Procesi/ Ish-guvernatori në Prokurori, firmos procesverbalin, por nuk jep shpjegime

0
201

 Alma Çuka

 fullani ne gjyqHetohet për shpërdorim detyre me pasojë vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankë. Dosjes i është bashkëngjitur edhe akuza për shkelje me procedurat e tenderimit. Dosja shumë shpejt pritet të shkojë në Gjykatë

 Prokuroria e Tiranës njohu dje në orët e para të mëngjesit ish-guvernatorin Ardian Fullani me hetimet dhe faktet kundër tij. Rreth orës 10:00 të paradites, i shoqëruar nga avokati mbrojtës Maksim Haxhia, njëherësh edhe kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Ish-guvernatori Ardian Fullani ka mbërritur Prokurorinë e Tiranës për të firmosur procesverbalin për akuzat e ngritura ndaj tij për shpërdorim të detyrës në vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë. Për rreth 30 minuta qëndroi në zyrën e prokurorit të çështjes Ramadan Troci, me qëllim dhënien e shpjegimeve. Por burime nga Prokuroria bënë me dije se i ish-guvernatori, i cili tashmë është duke u hetuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim. Paraqitja e tij në Prokurori, sipas burimeve, ka lidhje me detyrimin që i ka dhënë Gjykata për të qenë i pranishëm një herë në dy javë pranë organit të akuzës, me qëllim dhënien e shpjegimeve dhe marrjen dijeni për provat e reja, pro ose kundër. Por ish-guvernatori, i cili deri tani nuk ka dhënë asnjë sqarim për akuzën, duke lënë në dosje vetëm argumentet e grumbulluara prej tyre, ka mbajtur të njëjtin qëndrim, atë të heshtjes.

 

Hetimet

Prokuroria e Tiranës vijon ende hetimin ndaj ish-guvernatorit Ardian Fullani, i cili dyshohet për shpërdorim detyre, lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit. Ndonëse hetimet për këtë çështje, thuajse janë drejt fundit, njësia e specializuar task-forcë, në Prokurorinë e Tiranës po kryen një tjetër hetim ndaj ish-guvernatorit, që lidhet me dyshime të forta për abuzime financiare në BSH, si dhe shkelje të kryera gjatë procedurës së blerjes së hotel “Dajtit”, e cila është realizuar me prokurim të drejtpërdrejtë. Aktualisht, Ardian Fullani ndodhet në liri, pasi Gjykata e Lartë i hoqi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe ende nuk i është komunikuar akuzë zyrtare. Ish-numri një i Bankës Qendrore dyshohet për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit. Skandali i vjedhjes së milionave në Thesar shpërtheu thuajse në fund të korrikut të këtij viti, kur Ardian Bitraj, ish-përgjegjës i Arkës Stok, u vetëdenoncua pranë eprorëve dhe rrëfeu se kishte vjedhur miliona lekë. Ai ndodhet prapa hekurave dhe këmbëngul se paratë i vodhi i vetëm dhe se çdo qindarkë e ka humbur në loto sporti. Pavarësisht se prokuroria ka dyshime të forta se gjithçka rrëfen Bitraj është vetëm një alibi, hetimet për të zbuluar destinacionin e parave nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

 

Destinacioni

Sipas organit të Prokurorisë, i pandehuri Ardian Bitraj nuk tregon të vërtetën lidhur me destinacionin e 713 milion lekëve të vjedhura nga arka stok dhe ajo në veprim pranë departamentit të Emisionit në Linzë. Prokurori është ndjerë në vështirësi për të hetuar këtë pjesë, për vet faktin se Bitraj ka përjashtuar nga bashkëpunimi të gjithë kolegët, duke mbajtur përgjegjësinë mbi vete. Ndërkohë një tjetër vështirësi ka lidhje me mosregjistrimin e numrave të serisë për paratë që ndodheshin në arkën stok. Ekspertët e bankës nuk kanë arritur të nxjerrin një përfundim të saktë për shumën e parave, ndërsa organi i prokurorisë ka dyshime se shuma e parave të vjedhura është më e madhe se sa ajo e denoncuar nga goja e të pandehurit Ardian Bitraj, i cili tashmë pritet të dalë para togave të zeza për akuzën e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë në shumë të mëdha. Aktualisht në gjykatë janë duke u gjykuar 15 të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Mes tyre është ish-Inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, e cila në seancën e parë kërkoi veçimin e çështjes nga pjesa tjetër e të pandehurve, duke mos qenë dakord edh m e gjykimin e shkurtuar.

