Ndoc Gjetja
DASHURISË
O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj ç’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.
Në jetë më solle kaq shumë dhembje
dhe shqetësime pa mbarim
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.
Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav
Ma ktheve gjuhën në përçartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.
Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Veç të lutem mos më lër…
në atë vend ku ti mungon.
Curriculum vitae
Është qytetar i Republikës së Dreqistanit
I cili pati arritur t’i mundë me radhë
Të gjitha ngasjet që i vijnë në jetë njeriut
Nga tulet e grave dhe paratë e pista.
Ai qysh në rininë e hershme
Pati ëndërruar të bëhet një ditë apostull
Por mbeti një prift i thjeshtë province
Se ferra ia mori një ditë uratën.
Sot i mbështjellur me muzgun e pleqërisë
Mban në dorë penën që puth si kryqin
Sa herë çon meshë për ju dhe veten
Në Kishën Apostolike të Poezisë.
Sikur
Ç’mrekulli do të kishte qenë
sikur të jepnin që sot dorëheqjen
presidenti dhe çdo lloji ministri!
Dhe ta merrte pushtetin
Shpirti.
Gjergj Fishtës
Fort po shndrit e pak po nxeh
kjo e vërteta përmbi dhé!
Në politikën e gjithë krajlive
filli i lëmshit është lidhë nyje,
janë bërë një rrahja e puthja,
janë bërë një paqja e lufta,
janë bërë një tregu e miqësia,
janë bërë një burgu e liria,
janë bërë një gjoksi e shpina,
janë bërë një stomaku e zemra
në zgavër të gjoksit ka hyrë dhelpra
që e lot bishtin te buzëqeshja…
Shqipnia u kthye në Dreqistan
me plehra, smog e duf partish
në sofër të Atmes janë shtruar rrafshit
Palokë Cucat me tërë keqanat
që hanë e pinë me pare të pista
e Dedë Gjon Lulat lëpijnë pjatat…
Për ta gjetur të vërtetën
duhet sot t’i kthesh përmbys
disa mijë vargmale letrash
e çdo fjalë ta thyesh si arren
mos ka brenda varrin tonë.
Por ballë për ballë me dhelpërinë
na mos vdekshim me gungë në shpinë!
Ani se, ani se.
Njëshit
Në rendin e pafund të numrave të plotë
matematikisht, ti je më i vogli
por, ti papritur u bëre i madh
në sajë të zerove që të shkojnë pas.
Ah!
Ah, të kisha gëzime sa ç’kemi partira
Të kisha dhoma sa ç’kemi ministrira
Të kisha shokë sa ç’kemi shefa
Të kisha miq sa ç’kemi gazeta
Të kisha mikesha sa ç’kemi vetura
Ah, të gjithë meshkujt të ishin burra
Të kishim njerëz sa ç’kemi banorë
Veç diellin lart të kishim epror.
Governatorit Ponc Pilati
Zoti Ponc Pilati unë kam përshtypjen
Se vitet e fundit në governën tonë të varfër
Është shtuar përqindja e të sëmurëve psiqikë
Dhe parashikoj një kataklizëm kombëtar
Prandaj me të ardhurat që vilen nga taksat
Shpenzoni pakëz për qetësimin e turmës.
Meqenëse Krishti nuk dihet kur kthehet
Hapni të paktën shtëpira publike.
Epitaf për veten
Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë.
Kur pa që ëndërra kalkulohej me kompjuter
kur pa që idealet rrëzoheshin në kolltuqe
kur jepte buzëqeshje e merrte skërmitje
zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.
Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes
…Pastaj e përcollën te banesa e fundit
me shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës.
Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri: “Nënë”
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.