Deputetët e mazhorancës u shprehën dje kritikë lidhur me situatën e linjave ajrore dhe çmimeve që paguajnë qytetarët për to. Në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, ku u diskutua projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për Autoritetin Civil”, ligjvënësit e majtë pohuan se çmimet e biletave të avionëve janë ndër më të lartat në Evropë, duke ngulmuar se situata në këtë linjë nuk është përmirësuar aspak. “Në lidhje me çmimet që shqiptarët paguajnë për biletat e avionëve. Ka qenë një shqetësim e vazhdon të mbetet që ne si shqiptarë paguajmë në dijeninë tonë çmimet më të shtrenjta në Evropë. Do të doja të dija edhe unë dhe komisioni, shkaqet dihen, por do donim të dinim se çfarë po bën qeveria në lidhje me këtë problem që ndeshen shqiptarët”, – tha kreu i Komisionit, Eduard Shalsi. I të njëjtit mendim ishte edhe deputeti tjetër socialist Artan Gaçi, i cili pohoi: “Një shtesë për shqetësimin për tarifat, që i kemi më të shtrenjtat në Evropë. Edhe pas rastit të Belle Air u mendua që do zhbllokohej situata monopol, por u përfundua në një apo dy monopole të tjera. Përveçse janë ulur numrat e fluturimeve, çmimet kanë vazhduar të rriten. Duhet ngritja e linjave ajrore me flamur shqiptar dhe, së dyti, përveç negocimit me kompanitë ajrore, duhet të hapet edhe tema e negocimit me aeroportin e Rinasit që ka tarifat më të larta në Evropë. Sa u përket tarifave dhe operimit të disa kompanive ajrore, këtu kemi të bëjmë me faktorë të ekonomisë së tregut. Ato janë private dhe ato vetë e përcaktojnë linjat që do operojnë, në bazë të kërkesës japin edhe ofertën. Çmimet e larta, jemi të ndërgjegjshëm dhe jemi duke analizua këto faktorë dhe duke prodhuar një raport dhe plan-veprimit për të adresuar problemet dhe shumë shpejt do kemi rezultate pozitive”, – tha shefi i kabinetit të ministrit të Transporteve Krist Lenekeri. Ndërkaq, shqetësimit të deputetëve për personat që janë punësuar më parë ose pas ligjit të nëpunësit tek Autoriteti Civil, përfaqësuesja e institucionit iu përgjigj duke pohuar: “Në bazë të ligjit të nëpunësit, punonjësit që janë emëruar para datës 26 shkurt, do t’u nënshtrohen përcaktimeve të nëpunësi civilë. Nëse ka të rekrutuar pas datës 26 shkurt, prapë ligji i nëpunësit civil për këta persona që duhet t’u nënshtrohen procedurave të hapura të konkurrimit. Ndryshimet e ligjit të autoritetit janë në linjë me përcaktimet e ligjit të nëpunësit”.