Teza e ’60-ës/ Vepra e “dënuar” nga Enveri, a është zhvarrosur Skënderbeu?!

0
294

varri i skenderbeutDel libri i studiuesit që hodhi tezën më ’60-ën. Për Skënderbeun, Heroin Kombëtar të shqiptarëve është shkruar dhe janë botuar me dhjetra studime dhe libra të natyravë të ndryshme, duke përfshirë autorë të tillë, që nga Barleti në shekullin e XVI-të e deri te Schmitt-i në shekullin e XXI. Por, me Etnografinë dhe mbledhjen e dëshmive të saj për Skëndërbeun janë marrë pak njerëz. Mund të përmendim Martin Sirdanin (Skëndërbeu Sipas Gojëdhanash) dhe Dhosi Liperin, studimet e të cilit vetëm tanimë po e shohin “dritën” e botimit.

 Ilirjan Gjika

(vijon nga dje)

 3

Problemi i dytë që Dhosi Liperi përpiqet që të sqarojë në studimet e tij është ai i vendvarrimii të Skëndërbeut, i cili edhe sot përbën një tjetër problem të debatueshëm për historografinë shqiptare. Megjithëse Skëndërbeu vdiq dhe u varros në Lezhë në 17 janar të vitit 1468, akoma vazhdojnë polemikat shkencore rreth vendodhjes së mundshme të varrit të tij. Disa studjues theksojnë se katedralja e Shën Kollit, vendi ku u varros heroi ynë kombëtar, ndodhet aty ku është ngritur tashmë memoriali i tij në qytetin e Lezhës. Të tjerë, theksojnë se kisha e Shën Kollit ndodhej në kalanë që ngrihej mbi këtë qytet. Pavërësisht debatit, dëshmia e Barletit se turqit e hapën dhe e grabitën varrin e Skënderbeut kur e pushtuan Lezhën në vitin 1405, është vënë në dyshim sot.

Kjo gjë për faktin se asnjë dokument turk apo venecian nuk na e pohon një gjë të tillë. Ndërkohë që, i pari që e vuri në dyshim këtë tezë ishte pikërisht Dhosi Liperi. Këtë gjë ai e bëri në janar të vitit 1968, në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike të zhvilluar në Tiranë, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. E titulluar “Varri dhe shpata e Skënderbeut sipas legjendave popullore”, kumtesa përmblidhte mjaft dëshmi të drejtpërdrejta të mbledhura nga autori në krahinat e Zadrimës, Matit, Krujës dhe Mirditës, ku në të gjitha gojëdhanat popullore dëshmohet se turqit asnjëherë nuk e gjetën varrin e Skënderbeut.

“Tuba muhabet me pleçt e vjetër, këta thojshin se kur erdh ushtria turke dhe zaptoi Lezhjen, kërkuen vorrin e Skanderbegut e çilën treqind vorre për me gjet eshtrat e Skanderbegut, por vorrin e tij s’mujtën me e xhetë vorri i Skanderbegut asht i pa çilë. E kanë mëshefë shqiptarët thojshit pleçt e vjetër të Zadrimës”. E treguar me origjinalitet nga Hil Kola nga fshati Gramsh i Lezhës, në shtator të vitit 1964, kjo gojëdhanë së bashku me shumë të tjera e shtynë Dhosi Liperin që të nxirrte përfundimin se, pas vdekjes së Skënderbeut, bashkëluftëtarët e tij përhapën parrullën se turqit e prishën varrin e Heroit, por eshtrat nuk i gjetën brenda, sepse ato ishin tërhequr fshehurazi prej bashkëluftëtarëve të tij. Ata pasi i kishin zhvarrosur ato më parë, i vendosën ato në një varr të ri, i cili më pas për fat të keq nuk është gjendur akoma.

Pikërisht rreth këtij fakti shprehej edhe Indro Montaneli, një nga përfaqsuesit më në zë të gazetarisë dhe historisë italiane. “Skëndërbeu është ushtari i panjohur i Shqipërisë”, shkroi ai kur e vizitoi Lezhën në vitin 1938 ( Indro Montanelli: ”Albania Una e Mille. Torino (etc.)-G. B. Paravia. 1939).

Por përpara se Montanelli të vizitonte Lezhën, në këtë qytet dhe në xhaminë e saj, në vitet e Luftës së Parë Botërore janë gërmuar dhe hapur varre të vjetër nga reparte të specializuara të ushtrive pushtuese Malazeze, Serbe, Austro-Hungareze dhe Italiane, të cilat kërkonin midis tyre atë të Skëndërbeut. Rreth kësaj teme, Dhosi Liperi, na jep një dëshmi tjetër. I intervistuar në shtator 1964, Nikoll Lleshi, nga fshati Ishull Lezhë midis të tjerëve thotë: “Masi iku Austria dhe Italia, unë me shokë të tjerë kërkojshim të gjenim, në oborr të xhamisë vorrin e Skënderbegut. Edhe zbuluem disa vorre për me shti në ta myslimanë, që vdisnin e i varrosnin aty. U thojshim: “Baba jot asht i mirë, pra hapjani vorrin këyu, pranë xhamisë”. Ata hapshin vorrin e na shifshin, tuj pas për qëllim se mos takojmë në vorrin e Skëndërbegut, por nuk xhetëm xha. Janë çelun kështu si do pesë gjer gjashtë vorre, se nuk lite hoxha me shti ma në oborr të xhamisë” (USHT. Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike. III. Tiranë 1969. Fq 341-343).

Por çuditërisht teza e Liperit se varri i Skënderbeut u transferua më parë në një vendvarrim të dytë, të fshehtë nuk gjeti mbështetje dhe kështu mbeti në harresën e kohës. Megjithëse faktet ishin “kokëforta”, ato u anashkaluan si nga kjo konferencë por edhe më vonë nga historiografia jonë.

Po kështu edhe autorit nuk ju dha atëherë asnjë shpjegim nga institucionet përkatëse se, përse vepra e tij voluminoze u anashkalua. Vetëm pas shumë vitesh e vërteta do të dilte. Diku në vitin 2013 nga arkivat doli një dokumet i cili dëshmonte se regjimit të atëhershëm nuk i duheshin eshtrat e Skënderbeut. Ato mund të bëheshin vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët ndërsa krerët e këtij regjimi ishin interesuar për të tjera kulte (“Enigma e Skënderbeut. Enver Hoxha mohoi gjetjen e kafkës nga një prift”. Gazeta Standard. Dt 20. 6. 2013 ).

Gjithsesi me këto studime, Dhosi Liperi, vërtetoi atë që historianët turq si: Ibn Kemali, Hoxha Sadedini, Idris Bitlisi dhe Tursuni, të cilët na përshkruajnë me ngjyra të gjalla pushtimin e Lezhës nga ushtria turke në vitin 1478, nuk e përmendin asgjëkundi faktin e dhunimit të varrit të Skëndërbeut nga ushtria osmane. Dëshmitë e tyre që gjenden në librin “Lufta Shqiptaro-Turke Në Shekullin XV” ( Lufta Shqiptaro-Turke Në Shekullin XV. Tiranë 1968 ) u botuan disa muaj pasi Liperi publikoi tezën e mësipërme dhe vetëm disa muaj më vonë se ai të ndërronte jetë në 12 nëntor të vitit 1968. Kështu në mënyrë të heshtur shkenca zyrtare pohoi atë që Liperi e kish provuar në intervistat përgjatë ecejakeve të pafundme të tij, fshatrave dhe krahinave të Shqipërisë.

4

Problemi i tretë të cilin trajtoi Dhosi Liperi në studimet e tij ishte edhe ai i fëmijëve të Skëndërbeut. Qysh përpara 60 vjetësh ai na njofton se në trojet e ish principatës së Kastriotëve, në Mat dhe në Dibër, ruhen në kujtesën popullore akoma legjenda të gjalla në të cilat ndeshim përveç djalit edhe një vajzë të Skëndërbeut. Ndërkohë që ky zbulim në terren i shkencëtarit të palodhur do të dilte në skenë kohë më vonë, pikërisht në vitin 2011, kur do të bëhej edhe objekt polemikash në shtypin e shkruar. Pikërisht një dokument i publikuar në qershor të këtij viti që tregonte pemën gjenealogjike të Kastriotëve përmendte midis fëmijëve të Skëndërbeut edhe vajzën e tij, Vojsavën e re.

Megjthëse publikimi i tij solli shumë kundërshti dhe polemika ku u prononcuan disa nga emrat më të njohur të historografisë u provua edhe njëherë se intuita e pagabushme e Dhosi Liperit se studimeve të tij do ti vinte koha për tju referuar.

Ndërkohë që një fakt të tillë e ndeshi në terren diku në vitet 1960-70 në territoret e Matit edhe albanologu Dilaver Kurti Kurti (Dilaver Kurti. Shënime Etnografike Nepër Mat. GEER. 2004.Fq 215). Por ekzistenca e një vajze të Heroit, dëshmohet jo vetëm nga tradita gojore në trojet e dikurshme të principatës së Kastriotëve edhe nga disa dokumente dhe botime perëndimorë të kohës. Dëshmi të tilla jep edhe autori francez Charles Du Fresne Du Cange në librin e tij ‘’Ilira e Vjetër Dhe e Re Historia e Mbretërisë së Dalmacisë, Bosnjës, Serbisë dhe Bullgarisë‘’ (Charles Du Fresne Du Cange. ILLYRICVM VETVS E NOVUM sive HISTORIA REGNORUM DALMATIAE BOSNAE SERVIAE atque BYLGARIE. POSONII. MDÇXLVI. 134 ).

Në këtë kontekst, rreth ekzistencës së vajzës së Skëndërbeut, na vjen tanimë edhe libri” Mitologjia Skënderiane”, në të cilin Dhosi Liperi na e rihap përsëri këtë tezë. Në shënimet e tij ai shkruan se “Legjendat popullore të Dibrës së Poshtëme përmëndin si Ai ( Skëndërbeu-shënimi ynë) veç djalit ka patur edhe një vajzë. Kjo ka qenë shumë e aftë, me mënt luftëtare e madhe, bijë e denjë e tij. Kur, në luftën e Kalasë së Çidhnës së Poshtëme hofi në kalë nga Kalaja përtej lumit Setë e sra në dorë të armikut. Ai e Uroi: ‘’Kofsh bekue ti cuca eme” ( Po aty. Fq 120) . Të dhëna të tilla Liperi i mblodhi  në vitin 1954-58 në Çidhnën e Poshtëme, në Laçej, në Arras, në fushë Lurje, etj ( Fq 216-228 ) duke na dëshmuar edhe njëherë këtë pasuri të madhe të folklorit tonë popullor dhe duke i dhënë edhe një burim të madh dhe të drejtëpërdrejtë të dhënash, historografisë rreth tezën së ekzistencës së vajzës së Skëndërbeut.

5

Skëndërbeu, shkruan Dhosi Liperi, vuri gurin themeltar të bashkimit tonë kombëtar. Nga studimi i legjendave popullore zbulojmë gjurmë faktesh historike. Sipas legjendave popullore, thekson ai, ka ekzistuar një front kombëtar për mbrojtjen e Skëndërbeut ( Fq 494). Të tilla tregime të cilat nuk janë njohur nga masa e gjerë e lexuesit por edhe nga studjuesit janë legjendat e Krajlit të Venedikut, që dëshmojnë influecën e Venedikut në rajonin e Dibrës, apo legjendat mbi tradhëtarët, ku për më shumë se 500 vjet në shumë krahina si në Mat dhe në Dibër, pasardhësit e tyre janë parë me urrejtje dhe përbuzje nga populli (Fq 495). Por materialet e mbledhura nga Dhosi Liperi na dëshmojnë edhe eksodin e madh të shqiptarëve në shekullin e XV pas vdekjes së Skëndërbeut. Krahas të dhënave që mblodhi për Gjorg Golemin në disa fshatra të Elbasanit, në 10 tetor të vitit 1965, ai ndeshi edhe një nga dëshmitë më interesante, e cila tregonte një ngjarje të jetuar 26 vjet më parë për një nga fiset e Sopotit, Muzhaqët.

