Vendimi/ Apeli nuk ndryshon vendimin, Shqipëria humbet në tavolinë 3-0

0
196

Jurges Veizaj

Shqipëria nuk ka arritur të ndryshojë asgjë në Apel, pasi, sipas vendimit të Gjykatës, ndeshja është humbur në tavolinë dhe droni ka qenë një “provokim”

trazirat serbi Asnjë rreze dielli në gjykimin e Apelit. Vendimi për ndeshjen Serbi-Shqipëri ka qenë i njëjti më atë që dha Komisioni i Disiplinës, duke i mbajtur të dyja skuadrat në të njëjtin pozicion. As pala shqiptare, as ajo serbe nuk kanë arritur të ndryshojnë gjërat dhe e drejta për kombëtaren shqiptare duhet të presë Gjykatën e Arbitrazhit. UEFA konfirmoi dje në faqen zyrtare se Komisioni i Apelit ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për t’i marrë tri pikët nga ndeshje Serbi-Shqipëri dhe kësisoj ka mbetur vendimi i parë që dënon kombëtaren tonë me disfatë 3-0 dhe Serbinë me marrje të tri pikëve. Pala shqiptare ka kërkuar tri pikët në tavolinë pas terrorit ndaj lojtarëve në fushë që pamundësoi kthimin e tyre në fushë por UEFA vendosi të mos e kthente vendimin. “Komisioni i Apelit u mblodh sot, pas apeleve të bëra nga Federata e Futbollit të Shqipërisë dhe Federata e Futbollit të Serbisë kundër vendimeve të marra nga Komiteti i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s (CEDB) më 23 tetor në lidhje me disa incidente që ndodhën në kuadër të ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Evropian në grupin I mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u luajt në Beograd me 14 tetor. Apeli i FSHF-së është refuzuar. Vendimi origjinal i komisionit të disiplinës kësisoj mbetet në fuqi. Komisioni i Apelit i UEFA-s ka vendosur ta konfirmojë ndeshjen e lartpërmendur si të humbur për Shqipërinë. Për pasojë, FSHF e ka humbur ndeshjen 3-0. Gjithashtu, FSHF është dënuar me 100 mijë euro. Apeli i Federatës Serbe gjithashtu është refuzuar. Si pasojë e kësaj, vendimi origjinar i Komisionit të Disiplinës mbeti në fuqi. Komisioni i Apelit i UEFA-s ka vendosur edhe një herë fitoren në tavolinë për serbët dhe më pas u hoqi këto pikë. Gjithashtu, Federata Serbe është riurdhëruar që do të zhvillojë dy ndeshjet e radhës në garat e UEFA-s si vendase me dyer të mbyllura dhe është dënuar me 100 mijë euro”, – shkruhej në komunikatën e UEFA-s. Janë dashur mbi 6 orë mbledhje dhe një ditë e tërë pritje që Komisionit i Apelit i UEFA-s të dalë në këtë vendim. Komisioni u mblodh që në orën 09:00 të mëngjesit të së martës dhe pasi ka dëgjuar argumentet juridike të palëve të përmbledhura në material me fakte, video dhe foto si dhe është njohur me deklaratat e drejtuesve të ndeshjes është tërhequr për të marrë një vendim rreth orës 16:00. Në orët e mbrëmjes erdhi edhe vendimi i hedhjes poshtë të apelit të palës shqiptare që ezauron në këtë mënyrë të gjitha tentativat e FSHF-së për të gjetur drejtësinë në organet juridike të UEFA-s. Tashmë FSHF do të nisë procedurat për ankimimin e çështjes në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, që përbën dhe shkallën e fundit të drejtësisë sportive. Fitorja ishte një e drejtë që duhet të na kthehej, për mënyrën se si shkuan ngjarjet në atë ndeshje. Kurse nga krahu tjetër serbët e harruan argumentin e provokimit dhe se kanë qenë ata të dhunuarit, duke pranuar edhe kështu në mënyrë indirekte që ishin lojtarët kuqezinj ata që u prekën nga huliganët. Tashmë synimi i Federatës Serbe në Apel ishte që të ketë edhe një herë mundësinë të riluajë ndeshjen, pa tifozë. Një favorizim i madh që mund t’u bëhej serbëve, të cilët, edhe pse treguan paaftësi në organizim, të marrin dhuratë riluajtjen e ndeshjes. Lajmi për synimin e palës serbe u bë i ditur disa kohë më parë nga zv.presidenti i FSS, Goran Milanoviç, i cili në një intervistë për mediat e vendit të tij theksoi se Serbia ka mbetur e pakënaqur nga vendimi i Komisionit të Disiplinës së UEFA-s. Milanoviç pranoi në mënyrë indirekte se ndaj futbollistëve shqiptarë është ushtruar dhunë, teksa u shpreh se nuk është normale që takimi i tetorit të vitit të ardhshëm të luhet me tifozë dhe futbollistët serbë të përjetojnë sërish ato momente si në sfidën e Beogradit, që nuk i shkonin përshtat një stadium që është ekzemplar për këto skena në futbollin evropian. Kurse nga krahu tjetër Shqipëria nuk arriti që të fitonte asnjë nga pretendimet, duke qëndruar në të njëjtin stad. Tani duhet parë edhe lufta juridike në KAS që do të vendosë fundin e kësaj telenovele futbollistike. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv është një organ krejtësisht i pavarur nga UEFA dhe te ajo vareshin që në fillim shpresat më të mëdha të shqiptarëve për të gjetur drejtësinë e munguar dhe të marrë fitoren në tavolinë pas dhunës së papranueshme që kombëtarja shqiptare pësoi në stadiumin e Partizanit të Beogradit në 14 tetor.

 

Goli i Balajt, në pesë më të bukurit të Euro 2016

Federata Evropiane e Futbollit në faqen e saj zyrtare ka publikuar pesë golat më të bukur të shënuar deri tani në kualifikueset e France 2016. Goli i Bekim Balajt në sfidën me Portugalinë konsiderohet nga UEFA një nga finalizimet më spektakolare të fazës eliminatore të Euro 2016. Qeveria e futbollit evropian në faqen e saj zyrtare ka publikuar pesë golat më të bukur të shënuar deri tani në kualifikueset e France 2016, ku finalizimi i shkodranit të Slavias së Pragës, renditet përkrah rrjetave të Gareth Bejlit dhe Iskos. I pesti në radhë, sipas FIFA-s, është ekzekutimi perfekt nga goditja e lirë e Bejlit në fitoren 2-1 të Uellsit në kundër Andorrës, e zhvilluar më 9 shtator, më pas vjen goli i Balajt në suksesin 1-0 të kuqezinjve me Portugalinë në Aveiro. I treti në radhë renditet goli spektakolar i Besart Abdurrahimit më 9 tetor, në takimin Maqedoni-Luksemburg, që u dha fitoren maqedonasve në kohën shtesë. I dyti pozicionohet goli i Bilal Kisës, në takimin Letoni-Turqi, i luajtur më 13 tetor, ndërsa finalizimi më i mirë konsiderohet ai i Iskos në fitoren 3-0 të Spanjës me Bjellorusinë më 15 nëntor.

 

 Federata Shqiptare paralajmëron Partizanin për ndeshjen me Tiranën

 Federata Shqiptare e Futbollit ka paralajmëruar klubin e Partizanit se duhet të ketë shumë kujdes në menaxhimin e derbit me Tiranën i programuar për t’u zhvilluar të hënën e ardhshme në stadiumin “Qemal Stafa”. Shefi i Garave në qeverinë e futbollit, Besnik Çela, në një takim që ka pasur me drejtues të të kuqve, ka këmbëngulur në faktin se në stadium nuk duhet të ketë asnjë tifoz të Tiranës, pasi në të kundërt, në rast të trazirave të mundshme, përgjegjës për çdo situatë të krijuar do të jetë klubi organizator, në këtë rast Partizani. Pas paralajmërimit të marrë nga FSHF, drejtuesit e 15 herë kampionëve të Shqipërisë po studiojnë të gjithë mekanizmat për të shmangur hyrjen e tifozëve bardheblu në stadium, qoftë në mënyrë sporadike në sektorët ku do të jenë të vendosur me shumicë mbështetësit e Partizanit. Klubi i kuq nëpërmjet një njoftimi zyrtar bëri të ditur se ne treg do të hidhen bileta vetëm për tifozët e Partizanit, në respektim të vendimit të komisioneve juridike të FSHF-së, për të mos lejuar futjen në stadium të fansave të Tiranës. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se sa do të funksionojnë masat e marra Partizani, në një kohë kur askush nuk mund ta ndalojë një tifoz të Tiranës të blejë biletë sikur të ishte mbështetës i formacionit të Shpëtim Duros.

 

 Spanja kërkon përjashtimin e ultrasve nga stadiumet

Spanja do të kërkojë që grupeve të tifozëve të dhunshëm, që njihen si “ultras”, t’u ndalohet hyrja nëpër stadiumet e futbollit pas vdekjes të tifozit të Deportivo La Korunjas në përleshjet me tifozët e Atletiko Madridit. Nëpërmjet një komunikate zyrtare, qeveria spanjolle ka kërkuar një dënim të tillë për “ultrasit”. Francisko Romero Taboada (43) është dashur të nxirret nga liqeni i ngrirë Manzanares, që gjendet pranë stadiumit “Vicente Calderon” të Atletikos të dielën në prag të ndeshjes së kampionatit. Ai kishte ndërruar jetë për një kohë të shkurtër si pasojë e sulmit kardiak, hipotermisë dhe lëndimeve që i ka marrë në kokë. Gjithë problemi kishte filluar në orën 09:00, kur të dyja grupet e tifozëve ultras, të Atletikos një njërën anë dhe të Deportivos në tjetrën, kishin organizuar një përleshje në rrugë. Këtu morën pjesë edhe “ultrasit” e skuadrave të tjera nga Madridi, si ata të Rajo Valekanos dhe Alkorkonit. Policia ka identifikuar grupet si “Riazor Blues” (Deportivo), “Frente Atletico”, “Bukaneros” (Rajo) dhe “Alkor Hololigans” (Alkorkon) për problemin që ka ngjarë. Natyrisht pjesëmarrës ishin edhe ata të Atletiko Madridit, të cilët fajësohen për organizim të përleshjes para ndeshjes mes skuadrës së tyre dhe Deportivos që përfundoi me fitoren e vendasve (2:0).Policia ka arrestuar mbi 20 persona dhe po mundohet të identifikojë fajtorët kryesorë për vrasjen e tifozit të Deportivo La Korunjas. Skuadrat e mëdha spanjolle kohët e fundit po kanë probleme të mëdha me “ultrasit”, të cilët po i paralajmërojnë me masa të ndryshme. “Kemi marrë një propozim që të përpilojmë një listë të grupeve ‘ultras’, të cilat nuk do t’i lejojmë të futen nëpër stadiume. Këtë kërkesë e kanë bërë skuadrat, të cilat tashmë një kohë të gjatë po kanë probleme me ‘ultrasit’ e tyre”, – ka thënë Miguel Kardenal, sekretari i sportit të Spanjës.”Duam t’i eliminojmë një herë e përgjithmonë këto elemente radikale prej vendeve ku luhet futbolli. “Ultrasit” nuk kanë vend as në stadium e as jashtë stadiumit. Ata duhet të eliminohen”, – shtoi ai.

 

 Barcelona shikon ofertat për Mesin

Barcelona raportohet se po analizon ofertat e fundit për superyllin Lionel Mesi. Dy klubet e mëdha angleze, Çelsi dhe Mançester Siti, janë të lidhura me transferimin e asit argjentinas, madje mediat e huaja kohëve të fundit kanë raportuar se “blutë” e Londrës dhe kampionët në fuqi janë të gatshëm t’i investojnë hiq me pak se 200 milionë euro për blerjen e katër herë fituesit të “Topit të Artë”. Sipas “Cadena Cope”, presidenti i katalanasve, Josep Maria Bartomeu, është përgatitur për të shitur sulmuesin argjentinas, i cili është duke kaluar një super-sezon. Thuhet se Bartomeu u ka thënë agjentëve të klubit për të shikuar interesimin e klubeve evropiane për Mesin. Por, krahas Çelsit e Sitit, edhe Mançester Junajtid, PSG e Arsenali janë duke e vëzhguar situatën e lojtarit argjentinas.

 

 Lorente: Pirlo, legjendë

Sulmuesi spanjoll Fernando Lorente ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij Andrea Pirlo, të cilin e ka cilësuar atë si një nga më të mirët në histori për pozitën e tij. Në ndeshjen e fundit ndaj Torinos, Pirlo i dhuroi 3 pikët skuadrës së tij, me vetëm 8 sekonda pa përfunduar ndeshja. “Sinqerisht, mendova se kjo do të ishte një ndeshje e pamundur për të fituar, por Pirlo na dha një mrekulli. Në rolin e tij, ai është një nga më të mirët në histori”, – ka thënë spanjolli. “Fitore si kjo gjithmonë japin vetëbesim. E shijova një të hënë të mrekullueshme. Ishim me 10 lojtarë dhe përsëri luajtëm për fitore, pasi që ne në Juventus besojmë në vete. Është një nga sekretet tona për sukses. Përgëzime për Torinon, e cila na dha probleme më shumë se cilado skuadër këtë sezon”, – ka deklaruar Lorente.