– Çmimet e energjisë së blerë nga OSHEE-ja janë rritur ndjeshëm, ndërsa dy kompani kontrollojnë 79 për qind të tregut
– Kush po e shkatërron sektorin e energjisë elektrike, nën maskën e “mbrojtjes” së tij…
Çmimet me të cilat Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike OSHEE blen energji nga importi pësuan një rritje të ndjeshme gjatë muajit dhjetor duke arritur pikën më të lartë këtë vit, pavarësisht se çmimet e energjisë në tërësi në botë kanë pësuar rënie të ndjeshme gjatë muajit të fundit.
Sipas rezultateve të tenderit të fundit për blerjen e energjisë nga OSHEE, çmimi mesatar për muajin dhjetor arriti në 57 euro për MWH duke u rritur me 6.7 për qind në krahasim me nëntorin dhe me 20 për qind në krahasim me shtatorin 2014.
Në total OSHEE do të paguajë 14 milionë euro për energjinë e blerë me tender për dhjetorin. Siç ka ndodhur përgjatë të gjithë këtij viti, dy kompani, EFT A.G dhe GSA sh.p.k, fituan së bashku 77 për qind të kontratave të OSHEE për dhjetorin. Ky qe tenderi i dytë më i madh që nga muaji mars për nga vlera financiare dhe shuma e energjisë së blerë ndërsa çmimi mesatar i blerjes prej 57 eurosh qe më i larti prej shumë kohësh.
Për periudhën nga marsi i këtij viti deri në dhjetor, OSHEE ka shpenzuar në total afro 105 milionë euro për të blerë rreth 2 miliardë kWh energji elektrike me një çmim mesatar prej 51.7 euro për MWh.
Përgjatë të gjithë vitit, kompania EFT A.G ka dominuar tregun duke fituar në tenderët e çdo muaji dhe duke kontrolluar 55 për qind të tenderëve. Në vend të dytë renditet kompania shqiptare GSA sh.p.k me 23.6 për qind të tregut ndërsa kompanitë e tjera duket se janë mjaftuar me shuma më të vogla.
Tenderët për blerjen e energjisë elektrike nga OSHEE janë akuzuar si tenderë të manipuluar nga kompania GEN-I Tirana e cila ka dorëzuar edhe dy ankesa zyrtare te Autoriteti i Konkurrencës, të cilat u bënë publike nga BIRN.
Në ankesën e 18 shtatorit, GEN-I thotë se “OSHEE i ka siguruar përfitime të jashtëligjshme operatorëve të tregut – EFT dhe GSA – duke kryer të njëjtat shkelje ligjore siç janë përmendur në ankimin e mëparshëm, duke bërë të mundur që EFT dhe GSA të harmonizonin ofertat e tyre (në lidhje me çmimin/sasinë), mbi bazën e shkëmbimit në mënyrë të paligjshme me këta operatorë të të dhënave konfidenciale mbi ofertat e fundit dhe më të mira, të paraqitura nga operatorët e tjerë, ndër to dhe ofertat e GEN-I Tirana Sh.p.k.
Ankesa thotë se tenderët e OSHEE u manipuluan përmes dy metodave kryesore, të cilat u alternuan në muaj të ndryshëm.
Metoda e parë përfshinte vendosjen e ofertave nga EFT dhe GSA, të cilat qenë vetëm pak cent të euros më të ulëta si çmime për MWh se sa ofertat e GEN-I Tirana, duke bërë të mundur eliminimin e konkurrencës.
Metoda e dytë e GSA dhe EFT përfshinte hedhjen e ofertave që qenë shumë më të larta se sa çmimet e tregut në raste ku kishte konkurrentë të tjerë, të tillë si GEN-I Tirana, që po konkurronin për të furnizuar sasi të vogla energjie në krahasim me kërkesat e OSHEE.
Autoriteti i Konkurrencës vendosi në muajin nëntor t’i kërkojë Entit Rregullator të Energjisë dhe OSHEE të rishikojnë metodën e prokurimit të energjisë elektrike duke kërkuar më shumë transparencë.
Komisioni i Konkurrencës ka rekomanduar të rishikohet vendimi 30, datë 23.3.2001 i ERE-s duke specifikuar që pranimi, vlerësimi dhe negocimi i ofertave të kryhet në prani të ofertuesve duke rritur në këtë mënyrë besueshmërinë e procesit dhe konkurrencën ndërmjet ofruesve dhe duke hapur tregun dhe lejuar të gjithë aktorët e tregut (edhe prodhuesit vendas të energjisë) të marrin pjesë në procedurat e tenderit duke e bërë në këtë mënyrë më konkurrues procesin, – tha Autoriteti i Konkurrencës në një njoftim për shtyp më 7 nëntor 2014.
Metoda e dyshimtë e tenderit
Aktualisht OSHEE blen energji elektrike duke hapur një tender dhe duke pranuar oferta fillestare. Pasi merr ofertat fillestare fillon negocimin veçmas me konkurrentët dhe në përfundim të procesit të negocimit, i cili është sekret, shpall fituesit. GEN-I Tirana argumenton në ankesën e saj dorëzuar te Autoriteti i Konkurrencës se ka arsye për të besuar se OSHEE ka bashkëpunuar dhe bashkërenduar ofertat me dy fituesit e zakonshëm të tenderëve, EFT A.G dhe GSA. Të pyetur nga BIRN për këto akuza, EFT nuk pranoi të përgjigjej ndërsa GSA hodhi poshtë pretendimet e konkurrentit. OSHEE nuk pranoi të përgjigjej, por i përballur me këto fakte tetorin e kaluar në një emission televiziv, ish-drejtori i OSHEE, Arben Seferi, pretendoi që BIRN ka ‘gënjyer’ në raportimin e tij dhe se Autoriteti i Konkurrencës e “kishte mbyllur hetimin” ndaj operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Pak javë pas këtij pretendimi, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi hapjen e hetimeve të thelluara në këtë sektor dhe porositjen e OSHEE dhe Entit Rregullator të ndërmarrin masa urgjente për të rivendosur konkurrencën në tregun e importit të energjisë elektrike, një treg që vetëm për tenderët e OSHEE i kushton taksapaguesve dhe konsumatorëve mbi 100 milionë euro.
Më 1 dhjetor 2014, Ministria e Energjisë dhe Industrisë njoftoi se z. Seferi ka dhënë dorëheqjen si administrator i OSHEE “për arsye personale”.
Autoriteti i Konkurrencës sugjeron që formula e tenderit me negocim të fshehtë pas dorëzimit të ofertave duhet të ndryshohet, duke i hapur ofertat në prani të konkurrentëve dhe duke përdorur metodën e emetimit të bonove të thesarit të zbatuar nga ana e Bankës së Shqipërisë. Te bonot e thesarit, ofertat hapen pa negocime pas kuintave dhe pranohen duke filluar nga oferta më e ulët deri te më e larta deri sa plotësohet kuota e kërkuar.
(Marrë nga agjencia investigative BIRN)