-Muzhaqët kanë fisin e tyre në Itali, i tregoi atij Mësuesi i Seltës, Kostë Bezhani. Kur erdh Italia më 1939, kanë ardhë në Polis dy oficërë arbëreshë ekanë kërkuar fisin e tyre. E gjetën dhe u takuan me ta e hangrën e pinë si vëllazën, tuj fol shqip ( Fq 136).

Ashtu si në ngjarjen e mësipërme, Dhosi Liperi, na dëshmon nëpërmjet librit të tij, se shumë prej legjendave popullore janë në të njëjtën linjë me studimet e sotme historike. Të tilla ngjarje të përshkruara prej tyre i gjejmë edhe në temat historike përkatëse. Kështu Kuvendin e Lezhës, të cilën Liperi e mblodhi si legjendë e emërtoi në studimet e tij me emrin “Kuvendi  fundit”( Fq 282). Po kështu gojëdhanën për themelimin e Elbasanit nga sulltan Mehmeti II-të, e gjejmë në këtë botim tek legjenda  e titulluar “Mulliri i Sulltanit” ( Fq 191). Nëpërmjet një pjesë të këtyre studimeve, autori, dëshmon edhe disa nga aktivitetet historike dhe jetësore të Gjergj Kastriotit. Midsi tyre spikat karakteri ligjvënës i tij si burrë shteti. Dëshmia më e qartë e kësaj veprimtarie është Kanuni i Skëndërbeut, një nga variantet e të drejtës sonë zakonore, mbledhur dhe kodifikuar nga Dom Frano Ilia (Dom Frano Ilia. Kanuni i Skëndërbeut. Editrice La Rosa. Milot 1993). Pikërisht rolin e Skëndërbeut si ligjvënes, Dhosi Liperi, e provon në mënyrë të figurshme tek tregimet popullore si: “I Miri e i Keqi”, “Gjaku i Burrit e i Grues”, Drejtësia e Skëndërbeut”, “Celebrimi i Martesës së Cucave”, etj. (Dhosi Liperi. Mitologjia fq 113, 114, 117, 494).

Midis risive të ndryshme që sjell në librin, Mitologjia Skënderiane”, autori, përmend edhe emrat e disa prej bashkëkohësve të Skëndërbeut për të cilët analet historike heshtin, ndërkohë që kujtesa popullore i mban akoma të gjallë ata. I tillë është edhe emri i Kokë Malçit, i cili është trajtuar në të kaluarën si një nga personazhet e tregimeve popullore për Skënderbeun ( Instituti i Folklorit. Tregime dhe Këngë Popullore për Skëndërbeun. Tiranë 1967. Fq 183-185, 178-189 ). Pikërisht figurën e Kokë Malçit, Liperi, e trajton gjerësisht në këtë libër. Sipas tij, ky plak i urtë thirrej gjithmonë prej Skëndërbeut si një njeri me përvojë jetësore dhe gjyqtar popullor ( Fq 119). Sipas tij, ai ishte edhe një ndër bashkëluftëtarët e Heroit, i cili e kishte udhëhequr atë në luftime dhe si dhe e këshillonte rreth taktikave të tij. “Koka”, i tregonte Skëndërbeut sesi mund ti sulmote turqit kur ata pushonin apo si të ndeshej me Ballaban pashën. Nga gjithë personazhet skënderianë thekson Dhosi Lieri, ai ishte më popullori dhe më i dashuri, të cilin, Skëndërbeu, e donte dhe e nderonte shumë (Fq 192-193)

Por përveç kokë Malçit, Dhosi Liperi, zbulon nëpërmjet kërkimeve të pafundme të tij edhe disa emra të tjerë të epokës historike të Skëndërbeut. Rreth tyre, ai ju rekomandon  institucioneve përkatëse që ata të përfshihen në historinë e Shqipërisë, si personazhe realë dhe protagonistë të kohës kur jetuan. Këta njerëz, Liperi, i quan në këtë libër si “Bashkëluftëtarë të padiktuar prej historisë” ( Fq 188). I tillë është edhe kapedan Petro Petroshi, një nga komandantët e Gjorg Golemit (Gjergj Arianiti).

Për Petro Petroshin ekzistojnë disa gojëdhana të cilat Liperi na i sjell të “gjalla” në këtë botim si: “Fitorja e Petro Petroshit”, Lufta e Mëlizës”, etj. Këto dhe të dhëna të tjera ai i mblodhi në tetor të vitit 1965 kur vizitoi Shpatin e Elbasanit. Pikërisht në fshatrat Shelcan dhe Shtërmen, Dhosi Liperi, ra në gjurmët e pesë shtëpive që kishin mbetur trashëgimnia e fisit Petroshi. Po kështu ai vizitoi edhe varret e Mëlizës, të cilët i përkisnin siç duket ushtarëve turq të vrarë në betejën e dikurshme të zhvilluar këtu, kur Kapedan Petro Petroshi, shpartalloi ekspeditën turke që synonte të pushtonte krahinën e Shpatit, gjatë fushatës së Sulltan Mehmetit në Shqipëri në vitin 1466 ( Fq 189-190).

6

Një libër të munguar do ta quajnim së fundmi botimin e punimeve të albanologut Dhosi Liperi të titulluar ‘’Mitologjia skënderiane”. Megjithëse i vlerësuar në punën e tij si arsimtar, ku ju dha edhe titulli “Mësues i Merituar”, Liperi jo vetëm u anashkalua në aspektin e punës së tij studimore, por edhe vepra e tij u “dënua” me heshtje. Përveç disa artikujve të shkëputur në botimet shkencore të kohës atij në gjallje nuk ju botua asnjë prej dorëshkrimeve. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë. Vepra e tij nuk i vinte për shtat politikës kulturore të shtetit komunist, i cili edhe “historinë e Skëndërbeut” e përdori për qëllimet e tij propogandistike dhe politike. Gjithsesi shkencëtari e kuptoi fare mirë këtë gjë dhe me natyrën e tij “sokratike” heshti për tja lënë kohës në “dorë” drejtësinë. Pasi e la amanet që të varrosej në Krujë, ai iku i qetë dhe i ndërgjegjshëm nga kjo jetë, me bindjen se një ditë sipas sentencës së famshem “Epur Si Muove” edhe veprës së tij do të vinte “koha”. Kështu u deshën shumë vite që “muret e inkuizicionit kulturor” të rrëzoheshin dhe bashkë me to të binte edhe çensura në fushën e botimeve. Dhe natyrshëm erdhi edhe momenti që, korpusi i studimeve të Dhosi Liperit, i titulluar “Mitologjia Skënderiane” të shihte tashmë “dritën e botimit”.

“Mitologjinë Skënderiane”, librin voluminoz të Dhosi Liperit do ta kemi tashmë në tryezat tona të leximit, jo vetëm për tu njohur me “autobiografinë e popullit tonë” por edhe me përpjekjet titanike të një kolosi të shkencës si Dhosi Liperi, një shembull tipik i figurës së intelektualit.

Por vepra shkencore e tij ka edhe një veçanti tjetër. Ajo na njeh jo vetëm me psurinë shpirtërore të shqiptarëvë por edhe me idealet e tij shkencore. Ndërkohë nga puna e gjatë me mitologjinë popullore tek Dhosi Liperi, ndodhi dukuria e zakonshme e cila njihet sot nga të gjithë manualët e atropologjisë kulturore. Në bazë të tyre tek pothuaj të gjithë studjuesit e terrenit u vu re fakti se ata, jo vetëm që u familjarizuan me kulturën dhe objektin e studimit, por edhe u ndikuan prej tyre deri në modelin e sjelljes dhe mënyrës së jetesës. Kjo gjë u vu re edhe tek Dhosi Liperi. Aq i fortë ishte ndikimi i “Mitologjisë Skënderiane” tek, ai sa ajo u bë pjesë përbërëse e personalitetit dhe botës së tij shpirtërore. Por edhe këtë dukuri personale sociologjike ai u la “hapësirë të tjerëve që ta përshkruanin, por me shumë finesë dhe intuit e la të shkruar si pjesë e testamentit të jetës dhe veprës së tij.

“Duke bredhur në ato vënde, ku ka zhvilluar veprimtarinë e tij titanike në shekullin e 15-të, thekson ai në ligjëratë të drejtë, do të takohesha përsëri me fshatarë të sajueshëm e besoja se edhe tani do të gjeja ndër ta, akoma besimtarë të devotshëm, idhtarë të kultit skënderian, pleq të shtym në moshë, që presin të na kallzojnë çka dinë për Heroin tonë kombëtar dhe plangun e tyre të vyer të na e lënë si amanet të  tyre të fundit; shpresoja që në këtë pelegrinazh të fundit të gjeja gjithçka. Më vinte sikur rrethepërqark meje po endej fryma e Atij e më frymëzonte e më jepte shpirt të ri. Dhe devocioni i adhuruësve të mëdhenj ndikoi fort edhe mbi mua e u bëra dhe unë si ata “adhuruës i madh i Atij”. Derën e gjeta të hapur simbas zakonit e bujarisë vjetër kudo që vajta, gjeta dhe zëmrën tuaj të ngrohtë…nga goja e nga shpirti i juaj mësova gjithçka dinit mbi Skëndërbenë.

-Or tae, më difto xhurmët e Skandërbegjut!

Kam thirrur, e shumë fshatarë, pleq të nderuar e burra të rinj më kanë treguar me dashuri e më kanë shoqëruar për t’i parë edhe unë gjurmët e tij. Janë treguar gjithmonë të gatshëm për të më kallzuar gjithçka dinin ata. Dhe kur të vijë ora ime e të mbyll sytë përgjithmonë dëshiroj që trupi im të prehet majë ndonjë kodre kundrejt fortesës famëmadhe të Krujës”.

Dhe amaneti i tij u vendos në vend. Në 12 nëntor 1968, familja, të afërmit, nxënësit dhe shoqëria e përcollën “punëtorin e palodhur të shkencës”, me nderime të mëdha në varrezat e qytetit të Krujës, përkundrejt kalasë së Skëndërbeut. Mbi varrin e tij sipas amanetit u vu epitafi: Or tae! Më difto xhurmët e Skandërbegjut!

 

I dënuar me heshtje

Një vështrim mbi aspektin historik të veprës “Mitologjia Skënderjane” të Dhosi Liperit; Me titullin imponues, që përbën edhe një risi Liperi, na sjell në këtë botim të mundësuar prej familjes së tij, një punim në stil të gjerë prej 579 faqesh nga studimet e tij etnografike, të cilat me aq kujdes dhe sakrifice, si një punëtor i mirë i ka grumbulluar në kohë dhe hapësirë.

“Kam një eksperiencë të gjatë, se me mbledhjen dhe studimin e tyre jam marrë qysh prej vitit 1929 e kam mbledhur apostafat për këtë qëllim nëpër malësi të Matit, të Dibrës, Mirditës e gjetiu dhe po vazhdoj akoma këtë punë”, theksonte ai në Konferencën e Parë të Studimeve Albanologjike, të mbajtur në Tiranë në vitin 1962 (Po aty. Fq 3).

Ndërkohë që për Skënderbeun, Heroin Kombëtar të shqiptarëve është shkruar dhe janë botuar me dhjetra studime dhe libra të natyravë të ndryshme, duke përfshirë autorë të tillë, që nga Barleti në shekullin e XVI-të e deri te Schmitt-i në shekullin e XXI. Por, me Etnografinë dhe mbledhjen e dëshmive të saj për Skëndërbeun janë marrë pak njerëz. Mund të përmendim Martin Sirdanin (Skëndërbeu Sipas Gojëdhanash) dhe Dhosi Liperin, studimet e të cilit vetëm tanimë po e shohin “dritën” e botimit.