Vendimi i qeverisë/ Legalizimi i banesave, zbardhet pagesa për çdo kat, ja brenda sa ditësh duhet bërë

0
166

Gëzim Saliu

mbledhje qeverieShpenzimet në terren dhe dokumentacioni do të përballohen 30% nga fondi i pagesës së parcelës si edhe nga pagesa e tarifës së shërbimit

 Qeveria përcaktoi dje mënyrën e pagesave të legalizimit të banesave, kohën e pagesës si dhe sa duhet paguar tarifa për çdo kat legalizimi. Përmes vendimit të marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave përcaktohet se të ardhurat për përballimin e shpenzimeve të evidentimit në terren dhe të hartimit të dokumentacionit, për ndërtimet pa leje, të përbëhen nga: a) 30 për qind e fondit të arkëtuar nga pagesa e parcelës ndërtimore si edhe b) të ardhurat e arkëtuara nga pagesa e tarifës së shërbimit, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik dhe të përzier, si dhe nga pagesa e penaliteteve, në masën e vlerësuar nga ALUIZNI, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Vendimi

Sipas vendimit të qeverisë “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”, do të ketë një tarifë të përcaktuar për shërbimin në këtë proces. “Tarifa e shërbimit për legalizim, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, si dhe për objektet e dyta, në kuptim të nenit 25, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, është 8000 (tetë mijë) lekë, për çdo kat të ndërtimit. Për ndërtimet pa leje, me funksion të përzier, subjekti të paguajë tarifë shërbimi, në vlerën e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, vetëm për katin e shfrytëzuar për veprimtari social-ekonomike. Pagesa e tarifës së shërbimit të kryhet brenda 45 ditëve, nga data e njoftimit me shkrim të ALUIZNI-t”, – thuhej në vendim. Më tej, qeveria bëri të ditur se taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre do të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore. “Për zbatimin e kësaj pike, drejtoritë e ALUIZNI-t, të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore, në momentin e dërgimit për regjistrim në ZVRPP, të dhënat e ndërtimeve që pajisen me leje legalizimi”. Ndërkaq për llogaritjen e penalitetit të legalizimit të shtesave të subjektit ndërtues, “si çmim minimal fiskal të përdoret ai i parashikuar në tabelën nr. 1, të miratuar me udhëzimin nr. 2, datë 6.8.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, për vitin 2014””. Nga ana tjetër për ndërtimet në zonat ku nuk ka çmim të përcaktuar, sipas pikës 6, të këtij vendimi, si dhe për ndërtimet në komuna, përllogaritja të kryhet në bazë të mesatares aritmetike të çmimeve në zonat kufitare. Përmes këtij vendimi, qeveria ka shfuqizuar vendimet e mëparshme të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit për legalizim dhe mbledhjen e administrimin e të ardhurave të procesit të legalizimit”, të ndryshuar dhe të ligjit “Për koeficientin e shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim, me destinacion social-ekonomik”.

 

Vendimi i posaçëm/ Ja si do të komunikojnë institucionet mes tyre, Kryeministrisë i kthehet përgjigje brenda 7 ditësh

Qeveria përcaktoi dje me një vendim të posaçëm se si duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, institucionet e administratës publike, se çfarë duhet të përmbajë një kërkesë që ata i bëjnë njëri-tjetrit dhe brenda sa ditësh duhet të kthehet përgjigja. Konkretisht, Kryeministria pret vetëm 3 ditë që t’i jepet përgjigje për kërkesat urgjente dhe 7 ditë, për kërkesat e zakonshme. Sipas VKM-së, “çdo institucion i administratës shtetërore ka të drejtë të kërkojë nga institucionet e tjera të administratës shtetërore të dhëna. Kërkesa në këtë rast duhet të përmbajë: a) organin që bën kërkesën; b) llojin e të dhënave, informacionit apo ndihmës që kërkohet në këto raste; c) arsyet e një kërkese të tillë; ç) argumentimin e urgjencës nëse ekziston dhe d) nënshkrimin e titullarit të institucionit apo personit përgjegjës. Institucioni pritës duhet të kthejë menjëherë përgjigje për kërkesën për bashkëpunim dhe kurdoherë brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, që në rastin e Kryeministrisë janë: kur kërkesa bëhet nga Kryeministria, afati për kthimin e përgjigjes është deri në 3 ditë pune për kërkesat e klasifikuara si urgjente dhe 7 ditë pune për kërkesat e klasifikuara si të zakonshme. Kur kërkesa bëhet nga ministritë, drejtuar Kryeministrisë, afati për kthimin e përgjigjes është deri në 3 ditë pune për kërkesat e klasifikuara si urgjente dhe 9 ditë pune për kërkesat e klasifikuara si të zakonshme.

