Informimi dhe kërkesa e vazhdueshme e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, për një ndërmjetësim të drejtuesve të Bashkimit Evropian duket do të shkojë drejt një përgjigjeje pozitive nga ana e BE-së. Pas takimit të dy ditëve më parë të Kryeministrit Edi Rama me përfaqësues të Parlamentit Evropian, këta të fundit e kanë pasur në fokus të tyre në punimet e dytës së dytë, pikërisht arritjen e një marrëveshjeje mes qeverisë dhe opozitës për rikthimin shumë të shpejtë në Kuvend. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Flenckeinstein, ka lënë të kuptohet se grupimi i djathtë dhe i majtë në PE janë pranë një marrëveshjeje për rikthimin e opozitës në Kuvend. Flenckeinstein ka deklaruar se grupimi i djathtë në Parlamentin Evropian ka bërë disa propozime për një rikthim në fund të këtij muaji të opozitës shqiptare në parlament. Përfaqësuesit e PE-së kanë argumentuar se pjesëmarrja e deputetëve të opozitës në seancat parlamentare është e rëndësishme në vijimin e procesit të reformave. “Mesazhi kryesor është që ne duam të mbështesim procesin e reformave. Mendoj, që për këtë është shumë e rëndësishme, që opozita të marrë pjesë në punimet e Kuvendit. Unë kam bërë disa propozime dhe do t’i diskutoj ato me disa kolegë të Partisë Popullore Evropiane këtë mbrëmje. Ne ndoshta mund të ndihmojmë që Partia Demokratike të ribëhet pjesë e punimeve të Parlamentit. Shpresoj që opozita do të kthehet në Kuvend në fund të këtij muaji”, – u shpreh raportuesi për Shqipërinë, Knut Flenckeinstein. Në punimet e Parlamentit Evropian ka marrë pjesë presidenti i grupimit të majtë, Pitella, eurodeputeti Eduard Kukan dhe Viktor Bostinaru, të cilët përgjatë dy muajve të fundit janë të kontaktuar nga zyrtarët e së djathtës mbi arsyet e bojkotit. Pas gati një jave Parlamenti Evropian pritet të dalë me një deklaratë lidhur me bashkëpunimin shumicë-opozitë. Mes këtyre pikave mësohet se Partia Demokratike ka futur edhe çështjen e dekriminalizimit të Kuvendit.
Djegia e mandateve/ Shehu: Vendimi, personal, nuk do të djeg mandatin, do kthehem në Kuvend
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka shprehur mendimin se periudha 5-muajshe e opozitës jashtë Parlamentit është e mjaftueshme. Shehi dje tha se bojkoti e ka kryer misionin e tij tashmë dhe u ka bërë thirrje aleatëve të kthehen në Kuvend. Kreu i LZHK-së theksoi se shpreson në një kompromis për kthimin në bllok të opozitës në Kuvend, pasi në të kundërt, nëse gjërat shkojnë në ekstrem, vetë ai, por edhe të tjerë do të detyrohen të marrin vendime personale, për të mos djegur mandatet e deputetit, duke u kthyer në Kuvend. “Bojkoti është si greva e urisë, greva nuk është për të vdekur, por për të sensibilizuar”, – tha Shehi. Kreu i LZHK-së ka vlerësuar edhe hapat e mazhorancës për plotësimin e kërkesave të opozitës. Për rikthimin në Kuvend, ngritjen e dy komisioneve dhe ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Ai theksoi se për herë të parë në historinë parlamentare i çoi dy deputetët e saj në Prokurori për incidentin e ndodhur në Kuvend.