Octavio Paz
Artet dhe letërsia gjenden sot të ekspozuara në një rrezik të ndryshëm: nuk u kanoset ndonjë dogmë apo ndonjë parti politike “mendjemprehtë”, por një sistem pa fytyrë, pa shpirt dhe pa drejtim. Tregu është ciklik, pa fytyrë, asnjanës dhe i paepur
Në kohën kur shkruaja këto mendime, kujtova edhe njëherë tjetër, jo pa ndonjë melankoli, betejat dhe përkrahjen që u bënë disa poetë, shkrimtarë dhe artistë, e ndërmjet tyre edhe unë. Në vitet e mia rinore u përballëm kundër “realizmit socialist,” një dogmë që synonte të nënshtronte letërsinë nën urdhërat e një shteti dhe një partie, të cilët në emër të çlirimit të llojit njerëzor, ngrinin përmendore për lavdinë e kërbaçit dhe çizmes. Më vonë nisën polemikat për “poezinë e angazhuar”. Nëse idetë e Sartrit ishin të pështjelluara, interpretimet në të cilat dhanë pretekst, veçanërisht në Amerikën Latine, ishin helmatisëse. U desh të dezinfektoheshin me kritikën. Nuk pendohem për ato beteja, ia vlenin mundimin. Artet dhe letërsia gjenden sot të ekspozuara në një rrezik të ndryshëm: nuk u kanoset ndonjë dogmë apo ndonjë parti politike “mendjemprehtë”, por një sistem pa fytyrë, pa shpirt dhe pa drejtim. Tregu është ciklik, pa fytyrë, asnjanës dhe i paepur. Disa do më thonë që me mënyrën e tij është i drejtë. Ndoshta. Por është i verbër dhe shurdh, nuk e do letërsinë dhe as nuk rrezikon, nuk di dhe as që mund të përzgjedhë. Çensura e tij nuk është ideologjike ngaqë nuk ka ide. Di për çmimet, jo për vlerat.
Tashmë njoh se është e pamundur të luftojmë kundër tregut apo të mohojmë funksionin dhe dobinë e tij. Ndërkaq, tani që socializmi totalitar, konform gjithë treguesve, rrënohet dhe ka pushuar së u kanosuri shoqërive demokratike, një mendim i ri shoqëror dhe politik ndoshta do të mundet të projektojë forma shkëmbimi më pak të dëmshme. Kjo është edhe dëshira ime e flaktë. Sapo që davariten utopitë e zymta të cilat përgjakën shekullin tonë, ka ardhur më në fund çasti të fillojë një reformim rrënjësor i shoqërive kapitaliste liberale, më i urtë dhe më njerëzor. Gjithashtu, dhe të popujve të periferisë që grupohen nën emërtimin e dyshimtë Bota e Tretë. Ndoshta ato kombe të shkatërruara ekonomikisht – viktima të vazhdueshme të tiranëve anakronikë dhe demagogëve dinakë, oligarkëve grabitës dhe intelektualëve të përçartur, dashnorë të dhunës – që u ndëshkuan nga katastrofa e atyre dhjetëvjeçarëve – ia dolën të gjejnë shëndet politik dhe bashkë me këtë, pak begati. Asnjë njeri i mençur nuk mund të besojë që kriza e cila sot trand vendet që kanë jetuar nën despotizmin burokratik komunist, nuk do të shpërhapet në pjesën tjetër të botës. Rrojmë në një kthim të kohëve: jo një revolucion, por me kuptimin e vjetër dhe të thellë të fjalës, një kthim. Një kthim në themele që është, gjithsesi, një kthim kah fillimi. Nuk gjendemi në fundin e historisë, siç ka thënë një profesor amerikan, por në një fillim të ri. Ringjallje realitetesh të varrosur, riparaqitje e të harruarit dhe të shtypurit që, siç edhe herë të tjera në histori, mund të përfundojë në një rinovim. Kthesat kah themelet janë pothuajse përherë rikthime:
Ripërtëritje, rilindje.
Në gjysmën e dytë të shekullit 18-të, paraqitet një rrymë e fuqishme dhe komplekse idesh, ndjenjash, synimesh dhe vizionesh (disave të ndritur dhe të tjerëve paranojakë) që kristalizohen në Revolucionin Francez dhe në Revolucionin e Pavarësisë të Kombeve të Bashkuara. Me këto fillon historia jonë, historia e epokës sonë. Lëvizja që lindi nga dy revolucionet e mëdha përshkon shekullin e 19-të si një lumë që duket, humb dhe rishfaqet sërish. Në kohën që rrjedh, ndërron. Përgjatë ndërrimit, rrotullohet pareshtur kah burimet e tij. Çdonjëra prej paraqitjeve të tij shoqërohej nga ide dhe teori të reja, utopi, programe shoqërore dhe reforma politike. Pozicionimet filozofike të Iluminizmit u modifikuan. Përkrah mendimit liberal të një Tokëvili ose një Stjuart Mill, brofën ideologji të cilat nostalgonin një të kaluar të supozuar më të mirë, dhe të tjera që gjykonin të tashmen në të njëjtin nivel, duke parë në të ardhmen agimin e një njerëzimi më të lirë, më të drejtë dhe më paqësor. Shumë shpejt, utopitë u metamorfozuan në programe revolucionarizuese, shpesh me investim shkencor. Iluzioni i madh i shekullit të kaluar ishte kërkimi në shkencën e themeleve ku filozofia antike kishte hulumtuar tek fjala e arsyeshme dhe në natyrën hyjnore. Marksizmi, për shembull, pa mohuar dialektikën që trashëgoi prej Hegelit (një logjikë vetiluzionuese), u përpoq të përfitojë prej kontributeve të Rikardos në teorinë ekonomike dhe më pas, më pak e përligjur, prej teorisë evolucioniste të Darvinit.
Teoritë anarkiste dhe socialiste shkaktuan mbrujtjen e madhe politike dhe ekonomike të gjysmës së dytë të shekullit 19-të. Por, në shekullin tonë, dy luftëra të mëdha që u pritën me revolta të dhunshme në njërin skaj të Europës dhe në Azi, ndërprenë proçedurën e stadeve shndërruese që parashikonin shumë socialistë dhe demokratë. Regjimet totalitare, që u prirën kah versioni bolshevik i marksizmit, më së fundi u kthyen kundër vetë socializmit. Një dëshmi e re për elasticitetin e vogël të lëndës historike që kurdoherë rebelohet kundrejt pretendimeve të teorisë. Sot gjendemi në shfuqizimin sensacional të atij që quhet “socializmi shkencor.” Besnikët e tij nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të pranojnë që ato regjime nuk ishin kurrë as socialiste, as shkencore. Por, humbja e besueshmërisë të atij eksperimenti të tmerrshmëm, prek pra, edhe ambiciet liberale dhe politikat barazuese që frymëzuan mendimtarët anarkistë dhe socialistë të shekullit të kaluar? Nuk e besoj. Përballë padrejtësive flagrante të sistemit kapitalist, njerëzit shtruan disa pyetje. Këto pyetje vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.
E vërteta është që sistemi kapitalist ka treguar një aftësi të madhe rinovimi: në të njëjtën periudhë që shumëfishoi efikasitetin e tij, u riformësua dhe u bë më njerëzor. Në perëndim mbretëron begatia dhe ekziston një klasë e mesme shumë e madhe në mirëqënie, që përfshin shtresa të gjera të proletariatit të vjetër. Përtej faktit që kjo mirëqënie prek vetëm një pjesë të llojit njerëzor, si të fshehë apo të mohojë dikush padrejtësitë dhe pabarazinë që akoma ekziston tashmë në kombet e zhvilluara? Si të injorojë ose të zvogëlojë në minimum pamje të tjera të trishta të shoqërisë konsumatore? Bollëku nuk i ka bërë as më të mirë, as më të ditur, as më të lumtur europianët dhe banorët e Amerikës Veriore. Për të matur pamjaftueshmërinë tonë estetike, moralin e ulët dhe nivelin shpirtëror, mjafton të mendojë një Athinas të shekullit të 5-të p.K., një Romak i epokës së Trajanit dhe të Mark Aurelit ose një banor të Firences të shekullit 15-të.
