Ndëshkimet/ Rama: Krehje në administratë, aksioni i radhës, me “bandat” e ujësjellësit

0
170

Erneta Shevroja

 Kryeministri paralajmëron pezullime: Jo gjueti shtrigash. OSBE: Asnjë zyrtar i dënuar

edi rama antikorrupionArrestimet e deritanishme në punonjësve të OSHEE-së dhe të mbi 200 policëve, për shkak të mospagesës së energjisë elektrike përbëjnë vetëm fillimin. Kështu paralajmëroi Kryeministri Edi Rama dje gjatë një forumi për antikorrupsion. Ai tha se në institucione të caktuara janë të punësuar “banda” që shërbejnë vetëm për të vjedhur. Në një prezantim në plotë 4 orë të politikave antikorrupsion, Rama bëri të ditur se në vijim do të ketë edhe shumë të arrestuar nga radhët e Policisë së Shtetit. Pas aksionit të energjisë, beteja e radhës nga ana e qeverisë do të jetë uji.

 

Aksionet

Për Kryeministrin Rama, lufta kundër korrupsionit nuk është një gjueti shtrigash, por është një luftë për të modernizuar shtetin dhe sistemin. Rama tha se në fund të këtij mandati, qeveria e tij të shikohet si qeveria e modernizimit të shtetit. Dhe për këtë arsye, tha shefi i qeverisë duhet të minimizohet korrupsioni që Rama e shikon tek sistemi dhe jo tek njerëzit. Qëndrimi i Kryeministrit ishte se duhet të ndryshohet sistemi. “Nuk është një drejtor që korrupton një sistem, por është sistemi që korrupton të gjithë drejtorët. Për sa kohë sistemi do të jetë i tillë, për aq kohë, gjithkush do të jetë i cenueshëm, i tundueshëm dhe i korruptueshëm potencialisht. Kështu që, në vazhdimësi do të kemi njerëz të korruptuar”, – tha shefi i qeverisë. Ky ishte argumenti pse njerëzit në administratë dhe ata që nuk paguajnë energjinë dhe më vonë ujin duhet të ndëshkohen me burg. “Në këtë orë po kryhet hetimi brenda Policisë së Shtetit dhe përsëri, shifra është alarmante, e personave që punojnë në Policinë e Shtetit dhe që nuk paguajnë energjinë elektrike dhe që janë debitorë për vite të tëra”, – u shpreh kreu i qeverisë duke vijuar se këto arrestime janë vetëm maja e ajsbergut. “E kështu do të krihen të gjitha institucionet dhe në çdo institucion, në çdo strukturë që mbahet me paratë e atyre që e paguajnë dhe energjinë, që paguajnë edhe taksat, ka individë të cilët janë borxhli ndaj sistemit me vite”, – paralajmëroi Kryeministri.

 

Beteja për ujin

Energjia, tha Rama, është një betejë për jetë a vdekje për ekonominë shqiptare. Beteja e radhës është ajo me ujin. “Kjo e energjisë është vërtetë një gropë shumë e madhe, por ka një gropë tjetër më të madhe se kjo e energjisë, – të cilës i vjen radha më mbrapa, se s’mund t’i vijë radha më përpara, pa sistemuar energjinë, – që është uji”, – bëri të ditur Kryeministri. Në sistemin e ujësjellësit është formuar një gropë e madhe, dhe kjo sipas shefit të qeverisë, ndodh pasi aty janë të punësuar “banditë” që refuzojnë të japin llogari para çdo institucioni. “Një sistem ujësjellësish që administrohet nga “banda” në të gjithë territorin e Shqipërisë. “Banda” të zgjedhurish. Atje nëpër Borde nuk duan t’ia dinë fare as për Kryetar Bashkie, as për politika rajonale. Ndajnë ato sahatet e matësve. Një histori e tmerrshme. Por, përsëri, nuk ka të bëjë me njerëzit. Mund t’i zëvendësosh ata njerëz me njerëz të tjerë, e njëjta gjë do të ndodhi. Ka të bëjë me sistemin”, – u shpreh Rama që si zgjidhje shikon fillimin e zbatimit të reformës së re territoriale. “Dhe duke kaluar në një sistem tjetër, me Reformën Territoriale, ne praktikisht hedhim një hap të madh drejt modernizimit dhe përmes modernizimit garantojmë sistemin nga korrupsioni”, – tha me bindje kryeministri.

