Për herë të parë, 152 vepra të zgjedhura në koleksionin e madh të vizatimit të fondit të Galerisë Kombëtare janë ekspozuar në “100 vjet vizatimi shqiptar”.
Ekspozita është kuruar nga Suzana Varvarica Kuka dhe Artan Shabani. Ato janë krijime të 46 artistëve. Atmosfera e saj, përpos shkaktimit të nostalgjisë për kohët dhe imazhet historike, i propozon publikut shqiptar dhe të huaj, të prekë fillesat dhe përpjekjet kreative të artistëve, të njohë nivelin në rritje të vizatimit shqiptar dhe të dokumentojë gjurmët stilistikore, ku dominojnë ato realiste. Gjatë konferencës për shtyp, z. Artan Shabani, kurator dhe drejtor i GKA, u shpreh se gjinia e vizatimit ka një rëndësi të veçantë në koleksionet e institucioneve të artit pamor në botë, prandaj Galeria Kombëtare e Arteve vendosi të hapte këtë ekspozitë për t’i dhënë vizatimit vlerësimin që meriton.
“Një ekspozitë e përmasave të tilla vjen për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve, pasi asnjëherë nuk i është dhënë një hapësirë ekspozimi kësaj gjinie të artit. Janë rreth 150 vizatime ku vihet re fryma njerëzore, peizazhi, por edhe atmosfera e kohës kur u krijuan, që nga fundi i shek. XIX e deri në vitet `90.
Punët e ekspozuara në këtë ekspozitë nuk do të kthehen dhe të mbyllen në fond, por pasi ekspozita do të mbyll ciklin e saj, një pjesë e këtyre vizatimeve do të bëhen pjesë e linjës së re muzeale që do të ngrihet në GKA”, – u shpreh z. Shabani.
Kuratorja Suzana Varvarica Kuka theksoi se në fondin e madh të GKA-së ruhen rreth 300 punime në vizatim, të cilat janë të realizuara në teknika të ndryshme si: laps, karbon flamastër, bojë kine apo tush e penë mbi letër. Veprat janë të realizuara nga rreth 74 artistë, autorë të fondit të veprave të GKA. “Ne jemi munduar të zgjedhim ata artistë që janë evidentuar më tepër me vizatimin, që në një farë mënyre e kanë parë me më shumë dashuri këtë gjini. Përveç emrave të mëdhenj si: Idromeno, Kodra, Shijaku, apo Buza e të tjerë, u përpoqëm të përfshijmë në ekspozitë edhe emra të rinj, apo artistë të heshtur, pothuajse të panjohur për publikun. Ata janë shumë të rëndësishëm për ne, siç është Dhimitër Theodhori, tre vepra të të cilit i janë shtuar fondit të GKA nga drejtori Artan Shabani, apo edhe emra të tjerë si Hasan Koka, Ibrahim Shehu, Jakup Keraj, Sami Roçi, Kujtim Koprencka, Fotinka Serjani, Zanfira Heta, apo Merita Selimi. Kjo ekspozitë shtrihet në një shekull dhe ndahet në dhjetëvjeçarë, por edhe stilet, shkollat, atmosfera apo temat identifikohen në mënyrë figurative dhe të veçantë nga secili artist”, tha ndër të tjera Suzana Varvarica Kuka. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 Janar 2015.
Për festat e fundvitit në TKOB… yjet e operas në skenë
Teatri i Operas dhe Baletit mbledh yjet e Operas në një mbrëmje gala, që organizohet më 10 dhjetor. Pritet një repertor i pasur me ariet më të bukura nga kompozitorët e njohur, si Verdi, Puçini, Mozart, Bethoven, Belini etj., të interpretuar nga këngëtarë lirik të skenës sonë dhe të ftuar që janë të pranishëm suksesshëm në skenat botërore. “Është gjithmonë kënaqësi kur mirëpresim këngëtarët tanë, ata që janë shkolluar në Shqipëri dhe që janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë nëpër botë me anë të talentit të tyre. Është gjithashtu e rëndësishme që të tregojmë një nga qëllimet tona më të dashura që është pikërisht fakti që dyert e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të jenë të hapura për të tërë, për të mirëpritur talente dhe si në këtë rast ti japi mundësi këtyre artistëve që ta dalin para publikut shqiptar, ata që I kanë duartrokitur të parët”, thuhet në njoftimin për mediat nga zyra e shtypit.
Yjet e Operas do të shoqërohen nga Kori I TKOB, si dhe orkestra e TKOB, e cila nuk mungon asnjëherë do të dirigjohet nga Maestro Noorman Widjaja, dirigjent shumë i talentuar dhe me eksperiencë shumë të gjerë persa i perket veprave operistike. Ai vjen për herë të dytë në TKOB në këtë bashkëpunim të rëndësishëm. Interpretuesit do të jenë: Frano Lufi, Eva Golemi, Linda Kazani, Oriana Kurteshi, Miriam Tole, Alketa Çela, Besa Llugiqi.