Shqipëria feston sot 70-Vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazistë. Krerët më të lartë të shtetit, Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ministra të kabinetit qeveritarë por edhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri u përulën sot para monumentit “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Ceremonia në nderim të të rënëve për çlirimin e vendit filloi rreth orës 10:00. Ndryshe nga vitet e kaluara të pranishëm në homazhe ishin edhe përfaqësues së bashkisë. Nënkryetarja e Bashkisë Nevila Xhindi u është bashkuar homazheve. Për herë të parë politika shfaqet nga ana protokollare e bashkuar. Kryeministri Rama ka uruar gjithë shqiptarët për 70-Vjetorin e Çlirimit. Në një status në “facebook” ai shkruan: “Gëzuar 29 nëntorin në këtë 70 Vjetor të Çlirimit të Shqipërisë”.