Programet e shkrimtarëve socialistë dhe liberalë ishin shumë herë të mençur dhe të thjeshtë, herë të tjera të dhunshëm dhe despotikë. Megjithatë, as mungesat, boshllëqet, gabimet dhe abuzimet e këtyre programeve, as dështimi kolosal historik i tyre, nuk e bëjnë të paqëndrueshëm legjitimitetin e pyetjeve që ata njerëz shtruan. Më duket se po afron çasti të shtrojmë pyetjet e njëjta ose të ngjashme. Është pothuajse e sigurt që përgjigjet tona do jenë të ndryshme. Asgjë nuk është më e natyrshme se kjo. Por do të jenë të frymëzuara nga stimuj të ngjashëm dhe do duhet të kënaqin shpresa analoge. Pyetjet në të cilat referohem janë themelore. Paraqiten në të njëjtin çast të lindjes së Epokës së Re dhe në ato përmbahet e gjithë historia e epokës sonë, kimera dhe kontradiktat e saj, endjet poshtë e lart dhe lartësimet e shndritshme të saj. Mund të dendësohen – pa rrezikun e madh të thjeshtësohen – në marrëdhënien ndërmjet tre fjalëve kritike të demokracisë së re: liri, barazi, vëllazëri. Lidhja ndërmjet tyre është e pasigurt ose problematike. Ekziston kontradiktë ndërmjet tyre? Dhe kush është ura që mund t’i bashkojë?
Nga pikëshikimi im i gjërave, fjala qendrore e trinisë është vëllazëri. Me atë ndërlidhen dy të tjerat. Liria mund të ekzistojë pa barazi dhe barazia pa liri. E para, vetë, thellon pabarazitë dhe shkakton tiranitë. E dyta, shtyp lirinë dhe në fund e asgjëson. Vëllazëria është elementi lidhës, virtyti që i fisnikëron dhe i harmonizon. Emri tjetër i saj është solidaritet, trashëgim i gjallë i kristianizmit, version modern i përdëllimit antik. Një virtyt që nuk e njihnin as Grekët dhe as Romakët që dashuronin lirinë por injoronin dhimbshurinë e vërtetë. Me të dhënat e natyrave të ndryshme ndërmjet njerëzve, barazia është një synim moral që nuk mund të materializohet pa shkuar kah despotizmi ose veprimtaria e vëllazërisë. Veç kësaj, liria ime vjen, fatalisht, ballë për ballë me lirinë e tjetrit dhe synon ta asgjësojë. Ura e vetme që mund të pajtojë këto dy motra armike – urë e bërë nga duar të përqafuara – është vëllazëria. Mbi këtë të vërtetë të thjeshtë dhe modeste do mund të themelohet, në ditët që vijnë, një filozofi e re politike. Vetëm vëllazëria mund të shpërbëjë makthin ciklik të tregut. Konstatoj se këtë mendim thjesht e imagjinoj, ose më saktë, e vërej. E shoh si trashëgim të traditës së dyfishtë të epokës moderne: të liberalizmit dhe socializmit. Nuk besoj se duhet t’i përsërisim, por t’i tejkalojmë. Do të ishte një ripërtëritje e njëmendët.
Nën dritën e këtyre ideve a ndoshta të shpresave, pyetja zanafillore – cilët lexojnë përmbledhje poetike? – përfton kuptimin e njëmendët. Në të kaluarën, lexuesit e poezive bënin pjesë në klasën e parisë: qytetarë grekë, patricët dhe kalorësit romakë, klerikë të mesjetës, oborrtarë të epokës baroke, intelektualë të klasës borgjeze. Në shumë raste lexuesit ishin liderë të mëdhenj, si Perikliu, Augusti ose Adriani. Të tjerë ishin të dobët, por monarkë të ndjeshëm, si Filipi IV (“mbreti ynë i mirë ”e quan Manuel Maçado) dhe perandori i pafat Hsuan Cung, të tjerë, despotë të ndritur si Frederiku i Prusisë. Në epokën moderne vjen ndërrimi i madh: ç’prej epokës të romantizmit, lexuesit e poezive ishin, siç edhe vetë poetët, vetmitarët dhe të lënët në periferi. Poetë dhe lexues që bëjnë pjesë në klasën borgjeze, por rebelohen kundrejt prejardhjes së vet, të klasës së tyre dhe të moralit të botës së tyre. Kjo përbën një nga arritjet e pakundërshtueshme të klasës borgjeze, të klasës shoqërore që mori pushtetin me armën e mendimit kritik dhe që nuk pushoi ta përdorte për të analizuar veten e vet dhe veprat e saj. Shqyrtimi i ndërgjegjes dhe brerjeve që e shoqërojnë, trashëgim i kristianizmit, ishte dhe është shëruesja më e fuqishme përballë mjerimeve të qytetërimit tonë.
Në kritikën dhe në traditën revolucionare të modernizmit, poezia zotëron një vend qendror dhe ekscentrik njëkohësisht. Qendror sepse ç’prej fillimit përbënte pjesë thelbësore të kritikës së madhe dhe përmbysëse të asaj rryme që përshkoi shekullin XIX dhe XX. Pothuajse të gjithë poetët tanë të mëdhenj morën pjesë në ato lëvizje emancipuese. Por veçanësia e poezisë moderne konsiston në atë që shprehu realitete dhe ambicie më të thella dhe më të vjetra nga të menduarit gjeometrik të revolucionarëve dhe prangat e arrestimeve të utopistëve. Në një nga format e saj ekstreme, poezia prek kufijtë elektroforë të frymëzimeve dhe vizioneve fetare. Prandaj ekzistonte, alternativisht dhe me dukje ekstreme, revolucionare dhe reaksionare. Ndër të tjera, nuk është çudi që të gjitha dashuritë dhe devotshmëritë e saj përfunduan me indiferencë në shkurorëzime dhe në distancime. Nga çasti i lindjes të saj, nën dritën e beftë të vetëtimës romantike që përçan simetritë e shekullit XVIII deri në gjysmëdritën e vrazhdë të epokës sonë, poezia nuk pushoi së qeni një heterodoksi ngulmuese dhe e qëndrueshme. Lëvizje gjarpëruese e parreshtur, rebelim i vazhdueshëm kundër të gjitha dogmave dhe kishave, paralelisht, po aq edhe dashuri e qëndrueshme për realitetet e poshtëruara, që janë kundër trajtimeve fideistike dhe teorizimeve racionaliste. Poezi: gur i këmbëzës (së shkrepjes) në modernizëm.
Zëri i saj është tjetër sepse është zëri i dëshirave dhe vizioneve. Është zë i një tjetër bote dhe zë i asaj bote, është i lashtë dhe është i sotëm, lashtësi pa kronologjira. Poezi heretike dhe skizmatike, poezi e pafajshme dhe perverse, e qartë dhe e baltosur, e ajërt dhe e nëndheshme, poezi e shkretimit dhe e barit tek këndi, poezi e prekshme dhe përherë poezi e së përtejmes që është pikërisht këtu. Të gjithë poetët, në këto çaste të mëdha ose të vogla, të përsëritura ose unike, në të cilat janë në të vërtetë poetë, dëgjojnë zërin tjetër. Është i tyre dhe është i huaj, nuk i takon askujt dhe u takon të gjithëve. Asgjë nuk e veçon poetin nga burrat dhe gratë e tjera, përveçse atyre – të rralla megjithëqë janë të shpeshta – ku vërtet ai vetë është dikush tjetër. Pushtim i çuditshëm forcash dhe pushtetesh, gufmim i një thellësie shpirti varrosur në të brendshmen e vet, apo dhunti e rrallë të kombinoj fjalë, imazhe, tinguj, trajta? Nuk është e lehtë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve. Ndërkaq, nuk besoj se bëhet fjalë vetëm për një dhunti. Por edhe nëse është kështu, prej nga vjen? Ose njëra, ose tjetra. E sigurta është që, e veçanta themelore e fenomenit poetik, na bën të mendojmë se bëhet fjalë për një sëmundje që pret akoma diagnostikimin e mjekut. Mjekësia e lashtë – siç edhe filozofia, me Platonin të parin – e pa dhuntinë poetike në këndvështrimin e një turbullimi psikik. Ishte një mani, d.m.th. një zemëratë e shenjtë, një entuziazëm, një ekstazë. Ndërkaq, mania nuk është veçse njëri nga polet e turbullimit. Tjetri është absentia, boshi i brëndshëm, ajo “ gogësima melankolike” për të cilën flet poeti. Plotëri dhe boshësi, fluturim dhe rënie, entuziazëm dhe melankoli: poezi. Veçantia psikike dhe shoqërore e poetit, theksohet menjëherë sapo të trajtohet për nga prejardhja e tij shoqërore. Të gjithë poetët modernë, përveç një gjysmë dyzine aristokratësh, bënin pjesë në klasën e mesme. Të gjithë kishin formim universitar. Disa ishin avokatë dhe gazetar, të tjerë ishin mjekë, mësues, diplomat, reklamues, bankier, tregtar, burokratë të vegjël ose të mëdhenj. Pak, si Verleni dhe Rembo, ishin parazitë dhe rebelë. Por Verleni kishte një të ardhur të vogël dhe Rembo ishte një drop-out i klasës borgjeze të provincës. Përgjithësisht, të gjithë ishin produkt i krijimit të madh historik të modernizmit: të klasës borgjeze. Prandaj dhe të gjithë pa përjashtim ishin pozicionuar armiq të modernizmit. Armiq dhe viktima. Kështu – një tjetër paradoks – ishin krejtësisht modernë. Heterodoks si Elioti kur himnizojnë klasën ose kur bëjnë shpesh herë kryqin (për t’u falur – shënim i përkthyesit) si Klodeli, ose kur himnizojnë litani leniniste, si Brehti dhe Neruda. Liberalë si Paundi kur mbajnë temjanin për të lajkatuar një demagog të kamufluar si Çezar… Të gjithë, poetë me uniformë ose leckamanë, gra poete ose burra poetë, poetë të të gjitha racave dhe i asnjë race, i të gjithë profesioneve, bindjeve, partive dhe dogmave, poetë të endur nëpër katër pikat e horizontit dhe poetë që kurrë nuk kanë braktisur qytetin e tyre, lagjen e tyre ose dhomën e tyre, të gjithë kanë dëgjuar, jo nga jashtë por brenda nga vetë qenia e tyre (gjëmim, gërgërimë, përrua uji) zërin tjetër. Kurrë zërin e “këtu dhe tani,” të sotmin, por zërin përtej, larg, tjetrin, zërin e fillimit. Veçantia e popezisë moderne nuk konsiston tek idetë ose veprimet e poetit: konsiston në zërin e tij.Ose më mirë: në tonin e zërit të tij.Është një theksim i papërcaktuar, i dallueshëm dhe i cili fatalisht e bën tjetër. Është vula jo e mëkatit fillestar, por e ndryshimit fillestar. Antimodernizmi i modernizmit të poezisë sonë, shpërthyer ndërmjet revolucionit dhe fesë, luhatur ndërmjet të qarit si Herakliti apo të qeshi si Demokriti, është një transhendencë e njëmendët. Por një transhendencë pothuajse përherë e pavullnetshme që paraqitet pa e dashur poeti. Transhendenca rimbin, siç edhe tashmë kam thënë, nga një ndryshim zanafillor. Nuk është një vijim konsekuent, as dhe një element shtesë, por vetë mënyra e qenies së poezisë në Epokën Moderne. Shkaku i kësaj veçantie është historik. Një poezi mund të jetë moderne nga temat e saj, gjuha e saj, forma e saj, por nga thellësia e natyrës së saj është një zë antimodern. Poezia shpreh të vërteta të huaja kah modernizmit, botë shpirtrash dhe sfera që jo vetëm janë tepër të lashta, por dhe të papërshkueshme prej ndryshimeve të historisë. Ç’prej epokës paleolitike, poezia ka qenë në simbiozë me të gjitha shoqëritë njerëzore. Nuk ka ekzistuar shoqëri që të mos ketë njohur njërën ose tjetrën formë të poezisë. Edhe nëse është e lidhur me një terren dhe një histori, është përherë e hapur në çdo shfaqje të tyre, në një dia-historik të përtejmë. Nuk aludoj një të përtejmë fetar: flas për konceptin e anës tjetër të realitetit. Është një përvojë e përbashkët për të gjithë njerëzit, në të gjitha epokat dhe e cila më duket paraardhëse e të gjitha feve dhe filozofive.
Në një botë që rregullohet nga logjika e tregut, në vendet komuniste nga logjika e efikasitetit, poezia është një veprimtari me rendiment ekonomik zero. Prodhimet e saj shiten pak dhe kanë vlefshmëri të vogël (përveç rasteve që vlejnë si propagandë në diktatura dhe totalitaritetet ideokratike). Për mentalitetin modern, megjithëqë në të njëjtën mënyrë nuk e pranon, poezia është energji, kohë dhe talent që shndërrohen në tepri objektesh. Vjershë: trajtë lektike me vlefshmëri të vogël dhe çmim të ulët. Poezi: shpenzim, harxhim, shkapërderdhje. Megjithatë, kundër erës dhe baticës, poezia qarkullon dhe lexohet. Duke protestuar kundër sistemit të tregut, pothuajse nuk ka çmim. Nuk ka rëndësi: shkon nga goja në gojë, si ajri dhe uji. Çmimi dhe vlera e saj nuk mund të maten: një lypës mund të jetë i pasur në poezi. As nuk është e mundur që dikush të depozitojë poezi, duhet t’i shpenzojë. Domethënë që t’i thotë. Mister i madh: vjersha përmban poezi me kushtin që të mos e mbajë për veten e vet. Është e bërë për ta shpërhapur dhe ta shpërndajë si kana që derdh verën dhe ujin. Të gjitha artet, veçanërisht piktura dhe skulptura,duke u formësuar, bëhen gjëra, prandaj mund të ruhen, të shiten dhe të metamorfozohen në objekte spekullimi financiar. Poezia është gjithashtu gjësend, por është një gjë shumë e vogël: është e bërë nga fjalë, një frymëmarrje ajri që nuk zë vend në hapësirë. Në rrjedhë të anasjelltë nga tabloja e pikturës, poezia nuk tregon figura, as trajta: është një komplot fjalësh që bën të shpërthejë tek lexuesi ose tek dëgjuesi një tablo me imazhe shpirtërore. Poezia dëgjohet me veshë, por shikohet me të kuptuarit e mirë dhe të thellë. Imazhet e saj janë disa plazma amfibe: janë ide dhe janë forma, janë tinguj dhe janë heshtje. Përpara se të përfundoj, më duhet të përsëris atë që thashë. Konflikti ndërmjet poezisë dhe modernizmit nuk është i rastësishëm, por rrënjësor. Kundërshtia midis tyre paraqitet ç’prej fillimeve të epokës sonë me romantikët e parë. Paradoksi është se kjo mungesë kompromisi është një nga karakteristikat e njohura, ndoshta themelorja, e poezisë moderne, për më tepër, kjo mungesë kompromisi e bën të pranueshme nga ana e lexuesit që shikon tek kjo një imazh të gjendjes së tij. Vetëm poetët modernë mund të jenë kaq totalisht dhe kaq skizmatikisht antinovatorë, siç qenë poetët tanë të mëdhenj. Modernizmi i bazuar tek kritika, lind në një mënyrë të natyrshme kritikën e vetvetes. Poezia është një nga shfaqjet më aktive dhe të gjalla të kësaj kritike. Por kritika e saj nuk ishte as racionale dhe as filozofike, por u bë me pasion dhe në emër të realiteteve që injoron ose mohon Epoka Moderne. Poezia i ka bër rezistencë modernizmit dhe duke mos e pranuar e ka rigjallëruar. Ka qenë kundërthënia dhe antidoti i tij. Duke mbërritur në këtë pikë, kthehem në fillim të mendimit tim. Sot jemi dëshmitarë, konform gjithë shenjave, të një ndryshimi tjetër të madh. Nuk dimë nëse jetojmë fundin apo ripërtëritjen e modernizmit. Në këtë kthim të kohëve, kush do të mund të ishte roli i poezisë? Nëse, siç besoj dhe shpresoj, lind një politikë e re mendimi, krijuesit e saj do duhet të dëgjojnë zërin tjetër. Nuk e dëgjonin ideologët revolucionarë të shekullit tonë dhe kjo shpjegon, pjesërisht të paktën, dështimin e madh të planeve të tyre. Do të ishte shkatërrimtare që filozofia e re politike të injoronte këto të vërteta, të fshehura dhe të varrosura nga njeriu i sotëm. Përgjatë kohës së dy shekujve të fundit, roli i poezisë ishte të na kujtonte ekzistencën e këtyre realiteteve. Poezia e nesërme dhe roli i saj nuk do të mund të jetë i ndryshëm. Misioni i saj nuk do të konsistonte në atë që, të furnizonte me ide mendimin, por t’i rikujtonte, siç edhe tani, atë që me idhnim ka haruar ç’prej tre shekuj. Poezia është Kujtesa që bëhet imazh dhe imazhi që shndërrohet në zë. Zëri tjetër nuk është zëri që del nga varri: është zëri i njeriut që fle në thellësi të çdo njeriu. Është mijëravjeçar dhe ka moshën tonë dhe ende nuk ka lindur. Është gjyshi ynë, vëllai ynë, stërnipi ynë.
Natyrisht, është e pamundur të dijë ndokush kah ku drejtohen shoqëritë dhe popujt e shekullit XXI. Ka të ngjarë që ky mendim i ri, i destinuar t’u përgjigjet pyetjeve të guximshme që shtronte Epoka Moderne, nuk është veçse një shpresë, pasione të devotshme, diçka që mundi të ishte dhe që u shpërbë nga historia. Kjo do të ishte e tmerrshme, me premisën që janë tashmë të dukshme në shumë vende të botës, shenja shqetësuese të rikthimit të pasioneve të vjetra fetare, të fanatikëve nacionalistë, dhe e adhurimit të racës. Riparaqiten bindje dhe pasione që ishin të mbytura sa nga liberalizmi racional, po aq edhe nga regjimet që dëftenin maskën e “socializmit shkencor”. Këto bindje dhe këto pasione ishin vdekjeprurëse dhe do të ribëhen të tilla nëse nuk jemi të aftë t’i përthithim dhe t’i spastrojmë.
Përtej fatit që e ardhmja ruan për njerëzit, ka diçka që më duket e qartë: institucioni i tregut, tashmë në apogjeun e tij, është i dënuar të ndryshojë. Nuk është i përjetshëm dhe asnjë krijim njerëzor nuk është i tillë. Injoroj nëse do të modifikohet nga urtia e njerëzve, nëse do të zëvendësohet nga një tjetër më i përkryer ose do të shkatërrohet nga teprimet dhe kontradiktat e tij. Në rastin e fundit, do mund të tërhiqte kah shembja e vet edhe institucionet demokratike. Mundësitë që më bëjnë të ndjej frikë, janë ngaqë, kësisoj do të niste një epokë e errët, siç edhe ka ngjarë më shumë se një herë në histori. Nuk është e nevojshme të rikujtoj fundin e botës greko-romake, rënien e qytetërimeve në Indi dhe në Kinë, apo letargjinë shekullore në të cilën ra Islami. Sidoqë të bëhet, është e qartë se shpenzimet e mëdha, idioteske dhe vetëvrasëse të rezervave natyrore duhet të ndalin shpejt, nëse njerëzit duan të mbijetojnë mbi tokë. Shkaku i këtij shpenzimi gjigand të pasurisë natyrore – që siguron jetën e tashme dhe të ardhme – është mekanizmi ciklik i tregut. Është një aktivitet me efektshmëri të lartë por pa drejtim, ku qëllimi i vetëm i tij është të prodhojë gjithnjë e më shumë për të konsumuar gjithë e më tepër. Politika amullore e shumicës dërrmuese të qeverive të vendeve në zhvillim, sa në Amerikën Latine aq edhe në Azi e në Afrikë, ka kontribuar gjithashtu në shkatërrimin mbarëbotëror të infektimit të liqeneve, lumenjve, deteve, luginave, pyjeve dhe maleve. Asnjë qytetërim nuk kishte një fatthënie kaq të verbër, mekanike dhe shkatërrimtare.
Konjuktura në të cilën sapo u referova, do të duket në të ardhmen e afërt, cilatdo qofshin institucionet tona politike dhe shoqërore, dhe pavarësisht nga bindjet dhe opinionet tona. Në praktikë tashmë është paraqitur dhe madje nën kushte gjithë e më tepër kufizuese dhe kanosëse. Për më tepër, ndokush mund të thotë pa e tepruar se çështja kryesore e këtij fundshekulli, nuk është çështja e organizimit politik të shoqërive tona, as ajo e orientimit historik. Sot, çështja urgjente është të mësojmë si të sigurojmë mbijetesën e llojit njerëzor. Përpara këtij realiteti, cili mund të jetë roli i poezisë? Çfarë mund të thotë zëri tjetër? Tregova se nëse do të lindë një politikë e re mendimi, ndikimi i poezisë do të ishtë i tërthortë: rikujtim i mjaft realiteteve të varrosur, rilindje dhe paraqitje e tyre. Përballë çështjes së mbijetesës të llojit njerëzor në një tokë të helmuar dhe të shkretuar, përgjigja nuk mund të jetë e ndryshme. Ndikimi i saj do të jetë i tërthortë: të parashtrojë, të frymëzojë, të aludojë. Jo të faktojë, por të tregojë. Mënyra e të vepruarit të mendimit poetik është fantazia dhe kjo konsiston kryesisht në cilësinë korrelative të realiteteve kundërvepruese ose heterogjene. Të gjitha format poetike dhe paraqitjet glosike zotërojnë një karakteristikë të përbashkët: kërkojnë dhe shpesh zbulojnë ngjashmëri midis objekteve të ndryshëm. Në rastet më ekstreme njësojnë të kundërtat. Krahasime, analogji, metafora, metonimi dhe marifete të tjera të poezisë: të gjitha priren të prodhojnë imazhe në të cilat bien në ujdi e aty-shmja dhe e atje-shmja, njëra dhe tjetra, të shumtat dhe njëshi. Efekti poetik e rrok gjuhën si një gjithësi të gjallë, që përshkohet nga një rrymë e dyfishtë tërheqëse dhe shtytëse. Tek gjuha riprodhohen grindjet dhe pajtimet, dashuritë dhe ndarjet e yjeve dhe qelizave, të atomeve dhe të njerëzve. Çdo poezi, cilado qoftë tema e saj, forma e saj dhe idetë që e plazmojnë, është para së gjithash dhe mbi të gjitha një botë e vogël e gjallë. Poezia reflekton solidaritetin e “dhjetëmijë gjërave që formojnë gjithësinë,” siç thoshin kinezët e lashtë.
Pasqyrë e vëllazërimit kozmik, poezia përbën një model të asaj që do mund të ishte shoqëria njerëzore. Përballë shkatërrimit të natyrës, tregon vëllazërimin midis yjeve dhe molekulave, substancave kimike dhe ndërgjegjes. Poezia ushtron imagjinatën tonë dhe na mëson në këtë mënyrë si të njohim dallimet dhe të zbulojmë ngjashmëritë. Gjithësia është një ind i gjallë, afinitet lidhjesh dhe kundërshtish. Dëshmi e gjallë e vëllazërimit botëror, çdo poezi është një mësim praktik harmonie dhe marrëveshjeje, megjithëse subjekti i saj është zemërimi i heroit, vetmia e vashës së braktisur apo zhytja e ndërgjegjes në ujërat e qeta të pasqyrës. Poezia është antidoti i teknikës dhe tregut. Në këtë përmblidhet ajo që do mund të ishte, në epokën tonë dhe në epokën që vjen, funksionimi i poezisë. Asgjë më tepër. Asgjë më pak.
Pyetja fillestare: sa dhe cilët lexojnë poezi? Natyrisht është e ndërlidhur me çështjen e mbijetesës së poezisë në botën e sotme. Nga ana e saj, kjo pyetje zgjerohet në një tjetër më urgjente dhe të rëndësishme: mbijetesa e vetë njerëzimit. Poezia është një model mbijetese me themele tek vëllazërimi – joshje dhe neveri – dy elemente të trajtave dhe të gjallesave të gjithësisë. Hygoi e tha në një mënyrë të mrekullueshme: Tout cherche tout, sans but, sans trêve, sans repos.* Marrëdhënia ndërmjet njeriut dhe poezisë është kaq e hershme, sa dhe historia jonë: zanafilloi kur njeriu filloi të jetë njeri. Gjahtarët dhe mbledhësit e parë të frutave, të habitur një ditë, u përballën me veten e tyre ne një çast të pambarimtë, në ujërat e qeta të një poezie. Ç’prej atëherë njerëzit nuk kanë ndalur të shohin veten e tyre brenda në këtë pasqyrë të imazheve. Dhe e kanë parë si krijues imazhesh dhe si imazh i krijimeve të tyre njëkohësisht. Prandaj, mund të them disi i sigurt që, aq sa do të ekzistojnë njerëzit, do të ketë edhe poezi. Por marrëdhënia mund të thyhet. Lindi mbi të gjitha nga vetia njerëzore: fantazia. Mund të thyhet nëse fantazia vdes ose gërryhet. Nëse njeriu harron poezinë, do të harrojë vetveten. Do të rikthehet në kaosin parak.
(Marre nga Fjala review)
Meksikë, 1 Dhjetor 1989.
Përktheu: Arian Bogdani