Jurges Veizaj
Tekniku i Romës u shpreh se vetëm fitorja është opsioni i vetëm i skuadrës së tij, ndërsa mbrojtësi i të kaltërve, Zabaleta, ka shprehur besimin se skuadra e tij mund të triumfojë ndaj Romës
Uruguajani Luis Suarez është shprehur i bindur se skuadra e tij do të fitojë ndeshjen ndaj parisienëve për prestigj, pasi kualifikimi është i siguruar
Liga e Kampioneve luan sot ndeshjet e dyta, që presin edhe biletat e fundit për skuadrat e mbetura, ku do të luhen takime mjaft të rëndësishme. Ajo që ka më shumë rëndësi është ajo e italianëve të Romës dhe Mançester Sitit, që janë në një sfidë direkte për vendin e dytë që u jep kualifikimin, pasi vend i parë është i rezervuar nga Bajerni i Mynihut. Tekniku i Romës, Rudi Garsia, e ka të qartë se llogaritë paraprake mund ta nxjerrin jashtë Champions-it skuadrën verdhekuqe. Për të mos u varur nga takimi mes Bajernit dhe CSKA-se së Moskës, Romës i duhet patjetër fitorja me “qytetarët”. “Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, por kjo ndaj Mançester Sitit për ne është si një finale. Ne kemi qenë në vazon e katërt, ndërsa ata janë kampionët e Anglisë, por falë cilësive tona, kemi këtë mundësi në një “Olimpico” të zjarrtë. Nëse fitojmë, do të jetë diçka e jashtëzakonshme. Kjo përballje për ne i përjashton të gjitha llogaritë, duhet të fitojmë për të siguruar kualifikimin”. Trajneri francez e vlerëson në maksimum kundërshtarin, por beson se Roma e tij do të jetë mes 16 më të mirave të kontinentit. “E dimë që Mançester Siti është shumë i fortë, por ne synojmë të ecim përpara. Duhet të jemi shumë të përqendruar dhe unë jam i sigurt se mund t’ia dalim. Nuk kam nevojë t’i motivoj futbollistët, gjithsesi kjo ndeshje nuk fitohet vetëm me këmbë, pasi duhet edhe zgjuarsi. Aguerro? Më vjen keq që nuk do të jetë në sfidën e Olimpikos”. I motivuar nga krahu tjetër është edhe Pablo Zabaleta, i cili u shpreh se vetëbesimi është i lartë brenda skuadrës së tij, në prag të ndeshjes së Ligës së Kampioneve ndaj Romës. “Sigurisht, mendoj se ne jemi një ekip, ne kemi lojtarë për të mposhtur Romën dhe sigurisht që nëse nuk i mposhtim ata dhe nuk kalojmë më tej, do të jetë keq për ekipin. Vetëbesimi është i lartë për momentin dhe kjo është ajo çfarë ne kemi nevojë kundër Romës dhe për ta fituar ndeshjen. Ne e dimë se është një ndeshje vendimtare e Ligës së Kampioneve për të kaluar në rundin ardhshëm. Roma gjithmonë është një vend i vështirë për të udhëtuar dhe për të fituar. Ata janë një ekip shumë i mirë dhe ata janë të dytë në ligën italiane. Do të jetë një atmosferë e shkëlqyeshme në Romë, veçanërisht pasi ata janë me numër të njëjtë pikësh dhe për ta nëse kalojnë tutje do të ishte një arritje e madhe”, – ka thënë Zabaleta.
Suarez: Ndaj PSG-së fitojmë për imazh
Blerja e merkatos së verës për Barcelonën, Luis Suarez, ka deklaruar se Barcelona është e detyruar të fitojë ndaj Paris Sent Zhermenit për çështje imazhi, në mënyrë që të mbyllë fazën e grupeve në vendin e parë. Sfida e “Camp Nou”-t do të ofrojë një duel spektakolar të numrave 9, me Zllatan Ibrahimoviçin, që ka llogari të hapura me Barcelonën, por sulmuesi ururguajan do të ketë përballë edhe bashkëkombasin e tij, Edinson Kavanin. “Vendi i parë në grup varët vetëm nga ne. Pavarësisht se kemi humbur në Paris, fitorja në fushën tonë na siguron vendin e parë si dhe një kundërshtar më të lehtë në fazën e një të tetave. Shpresoj që të shënoj golin e parë në “Camp Nou”. Në radhë të parë, duhet ta mbyllim të parët fazën e grupeve për çështje imazhi, pastaj për të shmangur skuadrat më të forta në short”. I pyetur për garën e Topit të Artë, Suarez mendon se Mesi mbetet favorit. “Mesi, për mendimin tim, është favorit për të fituar Topin e Artë. Realisht nuk e kam idenë se kush mund ta fitojë. Nojer vjen si kampion bote dhe ka treguar se është një portier i madh. E gjithë bota e di se çfarë ka bërë dhe se çfarë po bën gjatë këtij viti Kristiano Ronaldo, por unë nuk kam asnjë dyshim, Leo e meriton këtë çmim, edhe pse gjatë 2014-ës ka vuajtur shumë nga ana fizike. Unë jam në të njëjtën moshë me Mesin, por ai ka shënuar dyfishin e golave të mi”.
