Erneta Shevroja
Braçe: Ky ligj nuk synon që të favorizojë shtetas të huaj për anëtarë të KM, favorizon shqiptarët që, për shkak të emigracionit, nuk kanë kombësinë shqiptare
Komisioni i Ekonomisë miratoi dje propozimin e një grupi deputetësh që kërkonin heqjen e kriterit të shtetësisë për zgjidhjen e trupës drejtuese të Bankës së Shqipërisë, guvernatorin dhe Këshillin Mbikëqyrës. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe, argumentoi se kriteri i shtetësisë nuk parashikohet nga Kushtetuta dhe për këtë arsye nuk ka pse të jetë e përcaktuar në ligjin për Bankën e Shqipërisë.
Miratimi
Me miratimin e propozimit në Komisionin e Ekonomisë, mazhoranca i ka hapur rrugë edhe zgjidhjes së një guvernatori të huaj në krye të Bankës së Shqipërisë. Por pavarësisht ndryshimeve ligjore, kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, saktësoi se nuk ka asnjë kandidaturë të huaj për postin e guvernatorit, por janë shqiptarë, që, për arsye të ndryshme, kanë marrë shtetësi të huaj. “Projektligji vjen në Komisionin e Ekonomisë si një nismë e një grupi deputetësh, një pjesë e të cilëve janë edhe anëtarë të këtij Komisioni. Përmes këtij projektligji kërkohet shfuqizimi i fjalëve “shtetas të Republikës së Shqipërisë të parashikuar në pikën 3, neni 44 i ligjit për Bankën e Shqipërisë. Pse propozohet e gjitha kjo? Kushtetua e Republikës së Shqipërisë në nenin 161, pika 2 të saj, përcakton qartësisht se Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet me të drejtë rizgjedhjeje. Pra, siç shihet edhe nga Kushtetuta, kriteri i shtetësisë apo kriteri i shtetësisë shqiptare për guvernatorin, i cili njëherësh është dhe anëtari i Këshillit Mbikëqyrës, nuk rezulton të jetë në Kushtetutë. Për këtë arsye, për të përputhur qartësisht kriteret e Kushtetutës dhe ligjin për Bankën e Shqipërisë, është bërë propozimi i mësipërm, që kërkon heqjen e shtetësisë nga ligji për Bankën e Shqipërisë. Duke e bërë këtë, Kushtetuta dhe ligji për Bankën e Shqipërisë kanë përputhje të plotë sa u përket anëtarëve të KM, por edhe për guvernatorin”, – deklaroi Braçe në Komision. Po ashtu, ai dha edhe një përgjigje lidhur me faktin nëse këto ndryshime i hapin rrugë zgjidhjes së një guvernatori të huaj. Ai sqaroi se këto ndryshime u hapin rrugë shqiptarëve që për arsye emigracioni janë të detyruar të marrin shtetësi të huaj. “Deri në këto momente, – tha Braçe, – nuk ka aplikuar asnjë i huaj për të qenë në krye të Bankës së Shqipërisë. Ky ligj nuk synon që të favorizojë shtetas të huaj për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës, por ky ndryshim mund të favorizojë shqiptaret që për shkak të emigracionit nuk kanë kombësinë shqiptare. Nuk ka asnjë shtetas i huaj që ka aplikuar për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës”, – tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë.