Dje, në Riga të Letonisë filloi punimet Europan Script Meeting, që do të zgjasë dy ditë dhe është pjesë e eventit ndërkombëtar filmik Riga Meetings. Në mes të projekteve filmike që do të prezantohen është edhe projekti ‘Cirku fluturues’ nga skenaristi dhe regjisori Fatos Berisha dhe producente Vjosa Berisha. Ky projekt gjendet mes 12 projekteve të selektuara nga gjithë Evropa. Eventi dyditor European Script Meeting do të trajtojë 12 projektet e selektuara në tentim të zhvillimit të mëtutjeshëm të tyre përmes ekspertëve evropian të skenarit. Mbi 20 profesionist në fushën e filmit, skenaristë, regjisorë dhe producentë do të kenë mundësi të takohen në Riga dhe bisedojnë gjatë ditëve të ardhshme lidhur me projektet e tyre si pjesë programit të European Script Meetings.
‘Jemi të lumtur dhe krenar që projekti ynë është selektuar dhe do ta prezentojmë para ekspertëve evropian të skenarit. Pas pjesëmarrjes në uorkshopin EAVE on Demand muajin e kaluar, ky është eventi i dytë që projekti ynë merr pjesë, dhe them se jemi në rrugë të mirë ta zhvillojmë dhe përmirësojmë projektin duke e bërë gati për në fazën e prodhimit’ u prononcua nga Riga Vjosa Berisha producentja e projektit ‘Cirku Fluturues’.
European Script Meeting dhe Riga Meetings janë forumet e koproduksionit që mbahet në Riga në datat 10-14 dhjetor dhe organizohen nga Qendra Kombëtare e Filmit e Letonisë dhe Riga International Film Festival. Ndër folësit në panelet e Riga Meetings do të jenë edhe Wim Wenders, Liv Ullmann, Nik Poëell, Agnieszka Holland dhe Nikolaj Nikitin. Riga këtë vit është edhe nikoqire e ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve vjetore evropiane të filmit, Europan Film Awards që mbahet me 13 dhjetor dhe organizohet nga European Film Academy.
Projekti ‘Cirku fluturues’ është koproduksion Shqipëri-Kosovë-Kroaci dhe është mbështetur për zhvillim nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.