Ervin Kaduku
– Çmimi për konsumatorët familjarë është kërkuar në një bllok dhe në nivelin 11.08 lekë për kilovat-orë
– Për bizneset do të jetë mesatarisht 12.83 për industrinë dhe shërbimet
– Tarifa do të jetë më e lartë për institucionet buxhetore
Enti Rregullator i Energjisë do të organizojë sot seancën dëgjimore me palët e interesit për aplikimet e tre operatorëve të energjisë për tarifat për vitin e ardhshëm. Ndërkohë, dje ERE ka publikuar tabelat e konsoliduara sipas kërkesave të KESH, OST dhe OSHEE. Nga tabela rezulton se çmimi për konsumatorët familjarë është kërkuar në një bllok dhe në nivelin 11.08 lekë për kilovat-orë, ndërkohë që për bizneset do të jetë mesatarisht 12.83 për industrinë dhe shërbimet dhe më e lartë për institucionet buxhetore.
ERE ka publikuar njoftimin “Mbi publikimin e aplikimeve për tarifa te shërbimeve të energjisë elektrike si dhe tarifat e shitjes për konsumatoret për vitin 2015”.
Në zbatim të ligjit nr. 9072 dt. 22 maj 2003 “Për sektorin e energjisë elektrike” (i ndryshuar), (neni 26) kompanite publike KESH sh.a., OST sh.a. dhe OSHEE sh.a kanë aplikuar pranë ERE-s për miratimin e tarifave të reja të shërbimeve të energjisë dhe çmimet e konsumatorëve fundorë për vitin 2015.
Bordi i Komisionerëve të ERE, bazuar në ligjin e sipërcituar si dhe në rregullat e praktikës dhe procedurat e ERE-s”, ka miratuar fillimin e procedurave për shqyrtimin e këtyre aplikimeve për miratimin e tarifave të reja.
Bazuar në nenin 21/7/b të “Rregullave të praktikës dhe procedurave të ERE-s”, miratuar me vendimin e Bordit të Komisionerëve të ERE-s nr. 21, datë 18 mars 2009, informojmë publikun me të dhënat e këtyre aplikimeve si më poshtë:
Familjarë 11.08 lekë/kWh
Industria 13.51 lekë/kWh
Furra buke 9.56 lekë/kWh
Buxhetorë 17.56 lekë/kWh
Bankat rritin fitimet si 10-mujor
Sistemi bankar arriti një rezultat financiar mjaft pozitiv edhe për 10-mujorin, me një fitim prej 7.9 miliardë lekësh. Niveli i kredive me probleme u ul lehtë në 24.7%, nga 25% që kishte qenë në shtator. Sistemi bankar konfirmoi një rezultat të lartë financiar edhe për muajin tetor. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, për 10-mujorin fitimi prek shifrën e 7.9 miliardë lekëve ose 56.5 milionë eurove.
Kjo shifër tregon një rënie të lehtë krahasuar me fitimet e 9-mujorit, por është gjithsesi një rezultat shumë më i mirë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur sistemi bankar rezultonte me humbje. Një zhvillim pozitiv erdhi edhe në drejtim të cilësisë së portofolit të kredisë.
Kreditimi
Bizneset dhe individët kanë pasur mundësi që të merrnin në muajin tetor kredi në lekë me interesat më të lira në 20 vitet e fundit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e kredisë për të gjithë afatet e maturimit, për huatë e reja që janë dhënë në muajin tetor ishte 7.66%, duke zbritur gati me 1 pikë përqindjeje në raport me një muaj më parë.
Interesat kanë shënuar rënie për të gjithë maturitetet, por më e fortë ka qenë për huatë deri në 6 muaj, që janë ulur me 1.5 pikë përqindjeje në 7.86%.
Kreditë 1 deri në 3 vjet janë reduktuar me 1.1 pikë përqindjeje në 10.47% në tetor, në raport me një muaj më parë.
Edhe huatë që jepen me afat kthimi deri në një vit janë ulur me rreth 0.8 pikë përqindjeje në 6.8%.
Tre vitet e fundit, në përpjekje për të nxitur ekonominë, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë agresive monetare, me synim uljen e kostos së parasë, veprime që janë reflektuar e një fare vonese në treg. Nga shtatori i vitit 2011, norma bazë është ulur 13 herë, nga 5.25% në 2.25% aktualisht. Në krahasim me shtatorin e vitit 2011, interesi mesatar i kredisë ka rënë me 3.7 pikë përqindjeje (nga 11.39% në 7.66% në tetor).
Ndërkohë kredia nuk po gjallërohet me ritmet e pritshme, teksa faktorë të tjerë përveç kostos së monedhës ndikojnë në kërkesën dhe ofertën për hua, si niveli i lartë i NPL-ve, që i ka bërë bankat më të kujdesshme, ekonomia e dobët që çon në mungesë të projekteve dhe investimeve nga biznesi etj.
Kredia për korporatat tjera jo financiare, që përbën 67% të huasë në total të dhënë nga bankat, ishte 371.5 miliardë lekë në tetor, duke rënë lehtë me 557 milionë lekë në krahasim me një muaj më parë, si rrjedhojë e uljes së kredisë në valutë.
Kredia e keqe
Shkalla e kredive me problem u ul lehtë në 24.7%, nga 25% që kishte qenë në fund të Shtatorit. Ndonëse shkalla e kredive me probleme ngelet e lartë, prej rreth një viti ky tregues së paku është stabilizuar, me një ndikim të dukshëm edhe në përfitueshmërinë e sistemit.
Kthimi nga kapitali, tregues që mat fitimet kundrejt kapitalit aksioner, për 10 muajt e vitit ishte 11%, shifër mjaft e mirë, duke marrë në konsideratë dobësinë që po kalon ekonomia. Sektori bankar vazhdon gjithashtu të ketë nivele të larta të kapitalizimit.
“KURUM” blen 60% të aksioneve të “Channel One”. Nis bashkëpunimin me “Yldon Media Group”
Kompania turke “KURUM Holding Albania” zgjeron investimet në Shqipëri hyn dhe në botën e medias. Kompania prestigjioze blen 60% të aksioneve të televizionit “Channel One”, dhe nis një marrëveshje bashkëpunimi me “Yldon Media Group”, ku bën pjesë edhe televizioni “Ora News” dhe radio “Ora News”. Presidenti i kompanisë “Yldon Media Group”, z. Ylli Ndroqi, dhe presidenti i kompanisë “KURUM Holding”, z. Haşmet Bedii Kürüm, firmosën marrëveshjen paraditen e sotme në hotelin “Rogner”, ku u mbajt dhe një konferencë për median.
Presidenti i kompanisë, Hasmet Kürüm, gjatë shpjegoi arsyen përse zgjodhi të hyjë në tregun mediatik shqiptar pikërisht me televizionin “Channel One”, pavarësisht prej ofertave të tjera që ka pasur.
“Ne si “KURUM Holding” kemi një kohë të gjatë dhe jemi përpjekur të hyjmë në një grup mediatik. Menduam se alternativa më e mirë është të blejmë aksionet e “Channel One” pasi mentaliteti i “Yldon Group” me mentalitetin tonë përputhen më së miri”, – deklaroi presidenti i kompanisë “KURUM Holding”, z. Haşmet Bedii Kürüm.
“Shpresoj dhe besoj se vlera jonë industriale me një eksperiencë 16-vjeçare në tregun shqiptar së bashku me eksperiencën e mirë te “Yldon Group” në media do të krijojnë një eksperiencë të shtuar në ekonominë e vendit. Qëllimi ynë është që bashkërisht, duke punuar, të ngremë akoma më mirë pozicionin e “Yldon Group” në media e të bëhemi “Number One” nënvizoi më tej presidenti i “KURUM”. Pas Vitit të Ri kjo marrëveshje pritet të pasohet nga marrëveshje të reja me grupe mediatike në Turqi për të sjellë eksperiencën jo vetëm për “Channel One”, por për të gjithë infrastrukturën e “Yldon Media Group”.
Presidenti i “Yldon Media Group”, Ylli Ndroqi, nënvizoi se bashkëpunimi dhe investimi në teknologji e paanshmëri do t’i shërbejë jo vetëm publikut dhe çon vendin drejt Evropës.
“Ndihem krenar çfarë kam investuar në mediat e mia. Investimet e mia i kanë shërbyer vetëm publikut shqiptar. I gjithë grupi i “Yldon Media Group” ka punuar me qëllimin për t’i shërbyer publikut dhe do t’i shërbejë gjithmonë atij. Uroj që kjo kontratë e shitjes së “Channel One” dhe bashkëpunimi me “Ora News” t’ju shërbejë dhe juve si biznesmen i suksesshëm i kaq viteve në Shqipëri por dhe publikut shqiptar duke qenë i paanshëm në të gjithë programacionin dhe informacionin që jep.
Duke i uruar suksese në botën e medias, duhet t’ju them se bota e medias është interesante por dhe e vështirë. Duhet të jeni të përgatitur se nëse do të bashkëpunoni me zotin Ndroqi, unë kam një slogan: T’i shërbej vetëm publikut dhe media nuk ka gjuhë politike. Jam ambicioz. Dua të shkoj drejt rrugës së Evropës. Nëse investojmë për integrim duhet të investojmë dhe për teknologji. Teknologjia dhe paanshmëria na çon drejt Evropës dhe i shërbejmë më së miri publikut shqiptar”, – nënvizoi më tej z. Ndroqi.