Kur Jakomoni deklaronte në Evropë/ Si u bë martesa politike e Zogut me hungarezen, fshehja pas diplomacisë

0
210

martesa politike e Zogut me hungarezenKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” nis publikimin çdo fundjavë të letrave

Nuk resht ky letërkëmbim midis Mustafa Krujës dhe fratit françeskan, At Paulinit, për polemikat e kohës, ndonëse të izoluar tërësisht nga jeta e përditshme shqiptare, duke u ndodhur në emigrim, këto dy personalitete vazhdojnë në gjurmime historike. Kërkimet prej të dyja palëve mbërrijnë në të dhëna apo dilema që edhe një institucion me ekspertë e të paguar, nuk do arrinte të kishte këtë sqimë sqaruese e shpjeguese.

Në këtë letër prifti pukkan, at Paulini i rikthehet trajtesws sw gjuhws shqipe, prejardhjes shqiptare duke iu referuar nje botimi qe pritej te dilte, vlerwsuar si ngjarje linguistike ndwrsa po pakwsoheshin gjuhwtarwt. Nga ana tjetwr, njw rikthim bwhet dhe nw ccwshtjet historike rasti I martesws sw Mbretit Zog, duke iu referuar deklaratave tw Jakomonit nwpwr Evropw, se prapa kwsaj ngjarje fshihen diplomacia e huaj. Kështu, në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

Ramleh, 1 gusht 1954

I dashuni mik,

Letrën tânde me 10 qershuer e kam marrë.

  1. Për librin e Lambertzit bân ashtu si po më shkruen, se s’kam asnji ngutë për tê.
  2. Jam i sigurtë se Treimeri s’ka për t’a përsritun as për t’a përtrimë mâ kërkesën e marrë të tij. Po t’a bâjë s’kishte me merituem as përgjegje mâ.
  3. Shemrija (rivalitetit) e pashkrupull ndërmjet dijetarësh të nji dege më ka habitun të parën herë qi kam pasun rasë me qênë në bashktakim me ta në Shqipní e Italí në kohën e luftës së fundit. Në mituninë t’eme i kam pasë marrë për shênjtën të ksokohshëm qi s’kanë tjetër gjâ në shpirt posë kujdesit me gjetun të vërtetën. Nuk flas për kundrështim mendimesh, qi âsht gjâ krejt e natyrshme, por për procedura të palejueshme me thyem shoqishoqin. Kujtojsha se intrigat bâheshin vetëm në politikë e në tregtí, kurse përfshijkan, mâ mirë me thânë infektuekan si nji mortajë e keqe, të tâna fushat e shpirtit të njeriut. Qe Treimeri qi po dashka me vûmë në index librat e Krahes! E për kê mbandej? Un e dij se nji kategorí gjindsh mund të kenë leje me kënduem deri libra të vûmë n’index prej koxha Kishet katholike, pse gjind të denjë me gjykuem. E Treimeri don me më kshilluem mue mos me u dhânë randsí (për mos me thânë “mos i këndo”) librave të dikuj, por me i dhânë atij vetë nji deshmí in bianco për t’a paraqitun si somma autorità (autoritet me i larte) n’albanologjí! Jo po njiqind herë mâ mirë me qênë njeriu shumë mâ pak i dijshëm, por serjoz e me mênd në krye. Apo nuk të duket edhe tý kështu?
  4. Theorija e origjinës shqiptare si paraindoevropjane (para-indogjermane) dmth. e origjinës pelazgjike âsht ajo mâ e vjetra qi kanë rrahun dijetarët. Por sod s’ka mbetun mâ gati asnji dijetar i sertë (serioz), posë Treimerit e ndonji tjetri, qi mos të ketë pohuem se Ilirët kanë qênë Indoevropjanë e Shqiptarët Ilirë. Hypothes’e ime, e pështetun mbi disa pohime të përgjithshme dijetarësh, se Arbanët mund të kenë qênë nji fis mbë vete, por gjithmonë nji fis indevropjan, e shum’i afër me Ilirët, âsht tjetër gjâ, e dame prej thesës së Treimerit.
  5. Aveniment paska për të qênë botim’ i shpejtë i librit DIE ILLYRISCHE SPRACHE prej Anton Meyerit. Besoj se, së paku mbas titullit, ka me bâmë mâ të madhen bujë të ksaj kohe ndër qarqet gjuhsore. Se âsht e para herë qi botohet nji vepër e posaçme mbi mâ të panjohmen e gjuhve të vjetra. Po më ngjatet dersa të dalë.
  6. Këtu po kemi vapë të madhe simvjet e po drue se do t’a lâmë këtë vênd shi kur n’Evropë të fillojë me bâmë të ftohët! Sa për Amerikë, jam i sigurtë se mund të vete në 1957, kur im bir të ketë fituem të drejtën me marrë shtetsinë amerikane e me tê edhe mue pranë vetes. Der atëherë shpresoj se edhe motra do të ketë gjetë vênd në kuotën normale. E ndoshta do të na vijë rendi të dyve në këtë mënyrë edhe para ‘57-tës.

           Miqsisht e me shumë shëndet, i yti

                     Mustafa

 

 

Graz, me 16 Gusht 1954

Shum i dashuni Mik,

E mora letren e dashun. Kso here po filloj mejherë me ndoj pyetje, pse ka dit qi nuk Të kam bâ kurrnji.

1) Kúr Serbt në luftë I botnore hiken neper Shqipní, a i paten trazue Shqiptarët, apor mrrijten deri në Durrës pa kenë të ndjekun prej partizanve shqiptarë. Aso here nuk ekzistonte endè fjala partizan. Dikund e kam lexue se Shqiptarët nuk i lán rahat Serbt në hiken e tyne neper Shqipní. Un kam pasë kujtue se Esat Pasha me politiken e tij proserbe u pat gatue rrugen atyne, kúr kta u thyen prej ushtrive austrijake e ju desht me kalue neper Shqipní.

2) A i financojshin shtetet e hueja gazetat e shumta, qi delshin në perjudhen ndermjet Kongresit të Berlinit e deri në luftë botnore, apo i botojshin Shqiptarët me fonde private të tyne?

3) Ndoshta do t’a keni marrë edhe Ju broshuren me artikullin e shkruem prej  Jakomoni-t: L’Occidente, l’Italia e l’Albania. Në faqe 9 të ktij artikulli janë kto fjalë: “L’ Avvenuto Anschluß austro-germanico, aveva dato nel 1938 ( në shkrim âsht gabimisht vj. 1937) in mano alla Germania, nella sua spinta verso i Balcani, le pedine ancora vigorose del vecchio giuoco austro-ungarico in Albania. Lo stesso anno (l’anno succesivo âsht në broshurë) il re degli Albanesi si legava per matrimonio alle famiglie più rappresentative dell’antica diplomazia austro-ungarica che questo giuoco aveva condotto”. ( Perëndimi, Italia dhe Shqipnia…. Anschlussi austro-gjerman në 1938 i kishte dhânë në dorë Gjermanisë, në shtytjen e saj drejt Ballkanit, gurët ende të fuqishëm të lojës së vjetër austro-hungare në Shqipní. Në të njâjtin vjet mbreti i shqiptarëve lidhet me martesë me familjet mâ përfaqësuese të diplomacisë së hershme austro – hungareze e cila kishte luejtë shi këtë lojë.”) Jakomoni e bjen martesen e Zogut me nji ungareze si t´ishte kenë martesë politike e pregatitun prej diplomatis të kush e din se kúj. Mue më duket se Jakomoni e ka krejt angllisht në ket pikë. Ai njimend ka pasë rasë me kontrollue akte të mshehta të ministrís italjane e ndoshta ka ndoj fondamento ky asercjon  i tij, shka vetë nuk mundem me i pasë. Me gjithkta mue më duket se Italjant në politiken e tyne nuk kanë pá tjeter shauret në Balkan, vetem se Austrí e Gjermaní. Kúr lexon njeri sesa aktiv ishin italjant në Shqipní e per shqiptarë nder 20-30 vjetet para luftes I botnore, çuditet e jet pa mend kah shef mosaktivitetin e tyne në kohë të tashme. Derisá ishte puna me luftue Austrín në Shqipní, ishin aktiv edhe mâ teper se ishte nevoja, ndersá tash qi Shqipnija gjindet nen thundren slave, nuk bâjn kurrgjâ. Prandej mue më duket se Italjant, kúr gjykojn në piken Austrí-Gjermaní, nuk munden me kenë objektiva në kurrnji mndyrë. Se Zogu ka mujtë me i pasë sjellë sŷt edhe ndokah tjeter e jo vetem kah Italjant, âsht e mundun, pse shumicen e shteteve të vogla të Europës qandrrore e edhe të Balkanit, mâ fort friga se sá dashtënija i ka shtŷ me u sjellë kah Reich-u III. Por martesa me nji hungareze nuk ka të bâjë aspak me politikë e me spinta germanica verso i Balcani.  Kshtu e mendoj vetë punen. E shka thue ti në ket pikë?

Librin e Krahe tash po e porosis. Treimer-i nuk e ka pasë kurrkund menden me t’a ndalue librin e Krahe. Ai mendote se nji qi merret me gjuhsí – kshtu të kam paraqitë vetë te ai – âsht mâ mirë të lexojë libra qi merren me ket landë, si p.sh. libri i Anton Meyerit mbi gjuhen ilirjane, se sa të harxhojë pare per libra tjerë. Atij nuk po i shtohet pasunija e nami as nuk po i pakohet as njana as tjetra. Ai i shkreti âsht nji profug e mendon se edhe profugt tjerë nuk kanë pare me blé libra ashtu kollaj, e prandej dote me t’dhânë kshillin, qi të harxhojsh paret per librat mâ të nevojshemt per landen tande.

Sá per rivalitetin ndermjet shkenctarvet, po të tham mâ parë e mâ dalë se vetë po gzohem se po ndiej fjalen e ré shemrí per rivalitet. Sa per tjeter, qýsh në kohen e Kainit âsht vertetue perherë e njajta gjâ nder njerz. Kaini mbytë vllán e vet, pse Abelit i shkojshin punët mbarë. Mâ mirë me thânë, edhe Kainit i shkojshin punët mbarë, por shpirti i zí i tij nuk e lête me pá vllán e vet, Abelin, të preferuem prej Zotit. Edhe Salomoni i  dijshem thotë n’ Eklesiastes, 4, 4: “Ich sah, daß jedwede Mühe und aller Fleiß bei der Arbeit nur Eifersecht ist des einen gegen den andern”.  Por shembujt mund të shtohen fino all’infinito.  Merre tanë historín njerzore e ke me gjetë se në bazë të saj rrin inadi e smira kundra t’afermit. Prandej në ket pikë nuk âsht veç Tremer-i qi gabon. Ka shokë boll. Në punen e  Jokl-it medoemos Tremer-i e ka pasë krejt angllisht e edhe ai vetë e besoi, se porsá m’a ka thânë mue me t’u sjellë tý per rakomandacjon, e ka pá se kot e ka, pse nuk do të marrë prej teje nji ksi rakomandacjoni sŷmbylltas, perpá pasë kndue aspak librin e tij qi ka në botim. Por sá per Krahe nuk e ka pasë kurrkund menden me t’i ndalue librat e tij per librin e vet. Ai âsht i interesuem, po, qi të blehet libri i tij, por per tý ai barabar e din se do të t’a nisë librin falë e prandej nuk pret kurrgjâ fitim per vedi. Shpresa per fitime e ka shtŷ me t’u sjellë per rakomandim, pse librat e ksillojshem nuk i blên kurrkush. E kush po interesohet në kohë të tashme per ksi librash?

Treimer-i nuk ndjekë theorín paraindoeuropjane per Shqiptarë. Ai nuk thotë se Shqiptarët janë paraindoeuropjan. Ilyrt, po, i mban per nji popull paraindoeuropjan. Gjithçka thonë dijetarët per Illyrë, ai i a pershtatë Shqiptarvet. Shqiptarët, jo Illyrët, kanë banue Qândrren e Europës e mâ vonë Balkanin prendimuer e tash Shqipní-Kosoven. Shqiptarët janë indo-europjan, Illyrët jo. Illyrët i perkasin grupit t’atyne popujve qi kanë banue Europen ase mâ mirë me thânë krejt baçinin e mjesdhetár para se t’vijshin Indoeuropjant: Italikët, Grekt, Shqiptarët, Keltët, Gjermant etj.   Interesant âsht se shum fjalë qi kanë Latint e gjuhët e tjera i rrjedhë Tremer-i të marruna prej Shqipjet. Populli shqiptar ka sundue n’ Europen qandrrore deri në 400 p.Kr. mbî popuj tjerë; në vj. 400 çohen Keltët e perhapen gjithkah e mandej vín Gjermant e perzân Keltët. Kultura e Hekurit, qi thirret Hallstatt-Kultur, si mbas Tremer-it, âsht kenë nji kulturë e popullit shqiptar. Por po i lâm tash kto gjâna, pse në liber të Tremer-it ké me i kndue mâ hollë kto theorí.

Me shpresë se nuk ké me pasë rasë me interpretue aq vrashtas prumjen e Tremer, po e mbyll me kaq ket muhabetin t’em.

Harrova me të thânë se me shndet gjindem mirë. Edhe un po e kaloj gjith kohen në Graz. Nuk po i a kam fuqín me shkue në ndoj malsí e me kalue veren. U bân sá vjet qi po më duhet me e kalue veren perherë në gjytet. Por na profugt e ngratë ku t’i marrim mjetet per kaq e gjâ? Mjerisht ktu ku jam vetë, nuk kanë fretent kurrnji shpí a kuvend nder male, ku mund të shkoj me verue, prandej më duhet me ndejë në gjytet. Ka dashtë Zoti e sivjet kemi pasë nji verë mjaft të fresktë, prandej gjynah me u ankue. Atje n’ Egjipt e keni edhe mâ keq se na.

Po më çuditë puna, qi po t’u dashka me pritë edhe sá vjet per me dalë në boten e ré. Un kujtojshem se vetem ndoj Regiefehler  të ndalon me lânë Egjiptin. Se po t’u dashka me pritë kvoten, atë vetë nuk e dijshem. Zoti e bâftë mirë!

Shum shndet e të mira si Tý si edhe Motres.

 

  1. P. Margjokaj O.F.M.

 

      Ramleh, 10. 9. 1954

 

Mik i im,

Po u përgjigjem pyetjeve tua:

  1. Ça paske kënduem mbi trazimin e Sërbet prej nesh kur janë tërhjekun nëpër Shqipní përpara sulmit austro-hungar në fillim të 1916-s nuk âsht rrênë, mjerisht. Po thom mjerisht, se mbas mendimit t‘em nuk na nderon aspak. Esati s’kishte kurrfarë pushteti ndër malet aso kohe.
  2. Gjykimit t’ând përmbi martesën e mbretit Zog me Gjeraldinën dhe asserzioni-t e Jacomonit (nj’ashtu ka pasë besuem edhe Ciano, simbas Diario-s), sidhe mbi gjithsa po shkruen në lidhje me këtë fakt, s’kam asnji send me i hjekun as me i shtuem. Së paku dersa mos të kemë rasë me kuvêndun nji ditë me tê shtruem e vetëm. Mos harro se Jak Koçi ka pasë luejtun rolin kryesuer n’atë martesë, e ti nuk dij a e ke njohun mirë këtë shpirt të keq. S’âsht çudí qi dyshimet italjane t’i ketë pasë forcuem edhe ky.
  3. Qênkam marrë vesht a qênkam shprehun pak dallash për sa u përket fjale të Treimerit për Krahen. Un s’kam dashun të them, e n’e paça thânë paskam gabuem, qi Treimeri ka sŷnuem mos me më lânë mue me kënduem veprat e Krahes, për me kënduem vetëm t’atij vetë. Ai ka dashun vetëm me më çelë mue sŷtë mbi inkompetencën e këtij, simbas mendimit të vet, sikur pat dashun qi un të pohojsha botnisht edhe inkompetencën albanologjike të Joklit. Tash mue më kanë thânë – e më duket se diku edhe kam kënduem – se Krahe-ja âsht profesor gjuhsije e Treimeri thotë se nuk âsht gjuhtar. Ndoshta ky e din mâ mirë e un jam i gabuem. Krahe-ja ka botuem studime interesante mbi Ilirët, Jokli po dihet. Tash Treimeri në librin e tij qi âsht tue botuem po na qet theorí të reja përmbi Ilirë e Shqiptarë. Kur guxoj un, nji diletant i cekët, me u parashtruem kompetentave të cilsuem ndonji theorí, ndonji hypothesë të them mâ mirë, si mos me pasun të drejtë nji Treimer me i shpallë botës shkencore theorit’e veta edhe në kundrështim me Joklin e me Krahen? Tash po i këndojmë me ndihmë të Zotit edhe mendimet e tija e po kënaqemi. Gjykimin mbi to, sido qi të jetë, s’kemi për t’a dhânë na, por shokët e denjë të tij. E na, në qofshim gjallë, tash ndoshta kemi me kënduem edhe kritikat, qi sigurisht s’kanë për t’i munguem. Sa për shpenzime, ai pastë faqen e bardhë qi deshiron me na i kursyem; por kemi s’kemi, do të lâmë mangut nji kafshatë goje, në qoftë nevoja, për gjithë ditë, e librat qi i përkasin farës, gjuhës e historisë s’onë s’duem me i lânë pa kënduem po mujtëm me i gjetun. E duem me i kënduem e me i krahasuem pale cili na bindë mâ fort se shkenca nuk âsht revelatë hyjnore, por vepër njerzore.
  4. Prej tfillimeve suplementare qi po m’ep ti tash mbi theorinë e Treimerit, po kuptoj se ky i njimendueka (identifikueka) Ilirët me ato popullata paraindogjermane, qi tjerët i kanë quejtun përgjithsisht pelazgjike, simbas Helenet, e për Shqiptarë mbaka ata qi Krahe-ja i quen Ilirë, gati njipërnji. Churchilli thotë se fashizëm (a nacizëm) e komunizëm i gjajnë shoshoqes njipërnji si pol’i veriut polit të jugës. Diça kështu po mund t’u thânka edhe për Krahen e Treimerin. Na kopukët e Balkanit po qênkemi kaluer me të dy : dalkemi Shqiptarë të rrjedhun prej Iliret, qi Krahe-ja i quen farë t’indogjermanizmit t’Evropës, a Shqiptarë të Treimerit, gjithmonë nji popull i madh indoevropjan. Pra u falemi nderës të dy palet.
  5. Ti po m’ankohe se qe tash sa vjet po je i shtrënguem me e shkuem verën ndër qytete t’Evropës! Por harron se kuj po i ankohe : atij qi ka shtatë vjet qi s’po e lëshon shkretín’e Afrikës, qi e ka marrë malli me pamë nemose nji kodrinë, nji pyll a nji livadh! Faleminderës njimijë herë Zotit, veç, qi na ka falë shëndeten të dyve.
  6. Ndoshta s’ t’a paskam pasë tfilluem mirë punën e të mërguemit t’em në Amerikë. Qyshë dý vjet parandej, un qeshë pranuem si displaced person, pra me të drejtë me lypun vizë për Shtetet e Bashkueme ; por ime motër jo : kjo duhet të pritte rendin e quotës normale si çdo mërgimtar. E un pa tê s’kisha kurrsesi mënyrë me u nisun. Si do t’a lejsha e ku këtë copë femën të shkretë qi e due baras me djalin, por me këtë ndryshim qi ai âsht burrë e mund të thotë te rafsha mos u vrafsha, ndërsa kjo âsht femën? Kam mbetun, pra, edhe un, për quotën normale me tê. Kanë kaluem mâ se  dý vjet e në dashtë Zoti s’na tokon me pritun mâ se edhe nja dý tjera. Veçse ka motmot e këndej qi kemi dashun të nisemi për Evropë e s’kemi mujtun për atë shkak qi ti po e quen “Regiefehler”. Na mban uzdaja se dimni s’ka me na zânë këtu; por të sigurtë do të jemi vetëm atëherë kur të ketë çuem hekur vapori me neve mbrênda.

       Me kaqë pra e shumë shëndete të përzêmërta.

                     Miku i yt

                         MKruja

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency