Alma Çuka
Volumi i madh i dosjes detyron Gjykatën të tërhiqet për të studiuar materialet për secilin. Vendimi për pranimin ose jo të kërkesës, në seancën e ardhshme. Priten debate dhe kundërshti
Gjykata e Krimeve të Rënda nuk i dha dot zgjidhje seancës së dytë ndaj të pandehurve, akuzuar për krime të kryera në emër të “bandës së tritolit” në bashkëpunim dhe kundrejt pagesës. Në akuzë në këtë proces janë të pandehurit Juljan Sinanaj, i cilësuar si një prej vrasësve më të rrezikshëm e me pagesë, dhe 6 të pandehur të tjerë: Andon Mëhillaj, Marjon Mitro, Ndriçim Gjokona, Albin Mexhaj, Ilir Karçini dhe Genis Mëhillaj. Ky i fundit është ende në kërkim nga drejtësia. Ilir Karçini, Albin Mexhaj dhe Andon Mëhilli kërkuan nga Gjykata të procedohen me gjykim të shkurtuar, duke i shpëtuar në këtë mënyrë dënimit maksimal, nga i cili rrezikojnë shumë. Ilir karçini nuk ndodhej në sallën e gjyqit dhe kërkesa në emër të tij iu transmetua Gjykatës përmes avokatit mbrojtës. Të përfaqësuar nga mbrojtja të pandehurit pranuan gjykimin e shkurtuar, por jo veprën penale. Pra, që do të thotë se pas vendimit të Shkallës së Parë atyre u lind e drejta të apelojnë, me qëllim marrjen e pafajësisë së pretenduar.
Refuzimi
Nuk dihen rrethanat përse Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona nuk kërkuan gjykimin e shkurtuar. Por nga rrethanat e deritanishme kuptohet se pjesa e të pandehurve që e kërkojnë ndihmën e ligjit, e bëjnë këtë për të mos u përballur me dëshmitë e dhëna nga i pandehuri Juljan Sinanaj dhe Ndiçim Gjokona, të cilët dihet se janë marrë në mbrojtje nga drejtësia. Dy të penduarit në këtë proces tashmë kanë zbuluar gjithë skemën e shpërthimeve me tritol si dhe vrasjet e porositura nga pjesa tjetër e të pandehurve. Pasi dëgjoi palët, gjykata vendosi që për këtë seancë të shprehet më 10 dhjetor në seancën e radhës, për shkak të volumit të dosjes penale e cila sipas togave të zeza ky vendim kërkon kohë. Të pranishëm në seancën e sotme ishin disa prej familjarëve të të pandehurve, ndërsa për Genis Mëhillajn, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar gjykata vendosi ta gjykojë atë në mungesë. Organi i Prokurorisë u shpreh kundër kërkesës së të pandehurve për gjykim të shkurtuar. Sipas Prokurorisë, askush nuk mund t’i shpëtojë dënimit maksimal për vepra të rënda penale.
Bashkëpunimi
Dy kushërinjtë nga Vlora, Andon Mëhillaj e Genis Mëhillaj, sipas Prokurorisë, rezultojnë të jenë ndërlidhësit e “bandës së tritolit”, e cila ekzekutonte nëpërmjet vrasësit Julian Sinanaj. Seanca e djeshme ishte e dyta ndaj “bandës së tritolit” ndërsa më 20 nëntor, pas 10 muajsh hetime, vrasësi me pagesë Julian Sinanaj dhe 6 të pandehurit e tjerë janë shfaqur për herë të parë para togave të zeza, nën masa të rrepta sigurie. Vrasësi Julian Sinanaj për herë të parë në gjyq u paraqit me katër “truproja”. Në seancën e kaluar “banda e tritolit” është njohur me akuzat ku në përfundim të këtyre hetimeve ndaj 7 të pandehurve rëndojnë 38 vepra penale.
Vendimi/ Vrau vjehrrin, Gjykata e dënon 20 vite burg, shpall të pafajshme gruan
Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 20 vite burg të pandehurin Kristo Gjino, akuzuar për vrasjen e vjehrrit të tij dhe shpalli të pafajshme bashkëshorten Elefteri Gjino për akuzën e bashkëpunimit. Sipas vendimit të Gjykatës, Kristo Gjino vrau vjehrrin në moshën 91 vjeçare duke e goditur me gurë në kokë, ndërsa në ngjarjen e ndodhur në korrik të këtij viti, nga dëshmia e bashkëshortes së viktimës u përfshi dhe bashkëshortja e të pandehurit, e cila është vajza e viktimës. Jani Koka, 91 vjeç, u qëllua për vdekje të martën e datës 17 korrik në Karahaxh të Delvinës, pas një konflikti për çështje pronësie. Policia e Sarandës për ngjarjen e ndodhur në Karahaxh arrestoi dhëndrin e tij Kristo Gjino, 65 vjeç, për veprën penale goditje me pasojë vdekje, si dhe të shoqen e tij, Elefterinë, 57 vjeçe, për bashkëpunim në veprën penale. Sipas gjykatës vajza e viktimës nuk ka pasur rol në këtë ngjarje, ndërkohë që konflikti ka ndodhur mes tij dhe dhëndrit. Skema e krimit brenda në familje u tregua edh enga vet i pandehuri Kristo Gjino, i cili kërkoi nxjerrjen e bashkëshortes jashtë konfliktit dhe shpalljen e saj të pafajshme.
Incidenti/ Qëllon me thikë dy persona, arrestohet autori
Dy persona janë plagosur me thikë në një lokal në Fushë-Krujë. Nga të dhënat paraprake të policisë bëhet me dije se dy personat e plagosur janë Servete Kaziu, 57 vjeçe, dhe Petrit Gjini, 50 vjeç. Dyshohet se plagosja e dyfishtë ka ndodhur pas një sherri për motive të dobëta në ambientet e lokalit, ndërsa i dyshuari si autor është Surë Curraj, i cili është arrestuar në kushtet e flagrancës. Policia e cila mori menjëherë lajmërimin dhe shkoi në vendin e ngjarjes pohoi se pas arrestimit u bënë të gjitha veprimet procedurale si dhe u mor dëshmia e personit, i cili kreu ngjarjen në lokal. Dy të plagosurit u shoqëruan në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Tropojë/ Arrestohet drejtori i OSHEE-së, vidhte energjinë elektrike
Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Tropojë është vënë në pranga. Rrustem Gjonaj u arrestua në orët e para të ditës së djeshme, i akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike. Arrestimi i tij erdhi në kuadër të një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme elektrike. Pak ditë më parë, Partia Demokratike denoncoi rastin, duke thënë se drejtori i OSHEE-së së Tropojës ka 16 milionë e 900 mijë lekë drita të papaguara. Ndërkohë, bëhet e ditur se operacioni për arrestimet e të gjithë personave që nuk paguajnë energjinë dhe e vjedhin atë, nuk do të ndërpritet. Qindra qytetarë ndodhen të arrestuar për këtë vepër penale, ndërkohë që u është lënë afat për të shlyer detyrimet ndaj KESH-it brenda një periudhe të caktuar.