 

 Raporti i Senatit Amerikan/ Zbardhen torturat e CIA-s kundër terroristëve, rasti i pikës doganore të rreme në Shqipëri

Publikimi i raportit të Senatit Amerikan mbi mënyrat brutale të marrjes në pyetje të CIA-s të të dyshuarve për terrorizëm ka ngjallur reagime të shumta në botë. Aktivistët e OKB-së dhe të grupeve për të drejtat e njeriut kanë kërkuar vënien para përgjegjësisë të zyrtarëve të CIA-s dhe të qeverisë amerikane që kanë lidhje me këto teknika çnjerëzore të marrjes në pyetje. Edhe Presidenti amerikan Obama tha dje gjatë një interviste se tashmë është koha për të ecur përpara dhe që ato teknika të të marrit në pyetje t’i mbeten së shkuarës. Vetë Agjencia Qendrore e Inteligjencës, CIA ka mbrojtur veprimet e saj, që pasuan sulmet e 11 shtatorit 2001, me justifikimin se kanë shpëtuar shumë jetë njerëzish nga sulme të reja. Sipas mediave ndërkombëtare CIA amerikane është ndihmuar edhe nga vende të tjera, për të realizuar procesin e marrjes në pyetje me anë të torturave të personave të dyshuar si terroristë, dhe në listën e këtyre vendeve hyn edhe Shqipëria. Kjo bëhet e ditur në raportin e Senatit amerikan, i cili thekson se Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA, ka torturuar persona të dyshuar si terroristë pas sulmeve të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara, dhe për këtë është ndihmuar nga shumë vende të tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. “CIA dhe autoritete të tjera të SHBA­së nuk kanë vepruar të vetme, por kanë krijuar marrëdhënie me një sërë partnerësh për të ndihmuar në zhvendosjen, torturën dhe arrestimin sekret të atyre që SHBA dyshonte se kishin lidhje me terrorizmin”, – thuhej në raport. Në raportin prej 6700 faqesh, lexohet se një nga vendet qe lehtësuan punën e CIA­s ishte edhe Shqipëria, por nuk sqarohet se ku konsistonte saktësisht “puna” e secilit vend. “Lista e vendeve europiane që ishin bashkëfajtore në fluturimet e fshehta të CIA-S dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme të saj janë: Lituania, Britania e Madhe, Gjermania, Spanja. Portugalia, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Islanda, Austria, Republika Çeke, Italia, Maqedonia Greqia, Qipro, Kroacia, Bosnjë Hercegovina dhe Shqipëria”, – bën të ditur “The Guardian”. Në një pjesë të raportit të përmbledhur në më shumë se 500 faqe, përmendet edhe rasti i njohur i vitit 2004, i arrestimit në Maqedoni të shtetasit gjerman me origjinë libaneze Khalid al-Masri. Pasi nuk u provua se ky person kishte lidhje me terrorizmin, për të shmangur dëmtimin e interesave të SHBA-së, siç thuhet, CIA ka shkuar deri në pikën që ka përdorur pika doganore të rreme në Ballkan për riatdhesimin e Al-Masri në Gjermani. Në raport, vendet në fjalë janë të fshira, por ne media ngrihet dyshimi se mund te jete përdorur Shqipëria. Pas kësaj, Khalid al-Masri, më 28 maj 2004, thuhet se u largua për në Gjermani përmes një aeroporti civil, me linjë të rregullt ajrore. Ai ka marrë nga agjentët e CIA-s edhe një sasi prej 14 mijë e 500 Eurosh, si dhe sendet personale. Ndërkaq në raport thuhet se asnjë nga sukseset e antiterrorizmit nuk i atribuohet teknikave të tilla të ashpra. Oficerët e shërbimeve inteligjente gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve të Al Kaedës kanë përdorur mënyra si lënia pa gjumë e të ndalurave deri në 180 orë, shpesh në pozicione të dhimbshme ose në këmbë.