësisht e provuar se asnjë prej këtyre shtetasve nuk ka qenë pronar i truallit në datën 15.07.2010. Duke mos pasur dokumentacion pronësie lidhur me pasuritë e mësipërme, duke mos qenë personat e sipërpërmëndur pronarë të ligjshëm të truallit në datën 15.07.2010 (lidhur me shtetasit Ahmataj, Tartari dhe Ferati) apo 24.03.2010 (lidhur me të pandehurin Gëzim Feta), nuk mundet objektivisht që këta shtetas të kenë paraqitur dokumentacion për tu pajisur me shesh ndërtimi. Nga analizimi i dokumentacionit të sekuestruar në Bashkinë Vlorë, të lidhur me shtetasit Ahmataj, Tartari, Ferati dhe shoqërinë Deco System sh.p.k. Konstatohet se kontrata e sipërmarrjes midis pronarëve të truallit dhe subjektit ndërtues është lidhur me aktin noterial Nr.2608 Rep dhe Nr.1269 Kol, datë 07.06.2011. Pra data e kontratës së mësipërme është 11 muaj më pas nga data e proces verbalit të mbledhjes së KRRT-së së datës 15.07.2010. Nga vetë përmbajtja e kësaj kontrate, të nënshkruar nga vetë pronarët e truallit dhe i pandehuri Blerdi Licaj, rezulton se në datën e nënshkrimit të kësaj kontrate, që është data 07.06.2011, ende projekti nuk është përgatitur, ende leja e ndërtimit nuk është marrë dhe se ende nuk është dorëzuar dosja për marrjen e lejës për shesh dhe për lejë ndërtimi.

 

Dokumentacioni i sekuestruar

Në dokumentacionin e sekuestruar në Bashkinë Vlorë, sipas akuzës, nuk ndodhet ndonjë kërkesë sipas formularëve nr.1, nr.3 apo nr.3/1, që të jetë paraqitur nga pronarët e truallit për miratimin e sheshit të ndërtimit, apo që të jetë paraqitur nga i pandehuri Blerdi Licaj për miratimin e lejes së ndërtimit. Nuk rezulton që në këtë rast të jetë marrë ndonjë konfirmim nga institucionet përkatëse, siç kërkohet nga formulari i lidhjes së objektit me infrastrukturën inxhinierike, si dhe nuk ndodhet as edhe planimetria e sheshit të ndërtimit, dokumente këto të domosdoshme për iniciuar procedurën e miratimit të sheshit të ndërtimit dhe të lejes së ndërtimit. Në dosjen e pasurisë së shtetasit Mustafa Tartari, të administruar nga Z.Rr.P.P Vlorë, ndodhet një korespondencë e Z.Rr.P.P Vlorë me Bashkinë Vlorë. Nga shkresa me nr.381/3 prot dt.17.02.2011 e Z.Q.Rr.P.P Tiranë si dhe shkresa nr.3016/1 prot dt.03.12.2010 e Bashkisë Vlorë, nënshkruar nga i pandehuri Shpëtim Gjika, provohet plotësisht se Bashkia Vlorë në datën 03.12.2010 i ka konfirmuar Z.Rr.P.P Vlorë, në lidhje me korrespondencën e kësaj zyrë për të sqaruar ankesën e shtetasit Mustafa Tartari, se pasuria për të cilën është kërkuar informacioni është pjesë e lulishtes “Tre Racat”, Vlorë, e cila ka kaluar në administrim të Bashkisë Vlorë me V.K.M nr.1643, dt.17.12.2008. Kjo është një provë tjetër shkresore se në datën 15.07.2010 KRRT-ja e Bashkisë Vlorë nuk ka miratuar shesh ndërtimi për truallin në pronësi të shtetasit Mustafa Tartari. Nga analizimi i dokumentacionit të sekuestruar në Bashkinë Vlorë, të lidhur me të pandehurin Gëzim Feta dhe shoqërinë EN-BJO sh.p.k, konstatohet se në dosje ndodhet formulari 3/1, i lidhjes së objektit me infrastrukturën inxhinierike. Sipas këtij formulari, subjekti kërkues duhet që para se të dorëzojë kërkesën për miratimin e sheshit të ndërtimit, të marrë miratimin e lidhjes së sheshit në disa subjekte, Ujësjellës, Cez Shpërndarje, Albtelekom, Drejtoria e Shëndetit Publik, etj. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se faturat për pagesat në institucione për plotësimin e formularit të mësipërm janë plotësuar në vitin 2012 dhe pagesa është kryer në këtë vit. Po kështu, konstatohet se kopja e dokumentave të pronësisë të depozituar është njësuar me origjinalin para Noterit në vitin 2012. Pra, dokumentacioni i sekuestruar në Bashkinë Vlorë në këtë rast është përgatitur nga i pandehuri Gëzim Feta në vitin 2012, si rrjedhim në këtë vit është dorëzuar edhe në Bashkinë Vlorë.