 

Raunig: Mbi 400 raste korrupsioni të regjistruara, asnjë zyrtar i dënuar

Ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, i pranishëm në forumin e qeverisë për luftën kundër korrupsioni tha se deri tani nuk ka asnjë zyrtarë të lartë të dënuar. Raunig ka deklaruar se perceptimi i korrupsionit në Shqipëri është i lartë dhe se në 468 raste sipas Ministrisë së Drejtësisë asnjë prej tyre nuk përfshin ndonjë zyrtar të nivelit të lartë. “Edhe pse numri i rasteve të korrupsionit të regjistruar në gjysmën e parë të 2014 është i konsiderueshëm, 468 raste sipas Ministrisë së Drejtësisë asnjë prej tyre nuk përfshin ndonjë zyrtar të nivelit të lartë. Sipas të dhënave nuk ka raste të identifikimit dhe dënimit të zyrtarëve të nivelit të lartë dhe perceptimi i korrupsionit mbetet i lartë”.

 

Të drejtat e njeriut/ Pritja e OSBE-së, flet Rama, Berisha largohet: S’mund të dëgjoja dhunuesin më të madh

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Prezenca e OSBE-së në vendin tonë ka organizuar një aktivitet ku të pranishëm ishin zyrtarët më të lartë të politikës shqiptare, mes të cilëve edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Por prezenca e ish-kreut të PD-së ka zgjatur pak, pasi ai u largua nga aktiviteti i OSBE-së, menjëherë pasi mori fjalën shefi i qeverisë, Edi Rama. Pak minuta më vonë, Berisha bëri të ditur arsyen e largimit: “Nuk mund të dëgjoja dhunuesin më të madh të të drejtave të njeriut”. Largimin Berisha ia kishte komunikuar zëvendësambasadorit e OSBE-së, të cilit i ishte shprehur se detyrohej të largohej, pasi fjalën e kishte marrë dhunuesi më i madh i të drejtave të njeriut në Shqipëri. Në një reagim të mëvonshëm në rrjetin social, ish-kryeministri bëri me dije se largimi i tij ishte një shenjë proteste, pasi Rama “është njeriu që ka shndërruar Shqipërinë në vendin e parë në botë për të paraburgosur, më shumë se Siria e Iraku”. Ndërkaq, gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin e OSBE-së në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Shefi i qeverisë theksoi se OSBE-ja ka barrën e një ure dhe sipas tij, “nuk ka vend më të përshtatshëm për të këmbyer sesa kjo urë, në këmbët e së cilës qëndrojnë të drejtat e njeriut”. Ndërkohë që deputetët e opozitës nuk e kanë ndjekur veprimin e ish-kryeministrit. Përfaqësuesit e opozitës qëndruan deri në fund të fjalës përshëndetëse të Kryeministrit Rama. “Nuk e kisha pritur kurrë që opozita të rrinte dhe të dëgjonte fjalën time dhe falënderoj opozitën që dëgjoi fjalën time këtu në praninë e OSBE-së”, – u shpreh Kryeministri Rama.

 

INSTAT: 78 mijë të punësuar më shumë/ Basha: Me këto gënjeshtra del se qeveria hapi 4 herë më shumë vende pune se Amerika

 Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ironizoi dje shifrat e bëra publike nga Instituti i Statistikave, INSTAT, për hapjen e vendeve të reja të punës të bëra gjatë 2014-ës. Instituti i Statistikave paraqiti shifra zyrtare që tregojnë se gjatë vitit 2014, ka 78 mijë e 844 persona të punësuar më shumë se viti 2013. Ndërkohë, kreu i qeverisë ironizoi të dhënat duke u shprehur se qeveria shqiptare po hap 4 herë më shumë vende pune se sa Amerika, që është një ekonomi në rritje. Shifrat Basha i cilësoi gënjeshtra. “Qeveria e papunësisë thotë se ka hapur në një vit mbi 81 mijë vende të reja pune. Me këto gënjeshtra del se kanë hapur 4 herë më shumë se Amerika. Duke ruajtur raportet e popullsisë amerikanët kanë hapur rreth 7 mijë vende pune të reja për çdo një milion banorë gjatë 2014. Ndërsa mashtruesit e rilindjes paskan hapur mbi 27 mijë për një milion banorë!. A mundet një ekonomi në krizë si e jona të hapë 4 herë më shume vende pune se një ekonomi në rritje si e ShBA-ve? Rrena dhe mashtrim për popullin, punët për vete, ky është realiteti Rama-Meta”, – reagoi Basha në Facebook.