Ronaldo dhe Mesi, të vështirë në Itali
Fernando Lorente ka deklaruar se Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo nuk do të shënonin aq lehtë, në rast se do të luanin në futbollin italian. Dy superyjet e futbollit modern vazhdojnë të konsiderohen më të mirët e dhjetëvjeçarit të fundit, mirëpo sulmuesi i Juventusit mendon se ata nuk do të shënonin aq shumë gola në Serinë A, ku mbrojtjet janë të forta. “Mesi dhe Ronaldo janë lojtarë nga një planet tjetër, por do të doja t’i shihja në Itali. Mbrojtjet janë shumë të ngjeshura këtu, me shumë lojtarë prapa topit, prandaj do të ishte shumë më vështirë për ata që të shënonin gola”, – ka deklaruar 29-vjeçari për “Cope”. Lorente kaloi te Juventusi në verën e vitit 2013 nga Atletik Bilbao dhe është i njohur si me futbollin spanjoll, ashtu edhe me atë italian.
Sampdoria hedh sytë nga Cikalleshi
Sokol Cikalleshi mund të jetë blerja e radhës te skuadra e Sampdorias. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare prej kohësh është në lupën e ekipit xhenovez dhe, sipas gazetarit Xhanluka di Marcio, lojtari pëlqehet shumë nga trajneri Sinisa Mihajloviç. Di Marcio, gazetar i “Sky”-it në Itali dhe ekspert i transferimeve të futbollistëve, deklaroi gjithashtu se disa futbollistë të Partizanit kanë cilësitë e duhura për të luajtur edhe në kampionatin italian. “Më pëlqeu Nderim Nexhipi. Lojtar me shumë cilësi, por normalisht është 30 vjeç dhe tani është e vështirë që në këtë moshë të luash në Itali. Gjatë një bisede që pata me të, ma tha hapur se e kishte pasur ëndërr që të luante në Itali”, – u shpreh Di Marcio. Më tej ai deklaroi se Rrahmani dhe Fejzullahu i kishin lënë përshtypje shumë të mira. “Fejzullahu është gjithashtu një lojtar që ka potencial dhe që mund të luajë në Itali, po ashtu edhe Rrahmani. Është një djalosh i datëlindjes 1995 dhe ka mundësi të mëdha për t’u përmirësuar akoma më shumë”, – u shpreh Di Marzio.
Karrager: Murinjo, mjeshtër i vonesave
Ish-mbrojtësi i Liverpulit, Xhimi Karrager, thotë se Hoze Murinjo është mjeshtër i humbjes së kohës, pasi ky i fundit kritikoi Njukastëll Junajtidin për të njëjtën gjë. Murinjo u ankua se djemtë që mbledhin topat në stadium dhe tifozët vendas kishin zbatuar taktika për të vonuar kohën, në disfatën 2-1 të “bluve” në “St. James Park”. “Ndodhnin gjëra të cilat gjyqtari nuk mund t’i kontrollonte. Ai nuk mund ta ndëshkojë djaloshin që mbledh topa dhe që zhduket, njerëzit në publik të cilët e mbajnë topin ose dikë që hedh topin e dytë në fushë”, – kishte thënë Murinjo. Por Karrager mendon se Murinjo nuk ka të drejtë të akuzojë dikë tjetër, pasi ka përdorur një strategji të ngjashme gjatë fitores 2-0 të Çelsit ndaj Liverpulit në “Anfield” në prill. “Ndoshta këta djem e kanë parë ndeshjen në “Anfield” sezonin e kaluar, kur Hoze Murinjo tregoi mjeshtëri në humbjen e kohës. Ne e kemi ndjekur ndeshjen dhe disi jemi pajtuar me këtë. Është pjesë e lojës, ndodh, ata kishin gjashtë minuta kohë shtesë në fund, ishte shtesë dhe është pjesë e lojës. Siç thashë, ai është mjeshtër për këtë”, – ka thënë ish-lojtari i “të kuqve”.