Urdhri/ Pranga ish-kreut të OSHEE-së në Lushnjë, shpërdoroi detyrën

0
238

Alma Çuka

 Prokuroria: Furnizonte lokalin dhe banesën e tij me energji të vjedhur. Fatura mujore e lokalit arrinte nga 200 lekë të reja deri në 2 mijë lekë të reja

Sahati-matesa-energjie-290x300 Policia e Lushnjës ekzekutoi urdhrin e Prokurorisë, duke vënë në pranga kreun e OSHEE-së, Dine Aliaj, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Në njoftimin e saj zyrtar organi i Prokurorisë bënë me dije se urdhri për të vënë në pranga ish-kreun e OSHEE-së në Lushnjë erdhi pas një sërë verifikimesh dhe konstatimit se prej disa kohësh, ish-zyrtari, duke shfrytëzuar pozicionin që mbante, vidhte energji elektrike për lokalin në pronësi të tij dhe banesën private. Urdhri i Prokurorisë u zbatua mesditën e djeshme nga policia, ndërkohë disa ditë më parë vet ish-kreu i OSHEE në një njoftim publik bënte me dije se nuk ishte debitor ndaj shtetit dhe vazhdonte të qëndronte në detyrë.

 

Hetimet

Nga verifikimet e kryera nga ana e Prokurorisë Lushnjë, në bazë të materialit referues të task-forcës për energjinë elektrike, ekzistonin dyshime se ky shtetas, gjatë ushtrimit të detyrës së tij si drejtues i filialit të OSHEE, ka vjedhur energjinë elektrike, e cila furnizonte shtëpinë dhe një lokal të madh në pronësi të tij. Nga verifikimet e sahateve për këto dy ambiente, të regjistruar në emër të shtetasit Dine Aliaj, rezulton se vulat e aparateve nuk janë të matrikuluar, gjë që krijon mundësinë për abuzime. Dyshimet e prokurorisë së Lushnjës mbështeten gjithashtu në vlerat e faturave të energjisë elektrike të shtëpisë dhe lokalit të këtij shtetasi.

 

Faturat

Rezulton se, prej kohës kur ky shtetas është emëruar drejtor i filialit të OSHEE në Lushnjë, faturat e energjisë elektrike për shtëpinë dhe lokalin e tij, i cili ka një sipërfaqe të madhe, shënojnë ulje të ndjeshme në vlerë leku. Madje, ka fatura të muajve të ndryshëm, në të cilat vlera që duhet të paguante ky shtetas për lokalin, në të cilin kishte hapësirë për organizime festimesh, ishte 200 lekë të reja. Po ashtu, disa muaj të tjerë, po për lokalin, shifrat e faturave arrinin në vlerën 2 mijë deri në 3 mijë lekë të reja, ndërkohë që janë krijuar dyshime të arsyeshme se shuma e konsumuar nga ky ambient privat (lokal) është shumë herë më e lartë.

 

 Elbasan/ Vrau 27-vjeçarin, policia arreston të dyshuarin

Policia e Elbasanit njofton se mëngjesin e djeshëm arriti të vërë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit nga Cërriku, Fatjon Ocka, pak ditë më parë. Sipas burimeve nga policia e këtij qyteti, mësohet se është vënë në pranga shtetasi Spartak Shabani, nga Elbasani. Sipas të dhënave të para bëhet me dije se shkak i vrasjes është bërë një sherr në rrjetin social Facebook. Por policia ende nuk ka dhënë versionin e saj përfundimtar. Një tjetër pistë për të cilën policia beson se mund të jetë kryer vrasja është ajo e prishjes së pazareve të drogës. Behët e ditur se viktima ka qenë person me precedent penal, pikërisht në shpërndarjen e lëndës narkotike në qytetin e Elbasanit. Por policia shprehet se të gjitha të dhënat rreth vrasjes do të dalin pasi të merret në pyetje autori i dyshuar. Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë në lagjen “Beqir Dardha” të qytetit të Elbasanit. Hetuesit zbuluan autorin e krimit nga telefoni i viktimës dhe zbardhja e bisedave me autorin.

 

Ekstradimi/ Harroi kartën e identitetit në çantën me kanabis, ekstradohet trafikanti

Robert Mulgeci u arrestua nga policia italiane tre vjet pasi u identifikua përmes kartës së identitetit, të cilën e kishte harruar brenda në çantë ku kishte kanabis sativa. Interpoli shqiptar e ka kthyer dje në Tiranë, 22-vjeçarin Mulgeci, i cili u ekstradua nga Milanoja e Italisë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte dënuar në mungesë me 3 vjet e 4 muaj burg për shitjen e lëndëve narkotike. Mulgeci është evidentuar si shpërndarës droge në tetor të viti 2008, kur gjatë një operacioni policie në sheshin “Nënë Tereza”, ai së bashku me një person tjetër është larguar me shpejtësi duke braktisur çantën në të cilën policia gjeti 3 qese me kanabis, secila me peshë 12.4 gramë, kartën e identitetit të vetë Mulgecit, një aparat telefoni dhe dokumente të tjera. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, Mulgeci iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

 Gjirokastër/ Kapen 50 klandestinë sirianë, mes tyre gra dhe fëmijë

Policia e Gjirokastrës ka kapur dje 50 klandestinë me origjinë siriane. Sipas burimeve policore, klandestinët, mes të cilëve 6 gra dhe 2 fëmijë, po ecnin drejt shtratit të lumit Drino në momentin që janë ndaluar. Mësohet se klandestinët kishin hyrë në vendin tonë nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë. Polica sqaron se klandestinët kanë pasur leje qëndrimi në Greqi. Gjatë ditëve të fundit janë kapur shumë klandestinë sirianë, të cilët futen në Shqipëri përmes kufirit me Greqinë. Gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet e policisë, ata shprehen se janë të detyruar të udhëtojnë përmes Shqipërisë, por si destinacion kanë Malin e Zi. Shprehen se largohen prej vendit te tyre për shkak të luftës dhe papunësisë. Duan një jetë më të mirë të cilën, shpresojnë se e gjejnë në vendet e Bashkimit Evropian.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency