Kush po tallet me Bankën e Shqipërisë?

0
213

Ervin Kaduku

bsh 2 –  Propozimi i presidentit Nishani për emërimin e guvernatorit të ri po kundërshtohet nga përfaqësues të mazhorancës

–  Tentativë e re për të minuar autoritetin e kreut të shtetit, në kundërshtim me Kushtetutën  

Procesi i përzgjedhjes së guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë duket se do të jetë një proces që do të zgjasë, ku nuk përjashtohet mundësia e adresimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Kandidatura e propozuar nga kreu i shtetit është drejt rrëzimit nga mazhoranca, me argumentin se nuk është respektuar procedura e përzgjedhjes së tij nga radhët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ndërsa mazhoranca paralajmëron rrëzimin e kandidaturës, opozita ka një qëndrim ndryshe.

Sipas deputetit dhe anëtarit të Komisionit të Ekonomisë Sherefedin Shehu, kreu i shtetit ka respektuar të drejtën kushtetuese me mënyrën e propozimit, ndërsa kandidatura në fjalë përmbush kriteret profesionale. Duke analizuar qëndrimet e mazhorancës, Shehu shprehet pesimist rreth mundësisë që kjo çështje të zgjidhet shpejt, pasi një prej mundësive është edhe adresimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese nga ana e kreut të shtetit, nëse kandidatura e tij do të rrëzohet nga mazhoranca.

Pak ditë më parë kreu i shtetit dekretoi Gent Sejkon për postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Në dekretin e tij, kreu i shtetit vlerëson se kandidatura përmbush të gjitha kriteret e kërkuara nga ligji dhe ka një eksperiencë mbi 20 vjeçare në sistemi bankar.

 

Ngërçi

Ashtu sikurse kërkon ligji për Bankën e Shqipërisë, që është ndryshuar madje pikërisht për të shmangur kolapset e mundshme, presidenti i Republikës propozon emrin e guvernatorit të Bankës, që duhet të miratohet më pas nga Kuvendi. Ndërkohë, preferencat e kreut të qeverisë Edi Rama janë dukur tashmë shumë qartë: të jetë një grua, të jetë punonjëse e një institucioni ndërkombëtar, mund të jetë edhe shtetase e huaj. Të gjitha këto të çojnë në një preferencë të saktë mbi Denada Priftin, e cila ka lënë shtetësinë shqiptare në vitin 2011, për të marrë atë gjermane, të një shteti që nuk e pranon dyshtetësinë.

Nuk kuptohet pse Rama ka insistuar kaq shumë në drejtues të mundshëm të BSH që të jenë larguar nga Shqipëria.

Nishani qartazi e ka vënë theksin në një bankier, i cili e njeh mirë sistemin shqiptar, punon aktualisht si drejtues i një banke me kapital të huaj të pranishme në vendin tonë, ka tituj shkencorë të përshtatshëm për postin në fjalë, etj. Por kundërshtimi për emrin, dhe madje fakti që procesi i përzgjedhjes po fokusohet tek shtetësia e personit apo tek ajo se kush ka dhe kush nuk ka të drejtë të zgjedhë guvernatorin, ka lënë shumë pak hapësira ose aspak për dimensionet e tjera më jetike të këtij emërimi. Procesi i zgjedhjes së guvernatorit të ri, kështu si po merr, nuk i jep përgjigje çështjes si do të korrigjohet procesi i administrimit të Bankës Qendrore, çfarë duhet të ndryshojë në sistemin e kontrollit dhe llogaridhënies ndaj institucionit më të lartë si Parlamenti, si do të jetë qasja e tij apo stili i tij ndaj tregut financiar ndaj politikës monetare, si Banka Qendrore do të kontribuojë në ekonominë kombëtare. Sot, ky proces, është banalizuar.

Ndërkohë, mbeten bosh disa vende të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të BSH, mbetet gjithnjë bosh një vend për zëvendësguvernatorin e dytë dhe po ashtu edhe për kryeinspektorin. Këto janë poste kyçe, por duket se dikush është pak ose aspak i interesuar për të rivendosur rregullin në Bankën qendrore të shtetit shqiptar.

Prej kohësh, vendimet e marra nga një Këshill i cunguar, që ka miratuar politika monetare drejt uljes së normës së interesit për të gjallëruar kreditin, nuk po funksionojnë plotësisht, për një sërë shkaqesh që vijnë nga brenda, por dhe jashtë sistemit financiar. Aktualisht, kredia e re, lëviz me shumë pak pikë, duke u bërë një nga pengesat e rritjes së ekonomisë reale, e cila është mjaft e brishtë. Ndaj zgjedhja e guvernatorit të ri, sot duhet të rrahë drejt pjesës më të qenësishme të tij, çka nuk shohim të ndodhë.

Presidenti i Republikës, i cili ka tagrin ligjor dhe ekskluziv për të dhënë emrin e ri, njoftoi më parë se këtë javë do të dilte me një nominim. Në të njëjtën ditë në Kuvend, mazhoranca e majtë bëri lëvizjen e paralajmëruar duke kërkuar ndryshimin e nenit që heq kriterin e shtetasit të huaj të guvernatorit, duke shprehur kështu një “tekë” të Kryeministrit që kandidatura e re të jetë edhe shtetas i huaj, e për të cilin Presidenti ka lënë të kuptohet se nuk e preferon. Më herët, të dyja institucionet, edhe pse u munduan të jenë mirëkuptuese, për shkak të kujdesit me të cilin duhej trajtuar kjo çështje, u kuptua qartë, qoftë dhe nga këto ndodhi të fundit, se do ta kenë të vështirë puqjen në këtë pikë.

Në rast se mazhoranca parlamentare nuk do të bjerë dakord me emrin e presidentit, procesi mund të zvarritet dhe puna mund të shkojë deri në Gjykatën Kushtetuese. Shumica deri tani ka mbajtur qëndrim se ligji për Bankën e Shqipërisë parashikon që emri i guvernatorit të vijë nga njëri prej nëntë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, prej të cilëve asnjë nuk zgjidhet nga presidenti, por nga qeveria, Kuvendi dhe vetë Këshilli. Por më parë presidenti Bujar Nishani ka deklaruar se nuk përcaktohet një kriter i tillë si detyrim dhe, në fakt, emri që ai propozoi si guvernator nuk është aktualisht anëtar i Këshillit Mbikëqyrës.

Konkretisht, ligji është në anën e presidentit. Sipas tij, “të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë: pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi; tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave; një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës”.

 

 Doing Business, mashtrim apo shkëlqim i rremë i fukarenjve

Një muaj më parë shqiptarëve u thanë një lajm të mirë. Vitin e fundit, Atdheu i tyre ishte vendi me përmirësimin me të fortë të renditjes në klimën e biznesit. Plot 40 vende të lëna pas. Jo pa surprizë ditën tjetër, ministra në radhë nxituan ti shpjegonin popullit se Shqipëria po ndryshon. Sihariq nga Banka Botërore, një nga institucionet më serioze në botë. Në fakt, që nga momenti i lançimit të tij 12 vjet më parë, raporti “Doing Business” ka qenë një histori fenomenale suksesi e marrëdhënieve më publikun, kudo në botë. Këtë herë nuk ishte ndryshe. Që nga Zimbabve deri në Shtetet e Bashkuara media raportoi, politikanët reaguan.

Njerëzit e duan konkurrencën, mediat i dashurojnë renditjet të çfarëdo lloji qofshin ato. Nga lista e njerëzve më të pasur në botë, që boton Forbesi deri tek mashkulli me seksi i globit tek revista “Times”. Në të vërtetë krahasimet dhe renditjet janë shumë të dobishme. Ato e bëjnë informacionin me të lehtë për t’u shpërndarë. Për ata që bëjnë politika apo marrin vendime, shpesh ato janë pikënisja më e mirë. Megjithatë, kur rezultatet nuk paraqesin realitetin dhe kur klasifikimi në vetvete bëhet më i rëndësishëm se sa problemet që tenton të fokusojë, renditjet bëhen të rrezikshme.

Por, të krahasosh klimën e biznesit në Maqedoni apo Shqipëri me atë në Zvicër, që në fillim është problematike. Të thuash që Maqedonia është një vend më i mirë për të bërë biznes se Zvicra është lajthitje. Por Banka Botërore e thotë dhe madje e shet atë. Të hapësh një biznes, mund të jetë një procedurë disa ditë më e shpejtë në Maqedoni dhe Shqipëri se sa në Zvicër apo Gjermani. Por kjo nuk ka pikë rëndësie. “Doing Business” është një raport i ngushtë, që bazohet gjithsej në vetëm 10 tregues, shumica e të cilëve madje vlerësohen në letër dhe jo në terren. Për më tepër, renditja e tij lë jashtë shumë faktorë kyç në vendimin e një biznesi për të investuar. Ndërmjet tyre, siguria, madhësia e tregut, stabiliteti makroekonomik, aftësitë e forcës punëtore, sistemi financiar etj. Mbishitja e “Doing Business” mund të jetë e dëmshme. Për shumë arsye. Që nga lartësimi i udhëheqësve si Gruevski apo Putin, deri tek anashkalimi i problemeve të vërteta që kanë njerëzit dhe ekonomia. Kjo nuk ndihmon askënd. Aq më pak qytetarët e varfër të Ballkanit. Ndaj kur shume shpejt të vijë koha që edhe Shqipëria të qëndrojë mbi Gjermaninë në renditje, mos provoni t’ja u thoni investitorëve gjermanë.

 

Rritet çmimi i ullirit në Vlorë, ku shkojnë subvencionet?

Rritet çmimit të ullirit në qytetin e Vlorës në këtë fund vit. Ndryshimi i çmimit me tendence rritje të mëtejshme të ullirit dhe nënprodukteve të tij si vaji i ullirit, reflektohet më shumë në tregun e pakicës. Gjithçka vjen si pasojë e reduktimit ndjeshëm të prodhimit të këtij produkti për këtë sezon, i cili pritej të ishte më i frytshmi, por ka rezultuar e kundërta.

Qarku i Vlorës i njohur për prodhimin e lartë të ullirit, këtë vit duket se ka prodhuar rreth 5000 kv më pak nga sa ishin pritshmëritë e kultivuesve. Drejtori i Bujqësisë dhe Ushqimit Beqir Kashuri thekson se në uljen e sasisë së prodhimit kanë ndikuar kushtet atmosferike. “Parashikimet për këtë vit, pritej të ishte një vit i bollshëm të ullirit, kjo nuk ndodhi për shkak të shirave në maj”, – tha Kashuri

Drejtori Kashuri bën me dije se procedurat e subvencionimit të fermerëve vijojnë, ndërkohë në proces është dhe shpërndarja e granteve të fermerëve përfitues. Ai ka pranuar se ka pasur vonesa në proces, por likuidimet do të vijojnë për përfituesit e 2014 edhe në janar me buxhetin e vitit të ardhshëm për të mos krijuar deficite. “Ka akoma ende që s’kanë marrë ato lekët që i takojnë ligjërisht. Kemi marrë përgjigje nga Ministria se do të likuidohen të gjithë për vitin 2014 dhe do fillojë subvencionet për 2015.” tha ai

Qarku i Vlorës njihet për prodhimit e kultivarëve të veçantë sikurse kultivimet e ullirit, agrumeve dhe sektori i vreshtarisë.

 

Tatimet, risi teknologjike në fushën e deklarimeve

Administrata Tatimore së shpejti do të vërë në funksionim sistemin e ri informatik tatimor. Ky është një sistem modern, bashkëkohor, i avancuar dhe shumë praktik në përdorim, që do të sigurojë ofrimin e një shërbimi më të mirë për tatimpaguesit dhe qytetarët. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve, sistemi i deklarimit elektronik, si pjesë e këtij sistemi, do të ofrojë risi në mënyrën dhe formën e deklarimit të detyrimeve tatimore, të trajtimit të deklaratave tatimore, përfshirjen e disa lloje të reja tatimesh të cilat më parë nuk deklaroheshin në mënyrë elektronike.

Gjithashtu ky sistem synon njohjen me situatën financiare të tatimpaguesve në sistemin tatimor dhe mënyrën e re të administrimit të faqes së kësaj administrate. Zëvendësimi i sistemit ekzistues me sistemin e ri është një zhvillim shumë i rëndësishëm për Administratën Tatimore dhe marrëdhëniet e saj me tatimpaguesit.

Për të njohur dhe bizneset me mënyrën e re të këtij sistemi Administrata tatimore ka vënë në dispozicion video informuese mbi mënyrën e përdorimit të sistemit të deklarimit elektronik E-Filing. Ndërkohë kjo administratë po përgatit edhe publikime të manualeve të reja të përdorimit.

 

 Rritet kostoja e borxhit të brendshëm, interesa më të larta për bonot

Kostoja e borxhit të brendshëm të qeverisë ka marrë një trend rritës sidomos muajin e fundit. Interesi i letrave të borxhit qeveritar pësoi një rritje të mëtejshme në ankandin e djeshëm të bonove të thesarit me maturim 12-mujor, duke arritur ne 3.31 për qind nga 3.30% që ishte interesi në ankandin e mëparshëm.

Rritje shënoi është interesi i bonove me maturim 6-mujor, duke shkuar në 3.16% nga 315 që ishte në ankandin e mëparshëm. Shkak për këtë rritje duket të jetë bërë rënia e interesit të bankave të nivelit të dytë për të investuar në borxhin e qeverisë. Kjo u pa qartë edhe oferta e ulët e bankave ndaj kërkesës së qeverisë. Qeveria kërkoi 9,8 miliardë lekë, nga të cilat bankat ofruan pak më shumë se, 7,4 miliardë lekë. Oferta qeverisë ishte më e madhe edhe për bonot me afat maturimi gjashtëmujor. Nga 5 miliardë lekë të kërkuara u ofruan nga bankat 4.35 miliardë lekë, çka solli është rritjen e normës së interesit.

Kjo është rritja e katërt radhazi e yield-it të bonove 12 mujore (në ankandin e datës 23 shtator, yieldi ishte 3.22%). Burime nga Ministria e Financave kanë pohuar për Monitor se kohët e fundit ata po hasin me një tërheqje të bankave (që janë aktorët kryesorë në tregun e letrave me vlerë të qeverisë) nga blerjet e borxhit afatshkurtër, një strategji që duket se po orientohet nga bankat mëmë.

Nga ana tjetër edhe të dhënat e publikuara nga Shoqata e Bankave flasin për një përshpejtim të strategjisë së bankave me kapital perëndimore në tkurrjen e bilancit të filialit të tyre në Shqipëri.

Shpenzimet për pagesat e interesit të borxhit do të rriten me 5 miliardë lekë për vitin që vjen. Sipas parashikimeve në projektbuxhetin e vitit 2015 shpenzimet për këtë zë do të arrijnë në 51.5 miliardë lekë ose 3.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ministria e Financave parashikon që gjatë vitit 2015 pritet që të ketë një rritje të normave të interesit për instrumentet financiare shtetërore.