 

 Operacioni/ Mirditori i dënuar për vrasje, kapet me 21 kallëpe eksploziv 37-vjeçari

Kastriot Prenga, 37 vjeç, i lindur në Mirditë dhe banues në qytetin e Durrësit, u vu në pranga pasi u kap në flagrancë me 21 kallëpe eksploziv, në tentativë për t’ua shitur grupeve kriminale. Sasi e eksplozivit, sipas policisë dyshohet se është e llojit C4. Ndërsa bëhet me dije se për të arritur tek burimi i furnizimit të grupeve kriminale me eksploziv, policia ka kryer hetime të përbashkëta me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, prej më shumë se dy muajsh. Arrestimi i 37-vjeçarit, u bë në sajë të operacionit të koduar “Elizeja”. Policia raporton gjithashtu se finalizimi i këtij operacioni u bë i mundur falë hetimeve 2-mujore në bashkëpunim me Prokurorinë Për Krimet e Rënda Tiranë për një rrjet të mirorganizuar që merret me trafikun e lëndëve eksplozive. Lënda eksplozive dyshohet se ishte siguruar në Mal të Zi dhe ishte trafikuar nga ky person për në Shqipëri dhe se një pjesë e saj do të shitej në Shqipëri për llogari të grupeve kriminale vendase ndërsa pjesa tjetër do të trafikohej për në vendet fqinje. Prenga është arrestuar në afërsi të një shkolle, ndërsa lënda eksplozive ju gjet në një valixhe. Sipas policisë, destinacioni i parë ka qenë qyteti i Durrësit dhe më pas Vlora. Dyshohet se një pjesë e eksplozivit C4, do të shitej në tregun vendas dhe pjesa tjetër kishte si destinacion Italinë. Blutë e Vlorës kanë sekuestruar gjithashtu edhe 2 telefona celularë të 37-vjeçarit Prenga. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe implikimin e personave të tjerë.

 

 Kërkesa/ Buxheti për Policinë e Shtetit, i cunguar, Avokati i Popullit kërkon rritjen

Pas rasteve të publikuara në media për mospagesën e orëve shtesë të efektivëve të policisë, Avokati i Popullit i ka kërkuar ministrit të Financave të rrisë buxhetin e policisë së shtetit. Nëpërmjet një shkrese drejtuar ministrit të financave dhe ministrit të brendshëm avokati i popullit bën me dije se qeveria u ka borxh efektivëve të policisë një shumë totale prej 20 milionë lekësh të reja. Sipas Avokatit, edhe pse ka kërkuar sqarime policia e shtetit ka thënë se problemi qëndron por buxheti i planifikuar është i pamjaftueshëm. Për këtë ky institucion kërkon marrjen e masave të menjëhershme për sigurimin e fondeve pasi rasti përben shkelje të të drejtave në marrëdhëniet e punës. Në shkresën zyrtare e cila i drejtohet Ministrisë së Financave dhe për dijeni, ministrit të Brendshëm bëhet e ditur se efektivët e policisë së shtetit prej vitesh nuk u janë paguar orët shtesë, shërbimet suplementare dhe shërbimet për punë të mirë. Problem i pagesave të prapambetura të efektivëve të policisë, nuk ka marrë zgjidhje, edhe pse është njohur me vendim gjykate. Jo në pak raste Avokati i Popullit i është drejtuar me shkresa të posaçme.

 

 Lushnjë/ I burgosuri thyen lejen, nuk kthehet prej katër ditësh

 Një i dënuar nga burgu i Kosovës në Lushnjë nuk është kthyer në qeli. Autoritetet e burgut i kishin dhënë 5 ditë leje të dënuarit Pëllumb Zylalit, por ai e ka shkelur këtë leje e cila përfundonte të premten. Pëllumb Zylali, nga fshati Zharrëz i Fierit, është dënuar për veprën penale të vjedhjes me dhunë në bashkëpunim, dhe i kishin mbetur dhe 8 muaj burgim.